Reagime ndaj vizitës së Erdogan-it në Kosovë!

Analiza & Komente | Zef Prenka | 24.10.13 | 13:22

  •  Pren Buzhala

Unë shoh gjëra pozitive tek këto takime trepalëshe shqiptaro-turke, që do të sjellin rrjedhoja pozitive „brenda vitit“. Mbasi në Turqinë e sotme mungojnë shumë gjëra dhe mbasi atje jetojnë rreth 15 milion shqiptarë (sipas librit të Fatmir Selimit „Me shqiptarët e Turqisë“):

1. do të hapen shkolla fillore shqip, shkolla të mesme shqip dhe universitete shqiptare në Turqinë e sotme; ashtu si kanë një grusht turqish në Kosovë;
2. do të formohen parti politike shqiptare, do të ketë deputetë e qeveritarë shqiptarë në institucionet shtetërore, do të ketë kudo zyrtarë shqiptarë në nivelet shtetërore, rajonale e lokale; do të ketë dhe ministra shqiptarë që flasin shqip, ashtu si flet turqisht në Kosovë Jakxhlliar; shqipja do të jetë gjuhë zyrtare;
3. do të ketë ngritje të monumenteve kulturore shqiptare, do të ngritet një përmendore për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun e për figura të tjera shqiptare në Stambollin e dikurshëm ilir (Stambollin e themeloi Konstandini i Madh ilir, kur aty nuk kushte fare turq); do të ngriten faltore shqiptare, muzeume shqiptare, teatro shqiptare, do të xhirohen filma shqip dhe do të krijohet një letërsi shqiptare… krejt ashtu si i kanë një grusht turqish në Kosovë, do të ketë në Turqi edhe televizione shqiptare, gazeta shqiptare e media shqiptare…
Sigurisht, atëherë … do të themi që Turqia është Kosovë e është Shqipëri, pse jo!
Atëherë Turqia do të evropianizohet dhe do të pranohet në BE…

  • Ndue Ukaj

Edogani, me nje kryeminster sharlatant e hipokrit, e ne mbeshtetje te nje kryeminstri tjeter pa idetitet, po hapin nje grope te zeze nder shqiptar
Mjere ai kryeminister, mjere ai minister, mjere ai deputet, mjere ajo intiligjence, qe nenshtrohet perballe gjuhes plot helm te diktatorit Erdogan. Kjo nderhyrje flagrante e kesaj figure te poshter ne punet e kombit shqiptar, eshte nje dinamit brenda kombit shqiptar. E pergjegjesia per kete grope te zeze qe po vihet nder shqiptare, bie mbi kete kaste kusaresh, qe ne kembim te identitetit fetar, po heqin dore nga identiteti kombetar.

  • Lulzim Berisha

Erdogan para disa muajsh pati deklaruar: Aty ku ishim me shpatë do jemi prapë por me ekonomi. D.m.th. e pranon se është nip dhe pasardhës i pashallarëve osman. Për hyrjen në tokat shqipëtare ja mundësuan Sali Berisha dhe Hashim Thaqi që e pranuan publikisht se jemi vllazën natyror dhe jo të vëllazeruar duke pi gjakun e njëri tjetrit dhe kjo d.m.th. shumë. Mbi 500 vjet jetuan mëshkujt otoman në trojet tona dhe asnjëri s’kishte marrë grua me veti. Vëllau ndaj vëllaut ka obligime tërë jetën. Kjo po shihet. Mua as pak s’më çudit ky realitet edhe pse më dhemb shumë, për mua personalisht dhe për shkak të atyre që u flijuan për këtë tokë. Më dhimbet Gjergj kastrioti dhe gjithë nipat dhe mbesat e tij që u flijuan sepse e deshtën këtë tokë të lirë. Më dhimben edhe ata që sot jetojnë që kanë gjak Kastrioti dhe shofin këtë realitet në shqiptarinë ton

  • Alfred Lela

Teprimet në orientalizëm nuk kanë qenë huq i Edi Ramës. Oksidentalizmat po, të gjithë e dimë, kanë qenë me tepri images (8)përshkrues të tipit të tij. Që nga Refleksionet te Artet atëbotë kur Shqipëria ende nuk kish dalë prej fjalimeve me Parti-Enver, e deri te transgresionet e shpeshta me të cilat sikur donte të thoshte se ai ishte më pak shqiptar se i lejohej dhe më shumë perëndimor se i kërkohej. Por dje, Edi Rama, tashmë kryeministër i Shqipërisë është hedhur në një transgresion të ri, të një lloji e forme tjetër, të tillë që ne nuk do ta kishim besuar po të na e kishin thënë e të mos e kishim parë, në orientalizëm.

Nga Prishtina në Prizren, përkrah dy orientalistëve zanafillorë si Hashim Thaçi dhe Recep Tayip Erdogan, ai ka rrugëtuar siç dy guvernatorë vilajetesh të perandorisë osmane do të rrugëtonin me Sulejmanin e madhërishëm. Të dy shefat shqiptarë të qeverive, kanë qenë gjithë korte e përultësi për atë që disa gazeta të perëndimit, për autoritarizmin dhe islamizmin që i ka injektuar republikës shekullare të Ataturkut, e kanë etiketuar si Sulltan Erdogani.

Motivet e të treve kanë qenë të ndryshme. Erdogani sheh te hapësira shqiptare (dhe ajo boshnjake) një ringjallje dhe rizgjatim të perandorisë së dikurshme osmane, nënkrejsë gjeopolitike e mbushur me puplat e buta të myslimanizmit të këtyre tri vendeve. Ministri i tij i Jashtëm ka tashmë një libër, një koncept e disa fjalime të populluara me këtë ide të neo-otomanizmit, edhe pse shumë ndër elitat shqiptare i mbajnë për pesë me hiç, pra si të paqena. Erdogani i djeshëm ka qenë në rolin e babait shpirtëror (lexo fetar) por edhe të padronit ekonomik e politik.

Hashim Thaçi m’anë tjetër ka qenë në fushatë elektorale dhe naivitet kombëtar. Sidomos Erdogani, dhe sadopak edhe Rama i kanë siguruar shefit të qeverisë kosovare një piedestal autosugjestioni të cilin ka dashur ta transferojë edhe te turmat që e kanë pritur. Veçanërisht ‘miku’ apo ‘vëllau’ turk, në një qytet si Prizreni, i cili jo vetëm në arkitektonikë por edhe në popullatë, kulturë e shije është hapur otoman, i kanë siguruar një shtysë që mund t’i rijapë komunën kufitare që në PDK-në e tij e mbakan si ‘Jeruzalem’ partie.

Edi Rama, njëfarë Vaso Pashe i rilindur, një guvernator i krishterë që mund t’i shërbejë perandorisë (i cili nuk e ka bërë për ofiqin, rrogën dhe sajdinë) ka qenë dje në Kosovë për ta zgjidhur Lidhjen e Prizrenit. Çdo mbështetje në doza e poza të tepruara patriotike do të qe një mashtrim në fakt, kështu që edhe ky koment nuk mund të pretendojë thirrjen e kombëtarisë, por Rama i djeshëm është dorëzuar duarlidhur para simbolikës së një pakti të ri rajonal që, për të perifrazuar Kadarenë, është më shumë një Mosmarrëveshje e shqiptarëve me veten dhe njëri-tjetrin. Edhe motivet e Ramës janë përfituese, postelektorale, dhe derikur pamja të shpaloset, duhet hamendësuar se kryeministri i ri i Shqipërisë në këtë ngut oriental është shtyrë nga lobe ekonomike, të cilat i ka përligjur edhe më shumë kur ka parë se drejtimi i një shteti është një dimër i gjatë vetmie.

Por, jo vetëm ata që kanë qenë të pranishëm munden ta përshkruajnë tablonë e asaj që ka ndodhur dje në Prishtinë e Prizren. Ata që kanë munguar, pikërisht me anë të mungesës, raportojnë kronikën e përmbysur të tallavasë së djeshme. Presidentja Atifete Jahjaga pat shkuar dje për një vizitë zyrtare në Gjermani. Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar nuk ka qenë gjithashtu. Mungesa morën edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe i AAK-së, Ramush Haradinaj, siç raporton gazeta kosovare Ekspress.

Asnjë mungesë, sado shkëlqimtare, nuk e ka penguar megjithatë shefin e qeverisë turke Erdogan për ta shpallur Kosovën Turqi. Refrenin e vjetër e të ri serb se Kosova është Serbi e dimë tashmë. Dje Thaçi, Rama e Erdogan na e kanë shuar vlimin e një mëtimi e ahti të vjetër se Kosova mund të jetë Shqipëri.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen