Kush ishe ti,Adam?

Analiza & Komente, OP-ED | Zef Prenka | 14.11.13 | 18:26

Në Ferrin e vet Dante Alighieri ka projektuar një qoshe për ata njerëz, të cilët në kohën e krizave morale preferojnë të qëndrojnë neutralë. Njerëz që nuk bëjnë as mirë dhe as keq. Njerëz që nuk mund t’i kuptosh se çfarë mendojnë. Njerëz që nuk flasin kur duhet folur, njerëz që shtiren se nuk mund të kenë asnjë opinion të tyrin, ngase nuk e kanë mendjen tek ngjarja që ndodh para syve të tyre. Ndryshe nga Dante Alighieri, shumica e shqiptarëve flasin me admirim për këtë kategori njerëzish. Të zgjuar! Praktikë! Nuk ua ha qeni shkopi! Hidhe nga kati i dymbëdhjetë dhe do bjerë në këmbë! Mirë me Salën, dhe po aq mirë me Edin! Hë, hë, këtij i them unë i zgjuar! Po qe se administrimi i punëve qiellore do t’u besohej shqiptarëve, nuk kam as dhe më të voglin dyshim se këta njerëz do t’i priste parajsa, madje pjesa më e privilegjuar e saj.

Shqiptarët nuk e kanë gabim që i admirojnë njerëzit që nuk bëjnë as mirë dhe as keq. Në fund të fundit janë këta njerëzit që dalin fitimtarë. Edhe unë, ashtu si ju, kam njohur dhe njoh me dhjetëra, në mos me qindra prej tyre që janë bërë të pasur, që kanë miliona, që kanë vila, që janë diplomatë të përjetshëm, zyrtarë të përjetshëm, të besuarit e përjetshëm, të preferuarit e përjetshëm të pushtetit. Shpërblimi i heshtjes është ndër shpërblimet më të mëdha në Shqipëri.

Por ja ku vjen Herakliti i Efesit (Ephesus) që ngulte këmbë se dhe vetë Homeri gabon. Nuk e ka mirë Homeri – thotë ai – Homeri gabon, teksa na thotë se ajo, Grindja (pasi ka përmendur grindjen mes Grekëve dhe Trojanëve) u shoftë mes njerëzve dhe Zotave! Homeri i mirë nuk e vë re se me këtë ai po lutet për shkatërrimin e Universit; sepse në çastin kur lutja e tij do merrej parasysh nga Zotat, çdo gjë do zhdukej. Sipas Heraklitit, ajo që e mban në këmbë botën është vetë grindja, mosmarrëveshja, mospajtimi, kundërshtimi, ndarja. Vetëm atje ku ekziston jeta, ekziston dhe ndarja dhe mosmarrëveshja.

Por këtu tek ne është ndryshe. Jemi mësuar që politikanët dhe udhëheqësit tanë të flasin me fjalë që vetëm e mbulojnë të vërtetën, që të na tregojnë një realitet ky mbizotëron vetëm përsosmëria. Kur në shoqërinë shqiptare shfaqet  një problem, sado i madh që të jetë, ç’është e vërteta politikanët tanë nxitojnë të shfaqen menjëherë, por veçse jo për ta zgjidhur problemin, por për ta mbuluar atë. Politikanët dhe udhëheqësit tanë na kanë provuar se jemi ndër vendet me ekonominë më të zhvilluar në botë, se vetëm tek ne nuk ekziston kriza financiare që është e pranishme kudo; se ne vërtet jemi vend europian, por edhe vend turk; se jemi popull me një identitet të jashtëzakonshëm, se kemi një histori të lavdishme (por që nuk ja përtojmë ta fshehim dhe bustin e Skënderbeut sikur të qe fjala për të fshehur një turp); se tek ne femra është me të drejta të jashtëzakonshme, e lirë, e pavarur dhe sidomos e lumtur, sepse mund të vritet e të përdhunohet në mesin e ditës pa asnjë paragjykim; se sistemi arsimor është më i përparuari dhe më eficenti, se fëmijët shqiptarë janë ndër fëmijët më të zgjuar dhe më të suksesshëm, se ne tashmë  si komb, për inatin e armiqve tanë, jemi të gatshëm, ngase jemi të pjekur historikisht, që të bashkohemi në një shtet të përbashkët shqiptar (pa u bashkuar më parë fqinji me fqinjin, kolegu me kolegun, prindi me fëmjët e vet), sepse vetëm kjo na ka mbetur për bërë. Kështu na flasin politikanët me dinjitet teksa i shohim tek u përkulen të huajve më një servilizëm të dyshimtë. Dhe kjo ka bërë që shumica e shqiptarëve të preferojnë heshtjen përpara artikulimit të së vërtetës. E vërteta? Çfarë është kjo? Mos është ajo që të lë në rrugë të madhe dhe të lë pa bukën e gojës? Mos është ajo që të shtie në telashe me të tjerët? Mos është ajo që kënaq vetëm varfanjakët dhe ëndërrimtarët? Sa më larg saj, të lutem, sa më larg…Çfarë mendimi kam për deklaratën e kryeministrit turk se Kosova është Turqi? Ah, sa kohë e mirë që është sot! Çfarë mendoj unë për Presidentin? Jam i sigurt që edhe nesër do mbajë kohë po kaq e  mirë sa dhe sot!…

2.

Romakët e lashtë e kishin zakon të thoshin: “Fiat justitia – ruat caelum” – Bëj drejtësi dhe lër qiejt të bien. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe sidomos për intelektualët. Për fat të mirë, edhe për intelektualin shqiptar.
Intelektuali është një qenie dy dimensionale që qëndron mes autonomisë dhe angazhimit, mes kulturës së mirëfilltë (pure culture) dhe politikës. Shkrimtarët, artistët dhe akademikët u përcaktuan për herë të parë, të paktën në Francë, si intelektualë, në kohën e Dreyfus Affair, kur ata, duke filluar me shkrimtarin Emil Zola (J’ Accuse), tek ndërhynin me forcë në jetën politike, krijonin një autonomi të një natyre të veçantë, autonominë relative të botës së artit, shkencës dhe letërsisë, e cila mund t’i kundërvihet politikës dhe pushtetit manipulativ të saj. Ç’është e vërteta, intelektuali shqiptar ka një traditë të hershme, shumë më përpara se në skenën europiane të dilte Dreyfus Affair si një çast i ripërcaktimit të termit intelektual, për të qenë i angazhuar dhe i rrezikuar në mbrojtje të gjërave që ata i mbanin për të shenjta. Që nga Pjetër Bogdani dhe Pjetër Budi, dhe deri tek Naimi, Fishta, Gjeçovi, Shantoja, Koliqi, Noli, Konica, Poradeci, Kuteli, Ismail Kadare dhe ata mijëra e mijëra përkthyes të literaturës botërore në shqip, Petro Zheji, Gjon Shllaku, P.Gjeçaj, V.Kokona, R.Shvarc, intelektuali shqiptar është shfaqur si antikonformist përherë i rrezikuar nga pushteti dhe politikanët. Por paradoksi shqiptar qëndron se në kohën kur intelektualit i kërkohej zyrtarisht që të ishte i nënshtruar, ai rebelohej, dhe këtë rebelim ai ishte i gatshëm që ta paguante me çmimin më të lartë. Ndërsa sot, kur intelektuali shqiptar nuk rrezikon zyrtarisht asgjë, dhe kur atij nuk i kërkohet që të jetë i nënshtruar, ai preferon heshtjen alibike përpara ngjarjeve që kërkojnë artikulimin e tij. Në shoqërinë shqiptare përjashtimi fatlum është fenomeni Kadare, autoriteti artistik dhe moral i të cilit është shembulli më i mirë i pozicionimit të intelektualit si udhëheqës shpirtnor dhe iluminist i kombit në kohën e krizave dhe çoroditjeve morale.

Por, le të marrim atë intelektualin që është i certifikuar si intelektual në jetën shqiptare të paktën nga shkaku i profesionit dhe shkollimit të tij: shkrimtarin, gazetarin, shkencëtarin, akademikun, doktorin e shkencave, profesorët, mjekët dhe ekonomistët. Një pjesë e tyre janë nga ata që, siç thotë fjala angleze, paraditeve i sheh në shoqërinë e lepujve, dhe pasditeve në shoqërinë e gjahtarëve. Papërcaktueshmëria është dhe vdekja e intelektualit. Dhe papërcaktueshmëria është dhe njëri ndër tiparet më të dukshme te shqiptarët. E pranojmë me qejf se i përkasim familjes europiane, por kur dikush na thotë se jemi vend gjysmë aziatik, e pranojmë, madje duke qeshur, dhe këtë. E pranojmë se jemi vendi me tolerancën më të madhe fetare, por jemi gati t’i quajmë të krishterët shqiptarë një minoritet i papërfillshëm. E pranojmë se Skënderbeu është heroi ynë kombëtar, por kjo nuk na pengon që të vëmë lule dhe të bëjmë pelegrinazh në varrin e sulltanëve pushtues. Skandali i para ca kohëve me kryeministrin shqiptar i cili u kishte premtuar Lidhjes Islamike se do të votonte  (në OKB) pro -shtetit palestinez, dhe po ky kryeministër del se i paskësh premtuar delegacionit izraelit se do votonte kundër shtetit palestinez, është shembulli më i mirë i mungesës së përcaktueshmërisë. Apo fshehjet e bustit të Skënderbeut në Kryeministrinë shqiptare a në rezidencën presidenciale sa herë që një delegacion turk vjen për vizitë tek ne, nga po ata njerëz që nuk përtojnë ta ngrenë zërin në qiell për nacionalizëm dhe histori të lavdishme kombëtare…

Në kohën e komunizmit kam njohur njerëz që mburreshin se një njeri të afërm e kishin patur me Ballin Kombëtar dhe një tjetër e kishin patur me komunistët. He, he, më thoshin, jemi në të dyja anët të sigurt. Që nga rrëzimi i Komunizmit, falë kartës balliste, këta njerëz kanë qenë disa herë drejtorë drejtorish, nëpunës të lartë të shtetit, madje dhe ambasadorë, po ashtu siç ishin gjatë komunizmit…Janë njerëz vemje që kanë aftësinë e mbijetesës, dhe pastaj dhe të pretendimit intelektual. Një i tillë që pretendon të jetë shkrimtar i artit pure (shkrimtari i njohur antikonformist rus Sergej Dovlatov njëherë e një kohë thoshte se më mjafton të lexoj një fjali të tillë: Sot ishte një ditë e bukur me diell, apo Ai hante si një urith, për t’i rënë vizë  përgjithmonë pretendimit të autorit të këtyre rreshtave për të qenë shkrimtar) shpesh është prova se mediokriteti dhe impotenca krijuese krijojnë një aleancë të frikshme me ligësinë. Heshtja e këtij lloj intelektuali shqiptar nuk do të thotë se ai nuk flet. Ai flet, por vetëm pas shpine. Papërcaktueshmëria e tyre nuk do të thoka se qenkan të papërcaktuar. Papërcaktueshmëria, paradoksalisht, të paktën është një pozicionim. Por shumica e intelektualëve shqiptarë preferojnë heshtjen si të kundërtën e pozicionimit. Konformizëm? Nuk është se ata e kanë mësuar mirë të vërtetën e hidhur të aforizmit pesimist të Simon Weil-it “La justice, cette fugitive du camp des vainqueurs”- se ca heshtin ngaqë nuk kanë se çfarë të thonë. Dhe pastaj, duke pozuar si gardianë të Kullës së Fildishtë, janë të gatshëm të akuzojnë të tjerët se intelektualizmi ka rënë në nivelin e gazetave, se shkrimtarët nuk janë më shkrimtarë sa kohë që kontaminohen me shkrime gazetash, se ata vetë  (me një krijimtari amatoreske supermediokre) janë thjesht shkrimtarë dhe vetëm shkrimtarë, intelektualë pure…

3.

Angazhimi i intelektualit nuk do të thotë se atij i kërkohet me çdo kusht angazhimi politik. Jam për këshillën që Rilke i jep një shkrimtarit të ri premtues: ‘’Vetëm një gjë që duhet të bësh. Shko te vetvetja. Gjej arsyen që të komandon që të shkruash; shih me kujdes nëse kjo arsye i ka shtrirë rrënjët e veta thellë në zemrën tënde. Rrëfeju vetes se je gati të vdesësh po qe se ta ndalojnë të drejtën që të shkruash. Kjo është mbi të gjitha; pyet veten tënde në orët më të qeta të natës: a duhet që të shkruaj? Gërmo thellë te vetvetja për një përgjigje të thellë…’’

Shoqëria shqiptare për fat të mirë ka shembuj të këtij intelektuali që shkon tek vetvetja (një rrugëtim pa të cilin nuk mund të shkosh tek të tjerët). Shkrimet publicistike plot erudicion dhe drejtësi të thellë të Ardian Ndrecës, analizat politike dhe esetë tërë mprehtësi parashikuese të Preç Zogajt, rrëfimet tronditëse të natyrës së Sollzhenicinit të Visar Zhitit, romanet dhe tregimet e Zija Çelës, romanet e Fatos Kongolit, Nasi Lerës, Bashkim Shehut, poezitë e  Preç Zogajt, Bardhyl Londos, S.Bejkos, V.Zhitit, Arian Lekes, A.Tufës, N.Lakos, G. Çoçolit, P. Teferiçit, librat e përkthyer me dinjitet nga letërsia botërore, flasin për intelektualin e talentuar dhe përfaqësues, për atë intelektual për të cilin poeti francez Leconte de Lisle i shkruante në formën e një leksioni Louis Menard-it: “Ditën që ke shkruar një libër të mirë, ke provuar dashurinë tënde për drejtësinë dhe të drejtën më mirë se të kishe shkruar njëzet volume për ekonominë…” Veçse ju lutem, vërejeni, jo një libër, por një libër të mirë.

Dashtë Zoti që intelektualët tanë që heshtin të paktën të kenë sy që të lexojnë!

Nga: Rrokum

rudolf marku

Rudolf Marku

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen