Qytetërimi, qytetari dhe kufiri kulturor i shoqërisë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 25.11.13 | 21:41

Qytetari midis lirisë dhe kornizës kulturore të shoqërisë

gezim-tushi-170x126

Gëzim Tushi

Është një nga gjërat thelbësore të qytetërimit, të cilën në të dy epokat themelore të jetë modern e kemi ngatërruar dhe na ka ngatërruar. Është fjala që qytetërimi ynë, jo nga vetja por për shkaqe historike të mënyrës si ka rrjedhur qytetërimi ynë dhe të ndikimeve të jashtme të sistemeve politike e sociale që kanë qenë në të nuk ka mundur të ndërtojë relacionin e drejtë funksionues dhe human. Është fjala se gjithnjë ka qenë e vështirë vendosja e një optimum të domosdoshëm midis hapësirës së lirë të qytetarit për të vetja në raport me strukturat e organizimeve sociale të shoqërisë dhe sidomos me “kufirin kulturor” të shoqërisë. Herë ka dominuar njëri dhe pastaj tjetri, por gjithnjë me vështirësinë e njohur për të siguruar ekuilibrin qytetar dhe qytetërues midis tyre.

Deri para zhvillimit të demokracisë shqiptare shoqëria dhe kufiri kulturor i saj kanë qenë vija ndarëse e mënyrës totalitariste të të jetuarit të individit nën vartësinë e plotë të shoqërisë, traditave, zakoneve dhe vijës së “hekurt” kulturore të saj dhe tani kemi individin e lirë deri në kufijtë e thellë të individualizmit apo më saktë në prag të anarkisë, që respekton veten, dëshiron lirinë e plotë nga çdo determinim i jashtëm social dhe që nuk ka më dëshirë të ketë kufij kulturor për orientimin e jetës së tij qytetare dhe të qytetëruar sipas “vijës kulturore” të përbashkët të shoqërisë tonë.

Në këto kushte besoj se ka ardhur koha kur ky ekuacion që nuk është pa efekte në jetën personale të qytetarit dhe orientimit social të qytetërimit tonë, duhet konsideruar si një nga shqetësimet sociale me rëndësi që kemi në kohën e sotme në marrëdhëniet e qytetarit me “kufirin kulturor” të shoqërisë tonë. Sepse pjesa më e madhe e problemeve sociale që kemi si shoqëri dhe të shqetësimeve që ka qytetari për të “gjetur veten” dhe për t’u orientuar me standardet kulturore e sociale të shoqërisë, lidhen me faktin, që në jetën personale të shumë qytetarëve tanë ka një ngatërrim serioz midis aspektit material të “vetes”, midis të drejtës sovrane për të patur identitet të “trupit privat” dhe “kufirit biologjik” të personalizuar të nevojave imediate ekzistenciale dhe hedonistike.

Kjo nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër është që pas këtij vlerësimi të njeriut individualisht dhe biologjikisht është mungesa e vlerësimit të faktit që qytetari duke qenë në të njëjtën kohë pjesë e shoqërisë, përbërës themelor i saj, ka nevojë të mësojë të respektojë parimet e përbashkëta të qytetërimit dhe sidomos “kufijtë kulturorë” të shoqërisë tonë. Në ditët tona kjo ngatërresë nuk është aksidentale, e përveçme, rastësore. Është një fenomen social masiv që ka sjellë një varg problemesh në konceptimin qytetar të ekzistencës individuale dhe qytetare të njeriut.

Në fakt aftësia për të bërë dallimin dhe për të ndarë hapësirat e kufirit biologjik individual të qytetarit, nga kufiri kulturor i përbashkët i shoqërisë, në kohën liberale dhe shoqërinë me natyrë individualiste, nuk është gjë e lehtë. Përkundrazi, zhvillimet sociale dhe perceptimet individuale të këtij ekuacioni janë të tilla, që e bëjnë atë një nga gjërat e vështira për t’u ndarë “ashtu si duhet” dhe “aty ku duhet”. Madje për shkak të ngatërrimit të kufirit biologjik individual dhe kufirit kulturor social, në shoqërinë tonë ka një problematikë jo aq shumë teorike dhe sociologjike, se sa të ndërlikuar në jetën praktike të qytetarit modern, që tregon se problemi është shumë i debatueshëm.

Nuk ka dyshim që në kohën e sotme mbivlerësimi i anës biologjike të njeriut si qenie e veçantë dhe e përveçme në dëshirat e tij, është kusht për identitetin dhe bazë për të qenë i lirë. Ajo që kemi kuptuar më së pari nga liria është se qytetari është së pari njeri, qenie me identitet individual në kuptimin dhe vlerësimin e nevojave biologjike, por kjo në asnjë rast nuk presupozon idenë sempliste dhe nuk do të thotë që qytetari nuk është në të njëjtën kohë qenie sociale dhe kulturore. Në këtë kontekst, është fare e kufizuar ideja e dikurshme, që e konsideronte njeriun jo qytetar në kuptimin integral, por jo thjesht një “kafshë inteligjente”, por që jetën e bazon në orientimin sipas instiktive.

Në këtë raport jetik qytetari duke qenë midis kërkesave të biologjisë dhe presionit të instiktive nga njëra anë, dhe inteligjencës dhe kulturës në anën tjetër, bën që qytetari të shfaqet as thjesht si qenie lineare as vetëm si ekzistencë e thjeshtë sociale. Koha po tregon se në demokraci dhe liri, qytetari i ndodhur midis dy anëve të segmentit biologjik dhe kulturoro-social është bërë “vatër kundërshtish” për shkak të kontradiktave dhe mënyrës kontroversale të lidhjes dhe mungesës në shumë raste të unitetit organik së komponentëve biologjikë dhe kulturorë. Në këtë aspekt, duke vlerësuar disa nga shkaqet e situatës shqetësuese të qytetërimit tone, mungesën evidente të stabilitetit social të shoqërisë shqiptare, nuk mund të mos themi, se aftësia qytetare për të rivlerësuar më drejt dhe konsideruar qytetarisht ekuacionin e kufirit biologjik dhe kufirit kulturor, mbetet një nga problemet e mëdha. Problemet sociale të qytetërimit tone, të zhveshura nga ambalazhet sociale dhe terminologjitë eufemiste, janë pasojë e mungesës së sigurimit modern të ekuilibrit midis “kufirit biologjik” individual dhe “kufirit kulturor” social, që janë determinantët bazë të të sjelljeve të qytetarit në shoqëri. Sidomos tani kur jemi plotësisht në kushte të reja të qytetërimit liberal, modern dhe individualist. Ky është kufiri optimal që siguron unitetin qytetar midis lirisë vetjake dhe integrimit shoqëror.

Natyrisht kur flasim kështu, nisemi nga bindja se në jetën e sotme të qytetëruar duhet kuptuar se është bërë e vështirë të besosh se tek qytetari modern, koherenca e kërkesave biologjike individuale dhe kohezioni kulturor shoqëror janë realitete që jepen thjesht nga natyra. Ato nuk janë fakt i natyrës por realitete që në kohën e sotme, në mënyrë determinante kondicionohen nga niveli i zhvillimit të shoqërisë dhe qytetërimit tonë. Kjo është arsyeja pse qytetari ynë i kohës moderne është vendosur në një vatër kundërshtish, që vjen së pari nga ekzistenca e diversitetit të “lëndës natyrore” si bazë kryesore për ndërtimin individualitetit kulturor dhe të staturës njeriut si qytetar që jeton në shoqëri. Në këtë unitet ka një numër jo të vogël kontradikta dhe antinomi që shfaqen dukshëm tek njeriu, që shfaqen në unitetin kontradiktor midis biologjisë, nevojave material, ndikimit të fortë të instinkteve natyrore dhe nevojës së forcimit të bazamentit kulturor dhe social të personalitetit të tij.

Sociologët evidentojnë në mënyrë të veçantë antinomitë e qytetarit në raportet dikotomike që shfaqen në lidhjet e domosdoshme midis njohjes dhe veprimit, instinktit dhe arsyes. Në këtë kontekst, emancipimi qytetar i njeriut në shoqërinë tonë, shndërrimi i tij në qenie kulturore, mund të bëhet e mundur në se ai bëhet qenie e arsyeshme dhe koherente në ndarjet që duhet t’i bëjë lidhjeve të tij me natyrën biologjike, me të “tjerët”, me ata që janë të ngjashëm me të dhe sidomos në sigurimin e lidhjeve që mundësojnë respektimin prej tij të “kufirit” të kulturës sociale dhe respektimin e traditës qytetare. Kjo do të thotë se njeriu që të bëhet qytetar, e ka detyrë imperative që së pari të bëhet i aftë të “marrë veten mbi veten e tij”. Kjo është arsyeja pse në kohën moderne ka një besim të patundur, se janë të gjitha mundësitë që njeriu të zhvillohet sepse shtohen realitetet e shanseve të emancipimit qytetar. Por që kjo të bëhet realitet duhet të shikojmë disa të meta të qytetërimit tonë. Personalisht mendoj se midis tyre e keqja më e madhe e evidentuar në qytetërimin tonë aktual është se tërë procesi i edukimit qytetar është i përciptë, formal, me difekte serioze, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e treguesve të kulturës së veprimit qytetar. Kjo është arsyeja pse në jetën e përditshme qytetare përballemi me sfida dhe anomali të sjelljes qytetare, të cilat nuk duhet të kemi fare frikë që t’i luftojmë hapur. Sepse që në qytetërimin e sotëm për shkak të mungesës së respektit për “kufirin moral” të qytetërimit tonë, ka një zgjerim të skajshëm të relativizmit moral, përhapje të shfrenuar të sjelljes individualisht relative, pa piketa morale referimi.

Ndërkaq nuk kemi shpëtuar as nga të këqijat që na vijnë nga “kufiri kulturor” i së kaluarës, të cilat vijnë të shoqëruara ndonjëherë me doza të forta të “verbërive kolektive” që lidhen me ndikimin që kanë në disa aspekte paragjykimet e së kaluarës. Por nuk duhet mohuar as ndikimi degradues që kanë edhe besimi mekanik në dogmat e reja të modernitetit. Kjo ka bërë që të jetojmë në një qytetërim kur po kalojmë nga qytetari i dikurshëm, që në emër të ideologjisë pranonte gjithçka që i thuhej, pa patur sistem të besimit personal tek vetja, në mohimin e gjithçkaje në emër të dogmave të reja modernitetit që po bëhen “kufij kulturor” të përbashkët, të ardhura prej një “imperializmi” të fortë kulturor të modernitetit.

Në këto kushte duket qartë se qytetari është i detyruar të zërë një pozicion të ri individual dhe social, në raportin midis determinimeve individualist të sigurimit të “ekzistencës efikase” dhe kuptimit të “Kufirit kulturor” si një realitet që është përtej moralizimeve dogmatike dhe të panevojshme. Qytetarët e kohës sonë nuk kanë më dëshirë që në emër të “kufijve kulturorë” të konceptuar në mënyrë dogmatike të rrezikojnë të bien nën pushtet të ideokracive kulturore, siç ndodhi me qytetarët tanë në të kaluarën, kur për gjysëm shekulli ndërtuan qytetërimin e tyre të deformuar nga pesha doktrinare deterministe e “kulturës së marksizmit”. Qytetarët tanë jetojnë në kohë moderne dhe nuk pranojnë më që të jenë rob të indoktrinimeve këmbëngulëse, kufijve kulturorë monopoliste, që gjithnjë janë mjete që synojnë që me dhunë ideologjike dhe kulturore, të mbushin botën e tij të brendshme duke kornizuar në mënyrë deterministe sjelljen sociale të qytetarit në shoqëri.

Padyshim, qytetërimi ynë është në faza të reja të komportimit kulturor të qytetarit me të. Por problemet janë bërë delikate, të paqëndrueshme, jo fort të sigurta në menaxhimin e tyre social dhe individual. Sepse nga njëra anë është përforcimi i natyrës individualiste të qytetarit, që jeton dhe ndërton jetën pa marrë shumë në konsideratë kornizat e ngurta kulturore, efektet e e tyre në përcaktimin determinist të saj. Me sa duket tendenca e qytetërimit, mundësia e ndërtimit të sjelljes qytetare duke kapërxyer kufijtë kulturorë ekzistencialë dhe ekzistues, konsiderohet si një nga faktet e reja të “gjendjes njerëzore” të kohës moderne, tipar esencial i modernitetit. Madje ka sociologë që këtë fakt e trajtojnë si një nga themelet e ndërtimit të plotë të Shoqërisë Civile.

Natyrisht gjërat kanë masën sociale dhe kufirin e tyre individual. Duke vlerësuar rolin e relativizmit kulturor në vendosjen e standardeve të reja të qytetërimit dhe në ndërtimin e tipologjisë modern të qytetarit liberal, nga ana tjetër nuk mund të mendohet se sjellja qytetare dhe normat sociale të ndërtimit të qytetërimit tonë duhet të jenë jashtë çdo mundësie të ekzistencës së kufijve kulturorë, që duhet të shërbejnë në çdo rast si bazë sociale për ndërtimin e tyre. Në këtë kontekst, më duket se është tezë e drejtë, me vend, instruktive ajo që ravijëzojnë sociologët e qytetërimit modern, sipas të cilëve, predikimi përtej kufijve të vërtetë kulturorë të qytetërimit modern, në shumicën e rasteve nuk ka kuptim, ose është një ushtrim qytetar dhe veprim qytetërimor i pakuptimtë.

Qytetërimi ynë padyshim që ka nevojë edhe për vlera sociale, “kufij kulturor” të përbashkët. Sepse në fund të fundit, qytetërimi ynë është rritje sociale e përgjithshme, e cila nuk mund të ndërtohet në se bazohet vetëm në mbivlerësimin e vlerave individuale eksentrike dhe mohimin e ndikimit pozitiv të “kufirit” të përbashkët kulturor të qytetërimit tonë. Vlera e kulturës qytetare është ekzistencë sociale që ka një “sovranitet” nga rendi politik shoqëror, qeveria dhe qytetari si individ i përveçëm. Në këtë aspekt “kufiri kulturor” i qytetërimit tonë duhet konsideruar si “ekzistencë” që nuk është e varur nga askush përveç vetes. Shkaku i kësaj ekzistence të “kufirit kulturor” të qytetërimit tonë duhet pranuar.

Sepse pa të, qytetërimi nuk mund të ndërtohet. Nuk mund të imagjinohet zhvillimi normal i qytetërimit tonë pa pranuar ekzistencën e kulturës së përbashkët qytetare. Në këtë kontekst, si shoqëri kemi nevojë të kuptojmë se për të ndërtuar qytetërimin tonë, duhet të kemi të qarta, të përpunuara drejt dhe të pranuar konsensuslaisht, një sistem vlerash kulturore, sistem relativisht të përbashkët të ideve, vlerave dhe mënyrës së interpretimit të tyre, të cilat janë kushti ekzistencial i domosdoshëm për ta bërë qytetërimin tonë të qëndrueshëm…

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen