Banac: Paraqitja me asterisk është problem i caktuar

OP-ED | admin | 29.02.12 | 21:25

rrezore.com

Paraqitja me asterisk është problem i caktuar. Në shekullin 21 nuk mund të kemi përkufizime të ndryshme të sovranitetit. Sovraniteti ekziston ose nuk ekziston. Kështu ka deklaruar Ivo Banac, profesor historie në Yale University dhe në Universitetin e Zagrebit, duke iu referuar marrëveshjes së fundti të arritur mes Kosovës dhe Serbisë rreth përfaqësimit rajonal. Ai ka thënë se Kosova të ndryshojë situatën brenda vetvetes, sepse sipas tij, për aq kohë sa lidershipi politik në Kosovë të jetë nën një lloj mbikëqyrjeje apo nën një lloj dyshimi, do të ketë shumë probleme.

Banac ka thënë se nuk mendon se arritja e kësaj marrëveshje ka pasur si qëllim qetësimin e marrëdhëniet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. “Mendoj se Bashkimi Evropian ka dashur të krijojë mundësinë për kandidaturën e Serbisë. Andaj, nuk mendoj se kjo marrëveshje do të jetë shumë e dobishme për Kosovën. Ndërkaq, për Serbinë do të jetë e dobishme vetëm sa për t’i mundësuar diçka që pa të me siguri se nuk do të mund ta arrinte. Pra, kemi mbetur aty ku kemi qenë, ndonëse mendoj se koncesione më të mëdha janë bërë nga ana e Kosovës”.

I pyetur se a është dashur që Kosova ta pranonte një gjë të tillë, dhe se a do të ketë pasoja në planet afatgjate, Banac në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se kjo varet nga ajo se cilat janë perspektivat e Kosovës. “Nëse Kosova mund të nxjerrë për vete një tjetër status, nëse përmes lidhjeve të veta ndërkombëtare mund të përfitojë atë që aktualisht nuk e ka, atëherë përgjigjja është e qartë. Me fjalë të tjera, një politikë më e guximshme nga ana e Prishtinës do të paragjykonte një politikë të brendshme krejt ndryshe, të cilën në këto momente nuk e shohim. Kjo është e keqja më e madhe e gjithë kësaj historie”.

Ndërsa i pyetur se a ndikon presioni i komunitetit ndërkombëtar në politikën e brendshme të Kosovës, profesori kroat ka thënë se kjo nuk varet nga Prishtina, por varet nga marrëdhëniet brenda bashkësisë ndërkombëtare. “Kosova ka pasur mbështetje të madhe nga Shtetet e Bashkuara dhe një gjë e tillë mund të pohohet edhe sot, ndonëse administrata Obama, për fat të keq, nuk i kushton shumë vëmendje gjithë rajonit të Ballkanit dhe mbështetja në këtë moment nuk është vërtetuar. Ne nuk e dimë se cila është mbështetja, sepse nuk jemi në gjendje të shohim se çfarë do të bënte SHBA-ja në një situatë krize”, ka thënë ndër të tjera Banac. /Telegrafi/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen