Mbahu Nëno mos kij frikë, se ke “Qyqet” n’ Amerikë

OP-ED | Rrezore | 04.01.14 | 21:39

Në Shtetet e Bashkuara atmosfera dhe entuziazmi i festave të fundvitit fillon në Ditën e Falënderimeve (Thnksgiving Day). Kjo është një festë e madhe dhe shumë e veçantë. Gjithmonë kremtohet të enjten e fundit të muajit nëntor. Shqiptarët e Amerikës gjatë asaj jave festojnë edhe Pavarësisë e Shqipërisë. Sivjet ndodhi që Dita e Falënderimeve ra me 28 Nëntor. Gëzimi i festave të fundvitit fillon pikërisht atë ditë. Edhe vitin e kaluar shqiptarët e Amerikës festuan si asnjëherë më parë. Kjo u pa nëpër kanalet televizive shqiptare, pastaj në gazeta, por më shumë në internet.

Gjekë Gjonlekaj

Gjekë Gjonlekaj

Për popullin amerikan Dita e Falënderimeve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Është Dita e lutjeve dhe e falënderimeve për të mirat që i ka dhënë Zoti këtij vendi. Është festa e fillimit të bujarisë së fundvitit. Atë ditë fillon dërgimi i dhuratave, sidomos për të varfrit. Kështu hapet dera e bujarisë dhe qëndron e hapur deri në fund të vitit. Shoqëria amerikane shpenzon miliarda dollarë për t’i bërë më të lumtur ata që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Varfëria është dënimi më i rëndë për çdo shoqëri në botë. Mahatma Gandi ka thënë: “Varfëria është më e keqe se robëria”. Afro-amerikanët e Shteteve të Bashkuara, pas lirimit nga skllavëria, kishin përjetuar një mjerim të hatashëm ekonomik dhe kjo varfëri e tejskajshme i kishte shtyrë ata të kërkonin rikthimin në skllavëri.

Institucionet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, njoftojnë se një pjesë e madhe e popullit shqiptar në Shqipëri, në Kosovë e më gjerë, jeton në një varfëri tepër të rëndë. Shqiptarët e Amerikës gëzojnë dhe përfitojnë shumë nga ekonomia e përparuar amerikane dhe, pjesëmarrja e tyre me shumicë në festa dhe ceremoni të ndryshme, tregon se ata janë në gjendje të mirë ekonomike. Për këto festa shqiptaro-amerikanët prishin miliona dollarë. Natyrisht se këto shpenzime janë të kota, sepse fitimet i marrin pronarët e lokaleve, këngëtarët dhe ata që marrin përsipër organizimin. Në këto ceremoni u dëgjuan shumë lutje dhe fjalime. Por asnjë nga ata nuk e thanë një fjalë për varfërinë ekonomike të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkan. U hapën qindra hotele e restorante për dëfrime e salltanete, me të ngrëna e të pira deri në kupë të gjurit. Ahengje të cilat në ekranet televizive dukeshin si një rrëmujë, ku qeni nuk e njeh të zonë dhe fjalët e fundit ishin: “më rrove e të rrova e brisku i berberit”. Fjalime e gropa në gjoks dhe pastaj bekime deri në qiell, por asnjë fjalë dhe asnjë lutje për ata që vuajnë në tokat shqiptare edhe për një kafshore buke.

Një shekull më parë shqiptarët e Amerikës, me Nolin e Konicën në krye, grumbulluan ndihma miliona dollarëshe në vlerën e sotme për të ndihmuar Shqipërinë dhe popullin e saj. E sot, pas një shekulli, shqiptarët në atdhe dëgjojnë “fjalë të mëdha e punë të vogla” nga vëllezërit e tyre të Amerikës. “Mrekullitë” e këtyre shqiptarëve shihen edhe në ekranet televizive të Shqipërisë e Kosovës dhe trojeve të tjera. Këta ”patriotë” flasin natë e ditë për sukseset e tyre në Shtetet e Bashkuara. Rrahin gjoksin për dije e kulturë, për ekonomi e politikë në ekranet televizive të botës shqiptare.

Nuk e di pse, por edhe gazetarët shqiptarë qëndrojnë si të hutuar para tyre, thuajse janë personalitetet më të larta të shoqërisë amerikane. Kurrë nuk kam parë një gazetar shqiptar që t’i pyes këta “ekspertë” se çfarë pune bëjnë dhe sa kanë kontribuar konkretisht për Shqipërinë ose Kosovën. Disa prej atyre bëjnë namin për investimet e tyre në Shqipëri e Kosovë. Të gjithë e dimë se ato investime ishin dhurata nga miqtë e tyre të politikës atje. Ata që nuk kishin dhënë asnjë kontribut për rënien e diktaturës në Shqipëri ose për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës u shpërblyen me pasuritë kombëtare nga frika se gjoja këta “patriotë” kishin lidhje me autoritetet e larta të politikës në Shtetet e Bashkuara dhe se mospërfillja e këtyre biznesmenëve mund të kishte pasoja për të ardhmen e tyre politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi apo në Luginën e Preshevës.

Noli e Konica nuk bënin thirrje për investime në Shqipëri. Ata bënin thirrje për ndihma atdheut. Pothuajse një shekull më parë Fan S. Noli shkroi poemën e tij të famshme “Jepni për Nënën”. Kurrë nuk i shkoi ndër mend të shkruante ”Investoni për Nënën”, pavarësisht se edhe në atë kohë ekzistonin investimet dhe tregtia.

Kohë më pare, një murgeshë shqiptare nga Kosova gjendej për vizitë familjare në New York dhe në Detroit. Gjatë bisedës në telefon e pyeta: ”Çka mund të bëjnë shqiptarët e Amerikës për të varfrit e Kosovës”? Murgesha S.Micakaj tha: “ Ata do të ishin mirë sikur ju shqiptarët e Amerikës të ishit pak më të kujdesshëm ndaj tyre. Ata do të shpëtonin me ato ushqimet e humbura kot nëpër dasma e ahengje” dhe vazhdoi: ”Mbase i keni parë ata të mjerë duke kërkuar ushqime, bile edhe veshmbathje në kodrat e plehrave nëpër qytetet e Kosovës”.

Vitin e kaluar, Banka Botërore njoftoi se mbi 90 mijë familje në Shqipëri jetojnë në varfëri të tejskajshme. Ky raport i Bankës Botërore u transmetua nga Zëri i Amerikës në emisionin televiziv “Ditari”. Kjo shifër tregon se një pjesë e madhe e popullit shqiptar jeton në varfëri dhe mjerim ekonomik. Kjo gjendje është edhe më e dukshme në Kosovë. Një përqindje e vogël e pasurisë së shqiptarëve të Amerikës do t’i shpëtonte ata nga ky mjerim. Shqiptarët e Amerikës kanë sot pasuri me vlerë dhjetëra miliarda dollarë. Kanë mundësi të shkëlqyeshme për vepra të mëdha humanitare.

Mediet e shkruara dhe ato elektronike të informacionit në Shtetet e Bashkuara i kushtojnë vemendje dhe hapësirë varfërisë, problemeve të imigracionit dhe sëmundjeve të ndryshme. Gazetat e mëdha, siç është “The New York Times” dhe kanalet televizive “CNN” e të tjera, shpallin konkurse për shkrime serioze që merren ekskluzivisht me këto probleme. Autorët e këtyre shkrimeve shpërblehen me çmimet më të larta, siç është “Çmimi Pulitzer” e të tjera. Shoqëria shqiptare dhe mjetet e informacionit duhet të marrin shembull shoqërinë amerikane. Shqiptarët, të cilët rrahin gjoksin për lidhjet e tyre të fisit e gjakut me Nënë Terezën, duke pretenduar se janë vëllezërit e motrat e kësaj Shenjtëreshe, duhet të bëjnë më shumë për të varfrit atje, përndryshe do të thoshte Profesor Petër Prifti, lindja e saj në kombin tonë mbase ishte një rastësi.

Bujaria e shqiptarëve të Amerikës nuk tregon shumë për lidhjet e shqiptarëve me Nënën Terezën. Ajo e kishte filluar ndihmën me një të varfër në Kalkutë duke bërë thirrje: “Fillo me një”. Në asnjë vend të huaj, ku jetojnë shqiptarët, nuk ka më shumë organizata e shoqata shqiptare se sa në Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të ndihmojnë shumë për zbutjen e kësaj varfërie.

Ky stil veprimi po bën ndryshime kolosale deri edhe në Selinë Shenjtë. Papa Françesku, në ciklikën e tij të parë dhe në shumë predikime, i shpalli luftë mjerimit ekonomik dhe padrejtësisë shoqërore. Ky Atë i Shenjtë po bën revolucionin më të madh brenda kishës katolike. Po bën më shumë se asnjë Papë dhe, pikërisht për këto ndryshime, po nderohet më shumë se asnjë personalitet tjetër në botë. Gazeta “The Finacial Times” e 28 dhjetorit 2013 shkruan se Papa Frençesku sivjet e festoi 77-vjetorin e lindjes në banesën e tij me 4 njerëz të varfër të pastrehë. Mrekullia të tilla kishte bërë vetëm Nëna Tereze. Papa Françesku po flet më shumë për varfërinë ekonomike se për doktrina e filozofi.

Është koha që edhe shqiptarët e Amerikës të bëjnë një kthesë në këtë drejtim. Në qoftëse përjashtojmë kohën e Nolit e të Konicës, shqiptarët e Amerikës nuk meritojnë respekt nga populli shqiptar, sepse nuk bënë asnjë vepër serioze për Shqipërinë dhe as nuk bënë shumë për Kosovën, sigurisht nëse përjashtojmë ata shqiptarë të Amerikës, që morën pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës.

Pas rënies së diktaturës, Shqipëria nuk kishte asnjë zyrë të vetën në Washington. Në vitin 1995 shqiptarët e Amerikës hapën një fushatë për blerjen e ambasadës shqiptare në kryeqytetin amerikan, ambasadë e cila në atë kohë kushtoi 1 milion e 750 mijë dollarë. Kështu u themelua Komisioni për mbledhjen e fondeve për blerjen e ambasadës. Dhe, në fund të vitit 1996, Komisioni i dorëzoi Presidentit të Shqipërisë Sali Berisha një çek prej 60 mijë dollarësh!… Ceremonia e dorëzimit të këtij çeku qesharak u bë në Plaza Hotel, në New York. Kjo fushatë e dhuratë ishin treguesi më i mirë se kush janë shqiptarët e Amerikës.

Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara, jetojnë në kushte më të vështira ekonomike se asnjë përfaqësi tjetër e huaj në Amerikë. Ata vuajnë edhe për gjërat më elementare. Shumë ambasada, misione e konsullata në Shtetet e Bashkuara janë blerë nga afaristët e kombësive të ndryshme dhe u janë dhënë dhurata vendeve prej ku biznesmenët e kanë origjinën. Ky është fenomen i njohur në botën perëndimore.

Shoqëria shqiptare e Amerikës është vonuar, por nëse vepron tani, mbase kjo vonesë mund të harrohet. Populli thotë “më mirë vonë se kurrë”. Nëna Tereze ka thënë se nuk është Zoti fajtor për varfërinë, Unë e Ti jemi fajtorë.
SHT, 04 2014 | GJEKË GJONLEKAJ, NEW YORK

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen