Mimoza “Selam” Vulinit: As Mos U Nis!

Analiza & Komente | Rrezore | 06.01.14 | 10:09

Gjakovë- Kryetarja e komunës së Gjakovës ka reaguar në lidhje me lajmin e ashtuquajtures Zyrës së Kosovës pranë Qeverisë serbe se ministri Vulin do të jetë në Gjakovë për Krishtlindjet ortodokse.

Në një letër të gjatë, ajo i ka nisur një selam të fortë duke i thënë të mos niset. Ajo ka kërkaur nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare ta ndalojnë këtë vizitë pasi nuk është as koha dhe as vendi i duhur. Më poshtë po ju sjellim fjalen e plotë të saj./radiogjakova/

Para se të nisesh për në Gjakovë

Duke dashur të gjej kuptim të (pakuptimtë) ardhjes së ministrit pa portofol të Serbisë në Gjakovë, i propozoj së pari, të ri-mendojë ardhjen e tij në komunën e lënduar nga lufta dhe nga masakrat.
Në Beograd kohë më parë keni dëgjuar dhe keni parë materiale nga terrori të cilin e kanë përjetuar të mbijetuarit e familjes Bogujevci. Kryeministri juaj u mundua disi të gjej mënyrat të barazojë krimet dhe deklaroi se në të dy anët ka pasur viktima. Nuk ka ekuacioni cili mund të nxjerr barazimin në mes të viktimës dhe agresorit.

Ende pa shkelur këmba juaj në territorin e Komunës së Gjakovës deklaroni se në Gjakovë kanë jetuar 12,000 serb dhe më nuk janë. Në Gjakovë kurrë nuk kanë jetuar 12,000 serb, me siguri as 10,000 nuk kanë qenë. Ata serb nuk kanë ikur nga shqiptarët, por nga krimet e bashkëkombasve të vet. Nga viti 1998 e deri tek masakrat e vitit 1999 shumë familje gjakovare përjetuan terrorin e familjes Bogujevci të cilin ju tani e patë në Beograd.

Nëse e kërkon arsyen pse nuk janë më Serbët në Gjakovë, vizitoji varrezat në fshatin Mejë, shiqoji mirë ditëlindjet dhe emrat e të vrarëve dhe masakruarve me 27 Prill. Aty do gjesh 12 vjeqar, 13 dhe 14 por edhe 80 vjeqar të vrarë dhe të masakruar. Ndalu në fshatin Korenicë dhe takoji jetimet e këtyre familje e, tani disa janë rritur dhe nuk do kuptojnë asgjë nga ajo çfarë thua, por do të urrejnë këmishën tënde të zezë se do të ju kujtohen ngjarjet e treguara nga familjarët për këmishëzinjët.
Kur të kalosh pranë varrezave të qytetit, mbaje kokën ulur se dëshmorët janë varrosur aty dhe mund të ndiejne erën nga Çabrati ku pushojnë eshtrat e atyre që njëherë u zhduken e pastaj u kthyen. Ngjitu në Çabrat dhe pyet çfarë ju ndodhi me 7 Maj, tregoju nëse mundesh ndonjë lajm, a ka të tjerë në Rashkë të pakten eshtrat të jenë bashkë.
Ka shumë dhimje në atë kodër, shumë gjak dhe lot u derdh në atë vend. Shikoji fëtyrat në panon e vendosur në hyrje dhe mundohu të mos barazosh asgjë se nuk ka ekuacion që do funksionojë.
Tregoji Nënës Ferdane a po i kthehen edhe dy djem a jo nga katër të vrarë dhe bashkëshorti? Njërin e pat vetëm 14 vjeq, në pixhama ia morrën nga gjiri, ajo ende po e pret kthimin e eshtrave të tyre.
Para se të nisesh, mundohu të gjesh përgjigje për vrasjet e grave dhe fëmijëve të familjes Vejsa dhe Caka. Ndalu tek ura e Taliqit, në rrugicën në të majte, ka mure ende me gjurmë pëlumbash nga pushkatimet të cilat ndodhën para syve të familjarëve. Disa të mbijetuar do të tregojnë edhe emrate vrasësve të më të dashurve të tyre. Nëse nuk je gati të flasësh për kriminelët disa prej të cilëve janë ende të lirë, mos u nisë fare.
Nëse ke ndonjë dëshirë për të nderuar duhet të mbushesh një kamion me kurora dhe të vizitosh varre dhe varreza në Mejë, Korenicë, Rracaj, Sheremet, Ramoc, Çabrat, Cërmjan, Rogovë, Skivjan, e çdo kund në komunën tonë.

Në Gjakovë ka ende plagë, ende derdhen lotë dhe ka mllef.

Nëse mendon të nisesh, unë e para e Komunës të them Mos U Nis. Mos eja për hir të plagëve dhe mundësisë së trazimit të këtyre plagëve. Mos eja se asgjë nuk e arsyeton ardhjen tënde. Mos eja se nuk ka forcë qe e ndal mllefin dhe hidhërimin e familjeve të cilat ende presin lajm për më të dashurit e tyre. Mos eja nëse nuk je gati të thuash Më falni për krimet dhe gjenocidin. Në Gjakovë mund të vish vetëm me kërkim faljen zyrtare nga shteti.

Mos eja se askush nuk e trazon kishën, ndërsa ardhja jote do të ndikojë keq edhe në qetësinë e kishës ortodokëse.
Mos eja, nëse mendon se procesi i dialogut duhet të ketë sukses. Ardhja jote e rrezikon vijinësinë e dialogut për arsye se do të ju jap të dyja palëve arsye të distancoheni nga njera tjetra.
Mos eja nëse mendon se shteti juaj është në rrugë drejt BE-së dhe nëse synon respektimin e standardeve të BE-së.
Unë do të kërkoj zyrtarisht mos lejimin e ardhjes tënde në Gjakovë, nuk je gati për këtë ardhje dhe nuk jemi gati të presim.
Ne shqiptarët mikpritjen e kemi atributin kryesor, por me ty, me ju, ende nuk mundemi, nuk është koha, nuk janë kushtet, nuk jeni gati.
Mysafirët nderojnë shtëpinë tonë, me ty ndihemi të ofenduar, të lënduar dhe të poshtëruar.
I bëj apel Qeverisë së Kosovës, Zyrës së BE-së në Prishtinë dhe Bruksel, Misionit të EULEX dhe KFOR-it, nëse misioni juaj është qetësia dhe siguria, mos e lejoni këtë ardhje, nuk është koha, nuk është vendi.
Na leni të vazhdojmë përpjekjet tona për rimëkëmbje dhe ngritje të kualitetit të standardit të jetës në komunën tonë, mos na ngarkoni, shqetësoni dhe trazoni me këtë ardhje të panevojshme, kafshatë që nuk kapërdihet nga Gjakova.

Ju faleminderit për mirëkuptim!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen