Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Histori & Fakte | admin | 11.03.12 | 18:59

Ndaj shqiptarët asgjë nuk kanë të përbashkët me krijesën e trilluar paditëse dhe akuzuese “Shqipëria e madhe”. 

Të drejtën e Kosovës dhe të shqiptarëve për t’u bashkuar me Shqipërinë e garanton Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ku thuhet: “Me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, “Pegi”, Tiranë, 2002, f. 5). 

Prandaj askush nuk ka të drejtë morale, as ligjore e as demokratike që këtë të drejtë historike, legjitime, legale, kushtetuese dhe demokratike të popullit shqiptar për bashkim me Shqipërinë ta shantazhojë, ta kontestojë, ta mohojë dhe ta keqinterpretojë si kërkesë për krijimin e një “Shqipërie të madhe”. Kjo është tezë e fabrikuar dhe ndërruar e shovinistëve serbomëdhenj, që është në funksion të drejtpërdrejtë të mbrojtjes dhe të zgjerimit të Serbisë së madhe në kurriz të territoreve autoktone të Shqipërisë etnike. 

Derisa Kosova të jetë nën mbrojtjen e Amerikës dhe të NATO-s, ajo është jashtë çdo rreziku nga Serbia dhe nga Rusia. Mirëpo në të kundërtën, në mungesë të këtyre dy faktorëve relevantë ndërkombëtarë Kosova do të jetë e rrezikuar dhe e sulmuar nga Serbia dhe nga aleatët e saj tradicionalë. Këtë rrezik tash duhet ta mbajnë parasysh jo vetëm Prishtina dhe Tirana, por dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre europerëndimorë. 

Për të mos i lënë asgjë rastit, krerët drejtues të Shqipërisë dhe të Kosovës tani, sa nuk është bërë vonë, duhet të kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të BE-së (Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Italia etj.) që të ushtrojnë trysni ndaj Beogradit, Moskës dhe Pekinit që ta njohin Republikën e Kosovës, në mënyrë që t’i njihet subjektiviteti juridik ndërkombëtar nga ana Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. 

Në rast dështimi të një formule të tillë në relacionin Uashington, Bruksel, Beograd, Moskë dhe Pekin, alternativa e vetme politike dhe juridike është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Formulë afatgjatë, e drejtë, legjitime dhe racionale kjo, që do të mbyllte përgjithmonë aspiratat dhe pretendimet e Serbisë, të ripushtonte Kosovën e Shqipërisë. Këtë opsion do të duhej ta mbështesnin edhe SHBA-të, edhe partnerët e saj të BE-së, në mënyrë që në afat të gjatë të shpëtonin dhe siguronin edhe Kosovën, edhe Shqipërinë si një shtet të përbashkët në Ballkan, i cili do të ishte në përputhje të plotë edhe me të drejtën historike, edhe me të drejtën ndërkombëtare, ndryshe Serbia kurrë nuk do të pranojë që të heqë dorë nga rikolonizimi i Kosovës. Këtë e provon edhe kushtetuta e saj në fuqi, ku thuhet se “Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë”. Pra, derisa në kushtetutën e Serbisë është sanksionuar një klauzolë e tillë, rrezikun nga Serbia nuk duan ta shohin vetëm ata që nuk e kuptojnë dhe e anashkalojnë me qëllim politikën kolonialiste dhe hegjemoniste të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës. Pra, shkurt dhe thjesht, nëse Kosova nuk bashkohet me Shqipërinë ose nuk mbetet nën mbrojtjen e përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por mbetet kështu si shtet i vetëm, atëherë alternativa e tretë është me rrezik të madh të shpërthimit të një lufte të re midis Kosovës dhe Serbisë. Që të mos ndodhë repriza e errët, e hidhur dhe tragjike e shekullit të kaluar (1912–1999), Kosova nuk ka zgjidhje tjetër të statusit të saj politik të përhershëm: o bashkim me Shqipërinë, o nën mbrojtjen e përhershme të Amerikës. Opsioni i tretë mund të jetë me pasoja të rënda dhe të paparashikuara si për Kosovën, ashtu dhe për Shqipërinë, sepse Serbia do të tentojë ta mbajë “edhe Kosovën, edhe Evropën” (kështu ka deklaruar presidenti i Serbisë Boris Tadiç), pasi Këshilli i Evropës më 1 mars 2012 miratoi unanimisht statusin e vendit kandidat të Serbisë në BE. Kështu thotë edhe kushtetuta e Serbisë, sipas së cilës “Kosova është pjesë e Serbisë”!? 

Kosova pa Shqipërinë vetëm një eksperiment i përkohshëm shtetëror 

Kosova për të ekzistuar si shtet i pavarur dhe sovran do të duhej të arrinte njërin prej këtyre kushteve: 1) të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara; 2) të jetë anëtare e Organizatës së Atlantikut Verior (NATO); 3) të jetë nën mbrojtjen e përhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Ndryshe është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Çdo alternativë tjetër politike, qoftë afatshkurtër, qoftë afatgjatë, Kosovën e rikthen nën sundimin kolonial të Serbisë (1912–1999). 

Këtë rrezik të shthurjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës para së gjithash e paralajmëron statusi i tanishëm i Kosovës Veriore, të cilën që 13 vjet (1999–2012) Serbia e ka okupuar dhe pacifikuar në “paqësore”, duke e konsideruar si pjesë të saj. 

Pavarësisht se çfarë përmbajnë deklaratat dhe intervistat e rezervuara të ambasadorit të nderuar dhe të respektuar Kristofer Dell ndaj bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, me gjasë as Amerika e as Evropa Perëndimore (duke qenë se politika bëhet në afat të gjatë, jo vetëm sot për sot) nuk do ta pengojnë ribashkimin e shqiptarëve brenda kufijve historikë të Shqipërisë etnike. Mbase ky është një proces i pandalshëm, por shqiptarët duhet të dinë se si t’i qasen kësaj çështjeje të rëndësishme për fatin e tyre dhe për ribërjen e shtetit të tyre të përbashkët – Shqipërinë etnike e KURRSESI “Shqipërinë e madhe”, sepse ajo është një falsitet i shpifur dhe i trilluar nga kuazishkenca, nga politika, nga diplomacia dhe nga propaganda e Beogradit (1844–2012), që është mjeti më efikas për mbrojtjen dhe shpëtimin e Serbisë së Madhe, e cila është krijuar me copa të grabitura të territoreve shqiptare, hungareze dhe kroate etj., që nga Kongresi i Berlinit (1878). 

Kush do të bindet në të vërtetën historike dhe gjeopolitike, le ta shikojë hartën e shteteve të Ballkanit, aty do të shohin se nuk ekziston kurrfarë “Shqipërie e madhe” ( e fabrikuar nga serbomëdhenjtë dhe aleatët e tyre të sllavëve të Jugut të Ballkanit), por vetëm Serbia e madhe e formuar nga sipas “Naçertanie-s” së Ilia Garashanit dhe pasuesve të tij, siç ishin Stevan Moleviçi, Dostiej Obradoviçi, Jovan Cvijiçi, Vladan Gjorgjeviçi, Vaso Qubriulloviçi, Ivo Andriçi, Dobrica Qosiçi, Milorad Ekmeçiçi, Dimitrije Bogdanoviçi, Slobodan Milosheviçi e shumë të tjerë. 

Pyetja për disa pseudointelektualë, apolitikanë dhe adiplomatë në shkallë ballkanike, evropiane dhe ndërkombëtare, po si mund të shpifin dhe të bien dakord me gënjeshtrat, me akuzat dhe me aktpaditë e zeza të Serbisë se gjoja dikur paskësha ekzistuar një “Shqipëri e madhe”, të cilën edhe sot shqiptarët po luftuakan për ringjalljen e saj?! 

Kjo është PADREJTËSIA dhe ofendimi më i madh që po u bëhet shqiptarëve, duke i shantazhuar, frikësuar dhe kërcënuar se ata nuk e gëzojnë të drejtën të ribashkohen si një komb dhe si një shtet i vetëm në Ballkan, ashtu sikurse të gjitha shtetet e tjera në rajon, por duhet ta mbyllin gojën dhe të pajtohen me statusin e tyre vasal nën sundimin e egër kolonial 100-vjeçar serbosllav. Kjo padrejtësi duhet të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse shqiptarët kanë të drejtën e vet historike dhe legjitime që të jetojnë të bashkuar brenda kufijve natyrorë dhe gjeopolitikë të Shqipërisë etnike, kurrsesi të “Shqipërisë së madhe” të sajuar nga Serbia e madhe – Piemonti i sllavëve të Ballkanit. 

Nuk ka Shqipëri të madhe në Ballkan, as nuk ka shqiptarë në Ballkan, që po veprojnë dhe që po kërkojnë ribashkimin e Shqipërisë së madhe, por ka vetëm një Shqipëri etnike, e cila në çdo aspekt dhe element të saj është ANTITEZË e Shqipërisë së madhe të patentuar dhe të fabrikuar nga projektuesit dhe nga zbatuesit e Serbisë së madhe në Beograd. Kjo është e vërteta. Prandaj dhe lëvizja “Vetëvendosje”, sikurse edhe të të gjitha lëvizjet dhe partitë e tjera politike shqiptare plotësisht (to the full extent) e gëzojnë të drejtën legjitime që të kërkojnë ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Këtë të drejtë askush nuk duhet ta keqinterpretojë dhe ta falsifikojë (për interesa dhe qëllime të ndryshme politike, ekonomike a tregtare etj.), ashtu sikurse po veprojnë në mënyrë orkestrale dhe tradicionale kuazishkenca, politika, diplomacia, propaganda, agjenturat e ndryshme serbosllave, filosllave ballkanike dhe jashtëballkanike, sepse është e garantuar me të gjitha parimet dhe me normat e së drejtës ndërkombëtare, me konventat, rezolutat, deklaratat, protokollet dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara, si dhe me kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë. 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen