Benedikti XVI dhe tërheqja nga papnia, muaji më i gjatë i një shpirti të madh

Histori & Fakte | Rrezore | 11.02.14 | 21:21

Më 11 shkurtin e një viti më parë, Kisha dhe bota u tronditën pas tërheqjes së Benediktit XVI nga shërbimi pjetrin. Ai, që fillimish u prit me habi e trubullim të madh, në ditët e mëpasme, u kuptua se ishte një akt largpamës urtie, i mundur vetëm për një njeri e një Papë me mprehtësi të jashtëzakonshme shpirtërore. Ja etapat, që karakterizuan atë muaj, tashmë historik:RealAudioMP3 
Fratres carissimi, non solum propter tres canonizationes ad hoc Consistorium vos convocavi…”(Vëllezër të dashur, ju kam thirrur në këtë Koncistor, jo vetëm për tri shenjtërimet…).
Latinishtja është gjuhë e vdekur për botën prej qindra vjetësh e pak e përdorur edhe në jetën e përditshme të besimtarëve katolikë. Për këtë arsye, një nga njoftimet më kumbues të historisë universale luhatet për disa minuta në një flluskë heshtjeje të padeshifrueshme. Ato fjalë të përvuajtura, shqiptuar me qetësi, përvijuar nga një lloj tensioni, që flet për “decisionem magni momenti pro Ecllesiae vitae communicem” (ju komunikoj një vendim me rëndësi të madhe për jetën e Kishës), mbeten pezull në tokën e askujt për disa sekonda të stërzgjatura, në pritje që ndokush t’i bëjë të vetat. Sapo kishte kaluar ora 11.30 e kush pati fatin t’i dëgjonte, në atë 11 shkurt të vitit 2013 – kardinajtë rreth Benediktit XVI në Sallën e Koncistorit dhe gazetarët, që ndiqnin imazhet e audion – jetoi për pak çaste enigmën e atyre, që në breg të oqeanit, shohin të pafuqishëm tërheqjen e ujit për shumë e shumë kilometra. Pastaj, tsunamin:
“Conscientia mea iterum atque iterum coram Deo explorata ad cognitionem certam perveni vires meas ingravescente aetate non iam aptas esse ad munus Petrinum aeque administrandum…”.
(Pasi shqyrtova shumë herë ndërgjegjen time para Zotit, jam tashmë i sigurtë se forcat e mia, për shkak të moshës së shtyrë, nuk janë më të mjaftueshme për të ushtruar si duhet shërbimin tim petrin… mëse i vetëdijshëm për rëndësinë e këtij akti, në liri të plotë, deklaroj se heq dorë nga shërbimi i Ipeshkvit të Romës, Pasardhës i Shën Pjetrit, që më është besuar nga kardinajtë…)
Oqeani, që vërsulet sërish për të kapur jo vetëm bregun, por edhe ç’të gjejë përpara në tokën e thatë, e lë botën të mrekulluar. Mediat, sidomos interneti, përflaken. “Papa dha dorëheqjen”, interpretimi i parë, që përpiqet të shpjegojë të pashpjegueshmen me një gjuhë marrë nga botë të tjera, sepse askush në tokë nuk i ka mjetet për të njoftuar arsyeshëm ç’po ndodhte. Informacioni i parë është emotiv, po ashtu edhe reagimi i njerëzve. Askujt nuk i besohet e ndokush fillon të vërë në diskutim siguri të patundshme. Derisa, e ngjeshur, e shtypur për 48 orë rresht, llava e zjarrtë shpërthen të mërkurën, më 13 shkurt, në audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI:
“Të dashur vëllezër e motra, siç e dini, vendosa …(duartrokitje)… Ju falënderoj për simpatinë tuaj…(duartrokitje)… Vendosa të heq dorë nga ministeri, që Zoti ma besoi më 19 prill 2005. E bëra këtë me liri të plotë, për të mirën e Kishës, pasi u luta gjatë dhe rrëmova, para syve të Zotit, ndërgjegjen time, thellësisht i vetëdijshëm për seriozitetin e këtij akti, por po aq i vetëdijshëm edhe se nuk jam më në gjendje ta kryej misionin tim papnor me atë energji, që kërkon”.
Ajo e mërkurë përkonte me fillimin e Krezhmëve e njerëzit mbushin pasdite Bazilikën e Vatikanit për ritin e Përhimjes. Kështu, në magmën e ndjenjave konfuze, pak pluhur i zi që për një çast i nxin paksa flokët e bardhë si bora të Papës kthehet, për atë që e sheh këtë skenë, në një simbol me domethënie më të mëdha nga sa mund t’i jepen në të vërtëtë: shpreh me anë të imazhit, sigurinë që po afirmohej se pavarësisht nga çdo interpretim, tërheqja e Benediktit XVI ishte gjest përvuajtërie të madhe. E pohoi këtë, krejtësisht i mallëngjyer, edhe Sekretari i atëhershëm i Shtetit, kardinali Tarçizio Bertone, në fund të kremtimit, i shoqëruar nga duartrokitjet pa fund, emocionuese të njerëzve, që u ngritën në këmbë, për të nderuar Bariun e tyre:
“Faleminderit, që na dhatë shembullin e ndritur të punëtorit të thjeshtë e të përvuajur në vreshtin e Zotit, por të një punëtori, që diti, në çdo çast, të realizojë ç’është më e rëndësishmja: t’u çojë Zotin njerëzve e t’i çojë njerëzit tek Zoti”.
E drejtë, gabim. Ndërsa dueli i opinioneve vazhdonte të ndizte sallonet televizive dhe debatet e njerëzve nëpër rrugë, në përpjekjen e vështirë për “të lexuar” zemrën e Papës, vetë Benedikti XVI e shpjegon vendimin e tij, gjatë ditëve që pasuan. T’i dëgjosh fjalët e tij në takimet publike të asaj kohe, do të thotë të hedhësh sytë vetëm mbi disa shtigje, tepër të shkurtra, të udhës së gjatë e vetmitare, që pati bërë shpirti i tij përballë e përkrah Zotit. Busulla që e udhëheq në atë rrugë shihet nga fjalët që thotë, si ato në takimin me famullitarët e Romës, më 14 shkurt, ditën e enjte:
“Megjithëse po tërhiqem tani, në lutje, jam gjithnjë pranë jush e jam i sigurtë se edhe ju do të jeni pranë meje, pavarësisht se për botën do të rri fshehur”.
“Tërheqje, lutje, fshehur”. Nga përmbytja e tsunamit, që dukej sikur po e shkatërronte edhe shtëpinë e ndërtuar mbi shkëmb e të vërtetën për banorin e parë të saj, pejsazhi shndërrohet e gjen një ekuilibër të ri. Vërtet, një pjesë e mediave vazhdon të ngulë këmbë në komplote e ikje, sepse fatkeqësisht shumë gazetarë dinë si ta gudulisin publikun me skandale, në vend që t’i stimulojnë inteligjencën. E megjithatë, gjesti i Benediktit XVI kuptohet gjithnjë e më tepër nga Kisha si fryt i një feje të patundur, e cila ka karakterizuar gjithnjë hapat e punëtorit të Vreshtit të Zotit. Papa e përforcon këtë siguri me daljen e tij të fundit në dritaren e studios së Pallatit Apostolik: Është lutja e Engjëllit të Tënzot, e dielë, 24 shkurt:
“Zoti më thërret të ‘ngjitem në mal’, t’i kushtohem më shumë lutjes dhe meditimit. Por kjo nuk do të thotë se po e braktis Kishën, përkundrazi, nëse Hyji më kërkon këtë, e bën pikërisht që unë të mund të vazhdoj t’i shërbej asaj me të njëjtin përkushtim e me po atë dashuri, me të cilën i kam shërbyer deri tani, por në një mënyrë më të përshtatshme për moshën dhe forcat e mia”.
Punëtori i përvuajtur i Vreshtit largohet nga kreu e shkon në fund të rreshtit. E pati kuptuar se edhe Vikari i Krishtit ka mëse një mënyrë për t’u kujdesur për vreshtin e Ungjillit:
“Nuk po e braktis Kryqin, por do të qëndroj në mënyrë të re pranë Zotit të Kryqëzuar. Nuk mbart më përgjegjësinë e detyrës për qeverisjen e Kishës, por në lutje mbetem, si të thuash, në vathën e Shën Pjetrit”.
Këto fjalë mbushin sheshin e Shën Pjetrit në audiencën e fundit të përgjithshme të Papës Racinger, para syve të të cilit, një mori prej 150 mijë vetësh. Një mur njerëzish, amplifikuar nga televizionet e gjithë botës, të cilët Benedikti XVI i siguron edhe një herë për praninë e Hyjit në Kishë:
“E kam ditur gjithnjë se në atë barkë është Zoti dhe e kam ditur gjithnjë se barka e Kishës nuk është imja, nuk është jona, por është e Tij, e Zoti nuk e lë të mbytet; është Ai që e udhëheq, sigurisht edhe përmes njerëzve që zgjedh, sepse kështu ka dashur. Kjo ka qenë dhe është një siguri, që asgjë s’mund ta cënojë”.
E kush nuk e kujton atë muaj shqetësimesh, ndërsa përgatitej ethshëm Konklavi për zgjedhjen e Papës së ri, ndërsa i vjetri bëhej gati të largohej me helikopter nga Shën Pjetri për në Kastelgandolfo, rezidenca verore e papëve. Muaji më i shkurtër i kalendarit u jetua sikur të ishte pambarimisht i gjatë, në mos tjetër, për orët e stërngarkuara të gazetarëve, që ndiqnin ngjarjet. Atë 28 shkurt, ditën e largimit të Benediktit XVI nga Vatikani, në Romë ishin të pranishëm 3.650 gazetarë nga 61 vende, përfaqësues të 968 mediave, në 24 gjuhë të ndryshme. Televizionet transmetuan nga mëngjesi në darkë, duke filluar me Sallën Klementina, gjatë përshëndetjes me kardinajtë, 144 vetë:
Dëshiroj t’ju them se do të vazhdoj të jem pranë jush me lutje, sidomos gjatë ditëve të ardhshme, që të jeni plotësisht gati për dikimin e Shpirtit Shenjt në zgjedhjen e Papës së ri. Zoti ju tregoftë atë, që do Ai i lumi. Ndërmjet jush, në Kolegjin e kardinajve, është edhe Papa i ardhshëm, të cilin, që sot, premtoj ta nderoj dhe t’i bindem pa kushte”.
Rreth orës 17.00, bota ndjek metër pas metri, udhëtimin e Papës me helikopter për në Kastelgandolfo. Ndonjë komentator e krahason me impaktin e sbarkimit në Hënë. Benedikti XVI përshëndetet nga kardinali Komastri e nga mons. Genshvejn, pastaj fytyra në oblonë e helikopterit të bardhë e fluturimi në qiellin e Romës, që i dhuron shikuesit diçka engjëllore. Në ballkonin e Kastelgandolfos, para mijëra vetëve, Benedikti XVI del nga skena:
“Jam thjesht një shtegtar, që fillon etapën e fund të shtegtimit të tij mbi këtë tokë. Por do të doja, me gjithë zemër, me plot dashuri, me lutje, me reflektime, me të gjitha forcat e mia të brendshme, të punoj për të mirën e përbashkët e për të mirën e Kishës e të njerëzimit. E ndjej se më mbështet simpatia juaj. Faleminderit, natën e mirë!”
“Natën e mirë!”, tha Papa Racinger, duke u tërhequr pas kanatave të dritares. Kur akrepat e orës ranë 8 e mbrëmjes, porta e rezidencës papnore u mbyll ngadalë. Rojet zvicerane u larguan. Nuk kishin më papë për të ruajtur.
Por Benedikti XVI mbeti. Mbeti edhe jehona e përshëndetjes “Natën e mirë!”. E një regjizor i padukshëm, vetëm 13 ditë më vonë, thirri në Vatikan, një papë “nga fundi i botës”, që e filloi papninë me të njëjtin stil, atë të familjaritetit më absolut e më çarmatosës:

Nga Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen