Mimozës i lulëzon korrupsioni

Analiza & Komente, OP-ED | Rrezore | 25.02.14 | 21:59

Nga  Enis Veliu

Mimoza Kusari – Lila bashkë me militantë e mercenarë fyen, akuzuan e sulmuan ish- kryetarin e komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, për korrupsion, nepozitëm, e keqmenaxhim të komunës.

Për një muaj sa pati zgjatur fushata parazgjedhore për zgjedhjet lokale në vitin kaluar, por edhe fushata prej më shumë se një javë në raundin e dytë të zgjedhjeve për balotazh, Kusari-Lila nuk pati lënë të zezë pa thënë për ish-kryetarin Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij. Madje ajo pati premtuar se në ditët e para të punës si kryetare ajo do të bashkëpunojë shumë ngushtë me Prokurorinë vetëm e vetëm për të nxjerrë në pah keqpërdorimet e qeverisjes lokale.

Mirëpo, nuk shkoi shumë, kur drejtori që ajo emëroi u akuzua për marrje të ryshfetit nga partia të cilës i përket ish-kryetari Lekaj.

E këtë askush nuk e kishte pritur, madje as përkrahësit mercenarë të saj që endeshin pas saj. Këta të fundit mëditjet i merrnin në derë të autobusit, e hamburgerët i hanin pas përfundimit të fushatës, pavarësisht se ku ishin. Në fshat, apo brenda qytetit të Gjakovës.

Etor Hoxha, drejtor për Shërbime Publike, në kabinetin e kryetares Kusari-Lila ka dhënë dorëheqje të hënën, pasi që një ditë më herët AAK-ja e akuzoi atë se operatorëve privatë u ka kërkuar mito në vlerë prej 10 mijë euro.

Hoxha para opinionit është munduar që ta arsyetojë dorëheqjen e tij, ku marrjen e mitos e ka cilësuar si gabim e jo korrupsion.

Ai ka thënë se ka gabuar duke e urdhëruar pagesën e një borxhi të vjetër, ndonëse pagesa e këtyre borxheve ishte stopuar përkohësisht nga kryetarja Kusari – Lila.

Dorëheqja e Hoxhës deri diku mund të cilësohet si akt moral, por jo edhe mbrojtja që i bëhet atij nga kryetarja Kusari-Lila.
Sipas saj, ish-drejtori Hoxha ka rënë viktimë e një procesi të jashtëligjshëm që në mënyrë keqmenaxhuese ka vazhduar në komunën e Gjakovës për 7 vjet me radhë.

Kryerja e punëve në këmbim të dhënies së ryshfetit është gjëja më e papritur që ka mundur të ndodhë në komunën që drejton Kusari-Lila, pasi që ajo rrëzoi pushtetin e kaluar, pikërisht duke akuzuar dhe duke kritikuar ata për korrupsion.
Votuesit e lodhur ekonomikisht kanë votuar një ofertë që sjell vende të reja pune, por jo ofertë e cila i plaçkit kompanitë e brishta në këtë komunë.

Misioni kryesor që ia pati vënë vetes Mimoza Kusari-Lila përfundimisht u fundos, madje edhe ajo është bërë pjesë e saj, pasi që justifikon veprimet e ish-drejtorit Hoxha.

Prej se kur ka ardhur në pozitë Mimoza Kusari-Lila më shumë është munduar që të akomodojë “ilaket” e saj sesa të kontribuojë për zhvillimin ekonomik të Gjakovës. Kryetarja në vazhdimësi ka shkarkuar nga puna rreth 60 punëtorë, të cilët kishin hyrë në punë përmes një projekti të komunës me Karitasin.

Po ashtu, një valë e re shkarkimesh pritet të ndodhë në ditët në vijim edhe në ngrohtoren e qytetit në Gjakovë.
Shkuarja e Mimoza Kusari – Lilës në Gjakovë nuk ndryshoi thuajse asgjë. Punëtorët e larguar nga puna me motive të ndryshme u zëvendësuan menjëherë me militantë partiakë, e kërkimin e ryshfetit në këmbim të kryerjes së punëve me suksese e kanë vazhduar drejtorët komunalë të Kusari-Lilës./Zëri/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen