Paguajmë për t’na fyer

OP-ED | admin | 21.04.12 | 09:08

Imer Mushkolaj

20 Prill 2012 12:00Nga Imer Mushkolaj

 

 Besoni apo jo, RTK paguan një kuiz 17 000 euro në javë, për ta fyer shtetin dhe simbolet e Kosovës. Natyrisht, me paratë tona.

Drejtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) po arsyetonin, të martën, shpenzimet për vitin e kaluar para Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, ndërkohë që vetëm një natë më parë, në një emision të paguar majmë, po në RTK, po fyhej shteti dhe simbolet shtetërore të Kosovës. Moderatori i kuizit “Kush do të bëhet milioner”, në mënyrë idioteske dhe të paskrupullt po iu tregonte shikuesve se sa të pavlerë ishin flamuri dhe himni i Kosovës. Sipas tij, të vërtetët ishin flamuri dhe himni shqiptar dhe ishte gjë e kotë krijimi i çfarëdo simboli tjetër. Mesazhi iu jepej kosovarëve, qytetarëve të shtetit të Kosovës, në Televizionin e Kosovës, në një program të paguar majmë me paratë e tyre. Gjithçka ndodhi kur një pjesëmarrëseje në kuiz nuk po i kujtohej titulli i Himnit të Kosovës. Por, moderatori po e inkurajonte atë madje ta këndonte himnin, duke mos e pasur fare idenë se nuk kishte si të këndohej, kur nuk kishte tekst. Dhe kur dështoi në përpjekjet dhe paditurinë e tij, ai u shfry në shtetin e Kosovës, duke e goditur me kartën tashmë të njohur të patriotëve të vonuar.

Sa për informatë, “Milioneri” paguhet nga RTK rreth 17 mijë euro në javë. Po, po mirë e keni lexuar 17.000 euro. 17 me tri zero mbrapa. Kjo i bie që për këtë program, që edhe di të na fyejë në këtë mënyrë, ne paguajmë rreth 70.000 euro në muaj, apo më shumë se 800.000 euro në vit! Të merremi vesh, “Milioneri” nuk është prodhim i RTK’së, por është produkt i një produksioni privat, i cili shfaqet edhe në televizione tjera, pra nuk është ekskluzivitet i RTK’së. Madje, emisioni transmetohet disa minuta përpara në TV Klan dhe të gjithë shikuesit e rregullt nuk kanë fare pse ta ndjekin në RTK. Atëherë, për çfarë i paguan RTK 17.000 euro? Në favor të kujt shkon kjo kontratë? Pyetje që kërkojnë përgjigje nga menaxhmenti i këtij televizioni, që ankohet se është futur borxh miliona euro.

Por, në këta milionat borxh bëjnë pjesë edhe projekte të tjera, siç janë për shembull serialet televizive, ndër të cilët ka edhe asish që iu jepen anëtarëve të Bordit apo miqve të tyre, po ashtu duke ua mbushur xhepin me para tonat. Apo seriale të tjera që ende nuk janë shfaqur, siç është ai i bazuar në filmin shumë të kritikuar dhe dobët të realizuar ”Kodi i Jetës”, për të cilin kontrata është e rëndë rrafsh 116.000 euro! E pse bash 116.000 – ky është “detaj” interesant: 100.000 euro i mbeten (dikujt) të pastra e 16.000 shkojnë për TVSH. Llogari perfekte. Më e forta në këtë mesele është se po për të njëjtin serial, RTK më herët kishte refuzuar të paguajë 60.000 euro, por përnjëherë “diçka kishte ndodhur” dhe fatura ishte rënduar për rrafsh 56.000 euro. Menaxhim e jo mahi!

E nga milionat për “Milionerin” paguhet edhe moderatori, i cili në emër të pseduopatriotizmit dhe rrëfimeve pseudokombëtare zgjedh të fyejë të gjitha ata që jetojnë në shtetin e Kosovës, që identifikohen me himnin dhe flamurin e shtetit të ri. Zgjedh të “edukojë” të gjithë fëmijët kosovarë të cilët në libra mësojnë për shtetin e tyre dhe simbolet e tij, por xhaxhi Agron iu thotë se ai shtet dhe ato simbole nuk kanë vlerë, nuk janë përnjëmend, janë hajgare. Dhe, nuk ka faj që bën kështu, sepse pagën e majme e siguron nga paratë tona, nga paratë e prindërve të këtyre fëmijëve që punojnë në këtë shtet dhe për këtë shtet. Dhe nuk ka faj që na fyen, sepse së pari menaxhmenti i RTK’së na ka fyer inteligjencën duke i paguar miliona “Milionerit”. Dhe do të vazhdojë të na fyejë edhe në të ardhmen, duke jetësuar kontrata për seriale paraprakisht të dështuara. Sepse, s’mund të dalë serial i suksesshëm, nga një film i dobët.

* * *

Para se të ankohen në Kuvend se s’kanë para dhe janë futur në borxhe, drejtorët e RTK’së duhet të na sqarojnë se si dhe pse kanë zgjedhur që, për shembull, duke paguar miliona për “Milionerin”, ta bëjnë dikë milioner. Apo, pse kanë zgjedhur që, po ashtu, të ndajnë qindra-mijëra euro edhe për programe të tjera, të cilat do të mund t’i realizonin fare lehtë gazetarët e RTK’së, me shumë më pak shpenzime. A duhet që për shkak të menaxhimit jo të mirë të ndonjë drejtori apo për mbushjen e xhepave të dikujt, RTK’së t’i jepen miliona të tjerë për t’i shlyer borxhet? Teket e dikujt po na kushtojnë shtrenjtë. Për një “Milioner”, 800.000 euro në vit janë shumë. 800.000 euro janë shumë për të na fyer.

 

Gazeta Ekspress 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen