Ka një Europë përtej Brukselit. Ta zgjedhim me votë

OP-ED | Rrezore | 02.03.14 | 14:42

ULRICH BECK
Partitë anti-europiane dhe kandidatët e tyre duan të zgjidhen në mënyrë demokratike, për të dëmtuar demokracinë në Europë. Le të ftojmë qytetarët të mos e japin votën për këtë sulm politik vetëvrasës.
Në muajin maj të këtij viti, qytetarët do të shkojnë të votojnë për herë të parë, për të ardhmen e Europës. Cilën Europë duam? Që nga momenti i hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe përgjatë gjithë kohëzgjatjes së krizës, qytetarët nuk kanë patur asnjëherë mundësi të shprehin gjykimin e tyre mbi të ardhmen e bashkimit europian, në një proces të formimit demokratik të vullnetit.

Ulrich Beck

Ulrich Beck

Këtë herë, risia është prania e kandidatëve të ndryshëm për postin e presidentit të Komisionit Europian, me mundësinë për të zgjedhur mes modeleve të ndryshëm të Europës. Eshtë një kapërcim i madh politik. Në fakt, në të njëjtin moment dhe në të gjithë Europën, do të diskutojmë në gjuhë të ndryshme për të njëjtat tema – domethënë mbi njerëzit dhe programet e tyre. Duam “më pak Europë” që thotë David Cameron, i diktuar prej imperativave të tregut, apo një “Europë tjetër”, që ia nënshtron tregun rregullave demokratike, sic ka në mendje presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz?

Partitë anti-europiane dhe kandidatët e tyre duan të zgjidhen në mënyrë demokratike, për të dëmtuar demokracinë në Europë. Le të ftojmë qytetarët të mos e japin votën për këtë sulm politik vetëvrasës.

Por është shumë e rëndësishme të merret seriozisht skepticizmi i qytetarëve. Për rilindjen e Europës, është e domosdoshme të nxirren në dritë publikisht defektet e lindur të BE-së. Ne jemi kundër një politike europiane, në gjendje të mbledhë 700 miliardë euro për të stabilizuar sistemin bankar, por që dëshiron të shpenzojë vetëm 6 miliardë për të luftuar papunësinë mes të rinjve. Shumëkush, mes tyre edhe shumë të rinj europianë, kanë ndjesinë se ekziston një botë paralele anonime e quajtur “Bruksel”, dhe që ajo e kërcënon identitetin, gjuhën dhe kulturën e tyre. Eshtë një lloj Europe e elitës, pa një Europë të qytetarëve. Për të fituar qytetarët, politika duhet të merret me tema që njerëzit i kanë më shumë për zemër.

Europa ndodhet në një moment vendimtar. Do të varet nga përvoja, orientimi, kurajo dhe aftësia e presidentit të ardhshëm të Komisionit Europian, nëse do të arrijmë të të kapërcejmë “despotizmin dashamirë” (Jacques Delors) dhe t’i japim kontinentit të vjetër një pozicion, dhe një zë që të flasë për të ardhmen në një botë të globalizuar.

ZYGMUNT BAUMAN

Nga njëra anë, Bashkimi Europian shfaqet si mburojë për një shumësi shtetesh, shumë prej të cilëve janë shumë të vegjël dhe shumë të dobët për t’u mbrojtur nga teprimet më të këqinj të fuqive globale, të cilat nuk kanë frena dhe as skrupuj. Nga ana tjetër, ky Union të krijon përshtypjen e një lloj kolone të pestë të po këtyre fuqive globale, një pararojë forcash që komplotojnë për të dëmtuar dhe më në fund eleminuar mundësitë e ushtrimit të sovranitetit kombëtar dhe shtetëror. Por, cështja është se këto dy përshtypje janë dy anë të së njëjtës të vërtetë: në themel të situatës aktuale botërore, është e vështirë të luash rolin e parë, pa ushtruar qoftë edhe me raste të dytin. Prandaj, si laborator ku në mënyrë të përditshme pikasen, diskutohen dhe verifikohen në praktikë mënyra të ndryshme të përballjes me sfidat e nivelit global, Europa është jashtëzakonisht shumë e rëndësishme për të ardhmen e një planeti, që po kalon transformimin e dytë vendimtar në historinë e tij moderne të bashkëjetesës njerëzore.

DANIEL BIRNBAUM

Të shpresojmë që kontributi i Europës për një qytetërim botëror të të ardhmes nuk do të ketë fare të bëjë me mendimin territorial dhe me proteksionizmin. Europa e të ardhmes – sinonim i hapjes dhe tolerancës – nuk është askund, dhe është kudo. Këtu dua të jetoj. Dhe, më e rëndësishmja, shpresoj që Europa do të dojë të jetojë tek unë.

JACQUES DELORS

Konstruksioni europian është e Mira jonë e përbashkët. Ka bërë hapa përpara, por ka patur edhe regres. Në tërësi, na ka dhënë shumë. I mungon një shkundje e pjesëmarrjes civile. Zgjedhjet e majit janë një shans historik për ta kryer. Vetëm qytetarët mund t’ia japin këtë nxitje dhe këtë shembull demokratik.

SLAVENKA DRAKULIC

Bashkimi Europian është si demokracia: ndoshta nuk është i përsosur, por nuk njoh dicka më të mirë.

PÉTER ESTERHÁZY

Europa nuk është sinonim i të Mirës. Europa jemi ne! Kështu që, nuk kemi zgjedhje. Pikërisht sepse Europa jemi ne, duhet të shkojmë të votojmë, për të vendosur së bashku se kush do të flasë dhe veprojë në emrin tonë në të ardhmen.

JÜRGEN HABERMAS

Qeveria gjermane nuk mund të shtyjë më në kohë përgjegjësinë politike që, duke adresuar me mënyrën e vet menaxhimin e krizës, ka marrë për fatet e krizave në eurozonë. Duke qenë se ajo vetë, nuk mund të mos trembet në maksimum për një “Europë gjermane”, duhet ta heqë qafe këtë rol drejtues në një Union politik të denjë për këtë emër.

ÁGNES HELLER

Europa e pati mëkatin e saj fillestar 100 vjet më parë. Gjysma e parë e shekullit XX do të mbahet mend në histori si shekulli europian i luftërave, terrorit, kampeve të përqëndrimit, si shekulli europian i vrasjeve në masë të motivuara ideologjikisht, shekulli i Aushvicit dhe i Gulagëve. E gjithë kjo, vetëm pjesërisht ka ndodhur në mënyrë rastësore. Iluminizmi, republikanizmi, liberalizmi dhe demokracia janë krijesa europiane, por të tilla janë edhe kolonializmi, bonapartizmi, fashizmi, nazizmi, bolshevizmi. Demokracia liberale është një sistem politik relativisht i vonë në kontinentin tonë. Një prej trashëgimive më të tmerrshme të historisë sonë është kapërcyer tashmë. Në Europë nuk do të ketë më luftëra të provokuara prej armiqësisë Gjermani-Francë. Në shkallë botërore është një sukses i madh, por gjithcka tjetër është ende në fije të perit. Demokracitë e Bashkimit Europian janë të mirëmenaxhuara, por ky menaxhim nuk ka fare të bëjë me atë që – për të huazuar një shprehje nga Hegeli – mund të quhet shpirt. Pa një shpirt demokratik të fortë dhe të gjallë, demokracia e masës do të shndërrohej në një gjethe të fishkur, dhe do të rrezikonte të shembej nën peshën në rritje të nacionalizmit, racizmit, fondamentalizmit, radikalizmit të të djathtës dhe të majtës antidemokratike, të dhunës. Fantazma e dikurshme mund të rishfaqet. Achtung, Europë! Në një demokraci, nuk mund të flesh kurrë i qetë, i sigurtë se gjërat do të ndjekin qetësisht rrugën e tyre. Amerikanët e kanë nxjerrë tashmë këtë mësim. Tani na takon ne europianëve. Vetëm institucionet nuk munden të ngulisin shpirtin demokratik në një komb, aq më pak në një aleancë kombesh. Por mund ta inkurajojnë dhe ta ndajnë. Kjo është përgjegjësia e tyre.

EDGAR MORIN

Kemi nevojë për një politikë europiane me frymëmarrje të gjerë dhe perspektivë të madhe për t’i bërë sërish qytetet tanë më njerëzorë, për të kufizuar kultivimet intensivë të ushqimeve dhe bujqësinë industriale dhe për t’i dhënë jetë solidaritetit. Mund të arrihet, për shembull, duke futur një shërbim civil europian. Një fushë shumë e rëndësishme është sistemi shkollor, që ka nevojë absolute të riformatohet, duke qenë se struktura e tij kaq e ngurtë na pengon t’u përgjigjemi sfidave themelore dhe globale të kohës sonë.

ALAIN TOURAINE

Bashkimi Europian u krijua për të bërë të pamundura luftërat e brendshme në Europë. Ishte një sukses. Më pas u krijua Euro, por ajo qe një dështim sepse, përkundër shpresës së Bankës Qendrore Europiane, shtetet kanë qenë të paaftë për të krijuar kushtet e nevojshme për një sistem ekonomik europian eficient. Kjo shfaqi hapur nevojën e një qeverisjeje ekonomike europiane, e zgjedhur në mënyrë demokratike. Europa nuk është një qëllim institucional në vetvete. Ajo duhet të jetë shprehja konkrete e bindjes sonë se duhet të respektojmë diversitetin kulturor dhe historik, dhe në të njëjtën kohë, të mbrojmë në mënyrë aktive vlerat universale.

Thirrja u firmos nga:

Zygmunt Bauman, Elisabeth Beck-Gernsheim, Daniel Birnbaum, Angelo Bolaffi, Jacques Delors, Chris Dercon, Slavenka Drakulic, Ólafur Elíasson, Péter Esterházy, Iván Fischer, Anthony Giddens, Lars Gustafsson, Jürgen Habermas, Ágnes Heller, Harold James, Mary Kaldor, Navid Kermani, Ivan Krastev, Michael Krüger, Pascal Lamy, Bruno Latour, Antonín Jaroslav Liehm, Robert Menasse, Christoph Möllers, Henrietta L. Moore, Edgar Morin, Adolf Muschg, Cees Nooteboom, Andrei Plesu, Ilma Rakusa, Volker Schlöndorff, Peter Schneider, Gesine Schëan, Hanna Schygulla, Tomáš Sedlácek, Kostas Simitis, Klaus Staeck, Richard Sëartz, Michael M. Thoss, Lilian Thuram, Alain Touraine, António Vitorino, Christina Weiss, Michel Wieviorka.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen