Teater brenda teatrit me Robert Ndreniken dhe Viktor Zhustin

Analiza & Komente | Rrezore | 03.03.14 | 21:40

“Djemtë gazmorë”, e shkruar në vitin 1972 nga dramaturgu amerikan, Neil Simon, ishte një sfidë jo e lehtë për ish-Teatrin e Komedisë, ose ndryshe Teatrit Eksperimental. Sfidë që në fakt i takon më së shumti kësaj skene, e krijuar ekskluzivisht për të bërë publikun kryeqytetas të qeshë. Por nëse shkon të shohësh “Djemtë gazmorë”, kupton se me një tekst si ai i Neil Simon, cilësuar si “mbreti i komedisë”, bordi i teatrit ka “qëlluar në shenjë” kur mes shumë projekteve ka zgjedhur atë të regjisorit Sulejman Rushiti. Një pjesë e Neil Simon është gjithmonë një sukses i garantuar, por çka në fakt bën diferencën mes qindra vënieve në skenat e botës është loja e dy aktorëve, Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti. Po aq e zgjuar nga ana e regjisorit Rushiti ka qenë dhe përzgjedhja e dy emrave të njohur, si Robert Ndrenika dhe Viktor Zhusti në rolet kryesore, çka ka sjellë dhe shitjen e të gjitha biletave një javë përpara premierës.

Spektatori për gati 2 orë bëhet pjesë e atmosferës së humorit të gjallë që rrjedh nga konflikti i përjetshëm mes dy personazheve kryesorë të komedisë, shumë të ndryshëm në temperament dhe në mënyrën e jetesës.

Robert Ndrenika në skenë interpreton në mënyrë të përkryer karakterin e Uilli Klarkut. Mjafton dhe vetëm ai në skenë për të shkuar për të parë “Djemtë gazmorë”. Ndërsa Viktor Zhusti me aftësi të jashtëzakonshme ka formuar karakterin e El Ljuis.

Historia është ajo e dy aktorëve komikë, që për 43 vjet ishin “çifti” më i suksesshëm i ekranit, deri në momentin që njëri nga partnerët, El Ljuis vendos të shkëputet nga skena, duke nxjerrë në pension edhe partnerin e tij, Uilli Klark. Ky i fundit nuk ia fal dot pensionin e parakohshëm mikut të dikurshëm me të cilin nuk flet prej 11 vjetësh. Situata do ndryshojë në momentin kur mbesa e zotit Klark bën një propozim: rikthimin e tyre në ekran për të interpretuar pjesën “Doktori dhe taksat” që i bëri të famshëm dy komikët. Televizioni CBS është gati të paguajë 10,000 dollarë për “Djemtë Gazmorë”, që duhet ta interpretojnë edhe një herë atë skeç, para kamerave të televizionit. Kjo është ngasje e madhe për të dy aktorët që kërkojnë të rikthejnë dhe në lavdinë e dikurshme. A do t’ia arrijnë? A do munden të çlirohen prej mërive, të lënë pas krenarinë e sëmurë dhe të gjejnë mirëkuptimin mes tyre?

Uilli Klark, interpretuar nga Robert Ndrenika, është një njeri i vetmuar, kapriçoz, idhnak por dhe me sens humori. El Ljuis, interpretuar nga Viktor Zhusti, është karakter diametralisht i kundërt; gjakftohtë, i rafinuar dhe i vetëpërmbajtur. Kostumet e ideuara nga Edlira Qyshka u shkojnë përshtat dy personazheve. Uilli thuajse gjithnjë i veshur me pizhama, ndërsa i rafinuari El Ljuis, me veshje ‘alla’ xhentëlmeni.

Pjesa më e madhe e skenave zhvillohen në shtëpinë e vogël të Uilli Klarkut, që ndodhet në një lagje të zhurmshme të Nju Jorkut. Skenografia e Genc Shkodranit është e thjeshtë dhe tërësisht në funksion të tekstit, përkthyer mjeshtërisht nga Artur Lena.

Uilli Klark i kalon ditët përpara televizorit duke ndjekur programe të ndryshme televizive, duke lexuar revistën kulturore që ia sjell çdo të mërkurë mbesa e tij Nensi, dhe duke tymosur puro. Që në aktin e parë Robert Ndrenika shfaq sensin e humorit në karakterin e personazhit të tij idhnak dhe kapriçoz njëkohësisht. Dialogu zhvillohet rreth propozimit të mbesës së tij për ta bashkuar për herë të fundit pas 11 vjetësh me partnerin El Ljuis.

Uilli Klark-ut kurrë nuk i është shuar pasioni për skenën, ai vazhdon të jetojë me lavdinë e dikurshme dhe vazhdimisht kërkon të jetë pjesë e saj, qoftë dhe kur i propozojnë të bëjë reklamën e patatinave “Lays”, të cilave asnjëherë nuk ua mban mend emrin. Ndryshe nga ai, partneri El Ljuis ka preferuar jetën e tërhequr diku në verandën e vilës së të bijës, në Nju Xhersi, duke shijuar vitet e pensionit.

Por dëshira për t’u rikthyer për herë të fundit bashkë në skenë nuk është shuar tek asnjëri. Takimi pas kaq vitesh shkakton ndjenja të përziera mes dy miqve. Nëse akti i parë është prologu i shfaqjes, në aktin e dytë përballja e dy personazheve kthehet në një lojë zbavitëse edhe për sytë e publikut, për të vijuar deri në fund të shfaqjes kur bie perdja dhe kur miqtë kanë lënë pas inatet e vjetra dhe konfliktet e kota. Në fund ata i pret i njëjti fat.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen