Imzot Bumçi, një pasazh vendimtar në historinë e shtetit shqipt

OP-ED | admin | 28.04.12 | 08:23

Imzot Bumçi, një pasazh vendimtar në historinë e shtetit shqiptar

NDRIÇIM KULLA

Është më se i njohur fakti se përgjatë gjithë pushtimit turk e deri në shpalljen e pavarësisë, ishte ndikimi i Papatit në udhëheqje të klerit katolik në Veri ai që mund të quhet mbartësi më i rëndësishëm i kulturës shqiptare, duke ndihmuar fortësisht në ruajtjen e gjuhës shqipe, krijimtarisë poetike, artit, muzikës dhe zakoneve tona të pasura popullore dhe etnografike nga ndikimi turk. Edhe sistemi shkollor e arsimor në fillimet e tij të hershme mund të thuhet se u realizua falë vullnetit të misionarëve të Urdhrit Françeskan, dhe jo lëshimeve të qeverive osmano-turke. Kështu, që në vitin 1638, një farë Atë Hyacinth nga Sospitello, krijon shkollën e parë në Pëdhanë (Ipeshkëvia e Sapës), që më pas u ndoqën nga shkolla të tjera, si ajo e Blinishtit më 1639-n (nën drejtimin e A. Karl Mirandulanus) dhe më vonë edhe në Shkodër, më 1698-n, nisur nga të dhënat që na jep Atë Donat Kurti në një botim të vitit 1935, ku paraqitet një ekspoze e përgjithshme mbresëlënëse e ndikimit kulturor të elementëve katolikë në Shqipëri që nga Mesjeta e vonë. Po kështu, janë më se të njohura përpjekjet e klerit dhe shkollës kulturore të katolikëve të Veriut në nxitjen e luftës dhe aktivitetit patriotik që çoi në shpalljen e pavarësisë së shtetit shqiptar, çka u kurorëzua në pjesëmarjen në qeverinë e parë të Ismail Qemalit edhe të klerit katolik, imzot, Nikollë Kaçorri, në funksionin e zëvendëskryetarit të qeverisë.
Por ndoshta nuk vlerësohet me lartësinë dhe mirënjohjen që kërkon aktiviteti i klerikëve të shquar katolikë shqiptarë në vitet e mëvonshme të pavarësisë, atëherë kur Lufta e Parë Botërore dhe synimet e fqinjëve armiq e vunë në dyshim zhvillimin e një Shqipërie më vete. Ndaj, ripërmendja e disa episodeve vendimtare dhe mjaft kureshtive historike do të qenë një rikujtesë e çmuar për t’u trashëguar, jo vetëm në emër të kësaj miqësie dhe ndikimi që na ka lidhur historia, por edhe për të vlerësuar orientimin e kahershëm shqiptar ndaj vlerave të Perëndimit.
Nëse do të donim të bënim një përshkrim të atyre viteve, në fundin e Luftës së Parë Botërore, Kisha Katolike ishte organizimi më i mirëqeverisur dhe mirarsimuar në Shqipëri, së cilës natyrshëm do t’i takonte të luante një rol domethënës në përpjekjet për pavarësinë dhe integritetin territorial në Konferencën e Paqes në Paris më 1919-n, e më pas në Lidhjen e Kombeve më 1919-1921. E ky komunitet, me ndihmën e drejtpërdrejtë të Papës së atëhershëm, Benedikti XV, e luajti më së miri rolin që i ngarkoi historia e Shqipërisë. Qeveria e Durrësit, ndoshta për shkak të tensioneve të brendshme në lidhje me linjën e qeverisë, e ndoshta të sëmundjes së Turhan Pashës, caktoi në krye të delegacionit negociues ipeshkvin e Lezhës, imzot Bumçi, i cili zgjodhi për sekretar të tij atin e madh françeskan, Gjergj Fishta. “Ç’ka do të thotë shekulli kur të shohë një frat të vobektë ndër rrethe aq të naltueshme?” – do ta pyeste Fishtën Ati i Shenjtë përpara nisjes në Paris. Por, tek imzot Bumçi, ashtu siç ishte në gjithë traditën patriotike të klerikëve të Veriut, kombi shqiptar, në ato ditë të vështira, gjeti një përfaqësues të denjë, të guximshëm e të ditur të çështjes shqiptare. Menjëherë, që në fillim të kryesimit të delegacionit, ai proteston te Presidenti Uillson për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve në Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë. Ashtu siç citon Baldaci dhe Valentini, L. Bumçi, në ligjëratën me titull “Shqiptarët e të drejtat e tyne”, rrëfen se sa barbarisht po sillen ata popuj që i akuzojnë shqiptarët si të tillë. Vetëm gjatë luftës ballkanike, si pasojë e persekucioneve të serbëve dhe aleatëve, nuk janë kursyer pa u shfarosur me zjarr e flakë fshatra të tërë e duke u vrarë pa dallim pleq, gra dhe fëmijë, në një numër rrëqethës deri më së paku në 130 mijë veta.
Akoma dhe më fort e goditi imzot Bumçi marrëveshjen Tittoni-Venizellos, kur i proteston ashpër më 26 tetor 1919 ministrit të Jashtëm të Italisë për kalimin ndaj Greqisë së zonave të Korçës dhe Gjirokastrës. Ndërkohë që në Paris, në po të njëjtën ligjëratë të cituar më sipër, ai do të shpallte se “gjatë periudhës së shkurtër të mbretërimit të mbretit Vid, Shqipëria e Jugut u përdhos nga bandat greke që masakruan të paktën 50 mijë shqiptarë të pafajshëm”. Kurioz e mjaft domethënës është edhe një element tjetër i veçantë i kësaj ligjërate, ashtu siç na e ka përshkruar edhe Valentini në veprën “Të drejtat e Shqipërisë etnike”. Me diturinë që e karakterizonte, në këtë ligjëratë ai vendos në dukje edhe shpirtin përparimtar të kombit tonë në krahasim me fqinjët: “Sllavët e Malit të Zi, për ma se 50 vjet rresht, sa mbretnoj mbi ta Nikola I, kanë pasë formë qeverije të thuesh kryekput si ndër kombe tjera të qytetnueme. E mirë, në të tanë Malin e Zi kur ka nisë lufta turko-ballkanike, kanë pasë nji shtypshkroje të vetme qeveritare e nji fletore politike të vetme, edhe ajo qeveritare; e s’ka pasë asnji shkollë të mbajtun me pare të popullit. Në vend qi në Shqipni prej vjetit 1908, kur qe shpallë Konstitucjoni i Turkisë, e deri në fillim të luftës ballkanike, pra ma pak se në kater vjet, u ngrehën shtatë shtypshkroja, u temeluen ma se njizet fletore politike e të përkohshme, u çelën nji shkollë Normale e nja tridhjetë tjera fillestare, e të tana të veçanta e të mbajtuna vetëm me pare të Kombit Shqiptar. Në ket kohë qenë mbajtë tri kongrese gjuhsije e temelue disa shoqni letrare”.
Por kulmi i këtij aktiviteti e ndoshta dhurata më e madhe e katolikëve në lëmin e marrëdhënieve me Fuqitë e Mëdha për historinë e shtetit shqiptar, arrin atëherë kur delegacioni shqiptar pranë Konferencës së Paqes në Paris i kërkon ipeshkëv Bumçit që për hir të çështjes kombëtare, të mundësonte një audiencë te Papa. Ashtu siç na e përshkruan Markus Peters, një studiues gjerman, i njohur në fushën e “përballjes së historisë së Kishës Katolike” në Shqipërinë e viteve 1919-1996, kjo audiencë duhet të ketë ndodhur në janar të vitit 1920. “Të gjith misat e Dërgatës shqiptare që janë në Paris, e që shumica asht muslimane, më kanë çue këtu, para Shejnisë S’Uej… për pështimin e dy provinceve shqiptare të Korçës dhe Shqipërisë…”. Kështu e nisi fjalën e tij ipeshkvi shqiptar. “Po shka të baj për Ju? Me Itali, e din gjithë bota si jemi, me Francë marrëdhaniet janë këputë! Po imzot Bumçi i përgjigjet: “Unë kisha me thanë Shejtni, se bota s’ka mbetun vetëm te Italia dhe Franca; ka në botë Angli e Shtete të Bashkueme të Amerikës”. Me buzëqeshjen e Papës dhe përgjigjien e tij të menjëhershme “ke të drejtë”, nisi të shkruhet ndoshta një pasazh vendimtar në historinë e shtetit shqiptar. Pasi ishte patjetër një atribut i Benediktit XV, fakti që grupi parlamentar katolik në Parlamentin italian  e detyroi Kryeministrin e atëhershëm, Françesko Niti, të bëjë gjithçka që ish e mundur për të parandaluar ndarjen e Shqipërisë. E më pas, më 6 mars të vitit 1920, plot dy muaj pas audiencës së Bumçit te Papa, në Paris arrin një notë e Presidentit amerikan Uillson, sipas së cilës, sovraniteti i Shqipërisë në kufijtë e vitit 1913 janë të paprekshëm” (Tonnes, 1980).
Ndaj duhet vlerësuar me të gjithë solemnitetit dhe rëndësinë që ka si një ngjarje vërtet historike për popullin shqiptar, si një nga ata gurët e rrallë kilometrikë të historisë sonë, fakti që rezultati i të gjitha përpjekjeve të Kishës Katolike për çështjen shqiptare u kurorëzua me aktin që shteti i parë që e njohu Shqipërinë ishte Vatikani, i cili që më 12 nëntor 1920, emëron Ernesto Cozzi-n, si Delegatin Apostolik të shtetit tonë të ri. Më 28 janar 1921 kur Cozzi arrin zyrtarisht në Shqipëri, vetë Papa Benedikti XV do të shkruante kështu: “Tash që populli juaj fisnik ka mundur të fitojë lirinë… ne duam t’i ripërtërijmë edhe njëherë e më fort ato lidhje që për shekuj e bashkuan Shqipërinë me Kishën e Shenjtë”. Një urim ky që është ushqyer me dashuri atërore për kombin tonë edhe gjatë viteve të errëta të regjimit komunist, por që sot mund të shërbejë si një urë e jashtëzakonshme dhe me taban historik, për nxitjen e vlerave që e lidhin Shqipërinë me qytetërimin perëndimor.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen