Shaban Sinani “Shqipja, e varfër për ata që nuk e njohin”

OP-ED | admin | 01.05.12 | 07:13

Mustafa Nano
Nga: Mustafa Nano

Studiuesi i njohur Shaban Sinani thotë se njeh si pikë kulmore të sundimit komunist, daljen nga Traktati i Varshavës, më 1968. Ai thotë se “…shteti i qytetarëve s’mund të gjejë përligje për vrasjet shtetërore”

1-Zoti ekziston, mund të ekzistojë, duhet të ekzistojë apo nuk ekziston? 
Nuk është detyrë e besimtarëve të provojnë se Zoti ekziston. Eshtë detyrë e ateistëve të na porovojnë se Zoti nuk ekziston. Në gjithçka përtej asaj që unë di dhe njoh, në gjithçka përtej asaj që është e vërtetë e krahasueshme, është e hyjshmja. 

2. Gjuha shqipe ju duket e pasur, e varfër, apo si të tjerat?
Gjuha shqipe është e varfër vetëm për ata që nuk dinë ta përdorin. 

3. Njerëzit janë esencialisht të mirë, apo janë esencialisht të këqij? 
Duke qenë se gjëja më e lehtë është të bësh një të keqe, kurse mirësia kërkon dhe një kushtim prej vetvetes, them se, pavarësisht prej esencës pozitive, njerëzit më shumë bëjnë keq. Mbas dy mijë vjetësh e më shumë, qëkurse filozofët grekë përdorën për herë të parë termin “empathi”, si një shkallëzim më i thellë se simpatia, domethënë që njeriu të shohë veten tek tjetri, jo thjesht ta shohë me dashamirësi tjetrin, bota e sotme po përpiqet ta kthejë në kategori etike këtë nocion, jo në çështje ideale. 

4. Do të ishit dakord që fëmija juaj të merrte pjesë në lojën televizive “Big Brother”?
Nuk do të më pëlqente, por do të pajtohesha me vendimin e tyre. “Big Brother”, në vështrimin tim, është eksperimenti më i madh me njeriun; që synon të promovojë një mundësi tjetër funksionimi të njësisë së shoqërisë, përtej familjes gjenetike. 

5. Harmonia ndërfetare në Shqipëri është një legjendë apo një realitet i bukur? 
Eshtë një realitet, por jo dhe aq i bukur. Harmonia ndërfetare nuk është një virtyt përjashtimor shqiptar, por është një dukuri e kushtëzuar prej historisë. Harmonia ndërfetare ka dhe një përbërëse pragmatike. Mbi të gjitha është dukuri e një populli deri-diku mosbesues. Pas dy mijë vjetësh krishterim, shqiptarët ende besojnë dhe festojnë paganisht kultin e malit, kultin e bjeshkës; festojnë ditën e Çajupit, ditën e Gjalicës; ditën e Shkëlzenit; betohen për qiell e dhé, për rrufenë dhe vetëtimën. 

6. Shihni ndonjë unitet të qartë kulturor midis Shqipërisë e Kosovës? 
Ndryshimet janë shumë të vogla, gati të pavërejtshme. Divergjenca e vetme historike brendashqiptare me karakter përdallues ka ndodhur në kohën kur protoshqiptarët u shuan dhe një popull i ri doli prej tyre. Atëherë u dallua gegërishtja vetëruajtëse (konservative) prej toskërishtes së hapur për risi; atëherë duhet të ketë ndodhur dhe ndarja e “zonës së fustanellës” prej “zonës së xhubletës”; e jugut të polifonisë prej veriut të homofonisë. 

7. Cili është njeriu më i rëndësishëm, numrin e të cilit e keni në phonebook?
Dy vajzat e mia, Danja dhe Nensi. Megjithëse Danja ka afro një vit që është kthyer nga Franca, ku bëri studimet universitare, kam ende të ruajtur të gjithë numrat që ka përdorur atje. Numrat e Nensit janë gjithaq të shumtë dhe shpesh kanë dhe një ndajshtesë, për shembull “Fan Club”, apo “Friends Club”. Në këto numra ruaj dhe gjëra të tjera. 

8. Mendoni se në botën e sotme demokratike (mund të) bëhen vrasje për arsye shtetërore?
Shteti i sotëm, shteti i qytetarëve, nuk ka asnjë përligjje për vrasje shtetërore. Thonë se demokracia ka dy kufij extreme, ku diku dhe vdekja implikohet: dorëheqjen dhe vetëvrasjen. Por vrasjen shtetërore e përjashton. Vrasja për arsye shtetërore është krim si gjithë krimet e tjera. Jeta është dhunti e lartë dhe asnjë pushtet nuk mund të ketë tagër mbi të. 

9. Fan Noli udhëhoqi një grusht shteti apo një revolucion demokratik në vitin 1924?
Fan Noli udhëhoqi të parin dhe të fundmin revolucion antifeudal, antianadollak, anti-prapambetje në historinë e shqiptarëve. Nëse vullnetin politik të revolucionit do ta kishte legjitimuar me votime, fati i Shqipërisë do të kishte qenë ndryshe. 

10. Ajo që komunistët e kanë quajtur “Lufta Nacionalçlirimtare”, ka qenë sipas jush edhe luftë civile? 
Nëse në Shqipëri ka pasur luftë civile, çfarë do të thuhej, bie fjala, për ish-Jugosllavinë, ku kishte gjashtë divizione SS-ësh vullnetarë; kishte ustashë, çetnikë, ballistë, dhe shumë formacione të tjera kundërshtare mes tyre? Konferenca e Paqes (1946) e njohu Shqipërinë fuqi aleate antifashiste pse në këtë vend u bë një luftë çlirimtare. Kjo nuk do të thotë se gjithçka është zhvilluar si në një tabelë shahu, sepse nuk ka ndodhur kurrë që të ketë luftëra të pastërta. 

11. Nëse do t’ju kërkonin të veçonit ndonjë arritje të diktaturës komuniste pesëdhjetëvjeçare, çfarë do të thoshit?
Daljen nga Traktati i Varshavës (1968). 

12. Sikur të kishit jetuar në vitet e Luftës së Dytë Botërore, do të rreshtoheshit me partizanët, me Ballin Kombëtar, apo do të qëndronit asnjanës? 
Asnjanës jo, pa dyshim. Do të bashkohesha me këdo që do të kishte vullnet për ta mbrojtur vendin. 

13. Largimi i Ahmet Zogut nga Shqipëria në prill të vitit 1939 është një gjest i qortueshëm apo i kuptueshëm? 
Të gjithë mbretërit e vendeve ballkanike u larguan. Ahmet Zogu mund të qortohet pse nuk bëri rezistencën e parë. 

14. Do të ishit dakord të përkthehej në gjuhën shqipe “Mein Kampf” i Adolf Hitlerit? 
Po, bëmat e Führer-it kanë qenë shumë më të tmerrshme se ky libër. 

15. Cili është njeriu më i rëndësishëm, me të cilin ju keni bërë një fotografi? 
Janë shumë, por po veçoj: Nënë Tereza, François Miterrand, Lucia Nadin, Arpad Gönz, Vera Held, Francesco Cosiga, Oliver Schmitt. 

16. Çfarë ishte në të vërtetë ajo që ndodhi në vitin 1997?
Dëshmia se shqiptarët ngrihen në protestë vetëm kur u preket prona e vet dhe jo për qëllime kolektive; dëshmia se shqiptarët nuk kanë dhe aq kulturë rebelimi; dëshmia se shqiptarët ngrenë krye një herë në shekull dhe rrallë herë i zgjidhin problemet me lëvizje mendimi. 

17. Mendoni se do të ishit në gjendje të vrisnit një njeri në kushtet, kur ky njeri kërcënon jetën tuaj apo të të dashurve tuaj? 
Kam frikë se po. Për të dashurit e mi patjetër. 

18. Ne shqiptarët jemi europianë me titull të plotë? 
Jemi europianë në kodin e identitetit; jemi popull i ungjillizuar para se krishterimi të shpallej fe zyrtare e popujve të Europës (në kushtetutën e bashkësisë bazat e identitetit dhe të eurokulturës përcaktohen si judeokrishterim). Por kemi mbi vete gjurmën e shumë ndikimeve kulturore perandorake. 

19. Në cilën ngjarje të madhe të historisë botërore do donit të kishit qënë protagonist? 
Në lëvizjen e “Brezit 1968”. 

20. Me cilin personazh të historisë së Shqipërisë do kishit dashur të bënit një bisedë të gjatë e të shtruar? 
Besoj me Jeronim de Radën. Ose Dora D’Istria-n. 

21: Cili është libri që po lexoni?
“Storia della bruttezza” të Umberto Eco-s. 

22. Cili komb europian ju ndjell më shumë me historinë e me kulturën e vet?
Ma pranoni si përgjigje popullin hebre, duke qenë se pjesa më e madhe e jetës së këtij populli është e lidhur me Europën; gjithashtu edhe zyrtarisht merr pjesë në garat sportive dhe artistike europiane? 

23. Si do reagonit, sikur të merrnit vesh se djali/vajza juaj është homeseksual(e)? 
Unë fëmijët e mi do t’i doja sikur dhe përbindësha të ishin. Lavdi Zotit, i kam shembullorë. Homoseksualiteti është një devijim nga natyra njerëzore, ose një mode, snobizëm njerëzish që kanë tejkaluar shijen e jetës. Janë pjesë e këtij realiteti, kanë qenë që në Romën e vjetër, së cilës Neroni i vuri zjarrin. Sot botohen libra për të përligjur veprimin e Neronit me molepsjen morale të Romës (homoseksualizmi, lesbicizmi, konkubinati, levirati etj.). Koha e sotme sigurisht është ndryshe. Parimisht pajtohem se vëmendja ndaj ndryshimit është formë diskriminimi. 

24. Keni frikë nga vdekja? 
Jo, jam fatalist dhe gjithnjë mendoj se vdekja nuk varet nga unë. 

25. Ç’është Atdheu 
Gjithkund tjetër dua të shkoj. Në atdhe dua të kthehem.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen