Ende pa reformë zgjedhore!?Kosova në 2014-tën

OP-ED | Rrezore | 12.03.14 | 19:30

Këtë vit në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, ndonëse akoma nuk ka një datë të caktuar dhe as një reformë zgjedhore. Kjo reformë është kusht i Bashkimit Evropian për integrimin e Kosovës
Selia e Parlamentit Kosovë
Megjithë kërkesat e komunitetit ndërkombëtar që në Kosovë të bëhet reforma zgjedhore, subjektet politike akoma nuk kanë arritur të bien dakord për kryerjen e saj. Tashmë viti 2014 është e konfirmuar si viti i zgjedhjeve të përgjithshme, ndonëse akoma nuk ka një datë të caktuar.
Përfaqësues të Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, thonë se tashmë disa ndryshime në ligjin për zgjedhjet do të ndodhin, por akoma nuk dihet se cilat dhe a do të kalojnë ato ndryshime në kuvendin e Kosovës.
Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion në Parlamentin e Kosovës, i tha Deutsche Welle-s se komisioni e ka kryer punën dhe edhe qeveria tashmë e ka proceduar ligjin në kryesinë e kuvendit.
„Ka plot ndryshime që pritet të ndodhin: Ndryshimet që kanë të bëjnë me KQZ, raportet e KQZ me Komisionin për Ankesa dhe Parashtresa, procedurat e votimit, procedurat e identifikimit, procedurat e numërimit, pra plot çështje të rëndësishme që shpresojmë se do ta përmirësojnë procesin zgjedhor”, thotë Arben Gashi.
Qysh në vitin 2011 ka një rekomandim nga Komisioni Evropian që ka kërkuar reformë zgjedhore në Kosovë. Blerim Burjani, ish anëtar i KQZ-ve, i tha DW, se nuk ka pasur vullnet politik që të ndodhë reforma megjithë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare.
„Kemi parë që partitë politike nuk janë të interesuara që të ketë reformë adekuate ligjore për zgjedhjet, nuk janë të interesuara që Kosova të jetë e ndarë në zona dhe të jetë më i mirë përfaqësimi i qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Atyre iu konvenon që akoma në Kosovë të jetë vetëm një zonë zgjedhore. Kjo u konvenon sidomos partive të vogla”, thotë Blerim Burjani i cili për disa vite ka qenë anëtarë i KQZ-ve.
Zgjedhjet komunale Kosovë
Ndërkohë, në reformën zgjedhore përfaqësuesit e komunitetit serb kërkojnë që të përfshihet edhe pika që ka të bëjë me vazhdimin e mandateve të rezervuara për pakicat. Mirëpo, sipas Kushtetutës së Kosovës pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, vendet e rezervuara shndërrohen në ulëse të garantuara. Kjo nënkupton që pakicat nga zgjedhjet e ardhshme, nuk do të mund të marrin sikurse deri tash 20 ulëse në Kuvend që në fillim, plus ulëset që mund t’i fitojnë me vota, por gjithsej mund t’i kenë vetëm 20 ulëset e tyre të garantuara. 10 ulëse për komunitetin serb dhe 10 të tjera, për komunitetet tjera pakicë.
Nenad Rashiq, ministër i punës së mirëqenies sociale në qeverinë e Kosovës, i tha DW-së, se vazhdimi edhe për një mandat i vendeve të rezervuara për pakicat, është në të mirë të imazhit të Kosovës.
„Vazhdimi i vendeve të rezervuara edhe për një mandat është në interes jo vetëm të komunitetit serb por të të gjitha komuniteteve. Ne do të jemi këmbëngulës që vendet e rezervuara janë edhe në të mirë të Kosovës. Unë personalisht mendojë se nëse Kosova edhe njëherë e dëshmon se i favorizon komunitetet, kjo shkon drejtpërdrejt në të mirë të qasjes ndërkombëtare për Kosovën dhe po ashtu për shumicën shqiptare të Kosovës“, tha Nenad Rashiq.
Por çfarë do të ndodhë nëse partitë politike shqiptare vazhdojnë të jenë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara? Nenad Rashiq thotë: „Nëse vendoset diçka në këtë drejtim dhe çka do që të vendoset duhet të vendosim së bashku. Ende jam optimist se pakicave do t’u mundësohet edhe një mandat me vende të rezervuara, mirëpo, nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë mendojë se do të jemi bashkë të gjitha komunitetet dhe të shohim se çfarë do të bëjmë në të ardhmen“.
Shumica e partive politike parlamentare janë kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara për pakicat. Që t’u vazhdohet pakicave rezervimi i vendeve në Kuvend duhet ndryshuar edhe Kushtetuta e Kosovës.
Edhe disa organizata të shoqërisë civile që monitorojnë proceset zgjedhore në Kosovë janë kundër vazhdimit të mandateve për ulëse të rezervuara për pakicat. Në një intervistë të mëparshme për DW, Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, thotë se kjo do ta dëmtonte demokracinë në Kosovë.
„Çështjen e ulëseve të rezervuara e ka zgjidhur Kushtetuta e Kosovës dhe ato vende tashmë transformohen në vende të garantuara. Çdo qasje për ta ndryshuar pakon gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të kishte pasoja në ndërtimin e një demokracie funksionale në Kosovë, si dhe do të pengonte procesin e vendimmarrjes brenda institucionit më të lartë përfaqësues në vend Kuvendin e Kosovës“, thotë Driton Selmanaj.
Sidoqoftë, javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës do të ndodhë debati për reformën zgjedhore. Të fundit që kërkuan që zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë këtë vit të mbahen me reformë zgjedhore, ishin vëzhguesit e Bashkimit Evropian që monitoruan zgjedhjet lokale në Kosovë./D.W/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen