Një monografi me vlera të mirëfillta edukativo-arsimore e kulturore

OP-ED | Mikel Gojani | 15.05.12 | 20:04

Pjetër Nikolla: “Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën, botoi Geer, Tiranë 2010.

Pjetër Nikolla, studiues nga Tirana, i njohur si studiues në fushën letrare, shkencore dhe publicistike. Deri me tash ka botuar dhjetëra libra me tregime, poezi, studime dhe publicistikë, të përkthyera edhe në gjuhën angleze etj.

Studiuesi Nikolla, autor i veprës monografike, duke u emërtuar me një titull simbolik: “Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën, nëpërmjet të cilit libër ka krijuar një vlerë monumentale në fushën e arsimit dhe edukimit tonë kombëtar shqiptar. Në të vërtetë, kjo vepër i është kushtuar pishtarit të arsimit dhe Mësuesit të Popullit, Ndrecë Ndue Gjoka, i cili me punën e vet kolosale me ritme e tempo të pandërprera një jetë të tërë pune të palodhshme, ia kushtoi arsimit dhe edukimit kombëtar, duke i hapur shumë shkolla në “të gjitha foletë e shqipeve”, për të shpërndarë rrezet e dijes dhe të arsimit kombëtar kudo në hapësirat shqiptare në kohën kur më së shumti kishin nevojë brezat tanë, duke mbetur shembull i sakrificës dhe flijimit për këtë ideal.

Libri, Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën, hapet me vargjet e bukura dhe shumë udhërrëfyese të naimi naim Frashërit:

“Hapu, hapu errësirë,
pa jak tëhu, o dritë!
Se arriti koh’ e mirë;
U gdhi nata, u bë dritë…”

Libri, po ashtu vazhdon me një mendim të studiuesit të spikatur, dr. Moikom Zeqo, i cili shprehet Pjetër Nikolla ka shkruar këtë libër për Ndrecë Ndue Gjokën, jo rastësisht. Autori Nikolla, pohon Zeqo, me një këmbëngulje dhe pasion të admirueshëm e ka fokusuar figurën e Ndrecë Ndue Gjokës në koordinatat historike të kohës, duke portretizuar këtë njeri të dritës dhe të arsimit. Ndrecë Ndue Gjoka bëri diçka të pashembullt. Ai, me një vetëdije të pakufishme, në kondita të vështira, ndërmori aksionin e hapjes së shkollave të reja për shqiptarët, pikërisht për shqiptarët e tij. Ai ishte mësueses për më tepër edhe një luftëtar antifashist, por mbi të gjitha ai ishte një vizionar. Si pakkush ai e kuptoi se hapja e shkollave qe beteja kundër analfabetizmit dhe edukimit kulturor i popullit. Ky libër i dobishëm dhe aktual do të vlerësohet seriozisht nga lexuesit në Shqipëri, por edhe të Kosovës, siç kumton për herë të parë autori i librit se Ndrecë Ndue Gjoka ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për arsimin në Kosovë dhe është vlerësuar shumë nga kosovarët, duke pasur kështu idenë unitare të Shqipërisë dhe të Kosovës si një komb i vetëm dhe në Kosovë. Ndërsa, recensenti tjetër, studiuesi Sulejman Mato, duke folur për vlerat e këtij libri thekson se autori i këtij libri, studiuesi Nikolla e legjendarizon figurën e mësuesit, mësuesin mirditor, nuk futet në jetën e tij intime, pasi legjendarët i përkasin legjendave, rrezatimi i tyre nuk lejon të qëmtosh në imtësi të panevojshme, e rëndësishmja është fakti, ngjarja e madhe e atyre viteve ky kreshnik drite, i cili, pasi kontribuoi si mësues në Kosovë dhe me pas ngriti pesëdhjetë shkolla në Mirditë, futet vetë në legjendën e dritës dhe në panteonin e njerëzve të ndritur të kësaj toke të vaditur me gjak martirësh”, shkruan ndër të tjera studiuesi Mato.

Në veprën e tij, Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën, autori Nikolla shpalos në sipërfaqe veprën madhështore të këtij pishtari të dijes dhe të arsimit kombëtare, ku misteri i këtij idealizmi të kësaj vravashke të dijes qëndronte në thjeshtësinë e tij njerëzore. Autori vlerat e mirëfillta edukativo-arsimore kulturore-shkencore të Mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjoka, i ka vu në spikamë në këtë monografi i ka vu në spikamë, duke vlerësuar lart këtë figurë të ndritur të dijes dhe të arsimit shqip, i cili, për nderë të punës së tij madhore në fushën e arsimit dhe edukimit të brezave në kalim, u quajt: Komisar i dritës, legjendë e gjallë e arsimit kombëtar, përhapës i shkronjave shqipe, kalorës dhe arkitekt i arsimit shqiptar, e shumë epitete të tjera, që i përgjigjen natyrës dhe punës së tij madhore edukativo-arsimore. Sepse ai ishte korife dhe prijatar i 200 mësuesve vullnetarë (në vitin 1941), të cilët pas marrjes së vendimit të ministrit të atëhershëm të Arsimit në Shqipëri pedagogut dhe shkrimtarit Ernest Koliqit, erdhi duarplot dhe solli abetaret shqipe në Kosovë; përhapi shkrim-leximin, hodhi dritë e ndriti, duke humbur errësirën shekullore të dijes dhe të përparimit të arsimit dhe përhapi rreze drite e dijeje në çdo cep të Kosovës. Jo vetëm në ditët e rinisë, por gjatë tërë jetës, deri në vdekje, mundin, djersën e punën me dëshirë e përkushtim, me shpirt e me zemër, ia fali edukimit dhe arsimimit kombëtar shqiptar, zbatimit të drejtshkrimit shqip dhe kultivimit të kulturës së gjuhës së standardizuar shqipe, ndaj nuk ishte quajtur rastësisht polic i drejtshkrimit shqip. Sepse, ai i respektonte në mënyrë strikte e korrekte rregullat drejtshkrimore, por kërkonte edhe nga të tjerët që këto rregulla t`i zbatojnë përpikërish, sepse kemi të bëjmë me kulturën gjuhësore kombëtare, e jo kulturën individuale. Sepse, një gjuhë merr fizionominë e saj të veçantë, vetëm kur shkruhet mirë e drejtë, atëherë ajo zënë një vend të caktuar në historinë e kulturës së njerëzimit.

Kjo monografi, që sot po prezantohet para lexuesve, para dashamirëve të arsimit, kulturës e shkencës shqiptare, është konceptuar në disa kapituj, të cilët në vete ngërthejnë një tërësi unikale përmbajtjesore.

Në kapitullin vijues “Gjurmë të hershme të shkollës shqipe”, autori jep një pasqyrë lakonike të rrugëtimit historik të arsimit shqipe nëpër shekuj dhe sipas tij arsimi shqip ka një traditë të gjatë dhe të begatë që prek thellësitë e shekujve. Sipas autorit Nikolla që në shekullin IV p.K në qytetin antik të Apolonisë kishte gjimnaz ku arsimoheshin bij të autokracisë romane, ndër të cilët Aktoavian Augusti. Sipas autorit, sipas dëshmive arkivore një shkollë e këtillë ishte edhe në Durrës etj.

Autori Nikolla po ashtu pohon se burime të hulumtimeve në arkivin e Vatikanit, sipas dr. Moikom Zeqos, pohojnë se është zbuluar një dorëshkrim i rrallë, unikal, në gjuhën shqipe, të shkruar nga një dijetar shqiptar, nga qyteti i Shkodrës, që mban vitin 1318. “Kështu, vazhdon autori, shkrimet në gjuhën shqipe dalin në shekullin XIII të Dantës. Nëse kjo është e vërtetë, citon autori, del se parashikimi gjenial i Konicës i cili kishte deklaruar:” Librat, ose shkrimet e para të gjuhës shqipe do të kenë pasur karakter të mirëfilltë laik, të ngjashëm me historinë e Bokaços në Itali”, vlerëson Nikolla. Autori Nikolla, po ashtu në vazhdën e kësaj çështjeje tematike jep një kronologji të zhvillimit dhe përparimit të arsimit shqip nëpër shekuj, deri në Shkollën e Korçës dhe arsimin e ditëve të sotme. Autori Nikolla për këtë periudhë potencon ngjarje dhe figura të shumta që kanë lënë gjurmë të përjetshme në arsimin kombëtar.

Në kapitullin “Dërgohen mësues nga Shqipëria”, autori Nikolla, pasqyron përpjekjet e Shqipërisë amë për të ndihmuar Kosovën në fushën e arsimit dhe edukimit shqip. Autori me këtë rast potencon vitin 1941 kur ish-ministri i Arsimit të Shqipërisë dhe shkrimtari Ernest Koliqi në këtë vit kishte dërguar 200 mësues për të përhapur frymën e dijes dhe të arsimit në të gjitha viset e Kosovës. Me këtë rast Mësues i Popullit Ndrecë Ndue Gjoka ishte emëruar mësues në shkollën e Zllakuqanit, e cila ishte hapur në vitin 1897 nga frati, pedagogu, arkeologu dhe studiuesi i njohur Atë Shtjefën Gjeçovi. Sipas autorit, mësuesi Ndrecë në këtë shkollë punoi me zellin dhe përkushtimin më të madh, vetëm e vetëm që brezat e rinj të Lugut të Drinit dhe më gjerë të marrin dije dhe dituri kombëtare. Në këtë kapitull, autori jep edhe disa evokime të nxënësve të mësuesit Ndrecë, të bashkëkohënikëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të këtij mësuesi të devotshëm. Sipas këtij studiuesi mësues Ndrecë i kishte vu vetes detyrë që ta ndjek rrugën e Atë Shtjefën Gjeçovit dhe të pishtarëve të tjerë që dhanë shumë për arsimin shqip.

“Nga Mirdita në Mirditë”, autori ka konceptuar kapitullin që paraqet lidhjet etnologjike, etnografike e kulturore të Mirditës, vendlindjes së mësuesit Ndrecë, me Rrafshin e Dukagjinit, apo siç shprehet autori, “lidhjen binjake dardan e pirust.

“Si kudo, edhe në Mirditë ka pasur migrime dhe emigrime; lëvizjet janë bërë për arsye të varfërisë, nga toka e pakët, për një jetë më të mirë. Kështu edhe në Rrafshin e Dukagjinit e të Gjakovës janë vendosur banorë të ardhur nga Mirdita, disa nga të cilët kanë ruajtur emrin e fshatit nga kanë ardhur dhe kanë gjetur këtu farefisin, miqtë dhe gjakun e vet si dukagjinas. Nga këto të dhëna del se pjesa më e madhe e Lugut të Drinit të Bardhë është e lidhur me Mirditën, jo vetëm me banorë të ardhur nga Mirdita të gjakut të vet, por edhe si popullsi e Dukagjinit, si popullsi që në dardanët përfshihen dhe pirustët (mirditasit), si popullsi autoktone me të njëjtat tradita nga i njëjti gjak që në lashtësi”, shprehet autori Nikolla. (fq. 37-38).

Në kapitullin në vazhdim, “Mësues i paarritshëm”, autori prezanton një plejadë të tërë të personaliteteve të shquara të Mirditës të cilët kanë lënë gjurmë të thella në historiografinë e zhvillimit të artit e të kulturës kombëtare, si Pashko Vasa, At Gjergj Fishta, Prend Doçi, Ndre Mjeda, Shtjefën Gjeçovi, Nikollë Kaçorri, Ambroz Marlaskaj, dom Nikollë Kimza, Anton Çetta, Preng Jakova, Ndrecë ndue Gjoka, marije Kraja, dom Zef Skama e deri në emra të shquar të ditëve tona. Në vazhdën e këtij kapitulli veçojmë edhe shumë vlerësime të shumë njohësve të jetës dhe të veprës së mësuesit të cilët për këtë shëmbëlltyrë flasin me admirimin me të madh. Me këtë rast, për këtë shëmbëlltyrë flet motra e mësuesit Ndrecë, Liza, pastaj mësuesi Mark Boçi, Musa Kraja e shumë të tjerë, të cilët flasin me pietet për veprën e kësaj shëmbëlltyre të shquar të arsimit shqip. “E them me plot bindje se para meje, në optikën e sotme, pas kaq vitesh, si mësues dhe si pedagog, drejtues shkolle e arsimi në të tëra nivelet, pasi kam parë vepra dhe objekte të personaliteteve arsimore të nivelit botëror, për të cilët edhe kam botuar, kam arritur në përfundim se mësuesi Ndrecë Ndue Gjoka, si mësues dhe drejtues arsimi, është një rast unikal, jo vetëm në gjithë hapësirën shqiptare, por në Ballkan dhe më gjerë. Vepra e birit të Mirditës e mbarë Shqipërisë, e mësuesit të shquar Ndrecë Ndue Gjoka, gjithnjë larg këndvështrimeve partiake e krahinore, na rezulton shumë më madhështore, largpamëse dhe e frymëzuar nga idealet e mëdha kombëtare, iluministe, që fillojnë me idetë e rilindësve tanë “Se drita e diturisë përpara do të na shpjer” dhe thellohet më tej në idealet e Lëvizjes e të luftës kundër nazifashizmit për çlirimin kombëtar e shoqëror…” (Fq. 61). Këtu, autori Nikolla, jep edhe jehonën që bëri vrasja makabre dhe gjakatare e mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjoka, nga një dorë të shitur që e pengoi ngritja e shkollave dhe përhapja e dijes në Mirditë dhe kudo në hapësirat shqiptare. “Por Mësuesi nuk vdiq! Bie një mësues e njëqind ngrihen. Ndreca nuk besohej se u vra dhe mbeti në mendjet e zemrat e gjithë Mirditës e të Kosovës si figurë e mësuesit legjendë, udhërrëfyesit për brezin e ri. Ai u bë martir i kombit për arsimin, për t’i dhënë dritë e dituri atdheut”. (Fq. 57).

Kapitulli, “Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën”, autori prezanton punën dhe angazhimin e Ndrecë Ndue Gjokës në Shkollën e Zllakuqanit gjatë viteve 1941-1944, po ashtu rrëfen edhe shumë evokime të njerëzve lugdrinas të cilët kanë vepruar me mësuesin Ndrecë. Ndërkaq, te kreu i titulluar “Mësuesi shpirtëror nga Kosova”, autori Nikolla përpos figurës së mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka prezanton edhe figurën e mësuesit shpirtëror dom Bardhec Zymi, i cili pikërisht nga Lugu i Drinit shërben si mësues shpirtëror në Mirditë me ç’rast kontributi i tij është i jashtëzakonshëm dhe këtë figurë autori e metaforizon me figurën e mësuesit Ndrecë dhe aktin e shërbimit të tij në Mirditë e konsideron si shprehje e “kundërvlerës”, që dikur Mirdita i ka bërë Lugut të Drinit me mësuesin Ndrecë, ndërsa sot Lugu i Drinit i bën Mirditës përmes bariut të tyre shpirtëror, dom Bardhec Zymin. “Dom Bardhec Zymi për të plotësuar këtë amanet prindëror po punon me përkushtim në Fan dhe Orosh. Ai, më të ardhur në Mirditë iu ofrojë njerëzve gjithë dijet e tij që të ndërtojë identitetin individual, të hap dyert e amës shpirtërore të paqes e të dashurisë dhe u bë vërtet i dashur dhe i respektuar nëpërmjet punës” (Fq. 89). Autori në vazhdim I potencon shumë të arritura që kjo krahinë ka bërë në saje të punës dhe të angazhimit të dom Benit. Dhe për kontributin e tij në shumë lëmenj të jetës nga Bashkia e Rrëshenit dhe Qarku i Lezhës më 2010 dom Bardhec Zymi u shpall “Qytetar Nderi i Bashkisë së Rrëshenit”.

Kapitulli i fundit i këtij libri , “Rritja e nivelit arsimor”, autori tregon faktin se në rrethin e Mirditës që nga viti 1945 me çlirimin e vendit nga pushtimi nazifashist e këndej pati artritje të mëdha të zhvillimit të arsimit. Sipas Nikollës të gjitha këto të arritura janë shprehje e frymëzimit nga veprimtaria e guximshme e mësuesit Ndrecë Ndue Gjoka, për të nxjerrë Mirditën nga errësira e padija shekullore.

Nëpërmjet monografisë “Kosova për Ndrecë Ndue Gjokën”, autori Pjetër Nikolla e pasqyron figurën e këtij mësuesit të popullit si një figurë shumëdimensionale , i cili me punën dhe krijimtarinë e tij la gjurmë të thella në zhvillimin e arsimit dhe të edukimit si dhe zhvillimit të kulturës shqiptare në përgjithësi, por me theks të veçantë për Kosovën, vendlindjen e tij të dytë, siç e thoshte ai shpesh, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, si pasojë e studimit hegjemonist serbojugosllav, kishte trashëguar një prapambeturi të thellë në çdo sferë të jetës, por veçanërisht në arsim. Ndrecë Ndue Gjoka erdhi në Kosovë kohën kur ajo kishte nevojë më tepër se kurrë ndonjëherë më parë, për të mësuar shkrim-leximin dhe për të përhapur arsimimin dhe edukimin në përgjithësi, Kosovës.

Monografia e botuar në këtë koncept, ka strukturën, dhe metodën shkencore të njohjes e të konkludimit, mbështetur në maturinë e modestinë, arsyetimin e drejtpeshimit të përmasave të gjëra e thellësisë vertikale e horizontale që duhet t`i ketë një studim monografik me karakter publicistiko-shkencor, ku përfshihet veprimtaria jetësore e një iluministi të shquar, që simbolizon majën e një pishtari të denjë të arsimit tonë kombëtar.

Vepra monografike në shqyrtim është shkruar me një kulturë të përsosur shkrimore dhe mund të quhet një shëmbëllesë dhe model krijues monografik. Autori Nikolla veprën e vet monografike e kanë organizuar, në kapituj e nënkapituj, ku secili prej tyre paraqet një tërësi të veçantë. Autori me këtë monografi i kanë bërë një shërbim të çmuar studimit të personalitetit të njohur, heroit të punës kolosale në fushën e arsimit shqip, Mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjoka, pishtar ndriçimtar i arsimit për trevën e Mirditës, të Kosovës dhe më gjerë, ndjekur logjikisht e metodologjikisht parimin se pjesa nuk mund të kuptohet e të çmohet kurrë realisht pa tërësinë e saj, ndaj vetë kjo tërësi është me ngjyrime e shtresa të nduarnduarta kuptimore e shtrirë në kufij të jetës e të emancipimit të shoqërisë sonë shqiptare. Kjo vepër monografike, përfaqëson një monument kulturor e arsimit tonë kombëtar, e cila mban prush në zemër e në mendje dëshirat e idealet, synimet e qëllimet mbarëkombëtare, që falë rrezeve të dritës së dijes arsimore, në ditët tona, u bënë realitet, atë për të cilën kishte punuar dhe ishte angazhuar gjatë tërë jetës Ndrec Ndue Gjoka ynë i madh.

Mendoj se kjo monografi do të jetë me interes për shumë gjenerata, nxënës e studentë, lexues mësues dhe studiues të arsimit e të kulturës shqiptare.

Librin e begaton edhe bibliografia e burimeve arkivore, po ashtu edhe përkthimi i librit në gjuhën angleze.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen