Prite, prite Isakun me shokë

OP-ED | admin | 30.05.12 | 00:04

Shkruan: Ireshtansi
 
                             
 
Isakun e kisha njohur në Gjermani. Bashkë u kthyem në luftë kur shtabi I përgjithshëm u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkoheshin. U nisëm me autobus nga Shtutgarti, pastaj me anije nga Bari i Italisë deri në Durrës.
Në Bari ishim mbledhur shqiptarë nga e gjithë Evropa që po ktheheshim. Ishim veshur të gjithë me uniformën e ushtrisë me shqiponjën në krahë dhe ngado që hyje a endeshe takoje dikë prej nesh. Isaku thoshte që duhet ta mbajmë Barin të pushtuar së paku një ditë. Dhe ashtu ndodhi. Ne ndenjëm në Bari pothuaj dhjetë orë e pastaj diku kah mesi i natës u nisëm për Shqipëri.
Në Burrel ndenjëm rreth dy javë për të marrë mësime ushtarake e pastaj u nisëm për në Koshare. Të tjerë për në Pashtrik.
Kur mbërritëm në Koshare na dhanë një kazmë, një lopatë dhe një sharrë që të rregullonim një bunker në mal. Por na shkoi ters që ditën e parë. Isaku duke prerë një degë u rrëzua nga lisi dhe lëndoi rëndë këmbën. Thoshin e ka thyer. Sidoqoftë ne e bartëm deri në fshatin më të afërt të Shqipërisë dhe më s’e pamë. Më vonë mësova që ai ishte kthyer në Gjermani. Disi më erdhi mirë që ishte kthyer atje, por edhe keq që fatkeqsia e detyroi të largohej nga lufta ku kishte ardhur me vullnetin e tij.
Pasi e morëm pak veten nga kjo ngjarje , e bëmë bunkerin, dhe na doli më i mirë se që e kishim menduar. Duke njohur më shumë vendin gjetëm edhe gurin e kufirit. E kishim pasur afër. Tani e pamë që bunkerin e kishim ndërtuar në tokën e Shqipërisë, ndërsa minahedhsin e kishim vendosur në tokën e Kosovës. Megjithatë nuk ishte ndonjë vend i mirë. Ishe një si luginë që tërhiqte predhat ose armiku kishte shënjestruar këtë vend ashtu kot dhe asgjësonte municionin e tepërt. Ne ishim vënë në siklet aty, nuk po na linin rehat, ndërsa ne ende s’kishim gjuajtur asnjë predhë, ende asnjë krismë nga ana jonë. Se kush na solli këtu, vetëm na lëshoi e shkoi. Madje për disa ditë askush s’u interesua për ne, vetëm se për ushqim na kishin llogaritur. Bukën na e sillnin përditë.
Pas dy-tri ditësh dikush erdhi e na tha të lëviznim më përpara. Ne lëvizëm nëpër mal dhe mbërritëm në një vend shumë më të përshtashëm. Kishte aty afër dhe një përrua që do të na hynte shumë në punë. Këtu ndërtuam një bunker  të ri. Në fakt dy, se ishim dy grupe me dy minahedhës.
Vendosëm minahedhësit, shënjestruam dhe filluam të gjuanim. Ashtu pa ndonjë komandë. Kur na tekej. Por edhe duhej ta ruanim municionin. Jo që nuk kishte por ishte problem bartja. Këtu ku ishim ne nuk vinte traktori dhe një pjesë të rrugës duhej ta bartnim në këmbë. Ndërsa serbët gjuanin më shumë. Rrallëherë pushonin, por mundësia për tu vrarë nga minahedhësi ishte shumë e vogël. Ne që ditët e para ia morëm dorën, dhe kur dëgjonim predhën e dinim me saktësi se ku do të binte. Minahedhësit ishin aty, mbase për të përkrahur përparimin e ushtarëve të vijës së parë, por kjo nuk ishte e thënë të bëhej. Aeroplanët e NATO-s që na vëzhgonin pandërprerë, vazhdimisht bombardonin pjesën mes nesh dhe serbëve. Ky ishte një mesazh i përditshëm për të dyja palët që të mos marrin turr e të rrinë në pozicionet e veta. Megjithatë lufta vazhdonte me gjithë ashpërsinë e saj. Ata të vijës së parë ishin më të rrezikuar dhe prej tyre pati më shumë të rënë. Ne të vijës së dytë, në krahasim me ta ishim më rehat.
Dhe kështu si gjithëçka që ecën drejt fundit, edhe kjo luftë e preku fundin e saj. Marrëveshja ishte nënshkruar dhe ne prisnim komandën për të lëvizur para. Ishim ulur dhe po pinim kafenë dhe rakinë e përditshme, të cilat i kishim blerë në fshatin më të afërt të Shqipërisë, kur nga ana e Shqipërisë pamë të vinin disa ushtarë. Njëherë disa, e pastaj secilën herë e më shumë. Disa u ndalën e na folën, disa marshuan para. Ne e dinim që s’kishte ushtarë pas nesh. Ne ishim vija e fundit. Se ku kishin qenë këta një zot e di, megjithatë këta shkuan e zunë pozicione pak më përpara se ata të vijës së parë. Edhe kur marshuam pastaj ne, këta na prinë.
Unë prej aty shkova drejt e në fshatin tim. Gjeta edhe disa të tjerë të rrethit të Prizrenit dhe u nisëm këmbë. Gjatë gjithë rrugës pamë shtëpi të djegura e të shkatërruara. Pamë qytete e fshatra të rrënuara. Edhe fshati im kishte pasur të njëjtin fat.
Unë doja të blija cigare por këtej rrotull s’kishte asgjë. Edhe njerëz kishte pak. Më thanë që cigare mund të gjenden në Prizren. Shkova në Prizren dhe u habita kur pashë që aty jo vetëm cigare por mund të gjendej çdo gjë. Të vetmin shkatërrim që e pashë aty ishte shtëpia e lidhjes së Prizrenit, e cila po të mos e dije që ka qenë aty, nuk do të prishte fare pamjen e këtij qyteti që gjithashtu ka dalë nga lufta. Vendi ku kishte qenë shtëpia e lidhjes ishte pastruar, aty ishte mbjellë bari . Edhe pishat e mbjellura mbase në themelet e saj kishin nxënë.
Me të përfunduar lufta një pjesë e çlirimtarëve u turrën që të marrin hisen e vet. Hisja e tyre ishte gjithë Kosova. Për ta tani nisi një luftë tjetër, ku kërkohej angazhim i njëllojtë, ndoshta edhe më i madh. Gjithë trimëria e botës zuri vend në gojët e tyre që tregonin skena të denja për filma holivudian. Unë habitesha kur i dëgjoja dhe përpiqesha të gjeja edhe vet ndonjë trimëri që kisha bërë gjatë luftës, por as atëherë as tash s’më kujtohet diçka e tillë.
Këto tregime, që shpesh herë kishin edhe një kërcënim brenda, dhe gjaku i dëshmorëve u bënë shkallë për tu ngjitur tek pasuria dhe pushteti. Dikush njëherë më tha që shyqyr që në këtë luftë patëm edhe dëshmorë, se sikur rastësisht të përfundonte lufta e të mos kishim asnjë dëshmor, ç’do të bënim ne të gjallët. Atëherë s’na mbetej tjetër veq t’i vrisnim vetë disa, t’i shpallinim dëshmorë e pastaj të mblidheshim për t’i përkujtuar. U bënë aq shumë akademi përkujtimore për dëshmorët, por jo për shkak të dëshmorëve sa për shkak të shokëve të tyre.
Një ditë më rastisi që edhe unë të merrja pjesë në një tubim të tillë. Isha në Prishtinë kur mora vesh që do të mbahej një akademi përkujtimore për betejën e Koshares. Shkova me mendimin se mos takoj ndonjërin që e njohë. Dhe ashtu më doli. Aty nga rreshtat e fundit pashë Zekën. Ai gjatë luftës kishte humbur njërën këmbë, deri tek gjuri. Më tha që tani është mirë. Kishte vendosur një këmbë plastike e cila ia mundësonte ecjen. Edhe këtu kishte ardhur vetëm dhe me këmbë të veta.
-Më vjen mirë që erdhe, më tha. Ta dëgjojmë bashkë historinë.
-Cilën histori, ia ktheva unë.
-Ja këtë. Këta do ta shkruajnë historinë, tha. Lumë ai që është afër tyre.
-Jo more se nuk është kështu, i them.
-Nejse, tha Zeka. Unë nuk është se kam bërë kushedi çka, por për disa lufta paska qenë biznes. Edhe kjo akademi është pjesë e këtij biznesi. Unë edhe po ta kthenim kohën prapa nuk do të ndryshoja gjë. Përsëri do të më gjeje të ulur këtej kah fundi. Unë nuk mund ta nis muhabetin, me unë kam luftuar, e të shtyhem të përfitoj nga kjo. Do të më vinte turp. Pastaj, kush ka qenë Skendërbeu dhe thoshte, lirinë nuk ua solla unë, e këta?!.Na lodhën.
Në ato memente spikerja lajmëroi folësin e radhës. Për çudinë time, në foltore u ngjit Isaku që t’i thoshte dy fjalë për betejën e Koshares. Unë s’e kisha parë qysh atëherë kur theu këmbën, e ja tani tek po e shikoja tek mbante një fjalim që do t’i kishte hije vet një heroi të rënë në fushën e betejës.
Unë…Beteja…Dëshmorët…Sypatrembur…-thoshte me zjarr Isaku. Me të njëjtin zjarr i duartrokiste dhe salla. Mbase shumica nuk e njihnin, ndërsa ata që kishin qenë në luftën e Kosharës, e këtë s’ia kishin zënë sytë askund, sigurisht mendonin që ky ka qenë në atë bataljonin tjetër.
-E njeh këtë? më pyeti Zeka.
-Jo, I thashë, por me të dëgjuar e di që ky ka lënduar këmbën në luftë.
-Aha, tha Zeka. Këta që kanë lënduar këmbën në luftë janë shumë të rrezikshëm.
-Ky është më I rrezikshmi, më trimi nga të gjithë ju që keni lënduar këmbën në luftë, i thashë.
-Kjo gjë duket, më tha Zeka duke qeshur. Dhe të dy vazhduam ta shikojmë programin artistik që ishte përgaditur me këtë rast.
 
Ireshtansi

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen