Rexhep Qosja, apo Shaban Qosja i Kosovës

OP-ED | admin | 27.06.12 | 18:30

Rexhep Qosja, apo Shaban Qosja i Kosovës

Nga Armand Maho

Në Tiranën e viteve ’70-’80 ka qenë një personazh me emrin Shaban Qosja. Për koincidencë, mbiemri përkon ekzaktësisht me akademikun e “nderuar” të Kosovës Rexhep Qosja, i cili dhe për çështje që s’i takojnë do të bëjnë komentet e tij, pavarësisht se prej kohësh ky njeri s’ka pikën e influencës në mendimet e shoqërisë shqiptare. Gjuha e tij kënaq vetëm një pjesë të nostalgjikëve të regjimit, të cilët edhe sot e kësaj dite kujtojnë me endje diktaturën e proletariatit. Po cili ishte Shaban Qosja në të vërtetë? Shaban Qosja shiste pemë, pra fruta-perime te Rruga e Kavajës. Shabanit i ishte bërë mendja havale, sepse e kishte hundën e madhe dhe të gjithë e thërrisnin “hundë derr”. Kishte edhe raste kur kalimtarët nuk e shihnin Shabanin dhe nuk i flisnin, por ky gërricej sërish duke iu drejtuar: “Pse po m’shef me, apo do me m’sha nga huna?” Ngjashmëria me Qosen e Kosovës është e madhe

Akademia e Shkencave ka vendosur të mos e thërrasë Rexhep Qosen në festimet e organizuara për 100-vjetorin e Pavarësisë. Nuk di të them nëse Qosja është ose jo antishqiptar, por di të them se me gjuhën idhnake, ambiciet për të futur hundët në punët e një shteti që nuk i takon i ka sjellë vetëm dëme këtij vendi. Një njeri që, sipas dëshmive nga Kosova, bëri armik kë mundi, nga Ibrahim Rugova e Adem Demaçi e në fund rroi dhe mjekrën dhe bënte patriotin nga Maqedonia duke përbaltur këdo që i dilte përpara. Ky njeri, që ka qenë kundër Rambujesë dhe të gjitha marrëveshjeve të tjera në dobi të Kosovës vetëm e vetëm se kështu ia kërkonte interesi vetjak, s’mund të quhet atdhetar, por njeri i vogël, interesazhi dhe meskin, që meriton të fshihet nga historia e këtij vendi. Ishte pikërisht ky individ që në një intervistë me Milaim Zekën mbronte idenë se ka qenë Enver Hoxha ai që i ka dalë zot Kosovës, megjithëse dihet botërisht marrëveshja që ky i fundit bëri me Titon. Është pikërisht ky njeri që mbrohet nga qarqe të lidhura me regjimin e vjetër, pasi gjejnë të mishëruar tek ai të gjitha idetë perverse që përçau dhe persekutoi për 45 vjet shqiptarët.

Doli dje dhe Arben Putoja, një historian që mbron me zjarr kauzën e komunizmit, dhe e quajti skandal dhe turp të madh lënien jashtë festimeve të Rexhep Qoses. Është e habitshme, se në Kosovë këtë zullumqar nuk e ofron askush, në Shqipëri kërcejnë përpjete për injorimin që i bëhet atij. Por tekefundit, “çdo të mbjellësh do të korrësh”, siç thotë populli. Rexhep Qosja në këtë vendin tonë të vogël ka qenë vetëm inspirues i urrejtjes dhe dhunës. E kush nuk i kujton intervistat e kësaj karikature të mbetur gjallë nga sistemi i vjetër, ku vetëm për bashkim shqiptarësh nuk bëhej fjalë? Ku me një gjuhë tinëzare e të denjë për horrat, kjo fytyrë e urryer bënte thirrje për revolucione të tipit leninist. Natyrisht, falangat e regjimit që shkoi kërkojnë ta ngrenë në piedestal, sepse fjalët e tij shkojnë paralel me idetë perverse dhe vrastare që ishim mësuar të dëgjonim në kaq vjet. Personalisht nuk jam ndonjë njohës i mirë i letërsisë së Rexhep Qoses, po s’mund të rri pa folur për një njeri që nuk është shprehur asnjëherë për masakrën e Tivarit, për burgjet politike në Shqipëri, për masakrimin që u bënte Enver Hoxha kosovarëve që mundoheshin të iknin nga regjimi serb. Veprat e tij, që sot s’i hyjnë në punë askujt, vetëm i forcuan pozitat në regjimin e kaluar. E si mund të quhet atdhetar një njeri që në kohën e komunizmit hynte e dilte sa herë t’i donte qejfi në vendin tonë, madje i ishte dhënë e drejta të jepte dhe leksione në Universitetet? Dihet se duhej të ishe shumë i përkëdhelur nga regjimi, në mos ndonjë spiun i UDB-së, që të bëje këto pehlivanllëqe.

Shqetësimi i Arben Putos është i drejtë. Ky pseudohistorian me dashje është munduar ta paraqesë nacionalizimin shqiptar si vrastar dhe kriminal për të justifikuar në ditët e sotme vrasjet që u bënë në emër të idealit komunist. Nexhmedin Spahiu do t’i drejtohej me këto fjalë Arben Putos në një shkrim të tij në gazetën “Panorama” të 11 nëntorit 2011, ku e akuzonte si falsifikator të historisë: “Komunistët shqiptarë ishin terroristë. Nuk mund të jenë terroristët të pafajshëm. A nuk ishte terrorist Vasil Shantoja, që vrau major Adem Boletinin (djalin e Isa Boletinit) vetëm pse Ademi ishte komandant xhandarmërie në Shkodër? A nuk ishin terroristë ata që në janar 1944 vranë nipin e Xhaferr Devës për të vetmen arsye se ishte nip i Xhaferr Devës, edhe pse ai (nipi i Xhaferr Devës) nuk merrej fare me politikë?” Kaq mjafton për të kuptuar se kush është në të vërtetë Arben Putoja, që ka marrë përsipër të shkruajë historinë e këtij vendi (!).

Mbajtja larg e Qoses në këtë eveniment historik është një domosdoshmëri për të mos e njollosur akoma më tej historinë e Shqipërisë. Ndoshta ka ardhur koha për një rivlerësim më të thellë të figurave që na janë imponuar për 45 vjet. Duhet parë se cili ka qenë roli i tyre gjatë periudhës në atë të cilën kanë jetuar. Në rast se një brez u rrit dhe u shkollua duke u imponuar kokëpalarët si heronj të kombit, brezi që vjen nuk duhet të helmohet në mendimet dhe vizionin e tij nga paçavuret e servirura nga Qosja, Putoja e kompani.

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen