Ata që erdhën nga prova e madhe (Zb 7,14): një martir shqiptar, shok udhe kah Pashkët, sot, Atë Gjon Shllaku dhe Atë Daniel Dajani

Histori & Fakte | Rrezore | 06.04.14 | 23:13

Atë Gjon Shllaku (Shkodër, 27. 07. 1907- Shkodër, 04. 03. 1946)i diplomuar në Luvën të Belgjikës, në Holandë dhe në Sorbonë të Parisit, ku mori doktoratin, u shugurua meshtar më 15 mars 1931. U pushkatua më 4 mars 1946 së bashku me Atë Faustin, Atë Dajanin, me seminaristin Mark Çuni, dhe me laikë të tjerë.image

Fundi i një mendimtari të papërsëritshëm
(Mbështetur mbi rrëfimin e Atë Daniel Gjeçajt)1

E morën në janar të 1946-tës, ndërsa jepte mësim. Ende nuk e kishte shënuar lëndën e ditës në regjistër të klasës, në të cilën jepte filozofí. Që në atë çast, Shllaku e ndërroi katedrën e klasës, me dhomën e torturave; regjistrin e mësimit, me procese të paprera hetimesh; nxënësit, që e adhuronin, me njerëz të sigurimit pa shpirt, të cilët në trupin e tij të ligshtë shfryen sadizmin në mëri të Zotit e të shërbëtorëve të Tij.
Ndërkaq përgatitej gjyqi publik, i ashtuquajtur „gjyq i popullit“. Gazetat e përditshme, radioja, konferencat e grupet e organizuara nga partia, qenë vënë në lëvizje për të krijuar, në popull, opinionin se klerikët e burgosur ishin vërtet krerë dhe përgjegjës të një kryengritjeje, organizuar e drejtuar nga Vatikani në dëm të Shqipërisë.
Atë Gjoni, sipas pretencës së prokurorit në aktakuzën famëkeqe, ishte kryetari e shpirti i këtij plani subversiv. Pas tij radhiteshin, gjithnjë sipas pretencës, Atë Daniel Dajani e Atë Giovanni Fausti, si nënkryetarë, ndërsa si sekretar, vinte seminaristi Mark Çuni. Të akuzuarit, të lodhur nga torturat e përditshme, ose duhet t’i pranonin akuzat, trilluar nga vetë organet e partisë, ose të heshtonin. Mbrojtja ishte e pamundur. U këputej çdo përpjekje në të parat fjalë.
Për formalitet e vetëm për formalitet, për t’i dhënë gjyqit pamje ligjore dhe për t’u përligjur para botës së jashtme e propagandës së bërë, nominalisht u pranuan avokatë privatë.
Për Pater Gjonin fretërit zgjodhën avokatin guximtar, Muzafer Pipa, ish-student i liceut françeskan, dishepull i shumë prej profesorëve fretër. Muzaferi e njihte mirë personalitetin e Pater Gjon Shllakut dhe me të kishte atë familjaritet, që lidh në të parat takime njerëzit e mençur e të drejtë.
Mbrojtja do t’i kushtonte jetën. E dinte që në fillim se nuk mund të bënte asgjë, në një vend ku s‘ kishte ligj as drejtësi. Se nuk mund ta mbronte njeriun, që ishte dënuar shumë kohë para se të provohej faji i tij.
Dikur, mbasi tragji-komedia ishte përgatitur në gjitha hollësirat, u hap gjyqi. Në procesionin e martirëve, të lidhur me prangat e kriminelëve, ai kryesonte viktimat. Mbas tij vinin dy meshtarët jezuitë, seminaristët e pastaj, civilat e tjerë. Procesioni përcillej, përveçse prej policisë së mbrojtjes, edhe prej grupeve të organizuara nga rinia komuniste, të cilat, gjatë rrugës bërtisnin e çirreshin si të dehur në kor: „Plumb ballit! Plumb ballit!“ dhe „Vdekje klerit! Vdekje klerit!“.
Profesori-frat ecte ngadalë, gati si të mos u besonte këmbëve të veta. Dukej se ishte i lodhur e tejet i ligështuar; kishte fytyrën e njeriut tepër të vuajtur, që sapo është ngritur nga krevati, pas një lëngate të gjatë. Në ballë i dukej qartë një plagë, si e prerë e freskët, ende e patharë. Syzet mezi i rrinin në hundë. Ndërronte gjurmë mundimshëm, kokulur, si i humbur në mendime, gati-gati sikur nuk e përfillte fare zhurmën dhe gjithçka ndodhte rreth tij.
Në sallën e improvizuar të gjyqit i priste tmerri e asaj kohe, prokurori ushtarak Aranit Çela, i famshëm për mizori. Një publik i përzgjedhur, e shumta anëtarë partie, mbushte sallën. Akuzat, hartuar nga lart, e paraqisnin Pater Gjonin si ideologun, organizatorin, udhëheqësin e të ashtuquajturit „Bashkimi shqiptar“. Pas tij, si ndihmës, vinin etërit jezuitë, seminaristët e besimtarët e tjerë. Atë Shllaku, sipas akuzës, drejtonte „Dorën e zezë“, që do të kryente atentate në të gjithë Shqipërinë, në lidhje të ngushtë me Vatikanin, përmes Atë Faustit, ndërsa në vend, lidhej me çeta antikomuniste të arratisura. Kishte ndërlidhje armiqësore edhe me shtetet kapitaliste, me anglezët e amerikanët.
Ishin këto, disa nga akuzat, të cilat e fajësonin fratin, aq sa të meritonte dënimin me vdekje, jo veç si kundërshtar i regjimit, por edhe si kriminel e njeri i dëmshëm për popullin e për Kombin.
Kur avokati mbrojtës mori fjalën për të hedhur poshtë akuzat, të cilat ai i dëgjonte për herë të parë në atë sallë, publiku e trupi gjykues shpërthyen në fishkëllima e britma: „Poshtë tradhtarët e bashkëpunëtorët e tyne!“.
Dënimi me vdekje, si e thamë më sipër, ishte i prerë që me kohë. Nuk vinte as nga prokurori, as nga fishkëllimat e brimat e njerëzve të indoktrinuar, në sallë. Dënimi për njerëzit më të mirë të Shkodrës vinte nga Tirana. Kështu Shkodrës i pritej kryet! Prandaj shkuan kot të gjitha përpjekjet e françeskanëve, ku mundën e ku ditën, për t’ia shpëtuar jetën bashkëvëllaut të pafaj.
Me Pater Gjonin u dënuan me vdekje Atë Dajani e Atë Fausti, seminaristët Mark Çuni e Gjergj Bici, mandej civilat Qerim Sadiku e Gjon Vata e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 shkurt 1946.

Kush asht Pater Gjon Shllaku?(Portet)
Një frat i thjeshtë me një shpirt të madh. Një landë e zakonshme me një mende të lartë. Një fëtyrë e përvûjtë me një vlerë të rrallë. I pa kurrfarë madhnie, si i ka hije një frati – e pra tërhiqte dhe bânte për veti kêdo e afronte për këshillë a por për probleme shoqnore e private. Dinte me u mbajtë në shoqní dhe në çdo ambient a rend shoqnuer, ruente të pacenueshëm dinjitetin e meshtarit, zotësinë e filozofit, prakticitetin e sociologut, pasuninë e një kulture të haptë e të thellë. Kishte një mamende të fortë e refleksive. Lexonte shumë e çka lexonte e thadronte në mende me kollajsí të çuditshme. Njihte në maje të gishtave filozofët modernë dhe veprat e autorëve ma të përmendun të kohës: italianë, francezë, gjermanë. Ishte i gatshëm me diskutue mbi çdo çashtje ditunore a letrare, edhe pse s’ishte dega e tij e veçantë. Çmonte mendet e squeta, por s‘ përbuzte njeri të gjallë, fshatár të pashkollë apo të vorfën të paelegancë.
Fëtyrë e një frati të zakonshëm, që trajtës së jashtme e dukës s’i ep randësí as peshë. Me 10 prill 1940, albanologët ma të njohunt e Italisë: Tagliavini Carlo, Bartoli Matteo, Schirò Giuseppe Jr., Ercole Francesco e disa të tjerë, vizitojnë Shqipninë me qellim që të formojnë një akademí për studime shqiptare. Në mungesë të Pater Gjergjit, aso here akademik i Italisë, i përcjellë miqtë Pater Gjoni. Albanologët shohin muzén e bibliotekën. Mbeten të kënaqun. Në shpërblim të veprimtarisë françeskane në lâmën e kulturës e për të pasunue bibliotekën e tyne, kërkojnë një listë librash e veprash, të cilën ata do t’ia paraqitëshin qeverisë së Romës, për t’ua dërgue françeskanëve si dhantí. Pater Gjoni pregatitë listën dhe kjo mërrin në Romë. Ministria italiane e merr në shqyrtim dhe bindet. „Kush e ka hartue – përgjigjet – duhet të ketë një kulturë fort të haptë dhe një shije letrare-ditunore të spikatun: veprat e shenjueme janë vizár edhe për né, e prandej s’mund t’ju kondenojmë“.
Mendeprehtësia e zbulon vetin e inteligjenca del në shesh edhe përmes një gjâje të vogël e të parandsishme.

Pater Gjoni leu në Shkodër me 27 korrik 1907. I jati, Lorja dhe e ama, Maria Ashta në pagëzim ia ngjitën emnin Kolë. Endè i vogël hyni në Kolegjën françeskane të qytetit. Aty kreu filloren e gjimnazin e ulët, tue u dá në shenj për squetësí e mirësjellje.
Kreu shkëlqyeshëm licenë dhe kursin e filozofisë në Atdhé.
Ma vonë kje dërgue, si tanë studentat e françeskanëve, përjashta, e pikërisht në Holandë. Kreu atje teologjinë dhe, me 15 marc 1931 u shugurue meshtár. Po në ketë vjetë kje dërgue nga Provinçiali i atëhershëm, Pater Vinçenc Prennushi, ma vonë Ipeshkëv i Sapës (27 kallnduer 1936) e Argjipeshkëv i Durrësit (26 qershuer 1940), dekë në burg në fruer të 1949-ës, në Louvain.
Atje Pater Gjoni ndoq ne e parë degën e shkencave e ma vonë atë të historisë e të filozofisë, tue u laurue me një tezë të shkëlqyeshme në filozofi në vjetin 1936. Fillë mbas doktoratit, ktheu në vendlindje dhe u vû menjëherë me dhânë mësim në gjimnazin-licé që e kishte pregatitë për universitet.
Pater Gjoni përçoi ndër të rij jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshtë e ndjesitë kombëtare. Edhe atij, si të tjerëve Etën të provinçës fretnore, i kje ideal binomi „Fé e Adhé“. Prandej më 1939, kur trupat fashiste shkelën tokën e shenjtë të Atdheut, për shkak të qendrimit antifashist, kje shtërngue të largohet në Jugosllaví. Ktheu në Atdhé me 13 qershuer 1940, mbas shumë ndërhymjesh. Po nuk mujti me e pranue kurr pushtimin, se pushtim do të thotë shkelje, dhunë, padrejtësí. Përherë koherent me parimet shoqnore të Kishës, punoi aty e mbrapa, në heshtim, gjithnjë në mbrojtje të drejtave themelore të njeriut. Pjesa ma e mirë e djelmnisë shkodrane u lidh ngusht me tê.
Kur në vendin tonë nisen të mbilleshin, të bîjshin dhe të përhapeshin idé e parime materialiste, të marruna uhá nga marksizmi bolshevik dhe agjitatorë të tij, të mshehun nën maskën e atdhetarizmit e të çlirimit të vendit, e pa kjartë rrezikun që na kërcnohej. Stuhinë, e cila mbas pak kohe do ta pështillte në zí popullin shqiptár, tue kapërdî në gjire të veta kishë e kler, besimtarë e rregulltarë, fshatarë e qytetarë.
Atë Gjoni dallohej për logjikën e shtërngueshme të tij dhe kjartësinë e fuqinë e arsyetimit: modern në paraqitje, të thellë e të paluejshëm në parime, përmbledhës dhe të sigurtë në përfundime e pasoja, s’mund ta përballojshin kundërshtarët, as anmiqtë. Këta tash për tash e drojshin: pritshin me marrë në dorë fuqinë dhe kështu me shfrye mëninë e inatin, që i drejti dhe e verteta i sjell vetit para atyne, të cilët të vertetën s’e njohin në sa drejtësinë e mirësinë i shndërrojnë në rrenë, shpifje, hakmarrje, gjak.
Konferencat i përcillte diskutimi i lirë në lokalet françeskane të Djelmnisë Antoniane. Këtu Shllaku pranonte me ande e nderim, me njerëzí e përvûjtní françeskane, vërejtje e kundërshtime, sqarime e shkoqitje. Ai s’dinte me fye a me nënçmue, me përvû apo me poshtnue kênd, por as s’pranonte me lëshue pê ose me u komprometue para së vertetës, me heshtue para gabimit ose me u lakue para kërcnimit e rrezikut.
Konferencave u duhen shtue predket e mbajtuna në Kishë ndër të diele e të kremte, në muej të majit e ndër të marte të Shën Andout. Shllaku s’kje orator në veshtrimin tradicional të kohës; kje e mbetë psikolog i thellë, konferencier i përkryem, teolog e sociolog i kjartë e i prehtë. Këndej, çka e bânte popullin ta veshtojë me ande e interesim, s’ishte arti i gojtarisë, zâni as paraqitja e jashtme: ishin mendimet, landa, arsyetimi, logjika.

Çka e dallon Pater Gjonin në misionin e tij meshtarak e françeskan, asht penda e shkrimi. Këtu dha provat e para të një zotësie të rrallë, të një talenti të veçuem. Shkroi pak, përsè koha e shkurtë e veprimtarisë së tij e rrethanat e vështira, më të cilat u gjet porsa hyni në radhët e shkrimtarëve, nuk i dhanë mundësí të tjera. Jam ma se i sigurtë se, po ta kishte pasë jetën e gjatë e gjendjen normale të kohës e po të kishte ecë me zhvillimin e natyrshëm të vendit ai, pa fé dyshimit, do të kishte vazhdue me nderë traditën e lumnueshme të Françeskanëve në Shqipní, jo veç posi shkrimtár i prehtë, por edhe, e sidomos, posi mësues i ndërgjegjes kombëtare. Edhe pse në një lâmë të ndryshme veprimi e në kushte tjera, Pater Gjoni do të kishte xânë vend më një ndër elterët kryesorë të Panteonit të Mëdhajve, pranë Leonardit De Martino, Fishtës, Gjeçovit, Prennushit, Harapit, Bardhit, Palajt, Sirdanit.
Si drejtuer përgjegjës i „Hyllit të Dritës“, revista zâmadhe e së kaluemes, Pater Gjoni mblodh rreth vetit pendat ma të prehtat e kohës. Në votrën fishtjane, ku u shkrî platforma e një Shqipnie së lirë e së përparueme, u ulën në kuvend, si dikur pleqtë e kanunit, shkrimtarët e rij ma në shenj, jo veç ndër bashkëvëllazën të Shllakut, por edhe ndër civila, të krishtenë e jo, por gjithmonë adhuruesa të një Zoti e besnikë të një ideali. Pranoi idé moderne e përparimtare, por pa iu shmangë parimeve kristiane e kulturës shqiptare. E veshi të përkohshmen me një petk të rí nusnuer, tërhjekës për brezninë në evolucion. I ndei besnik – e s’kishte si t’i largohej – natyrës së revistës e parimit „moto“, që karakterizoi përherë fletët e Hyllit, pa lânë t’i lëmekeshin rrezet në qiellin e Shqipnisë: „Ubi Spiritus Domini, ibi libertas“ – „Aty ku âsht fryma e Perendisë, aty âsht liria“.
Ky kje trashigimi, ky testamendi i fundit, që baba i letrave arbënore, Atë Gjergj Fishta, Poeti i Kombit, ia pat dorëzue Pater Gjonit e, në Pater Gjonin, mbarë rinisë françeskane, kur natën para dekës (30 dhetuer 1940) e desht afër vetit për t’ia porositë, me të mbramen fije zâni, Provinçën, Shqipninë, Hyllin. E ketë porosí, ketë amanet shenjt – pse shenjt e i randë asht ndër né amaneti – që e mban toka, Pater Gjoni e ruejti me kujdes e ndërgjegje, me kompetencë e dashtëní deri sa për ketë amanet rá flije, tue e vulosë me gjak atë Fé, që ai e dishmoi në jetë; atë komb, që ai e desht me zemër, atë zhgun, që ai e nderoi me vepra.
Mbi tanë çka kemi thanë deri tash, Pater Gjoni kje meshtár e frat. Si meshtár, s‘ harroi kurr të jetë e të biehet porsi ministër i Zotit; si frat, ruejti si sytë e ballit karakteristikën e Françeskanit: përvûjtninë, dashtëninë për të vorfën e të thjeshtë, popullaritetin, vorfninë. Bir i dêjë i të Vobektit të Asizit, u mbajt përherë i vogël, edhe pse nën zhgunin e vrashtë, të pamadhní, ndrynte madhninë shpirtënore e lartësinë mendore. Ndigjesa e bâni me kthye në Atdhé në kohë të pushtimit fashist; ndigjesa e frymëzoi mos me e lëshue vendin, në sa vërshonte komunizmi.
Për ketë ndigjesë rregulltare e për ketë vetmohim, rá flije në ma të mirën moshë të jetës.

1 Marrë nga Atë Daniel Gjeçaj, “Galeria e artit të martrizimit”, Vepra II, Botime Françeskane, Shkodër, 2012

 

imageAtë Daniel Dajani, jezuit shqiptar (Blinisht, Zadrimë, 02. 12. 1906- pushkatuar në Shkodër, më 04. 03. 1946) me shkollë fillore kryer në Blinisht, të lartë, në Torino, u shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri, ku dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm, i zellshëm, i kujdesshëm sidomos në punën për formimin e seminaristëve, u pushkatua me grupin meshtarëve, të seminaritëve dhe të laikëve katolikë në Shkodër, më 04. 03. 1946.

Në emër të Lirisë

Sapo shqiptohet fjala liri, çdo njeriu, që ka sadopak kulturë, i kujtohen menjëherë parrullat e famshme të Revolucionit frëng (1789): “Liri, Barazi, Vëllazërim!”.
Po ajo, që ngjall më fort entuziazëm në zemër të njerëzve, është, pa dyshim, fjala “Liri”.
Për filozofin Immanuel Kant (1724- 1804), që njihet si “shqiponja e mendimit njerëzor”, liria nuk është vetëm dhurata më e madhe, por detyrë e çdo njeriu. Për Kantin, të jesh i lirë do të thotë t’i nënshtrohesh ligjit moral.
“Liria nuk është tjetër, veçse mundësi për të qenë më të mirë. Ndërsa robëria, siguri se do të jemi më të këqinj”- vëren shkrimtari i famshëm francez, Albert Camus (1913-1960), në veprën “Rezistencë, rebelim e vdekje”.
“Atje ku është shpirti i Zotit, atje është edhe liria”, i kujton njerëzimit krishterimi, në shekuj.
Në emër të lirisë, më 31 dhjetor 1945, në Seminarin e Jezuitëve, në Shkodër i viheshin prangat atë Daniel Dajanit.
Më 30 janar 1946, në orën 9, Atë Dajani nxirrej para gjyqit, në emër të lirisë. Nuk ishte vetëm. Rrethohej nga 33 të tjerë. Rënduar me akuza aq të ngatërruara, sa të mos kuptohej ç’atentat kishin kryer kundër lirisë, për t’u dënuar, pastaj, me vdekje, në emër të saj. Të pritur e të përcjellë në sallë, me këngën e shëmtuar, tallëse: “… Ca xhakoj, ca jezuitë/ Na u përzienë në politikë/ Ky pader Daniel Dajani/ Kishte qejf t’i ndihej zani/ Gjovan Fausti, burrë i vjeter/ Veç fashizmit nuk don tjeter//.
A mund të quhej atentat kundër lirisë, zgjedhja e rrugës së meshtarisë, mohimi i vetvetes, për të pohuar Zotin e Njeriun?
Poshtërsi, kryerja e studimeve shumëvjeçare me “Cum laude probatur”, për t’u kthyer përsëri në Atdhe, i ngarkuar me dijet e botës së përparuar, për t’i shkarkuar në trojet tuaja?
Faj kundër lirisë, zgjuarësia, vullneti i hekurt, dëshira për të mësuar, thjeshtësia, përvujtëria e fshatarit të thjeshtë nga Blinishti, që pas studimeve u përpoq t’ia jepte popullit të vet, gjithçka kishte fituar në shkollat e huaja? Mëkat, drejtimi i institucioneve më të suksesshme arsimore të Shqipërisë, siç ishin Seminari Papnor e Kolegja Saveriane?
Turp, drejtimi i revistës së parë shqiptare “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, që çonte paqen, atje ku hakërrehej urrejtja, në një vend të ndenjur tepër gjatë nën zgjedhën barbare aziatike, që nuk kishte kaluar pa lënë gjurmë?
Poshtërsi, ecja e sigurt drejt përsosurisë, në misionin e nisur me bindje e dashuri, në emër të një Zoti, në shërbim të një Populli?
Për këto krime u ngarkua me pranga atë Daniel Dajani, u akuzua, u gjykua e u pushkatua. Koha vijon të vërtetojë se çdo akuzë tjetër ishte trillim e farsë.
Po kush ishte atë Daniel Dajani? Njeriu, që duhej zhdukur, në emër të lirisë? Bir i një familjeje të thjeshtë fshatare, nga Blinishti. Nxënës në Seminarin Papnuer të Shkodrës për nëntë vjet; për shumë vjet të tjera, duke nisur nga 8 korriku 1926, rishtar pranë jezuitëve të Goricies. Student në fakultetin e letrave më 1929-30; të filozofisë në Torino, më 1930-33; Magister e asistent i zëvendës-drejtorit në Seminarin Papnuer të Shkodrës, më 1934.
Profesor i latinishtes e i shumë lëndëve të tjera, nga shkencat humane, tek ato ekzakte, në vijim. Meshtar, më 15 korrik 1938. Në veprimtari apostulluese me misionin shëtitës, në maje të maleve, më 1945, për të çuar edhe në skutat më të harruara të malësisë, Lajmin e mirë, duke iu kundërvënë plagëve të rënda të kohës, posaçërisht, varfërisë e gjakmarrjes.
Ky ishte njeriu, që dënohej, në emër të lirisë, nga njerëz, të cilëve urrejtja dhe etja për hakmarrje ua kishte verbuar aq shumë sytë, sa ta harronin parimin thellësisht njerëzor, që vijojmë ta mësojmë nga tragjeditë e Sofokliut të lashtë pagan: “Nuk duhet urryer kurrë armiku aq, sa të mos mund ta bësh përsëri mik”.
Nga kundërshtarë, që nuk e njihnin e as donin ta pranonin parimin themelor të Ungjillit, bazë e çdo qytetërimi: “Duaje të afërmin, si vetveten”.
Gjyqi, që e dënote Atë Dajanin, në emër të lirisë, vërtetonte plotësisht thënien popullore, sipas së cilës “Nuk ka popuj të mirë, as të këqinj, por në gjirin e çdo populli, ka njerëz të mirë e të këqinj; ka heronj e shenjtorë, por edhe vagabondë e kriminelë”.
Në botën e krishterë, i lirë është ai, që ka të drejtë t’i pranojë ose t’i kundërshtojë lirisht Urdhërimet e Zotit.
Atë Dajani dhe të 33- të, që u dënuan me të, ishin simbole të gjalla të kësaj lirie. Nën thundrën e diktaturës, në pranga e para plotonit të ekzekutimit, ata ia njohën botërisht vetes të drejtën për t’i pranuar haptas “Urdhërimet e Tënzot”. E u pushkatuan si “armiq të lirisë”, duke shkruar me gjak Himnin e lirisë më të kulluar, asaj të shpirtit.
“Oh! Liberté, que des crimes on commet en ton nom!”(Oh, Liri, ç’krime bëhen në emër tënd!), vijon të na kujtojë viskontesha Marie-Jeanne Roland de la Platière, e dënuar me prerjen e kokës, pas rënies së miqve të saj zhirondinë, kur po kalonte para shtatores së Lirisë, nësa përshkonte rrugët e Parisit, drejt gijotinës.

Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen