A ka zot?!

Analiza & Komente | admin | 07.08.12 | 15:32

Po rrija kah fundi i sallës apo i sallonit të asaj shtëpie private ku kishte zënë vend fakulteti juridik pas mbylljes së institucioneve dhe prisja radhën. Kjo shtëpi në Velani ishte shëndërruar në zgjua bletësh nga studentët e shumtë që hynin e dilnin në këtë hapsirë të vogël. Unë rrallë vija këtu. Madje edhe profesorin e sociologjisë nuk e njihja fare. Ditën e provimit e pashë për herë të parë. E shikoja prej fundit të sallës teksa ai pyeste studentët por nuk mundja t’ia dëgjoja zërin, derisa ai me zë pak më të lartë thirri emrin tim.

Shkova e u ula në bankën e parë. Dy të tjerë, një vajzë e një djalë, u ulën pak para meje. Profesori na i mori indekset dhe zgjati tufën me karta ku ishin pyetjet tona, prej të cilave ne duhet të zgjidhnim nga një. Unë mora një. I pashë pyetjet. Të trija i dija, dhe kur profesori pyeti nëse dikush dëshiron të filloj, unë u lajmërova menjëherë. Ia dhashë kartën me pyetje profesorit dhe fillova të flas me siguri të plotë për secilën temë. Herë pas here shikoja letrat ku shkurtimisht kisha shkruar përgjigjet dhe vazhdoja të flisja. Kisha ardhur në temën e fundit dhe po flisja për egzistencializmin kur profesori më ndali me një pyetje që për pak më hutoi.

– A ka zot? pyeti profesori.

– Si thatë profesor? ia ktheva unë me pyetje. Isha ndërprerë në mes të fjalimit për egzistencializmin dhe mu deshën pak sekonda që ta marrë veten.

– A ka zot? përsëriti ftohtë profesori duke më shikuar në sy e duke thithur cigaren.

Unë ula sytë që të blija pak kohë. Nuk dija si t’i përgjigjesha. Edhe ta kisha mençurinë e botës nuk do ta dija përgjigjen. Njëherë desha t’i them që këtë s’e di askush, por menjëherë mu kujtua që profesori mund ta dinte dhe që të mos e fyej ndërrova mendje.

Kisha dëgjuar që disa profesorë kanë disa teke, disa ide fikse, dhe po ta bënë pyetjen e ti s’e dhe përgjigjen që ata kanë në mendje, iku provimi.

E shikova profesorin pa e ngritur kokën,por ende nuk kisha marrë guximin të flisja. Ashtu në shpejtësi u mundova ta analizoj situatën. Të jetë ky besimtar apo i pafe?. Këtë s’e dija, se përgjigja pastaj do t’ishte e lehtë.

Ka apo s’ka, po endja nëpër kokë këtë pyetje që menjëherë e cilësova si kriminale, këtë pyetje që në rrethana të tjera do t’i përgjigjesha pa asnjë hezitim. Unë nuk besoj në këtë zot që ishte këtu për hir të pushtetit e jo për hir të njerëzve. Edhe feja qysh në fillet e saj lindi pë tu bërë dashnore e pushtetit dhe mjeti më efikas i zbuluar nga njerëzit për t’i nënshtruar njerëzit. Se t’ishte feja kundër pushtetit, pushteti qysh moti i kishte dhënë kësaj pyeje një përgjigje të prerë. Pastaj ky zot që u tha njerëzve gjithë ato fjalë sa u mbushën libra me nga njëmijë fletë, nuk u tha atyre një gjë shumë elementare, që toka është e rrumbullakët.

Pastaj… e sa pastaj të tjera, por gjendja ime nuk ma lejonte që mendimet e mia thjesht t’i zbrazja nga koka. Ato duhej para së gjithash t’i pëlqenin profesorit.

– Shikoni, nisa unë ngadalë e me kujdesin e një njeriu që ecën nëper një fushë të minuar. Disa gjëra janë vërtet të pashpjegueshme, vazhdova, por mund të shpjegohen me anë të… vetëm me anë të.. përsërita unë duke shikuar profesorin se mos po më jepte ndonjë shenjë se nga duhet kthyer timoni, e pastaj nga kjo shenjë do të vazhdoja se mund të shpjegohen me anë të zotit apo shkencës, e të dilja nga ky qorrsokak.

– Mirë, mirë vazhdo,tha profesori, thuaje, dhe thithi cigaren.

Unë vetetimthi mendova që profesori është njeri besimtar, sepse edhe gjysëmfjalimi im i papërfunduar kishte anuar në drejtim të egzistencës së zotit. Pastaj përse të ma bënte këtë pyetje koti në kohën kur fetarët ankoheshin që rinia ka dalë nga rruga e zotit, domethënë edhe unë. E ky mua, e përmes meje edhe të tjerëve dëshironte tu tregonte që ka zot. Prite tani fjalimin e profesorit, thashë me vete dhe përfundimisht e vendosa.

– Po, thashë, ka zot, se kush e bëri botën? . Kush na bëri ne ?. Kush… desha të vazhdoja edhe më tutje që të merrja një notë edhe më të madhe por pashë pakënaqësinë e profesorit në fytyrë dhe heshta. Madje shtanga.

Ai fiku cigaren, pastaj mori indeksin tim dhe ma hodhi përpara.

– Ti, tha, i nderuar asgjë s’po ditke. Unë këtë e pashë me fillim por thashë mos po del diçka e mençur edhe nga koka jote. Ditën e mirë, përfundoi profesori.

– Prisni pak profesor, i thashë, se unë pyetjet nga sociologjia i dita të gjitha.

–  Ti asgjë nuk di. Ti ke mësuar përmendësh, pa logjikë. Tani liroje vendin të lutem. Megjithatë po të jap një këshillë që vlen më shumë se nota në indeks. Guxo të mendosh me kokën tënde. Tani kalofsh mirë. Hajde tjetri, iu drejtua profesori dy të tjerëve që prisnin radhën.

Unë u ngrita ngadalë dhe dola nga salla pa e shikuar askënd. Shkova aty ku më dërguan këmbët, drejt e në banesë. Kjo humbje e befasishme më kishte goditur. Isha aq afër dhe nuk e prisja këtë fund, por ja që ndodhi.

Kur dëgjuan, shokët u tallën me mua dhe thanë që herë tjetër të mos shkoj i papërgaditur në provim, e unë në afatin tjetër u përgadita, madje u përgadita vetëm për këtë pyetjen e fundit, se sociologjinë e dija, por profesori këtë pyetje më nuk ma bëri.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen