Shtesë në faqet e një libri të zi, që flet për terrorin e kuq

Histori & Fakte | Rrezore | 16.04.14 | 23:21

Portretet e 40 martirëve, dëshmitarë të fesë në Shqipëri, që pritet të lartohen në nderimet elterit e që na shoqëruan 40 ditë me radhë gjatë 40 ditëve të Krezhmëve 2014, shërbejnë edhe për të plotësuar ndjeshëm një libër të zi, që flet për krimet e terrorit të kuq. Nga librat e shumtë, që janë shkruar për këta krime, ai që ngjalli polemika më të forta, është „Le livre noir du comunisme“ – Crimes, terreur, répresion“ (Libri i zí i komunizmit – krime, terror, dhunë), i cili tashmë është përkthyer edhe në shqip.
Vepra, botuar me rastin e 80-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, tingëllon si kritikë e ashpër edhe ndaj qëndrimit të partive komuniste perëndimore (ish e mbas-komuniste) të cilat, duke heshtur për krimet e shëmtuara të Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, Pol Potit dhe nxënësve të tjerë besnikë të këtyre gjenive të krimit, si Enver Hoxha, u bënë bashkëpunëtore të terrorit të kuq, që mbyti shumë më tepër njerëz, sesa nazizmi. E jo më pak tingëllon si qortim ndaj të gjithë atyre, që mund të flisnin, e nuk folën; që mund të shkruanin, e nuk shkruan; mund të denonconin, e nuk e bënë; e vijojnë edhe sot e kësaj dite t’i mbulojnë, me fjalë e vepra, gjurmët e përgjakura, që të çojnë ndër mijëra gropa të njohura e të panjohura. E nuk kanë frikë t’i përdorin eshtrat e të martirizuarve si shtiza për flamujtë e rinj. Për t’i shpalosur në betejën e falsifikimit të historisë, të heshtjes e të harresës!
Por, të rikthehemi te “Libri i zi i komunizmit të kuq”. Në se mendja e sëmurë e Adolf Hitlerit çoi në varr 6 milionë njerëz, mbi kafkat e të cilëve ëndërroi të lartojë Gjermaninë sovrane, sundimtare të botës, komunizmi ua mori jetën më se 80 milionë njerëzve, për të vetmen arsye, se ishin kundërshtarë të kësaj ideologjie, e cila shkatërroi ekonomikisht e shpirtërisht, gjysmën e botës.
Është ky, pohimi i autorëve të librit me 850 faqe, vepër kolektive e shkruar nën drejtimin e Stéphan Courtois në bashkëpunim me pesë studiues të tjerë me autoritet në njohjen e historisë së kohëve tona: Werth, Panné, Paczkowski, Bartosek, Margolin.
Botimi i këtij libri në Francë, i shqetësoi pa masë socialistët si dhe kryeministrin e asokohshëm, Jospin, në qeverinë e të cilit militonin katër ministra komunistë.
Komunistët e djeshëm e të sotëm, pavarësisht nga emrat e rinj, i tërbon më tepër fakti se libri nuk është ndonjë prej pamfleteve të dosidoshme të propagandës antikomuniste, që kalojnë pa u vënë re, apo vepër, së cilës mund t’i kundërvihet lehtësisht ndonjë prej atyre, që shkrinë gjeninë e vet djallëzore, për t’i ndihmuar diktatorët në ngritjen e piramidës me kafka, nga maja e së cilës vijojnë t’i shikojnë popujt e martirizuar. Është një vepër me dokumentim të shkëlqyer e të pakundërshtueshëm, nënshkruar nga shkencëtarë kompetentë, të cilët, për ta realizuar veprën, hynë deri në arkivat e KGB-së si edhe në arkivat-bija të sigurimit të kuq të Kremlinit, hapur pas shembjes së Murit të Berlinit. Por, sa hynë në fshehtësitë e arkivave të sigurimit të kuq shqiptar? Pak e aspak. E dëshmojnë ketë faqet, të cilat i kushtohen terrorit të kuq në Shqipëri, faqe tepër të zbehta, që nuk i ngacmuan e as i shqetësuan aspak ata, të cilët duhet të tmerroheshin duke menduar shëmtimet, kryer gjatë një gjysëm shekulli. Shqipëria përmendet aty këtu me ndonjë frazë a shprehje kalimtare, në përkim me tematikën që trajtohet, ndërsa drejtpërdrejt i kushtohet vetëm një gjysë faqje, ku vihet në dukje kryesisht martirizimi i klerit katolik. Shkruhet, pra: «Dhuna e parë kundër fesë…… ka mundësi të jetë ushtruar në Shqipëri. Primati Gaspar Thaçi, argjipeshkëv i Shkodrës, vdiq në arrest shtëpijak, ndërsa ishte në duart e policisë sekrete. Vincent Prendushi, argjipeshkëv i Durrësit, i dënuar me tridhjetë vjet punë të detyruar, vdiq në shkurt 1948; pesë klerikë, ndërmjet të cilëve ipeshkvijtë Volaj e Gjini, vikari i delegacionit apostolik, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Më se njëqind rregulltarë e rregulltare, famullitarë e seminaristë u ekzekutuan ose vdiqën në burg. Gjatë këtij salvimi, u pushkatua të paktën një mysliman: Mustafa (Myzafer- shënimi ynë) Pipa, sepse mbrojti françeskanët në gjyq… Nënvizojmë se më 1967 Enver Hoxha deklaroi që Shqipëria «ishte bërë shteti i parë ateist në botë». E gazeta (revista- shënimi ynë) «Nëndori» njoftonte me krenarí se të gjitha xhamitë e të gjitha kishat ishin shkatërruar ose mbyllur: gjithsejt 2169, ndërmjet të cilave 327 ishin shenjtërore katolike.1 Kaq vend zë Shqipëria e kuqe në librin e zí, në sa shqiptarët e martirizuar patën kujtuar se e gjithë bota i kishte sytë ngulur mbi vendin e rrethuar nga telat me gjemba e se së paku dëshmorë duhet t’i kishim dhënë lirisë së mendimit më shumë se çdo popull tjetër!
Kur doli libri, Parisi s‘ fliste për gjë tjetër, veçse për të, ndonëse kryeqyteti i Francës nuk e pati fatin e zi ta provonte mbi kurrizin e vet kthetrën e përgjakur të komunizmit real. Megjithatë, diskutimet e polemikat qenë aq të zjarrta, sa arritën deri në ndeshje të ashpra në parlamentin francez ndërmjet deputetëve liberalë e Jospin-it, për shkak se ky i fundit shqiptoi frazën e pamatur: „Jam krenar që thirra komunistë në qeveri“. ..
Shifrat e statistikave të Librit të Zi të komunizmit janë të frikshme: me gulagët, urinë, spastrimet e epokës staliniane, ekzekutimet në masë dhe internimet e Pol Potit në Kamboxhia, me revolucionin kulturor të Mao Ce Dunit e të nxënësve të tij besnikë, komunizmi, „kolera e vërtetë e kohës sonë“, korri mijëra jetë: 20 milionë janë viktimat e komunizmit në Bashkimin Sovjetik; 60 milionë në Kinë; 2 milionë në Kamboxhia; 2 milionë në Korenë e Veriut; 4-5 milionë në vende si Afganistani, Afrika, Amerika Latine dhe satelitët e tjerë të komunizmit në Evropën Qendër-Lindore. Sa vetë mbyti komunizmi në Shqipëri? As ketë nuk e di një popull, që di shumë më tepër sesa statistikat e thata. Ashtu si e di mirë se në epokën e sotme nuk ka më aleanca ideologjish, por aleanca interesash!
80 vjet komunizëm – 85 milionë të vdekur, të deklaruar. Me të drejtë dikush ka shkruar se komunizmi ndyshon prej nazizmit, si murtaja prej kolerës.
Po cilat ishin viktimat e heshtura, varrosur ndër gropa, shpesh herë të përbashkëta? – pyesin autorët e librit të zi të komunizmit. Ishin fshatarët e pasur, që u quajtën kulakë, intelektualët më të ndritur, klerikët më të aftë të epokës staliniane, „heretikët“ e „revolucionit“ kulturor të Mao Ce Dunit, i cili, sipas gjykimit të Jean François Revel të Akademisë Franceze, konsiderohet si krimineli më i madh i të gjitha kohëve.
Komunistët pohonin se „e vërteta është gjithnjë revolucionare“ e nëse ndokush dyshonte në ketë pohim, i vihej menjëherë vula e tradhtarit dhe e priste burgu apo internimi: kështu ndodhi edhe me Arthur Koester-in, me Solgenitzin-in, me Kravçenkon, funksionarin e lartë të sovjetikëve, që pati guximin të zbulojë krimet e shëmtuara të komunizmit, duke iu nënshtruar për ketë, proceseve gjyqësore poshtëruese dhe vdekjes në mërgim. Disa prej të mëdhenjve të Rusisë e patën edhe ketë fat – të cilin ata e quajtën, me të drejtë, fatkeqësi: i dëbuan nga vendi.
E ndërsa pushkatoheshin, internoheshin, mërgoheshin, arratiseshin, bijtë më të mirë të gjithë popujve nën zgjedhë, komunizmi vërtetonte se ishte ideologji krejt e paaftë për t’i dhënë popullit atë, që premtonte: në botën e kuqe mbretëronte prapambetja më e zezë, niveli më i ulët i jetesës, uria e mjerimi. Me pasoja të rënda mbi të sotmen.
Populli vuante nga uria, po miqtë e komunizmit, që vizitonin vendet e kuqe, deklaronin se nuk kishin jetuar kurrë më mirë, sesa gjatë ditëve të vizitës. Kështu shkruante George Bernard Shaw; Julian Huxley nuk e pat të vështirë të besonte se Stalini herë pas here zbriste nga Kremlini në rrugë të madhe për t’u ndihmuar hamejve, që shkarkonin dengje nën dritaren e zyrës së tij; Garcia Markez nuk ngurron të na përshkruajë një Fidel Kastro-ferishte të pafajshme, që flijon gjithçka për të ndërtuar jetën e lumtur… E në komunizëm, kush dyshonte në jetën e lumtur, që ndërtohej në vend, konsiderohej tradhtar, shërbëtor i imperializmit, spiun i merimangës së zezë, që quhej Vatikan.
Çfarë çmimi të lartë u detyruan të paguanin popujt për ëndrrat gjakatare të një ideologjie, e cila mbolli shkatërrim e vdekje, në emër të lumturisë së ardhme, që nuk u arrit, që nuk mund të arrihej, sepse ideologjia e krimit e lumturia e popujve nuk mund të takohen kurrë.
Autori kryesor i librit, Stéphan Courtois, me të drejtë vëren se ndërsa nazistët u gjykuan e u dënuan në Nuremberg, kriminelët komunistë nuk kanë dhënë endè llogari përpara historisë së njerëzimit, ashtu si nuk kanë dhënë llogarí as para historisë së Shqipërisë, ku nga varret e harruara lartohet zëri i njerëzve të masakruar, që lypin drejtësí. E ndërmjet tyre, 40 kandidatët për t’u lartuar në nderimt e elterit, çështja e të cil është në Kongregatën e Shenjtorëve, me të cilët ju njohëm në këtë galeri martirizimesh, që mungon në “Librin e zi” të komunizmit, ku fatmirësisht nuk mungon analiza e thellë e ideologjisë kriminale.
E pas kësaj analize, autorët e Librit të zi, me të drejtë pyesin: „Çfarë presin ende popujt nga partitë e së majtës?“.
Larg fanatizmit e pasioneve të njëanshme, kjo Galeri është përpjekje modeste për t’u kujtuar njerëzve thelbin e komunizmit, i cili jo vetëm nuk e do të vërtetën, por bën çmos që, në emër të pajtimit të rremë, të hiqet dorë nga kërkimi i saj, gjë që përbën një krim të ri.

1 Courtois „Il Libro nero del comunismo“ – Mondadori Febbraio 1998, fq. 371; 391.

Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen