Globalizmi si “ideologji planetare” dhe problem kulturor

OP-ED | admin | 09.08.12 | 19:26

Nga Gëzim Tushi

Debatet për ecurinë, perspektivën dhe efektet e globalizimit, në botë, veçanërisht në analet e mendimit sociologjik, politologjik dhe kulturologjik për shkak të ndryshimeve që kanë ndodhur dhe efekteve që ka sjellë kjo dukuri në epokën tonë, janë bërë shumë intensive. Herë të trajtuara me optimizëm perspektiv dhe herë me skepticizëm nga treguesit kontroversalë të zhvillimit aktual. Ndërsa tek ne diskutimet për këto çështje janë ose periferike ose të maskuara pas aspiratës së natyrshme të detyrave imediate të integrimit Europian, i cili është “nyja gordiane” e politikës së sotme shqiptare, detyra urgjente që duhet zgjidhur.

Ndërkaq angazhimet teorike, politologjike dhe sociologjike në këtë aspekt nuk janë aq gjithëpërfshirëse sa i kërkon koha dhe detyrat kombëtare të momentit në shoqërinë tonë. Përveç prof. Servet Pëllumbit, që ka sjellë botime, libra dhe kontribute konsistente në këtë fushë dhe disa kontributeve të tjera parciale të disa autorëve të tjerë, vakumi për problemet specifike kontekstuale dhe konceptuale të globalizmit janë është akoma shumë i ndjeshëm dhe që me doemos duhet zbutur me kontribute më të gjëra teorike dhe sociologjike.
Tendenca e globalizimit dhe mondializimit i kuptuar si hapësirë gjithnjë e më e integruar apo e “rafshuar”, ka krijuar kuptime dhe keqkuptime, gjykime të shëndosha dhe paragjykime të sëmura për këtë proces të madh universal. Problemi që shtrohet më shumë në ditët tona është në se globalizmi është zgjerim hapësire për të intervenuar në mënyrë të lirë në ndryshimin e strukturave politike, ekonomike, kulturore apo tendenca është drejt ndërtimit të ndonjë “imperializmi” të ri ekonomik, social dhe kulturor ? Do zgjerohet hapësira e përbashkët e qytetërimeve dhe tendenca e përbashkësimit të shumë gjërave të ndara apo perëndimi është duke rindërtuar një “wester-centrizëm” të ri ne favor të interesave të saj. Këto probleme janë dilemat e mëdha që ka sjellë prirja e globalizimit në kohën tonë.

Padyshim, rezultatet e globalizimit të ekonomisë, jetës, kulturës dhe çdo gjeje tjetër në shoqërinë shqiptare kanë filluar të jenë të qarta, të prekshme, të matshme dhe të vlerësuara për efektet dhe kundërefektet e tyre. Sepse realitetet globale kanë sjellë shumë tipologji dhe praktika të jetës moderne në shoqërinë e kohës së sotme. Shumë ide, struktura, procese sociale dhe mentalitete individuale, kanë filluar të bëhen tipologjikisht të ngjashme dhe strukturalisht të njëjta. Madje duke ekzistuar pavarësisht nga veçanësitë dhe veçoritë e mjedisit ekonomik, kulturor dhe social të veçantë që ato kanë në kontekstin tonë. Koha që jetojmë ka prirjen e pakthyeshme që të bind se dukuri të ngjashme të jetës së mondializuar që janë krijuar nën efektin imponues dhe brenda kornizave të reja të globalizimit, kanë ndikimin e tyre në ridimensionimin e mënyrave të sjelljes politike, kulturore dhe sociale të njerëzve tanë. Mondializimi dhe globalizimi janë bërë ideologji “sunduese” e madhe dhe ndoshta e vetme, që nuk është vetëm europiane, por ajo ka prirje të sigurt që po progreson drejt hapësirës së shfaqjes si dukuria më e rëndësishme planetare.

Kjo do të thotë se është koha kur duhet kuptuar nga shtetet e vogla dhe të mëdha, nga popujt e vegjël dhe të mëdhenj, se globalizmi është dukuria që praktikisht na tregon se gjithnjë e më shumë do jetojmë në kushtet e globalizimit ose të situatës së përbotshme, kur planeti ynë është bërë sa një fshat. Kjo do të thotë se këto efekte politike, ekonomike, sociale dhe kulturore duhen konceptuar në mënyrë integrale. Nuk ka mënyra të tjera të konceptimit të situatave kombëtare, të cilat nuk mund të jenë dukuri të izoluara nga efektet gjithëpërfshirëse të globalizimit. Në këto kushte njerëzit tanë politikisht dhe qytetarisht duhet të perceptojnë drejt të  vërtetën, se tashmë jetojmë në kohë kur janë të nevojshme, jo vetëm që të kuptohen situatat e ndikimeve gjithëpërfshirëse të globalizimit në Shqipëri, por dhe të krijojmë kushtet që në shoqërinë tonë të vihen më shpejtë në lëvizje koncepte, ide dhe praktika të reja, që janë të domosdoshme dhe të dobishme për të përballuar situatat politike, ekonomike dhe kulturore që janë në ndryshim të shpejtë global.
Sidomos në aspektin kulturor, në të cilin problemet janë më të mprehta dhe më të vështira për t’u kuptuar dhe interpretuar në përputhje me kohën, jashtë konceptimeve të ngushta nacionaliste apo kozmopolite. Sepse sot janë bërë objekt i madh diskutimi, çështjet që më shumë se kanë të bëjnë me globalizimin politik dhe ekonomik, lidhen me efektet evidente të globalizimit kulturor, i cili sot me të drejtë për shkak të rëndësisë dhe komplikacioneve, konsiderohet si “globalizim i tretë”, i cili në mënyrë të posacme dhe të drejtpërdrejtë ka të bëjë me çështjet e kulturës dhe komunikimit. Dy globalizmat e parë politik dhe ekonomik realizuan hapjen globale. Natyrisht, problematika në këtë aspekt të veçantë të globalizimit është e ndërlikuar, sepse sociologët e tij mendojnë se ”Globalizmi i teknikave krijon fshatin global, por nuk afron detyrimisht pikëpamjet, përkundrazi, shpesh ai i bën të padurueshme ndryshimet kulturore”.

Një nga proceset dhe pasojat indirekte të globalizmit është tendenca e dukshme e “zvogëlimit të planetit”, përmes proceseve të shpejta të “unifikimit kulturor” muzikor, artistik, shijeve estetike, modës, modeleve uniforme të jetës. Unifikimi dhe standardizimi kulturor në fakt po “zvogëlon planetin”.
Prirja e orientimit global të shoqërisë së sotme është e tillë, që më shumë se sa është një kornizë për të përcaktuar dimensionet dhe shtrirjet e kulturës bashkëkohore, është bërë një “kod homogjen” që shërben si kornizë e përshtatshme orientuese për çdo shoqëri. Në këtë kontekst, diskutimi është i tillë që krijon debatin, për të dalluar natyrën ndërkulturore apo të evidentimit të natyrës multikulturore të shoqërisë së globalizuar, apo si rezultat i globalizimit bota duke ecur drejt tendencës së frikshme të anti apo kundër kulturores?
Padyshim globalizimi ka si nevojë të vetën përcaktimin e kufijve përtej nacionalë kulturorë dhe moralë të dallimit e shtrirjes kufitare midis të lejueshmes dhe të palejueshmes, të cilat në kohën tonë nuk janë më kufij kulturorë dhe moralë nacionalë por janë kufij të globalizuar.

Është koncept i gabuar se prirja globaliste e shoqërisë moderne është prirje kundërkulturore. Logjika globale e multikulturalizmit është koherente me mënyrat e zhvillimit të jetës sociale dhe zhvillimit kulturor të shoqërisë moderne. Multikulturalizmi nuk është kulturë e imponuar nga globalizmi, por është një prirje adekuate e tendencës së prirjes së sotme shterritorializuese të kulturës globale. Sot për njeriun nuk është e lehtë që të bëjë aq shumë dallime sa në të kaluarën, midis kulturës autentike kombëtare apo lokale me aftësinë përshtatëse të kulturës me shoqërinë apo vendin pritës, me të cilat diferencat kulturore nuk janë aq të mëdha sa të pengojnë integrimin e tyre kulturor, adoptimin e gjerë social në jetën e vendit pritës.

Globalizimi i ka shkrirë pengesat e dikurshme të integrimit territoraial dhe kulturor të njeriut. Bota siç thonë sociologët është “zbutur kulturalisht’. Ajo është bërë më shumë “një bashkësi shënjuesish me përmbajtje të dobët” nga njëra anë, por në disa aspekte globalizmi nuk ka mundur të “nivelojë vlerat” kulturore që janë akoma dallime diferencuese dhe tipike për kulturën bashkëkohore. Kjo është arsyeja madhore pse filozofi Gianni Vattimo mendon, se nuk është e lehtë të mendohet ndërtimi i një shoqërie tërësisht të globalizuar. Nga ana tjetër sipas tij, shoqëria tërësisht e globalizuar nuk do të thotë medoemos shoqëri e paformësuar apo që të jetë shoqëri që kërkon vetëm unifikim dhe që shpërfill në anën tjetër “pranimin e dallimeve” kulturore. (G Vattimo, “Nihilizmi dhe emancipimi”, f 126)

 

/Tirana  Observer/

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen