Mes turmës, në Sheshin e Shën Pjetrit

Analiza & Komente | Rrezore | 27.04.14 | 12:31

Kush kaloi këto ditë në Sheshin e Shën Pjetrit, nuk mundi të mos mahnitet nga pamja e ylbershme e tij e të mos e ndjente si rreh me forcë pulsi i gjallë e jetëdhënës i Kishës Katolike.
E sot, turma, e nisur nga të katër anët e botës, zgjatet nga Kështjella e Shën Engjëllit, nëpër rrugën e Pajtimit.
Turma shtrëngohet rreth Papës. Në gjirin e saj, si gji deti, shikon njerëz nga të gjitha racat, të gjitha moshat, të gjitha pozitat shoqërore, ngatërruar pranë e pranë, me mahnitjen e këtyre ditëve të jashtëzakonshme në sy e në zemër.
Në këtë det shikon përfaqësues të të gjitha feve, që duan të dinë diçka më shumë për katolicimin, në sa larton në elter edhe dy shenjtorë të tjerë, që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e jetës së shumëkujt, pavarësisht nga raca, feja, kombi e kultura.
Në turmë shikon njerëz, që dolën nga kafazi i viseve, ku sundonte tirania, në dritën e Zotit, duke u bërë qytetarë të botës, edhe falë dy Papëve Shenjtorë, që sot u ngjitën në nderimet e elterit.
Në detin e turmës shikon fshtatarë bergamaskë, me çorape të trasha leshi e torba , si ato që mbathte e ngarkonte mbi shpinë Gjoni XXIII, kur ishte i vogël e ecte me kilometra në këmbë, për të arritur në shkollë.
Shikon fshatare me veshjet plot ngjyra, ardhur nga Wadovice e largët, duke u krenuar sot mes turmës, për Birin e madh, që i falën botës.
Po ka edhe presidentë, si italiani Napolitano, polaku Komorovski, evropiani Josè Manuel Barroso e Hernan Van Rompuy. Edhe shqiptarë si Zonja Atifete Jahjaga.
E edhe një Papë nderi, Benedikti XVI.
Është e gjithëpranishme edhe Kisha Katolike Shqiptare, e përfaqësuar nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Anxhelo Masafra, Kryqipeshkvi i Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita, shumë grupe të vogla emigrantësh shqiptarë e shtegtarësh, ardhur nga i gjithë vendi, me flamuj kuq e zi në dorë, që valëviten ndërmjet flamujve të mbarë botës, në një shesh ku nuk mund të vësh as këmbën, që ndjek në heshtje me përkushtim të jashtëzakonshëm, si të ishte në Bazilikë, Meshën Shenjte.
E ka, sidomos, të rinj, me simbolet e shtegtarëve mbi shpinë, që e kaluan natën e së shtunës jashtë, duke pritur të dielën e gëzueshme të shenjtërimit. Siç bënë me qindra herë, në takimet e mëdha botërore të tyre, ku i thirri Gjon Pali II, që të njiheshin më mirë me Krishtin e me njëri tjetrin. Për këtë janë edhe sot këtu, si ishin edhe ato netë të pagjumë, kur Gjoni XXIII e Gjon Pali II ktheheshin në shtëpinë e Atit. E kur u shpallën të Lum.
Ndërmjet turmës ka edhe hebrenj, nga të katër anët e botës, ardhur këtu për të falënderuar Papët, që i patën mbrojtur me aq guxim dikur, kur njerëzit digjeshin në furra krematore e torturoheshin në kampe e përqendrimi të zeza e të kuqe.
Po ka edhe myslimanë, mysafirë të Papës Ronkali, që shërbeu për shumë vjet ndërmjet tyre, në Turqi, e grekë ortodoksë, online casinos australia që i pati miq e shokë në Greqi, gjithnjë si nunc apostolik. E edhe miq të Gjon Palit II, të gjallë e sot në këtë shesh, falë ndërhyrjeve të tij guximtare në kohë tejet të vështira. Mes tyre, Lech Walesa.
Turma, që dyndet sot në Sheshin e Shën Pjetrit ndez ngjyrat e ylberit në zemër të Kishës Katolike.
Turma mblidhet në Shesh e Sheshi e pret me krahët e hapur aq, sa të pushtojnë mbarë botën.
Pushton edhe mijëra shtegtarë shpirtërorë, sytë e të cilëve ngulen sot mbi ekranet e televizioneve të universit, lidhur drejtpërdrejt me këtë katedrale madhështore, nën qiell të hapur, që është Sheshi i Shën Pjetrit, me krahët prej shtyllash e me kësulën e Papës në maje të kupolës.
Turma shikon si në dy krahët e rrugës e të sheshit janë vendosur një mori pikash të ndihmës së shpejtë, ku lëvizin përfaqësues të Kalorësve të Maltës, gjithnjë në shërbim të shëndetit të Kishës, të besimtarëve e miqve të saj. Madje edhe të atyre që besojnë se janë armiq të një Kishe, që ka vetëm miq, për t’i dashur e për t’i ndihmuar. Pa harruar edhe strehët, me kryqe të kuqe, mes turmës.
E pastaj, telekamerat, kinemarrëset, aparatet fotografike….
Turma ndjen si rreh zemra e gjallë e Kishës Katolike në çdo skaj e skutë të këtij sheshi, ku shkel pranvera e njerëzimit.
Turma ndjen se zemra e gjallë e Kishës Katolike është Krishti, që ka forcë t’i bëjë njerëzit shenjtorë, për t’i dhënë gjithnjë botës frymëmarrje të re, edhe atëherë kur i zihet fryma nga padrejtësitë, nga korrupsioni, nga luftërat, nga krizat e rrezikon t’i shuhet çdo shpresë.
Turma mbush Sheshin e Shën Pjetrit, me larushinë e ngjyrave të saj, e gjen aty pikërisht shpresën për ardhmërinë.
Krishti është shpresa e turmës, që merr frymë me kraharorin e Papëve Shenjtorë.
Shtrëngohet, prandaj, rreth Papës Françesku, në sa kryeson sot Meshën për shenjtërimin e dy paraardhësve.Shenjtorët kanë hyrë tashmë në zemër të turmës, e do ta shoqërojnë në udhën e kthimit, në të katër anët e tokës.
Radio Vatikani

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen