Lotët e bekuar të universit Kosovar

Histori & Fakte | Zef Prenka | 26.08.12 | 21:04

Traumat nëpër të cilat ka kaluar Kosova, kanë ndikuar që si subjekt elementar i lirikës së tij të jenë padrejtësitë sociale, lufta, patriotizmi, mërgimi, nostalgjia ndaj vendlindjes, virtytet e njeriut të thjeshtë, dashuria dhe ekzili i kohës. Të gjitha këto motive letrare tubohen në një univers të trishtë, në formë të lotit: “I ngarkuar me plot yje në shpinë/ rrugët ma falën dhëmbjen,/ heshtjen e gurëve përgjysmë e ndava/ i luta, mos e mallkoni etjen!// Me lotin e qepallave / brumin e laga si me dush,/ me ujë shiu sytë i shpërlava/ i teri malli i fëmijëve prush.” (Dola)

Uji përfaqëson burimin, brishtësinë dhe perpetuimin e jetës. Transparenca e tij depërton në varg përmes sinqeritetit me të cilin poeti i shpreh mendimet. Në qendër të universit të lotit gjendet vendlindja e tij, Kosova, aq shumë e prekur nga rrethanat e pamëshirshme të historisë: “Tokë e shtrenjtë/ Altar i shenjtë,/ Kosovë./ Me shekuj drite të kam kërkuar,/ Ligësia kërcet gjithmonë/ Mirësia mugullon në përmendore.”(Tokë e shtrenjtë).

Para nesh kemi një shtegtim biblik të frymëzuar në botën e kurreshtjes. Përmbi të gjitha, përmbi kodra e suka dhe brigje, përmbi lumenj, shpatije e bjeshkë, qëndrojnë engjëjt dhe heronjtë, duke i ngritur në piedestal si do qenje të pavdekshme, duke i prurë me devicion në memorjen tonë, për përkujtimin e përjetshëm të Kosovës dhe martirëve të saj. Metamorfoza e tyre ndërlidhet, madje, edhe me yje dhe zogj: “Do të kthehen zogjët që ikën…/ më të ëmbëlit e Nënës Loke,/ bijtë dhe bijat e kësaj toke. (Monologu i Lokës).

Flatrat e zeza të luftës e terratisin qiellin e krejt botës, që nga Lindja e Mesme, duke e përkujtuar Palestinën dhe Izraelin, e deri në zemër të Ballkanit, atje ku fëmijët e lodhur nga lufta, rriteshin nëpër zgafellat e tmerrit. Kush a ka kurdisur luftën, pyet autori dhe përgjigjet alegorikisht, kur gjithçka është përmbytje, kur ndërgjegja fajtorin s’e prek, kur njeriu po ngopet përditë «duke ngrënë substancën e vet.» (Kush e shpiku luftën). Poeti e fton kushtrimin me zërin e ndërgjegjes duke tentuar të gulçojë gjëmimin e armëve, duke i kënduar paqes dhe lirisë: “Aty, ku nuk je ti/ nuk ka jetë të vërtetë./ Aty ku nuk je ti/ nuk ka dritë/ as rritë./ Ti nuk je lëmoshë/ që falet në sokak,/ nuk blehesh as me grosh/ pa e thithë një pikë gjak.” (Liria)

Rruga e mërgimit është shtruar me dhembje e trishtim: «Ndër mjegulla/ merr udhë pa kry,/ bëhësh zog me kohën/ për etjen e gjethit/ e puth diellin në sy.» Dhe më tej: «Ato rrugë të gjata/ me pak fije shprese,/ guri e druri shkrihen/ në pikën e një vese.” (Shtegtari). Në çaste të meditimit, kujtimet e nënës e vërshojnë shpirtin e poetit: “E kanë lodhur vitet/ e kanë kërrusur në shpinë,/ por, e regjur nga motet/ si shkëmbi nëpër stinë.// Sa herë e shtron sofrën/ përshpëritë fjalët e saj,/ nganjëherë me këngë/ nganjëherë me vaj.// Mos bredhni kot/ O, pëllumbat e lokës,/ i ndihmoni atdheut/ mos bëhi therrë e botës!” (Fjalët e Lokës).

Bekimi i lotëve – Dedë Preqi

Dashuria shqiptare është një ilaç i mirë që e përforcon shpirtin e poetit. Edhepse i ndodhur larg nga nënqielli i vendlindjes së tij, poeti nuk e ka degdisur shpresën. Besimi ndaj Zotit ia kallauzon jetën: “I falem Zotit/ dhe jam krenar,/ se më dha emrin shqiptar.// E kam Nderin/ E Besën dhe Fjalën/ për Atdhe/ të gjithë do t’i falim.” Sipas tij, shqiptarët nuk janë “Fundërrina të motit,/ por gjak i bekuar i Gjergj Kastriotit.

Kalimi i kohës përbën një tjetër temë madhore të lirikës së këtij mërgimtari të frymëzuar. Nostalgjia e vjeshtës që vërshon jetën e poetit qartësohet në memorje si qenje tjera humane, porsi fëmijët që e përmbushin zbraztinë e ekzistencës: “Bota është e madhe sa një dritare,/ njerëzit hyjnë e dalin nëpër të,/ pa u hamendur fare.”Bota dhe koha defilojnë nga vargu në varg, së bashku me fjalët e njerëzit që lëvizin pa u ndalë, që “herë hedhin valle e bëjnë lojë/ me një copë bukë në gojë.” Sepse, siç thekson autori: “Kur koha e bënë me barrë,/ e rëndon, e përcjellë në varr,/ loja nuk ndalet fare/ fëmijët luajnë në dritare. (Bota dhe koha).

I kapluar nga një gamë mendimesh, meditimesh, kujtimesh, përfytyrimesh, aspiratash e revelacionesh, autori e përfytyron nga një herë edhe Shekspirin, sipas të cilit bota është një sqenë e hatashme ku secili njeri është nga një aktor. Duke kultivuar virtytet dhe duke iu dedikuar promovimit të së vërtetës dhe të mirës, Dedë Preqi vjen për herë të parë para opinionit tonë me një vëllim bilingv, dhe luan rolin për mrekulli. Autori kultivon vargun e lirë, i përshtatshëm për transmetimin e ideve humanishte. Stili i tij është i qartë, porsi loti që simbolizon universin e lirikës së tij.

Poeti mbetet i qartë ngase nuk i ka tradhëtuar rrënjët: “Përmes grilave të hekurta/ shikon vetëm një dritë në largësi,/ i lutet diellit t’ia falë një rreze/ t’i ngrohë gjymtyrët e mërdhirë.// Si qiriri i plagosur/ kallet n‘mes qielli të sëmurë,/ qëndron në këmbë i pa sosur/ derdhet për dritën e bekuar.” Dedë Preqi i Dardanisë së zemrave tona, mburret me emrin e të parëve të tij të krishterë: “Emrin nuk e kam huazuar,/ gjyshi më pagëzoi,/ edhe babai i gjyshit quhej Ilir/ me këtë emër kurrë s‘do ta ndërroj. (Pafajshmëri). Përkthimi nga gjuha shqipe në gjuhën rumune, është realizuar në mënyrë të frymëzuar nga shqiptari i parë që e solli Kosovën letrare në trojet e bekuara të letërsisë rumune, Baki Ymeri.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen