Kujtimet e Mark Krasniqit

Histori & Fakte | admin | 16.09.12 | 18:06

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, të premten është përuruar libri “Kujtime e përjetime – Shënime biografike” i autorit Akademik Mark Krasniqi. Në libër pasqyrohet jeta dhe vepra e autori në të gjitha periudhat e jetës së tij.

Ky libër u vlerësua lart, ngase siç u tha “pasqyron kontributin e madh që ka dhënë autori për çështjen e kombit shqiptar”.

Me këtë rast, kritiku letrar, Vehap Shita, më tepër u ndal në përjetimet e tij, derisa i kishte në dorë dorëshkrimet e librit para se të dilte në botim. Duke folur për biografinë e pasur shkencore të Mark Karasniqit, ai tha se Marku do të lë një gjurmë të pashlyer në aspektin shkencor e politik dhe kontributin e tij për kombin shqiptar.

“Mark Krasniqi gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së vetë ishte dhe mbeti luftëtar i paepur për lirinë dhe pavarësinë dhe të drejtat e popullit të vetë. Kjo është vërejtur në çdo shkrim të tij, këtë e vërente edhe armiku dhe pushtuesi. Prandaj edhe ishte gjithmonë i ndjekur dhe i persekutuar në mënyra të ndryshme. Për letërsi Mark Krasniqi interesohet që kur ishte nxënës i gjimnazit kur shkruante vjershat e para”, ka thënë Shita.

Ndërkaq, shkrimtari Anton Nikë Berisha theksoi se në veprën “Kujtime e përjetime – Shënime biografike”, të Mark Krasniqit, ndriçohen shumë veprime të ndritshme të jetës së Markut.

“Duke parë në këtë dritë vepra Kujtime e Përjetime shënon një ngjarje të rrallë në krijimtarinë e autorit dhe në kulturën tonë. Me pak fjalë vepra nuk shpreh vetëm të dhënat biografike, por është një mozaik i qenësishëm i vëzhgimit të rrjedhave të popullit shqiptar të Kosovës, por edhe të botës shqiptare në përgjithësi, në një periudhë kohore gati një shekull. Të dhënat e ndryshme të biografisë së tij duke filluar nga viti 1920 e deri më sot kur profesor, Marku ende merr pjesë aktive në rrjedhën e jetës sonë kulturore politike janë vetëm shkas e nxitje që të ndriçohen dukuri që e cilësuan botën shqiptare”, ka thënë Berisha

Kurse, historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi tha se libri i Mark Krasniqit, do t’i shërbejë edhe atij në aspektin e historisë, ngase përmban në vete shumë përjetime interesante të vetë autorit.

“Për mua libri i Mark Krasniqit është i një rëndësie të veçantë që vjen nga një autor, nga një njeri i cili ka kaluar katër fazat nëpër të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare në kthesën e saj historike deri më sot, dhe për mu kjo ka rëndësi. Në këtë kontekst, do të shoh edhe këtë libër edhe veprimtarinë e Mark Krasniqit. Si historian, ky libër për mua ka rëndësi edhe për historianët e tjerë sepse prej tij do të nxjerrin fakte shumë të rëndësishme, të cilat pastaj mund t’i inkorporojë në vlerësimin e ngjarjeve të cilat kemi kaluar”, ka thënë Buxhovi.

Ndërsa, vetë autori i librit, akademik Mark Krasniqi, pasi që ka falënderuar të pranishmit, me shaka u shpreh për librin e tij se është një “Kavurme”.

“Është e zakonshme që dorëshkrimi të regjistrohet këtu në bibliotekë dhe më pyetën se çka është ai, çka është përmendur ky libër, i thash është gjithçka. Në ato kujtime që me kanë rënë në mend, në ato përjetime që i kam shkruar në këtë libër”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe, në librin e Mark Krasniqit “Kujtime e përjetime – Shënime biografike” pasqyrohet jeta dhe vepra e autori në të gjitha periudhat e jetës së tij, si dhe kontributi në jetën shkencore, kulturore e politike. (Kosovapress)

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen