Kisha Katolike shkishëron ata që vrasin për gjakmarrje: Gjykata të dënojë vrasësit

Histori & Fakte | admin | 18.09.12 | 20:10

Arqipeshkvia e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës shpallën sot dekretin që shkishëron të gjithë katolikët shqiptarë, të cilët kryejnë vrasje për gjakmarrje. 

Ky reagim ekstrem i Kishës Katolike është ndërmarrë për të frenuar këtë fenomen të shoqërisë shqiptare që ndodh kryesisht në zonën veriore të vendit.

Arqipeshkvi i metropolit Shkodër-Pult, Angelo Massafra, tha se ky akti i Kishës Katolike vjen pas vrasjeve të shumta që vazhdojnë të ndodhin në territorin tonë, ku shumë prej të cilave janë për gjakmarrje. 

“Disa vrasin nganjëherë pa asnjë ngurrim ose hakmerren në mënyrë të përgjakshme e barbare. Ata shpesh arsyetojnë veprimet e tyre, duke u mbështetur në një traditë shekullore, duke thënë se zbatojnë Kanunin. Ata i japin më shumë rëndësi traditës së njerëzve se sa ligjit të Hyjit. Të gjithë ata që vrasin, me sjelljen e tyre, janë duke i vënë shqelmin Ungjillit të Jetës dhe Kryqit të Zotit tonë Jezu Krishtit. Sjellja e tyre pra është një fyerje ndaj Krishtit”, ka thënë Angelo Massafra.

Ai shpalli dekretin, sipas së cilit kushdo që bën një vrasje ose bashkëpunon me vrasësin, në bazë të nenit 1331 të Kodit të së Drejtës Kanonike do ndëshkohet me shkishërim.

Sipas arqipeshkvit të Shkodrës kjo nismë ekstreme e Kishës Katolike u mor me qëllim që të arrihet pendimi i vrasësve dhe zbutja e zemrave të të gjithë njerëzve në mënyrë që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

 Ipeshkvi i Sapës, Luçian Agostini ka shpjeguar arsyet që i kanë çuar drejtuesit e tre dioqezave në marrjn e një vendimi të tillë. 

“Jemi me të vërtetë shumë të shqetësuar për numrin e madh të vrasjeve dhe të akteve kriminale që janë duke ndodhur në vitin 2012. Këtë vit shqetësimi ynë është rritur ditë pas dite, duke dëgjuar meshtarët që na vinin në dijeni për faktin se po shtohen gjithnjë e më shumë dhuna në familje, përdorimi i forcës në marrëdhëniet mes personave dhe hakmarrja e gjakmarrja”, u shpreh ipeshkvi i Sapës.

Ipeshkvi Agostini tha se, njëri prej aspekteve që duhet patjetër të ndryshojë në mendësinë tonë është ai i vënies së drejtësisë me duart tona dhe me armë, duke e vrarë tjetrin për çfarëdo konflikti, nganjëherë edhe i rastësishëm. 

“Një element i rëndësishëm që ndihmon  për këtë ndryshim të domosdoshëm të mendësisë jepet edhe prej faktit që shtetasit të munden me të vërtetë  të  kenë besim se gjykata i ndëshkon fajtorët për krimet e kryera dhe mund të kenë besim se organet e shtetit janë të drejtë dhe të ndershëm në gjykime, duke e shmangur korrupsionin”, theksoi ai.

Luian Agostini u ka bërë thirrje organeve gjyqësore, duke kërkuar rreptësinë më të madhe dhe asnjë zbritje dënimi apo lehtësim për vrasjet dhe në veçanti për vrasjet për gjakmarrje. 

“Pra, kërkojmë maksimumin e dënimit, deri në dënimin me burgim të përjetshëm, për vrasjen, duke ia besuar vrasësin mëshirës së Hyjit, që të pendohet dhe të përpiqet të japë dëmshpërblim për krimin e bërë edhe ndaj njerëzve të pafajshëm të familjes së viktimave që vuajnë pasojat ë rënda të krimit (p. sh. gruaja e mbetur e ve, bijtë e mbetur jetimë!). Prandaj është e nevojshme që ata që u shkaktojnë dëme të rënda të tjerëve të bëhen të padëmshëm”, theksoi ipeshkvi i Sapës.

Lidhur me mundësinë e shtrirjes së këtij dekreti dhe në dioqezat e tjera, Angelo Masafra, është përgjigjur për “Shekullin” se, kjo mund të ndodhë, por ne e kemi përshpejtuar dekretin në zonën e Shkodrës, pasi situata  është më e rëndë dhe ka dy muaj që po punojnë për të. “Pas vrasjes së vajzës 17-vjeçare në Dukagjin u binda se duhet shpejtuar. Ne jemi dy metropoli, e Shkodrës dhe e Tiranës dhe ky është vendim i metropoliciës së Shkodrës”, theksoi arqipeshkvi Masafra.

/Shekulli Online/ Përgatiti: A.D/

 

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen