Nderohet sërisht me lule dhe përkujtimore figura e Mons. Dr. Zef Oroshit në New York

Diaspora | Zef Prenka | 21.09.12 | 10:51

Meshtari mikpritës i Përndershmi Dom Pjetër Popaj, priti në ambientet e famullisë të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York delegacionin e ardhur nga Shqipëria, që kryesohej nga Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit të qytetit të Pukës z. Alfred Qafa, i cili, shoqërohej nga deputeti i Kuvendit të Shqiperisë z. Ndue Paluca, nipi i Mons. Zefit z. Lek Gj. Prendi nga Mirdita dhe disa kushërinj dhe të afërm të familjes Oroshi, të cilët, kishin ardhur për herë të parë për të vizituar Kishën dhe varrin e axhës së tyre.

Dom Pjetri, mbasi u uroi mirëseardhjen miqve nga Shqipëria, u tregoi atyre mbi historinë e Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe kontributin e madh, që ka dhënë e jep edhe sot komuniteti shqiptaro-amerikanë për trojet shqiptare.

Ai theksoi, se merita kryesore i takon klerikut Mons. Zef Oroshit, që me vendosmëri dhe besim në vetvete mblodhi në një vatër të ngrohtë komunitetin e vogël shqiptar askohe, duke venë themelet e ndërtimit të Kishës së Parë dhe Lidhjen Katolike Shqiptare në SHBA si dhe hapi tribunën e mendimit intelektual në diasporë, të pagëzuar Revista Kulturore “Jeta Katolike” (1966), që vijon edhe sot nën drejtimin e Dom Pjetër Popaj.

Edhe më pas Dom Pjetri shoqëroi delegacionin dhe të afërmit e Mons. Oroshit në ambientet e Kishës, duke u folur miqve për mrekullinë e fugurës së Zojës së Shkodrës.

Bariu shpirtëror në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza”, u tregoi të pranishme bustin e realizuar falas nga skulptorja profesioniste amerikane  Carolyne D. Palmer, e cila ia ka dhuruar Kishës Katolike Shqiptare këtë vepër artistike në skulpturë, sikurse ofroi te shikonin edhe dekoratën vlerësuese me Urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, akorduar nga ish Presidenti i Shqipërisë Dr. Bamir Topi.

Meshtari i palodhur i famullisë sonë, gjatë bashkëbisedimit, u foli miqve mbi projektet e ardhshme, që ka hartuar Kisha me komunitetin, si ndërtimin e klasave, ku fëmijët e lindur këtu mund të mesojnë gjuhën dhe kulturën shqiptare, bibliotekën dhe dhomën muze, ku do të pasqyrohet historia e famullisë shqiptaro-amerikane gjatë dekadave etj.

Delegacioni gjatë qëndrimit në New York, u shoqërua nga studiuesi e publicist z. Tomë Mrijaj Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Prizrenit.

Kryebashkiaku i Pukës z. Alfred Qafa, është një ndër nipat e Mons. Oroshit, që vendosën lule të freskëta dhe kurora shumëngjyrshe mbi varrin e tij në Saint Reimond’s, që gjendet në Saint Peter’s Square në Bronx.

Gjatë bisedës së ngrohtë me famullitarin Dom Pjetër Popaj dhe studiuesin Mrijaj, z. Qafa, bëri një panorama përshkruese të zhvillimeve të fundit në rrethin e Pukës dhe Bashkinë që drejton.

Ai ndër të tjera tha: “Qeveria, ka mbështetë projektet për punësimin dhe nxitjen e investimeve për mbarësi të komunitetit në Fushë Arrëz. Investimet në këtë zonë llogariten në miliona lekë për qytetin e Fushë Arrëzit dhe fshatrat e tij.”

Ndërsa më poshte kryebashkiaku theksoi,  se ndërtimi i rrugës së kombit, Durrës-Kukës, e ka shmangur në një farë mënyre qytetin e Fushë Arrëzit, por si Kryetar Bashkie ka insistuar, që në segmentin më të shkurtër Qeveria do t’a bashkoj Fushë Arrëzin me Rrugën e Kombit dhe Tiranën.

I pyetur mbi të adhmen e qyetit dhe periferisë së tij z. Qafa shtoi, se: “Ne po punojmë gjithnjë, që të vazhdojmë fazat e tjera të ndërtimit të ujësjellësit, në mënyrë që banorët të kenë ujë 24 orë, në mbjelljën drufrutorë, arra, gështenja, mollë, etj. ku Qeveria do të financojë fidanët e tyre.”

Në mbyllje z. Qafa shtoi, se Qeveria dhe Bashkia e qytetit kanë investuar për modernizimin e shkollave me parametrat më bashkëkohor.

Studiuesi dhe publicisti Tomë Mrijaj, duke falënderuar miqtë nga Shqipëria, tha se ndjehet shumë mirë sot, që pranë sofrës së bashkëatdhetarëve ka pjesëtarë të familjes së Mons. Zef Oroshit, i cili, deri sa mbylli sytë kishte një mall të pashuar për vendlindjen dhe banorët vendas. Ai shtoi, se Mirdita e Oroshi duhet të bëjnë shumë për njohjen dhe rivlerësimin e figurës së klerikut Mons. Dr. Zef Oroshit, i cili, asnjeherë se ndau nga mendja dhe zemra vendlindjen e pushtuar dhunshëm nga sistemi barbar komunist.

Për më shumë hulumtuesi Mrijaj, u ndal në një pikë të rëndësishme, që ka të bëjë me përjetimin e emërit dhe veprës së patriotit dhe intelektualit të shquar Mons. Oroshi, u kërkuar miqve të ardhur nga Shqipëria, që t’a përjetësojnë në vendlindje, duke i vënë emrin një shkolle të mesme, me veprën e të cilit brezat vendas mirditorë do të krenohen gjithnjë.

Autori i librit jetëshkrimor: “Monsinjor Dr. Zef Oroshi – Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe” (New York, 2009) z. Mrijaj, u ndal më shumë tek figura e klerikut të shquar atdhetar e fetar, që bëri gjithcka duke ngritur zërin me miqtë e tij senatorë dhe kongresistë amerikanë, për përmbysjen e komunizmit dhe risjellë lirinë fetare në Shqipërinë ateiste gjatë periudhës së egër të përsekutimit 1944-1990.

Shkrimtari Mrijaj, si mik dhe njohës më i mirë i klerikut katolik Mons. Oroshi, (meshtari Oroshi ishte kumbarë i fëmijëve të tij), iu tha të afërmëve, se në librin voluminoz që është në qarkullim në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, ka lënë shumë gjëra pa thënë, më shpresën, se sëshpejti një libër i ri, po rritet e pasurohet me dokumente, foto, letërkëmbime, kujtime, që po mbledh si bleta punëtore dita ditës në gjirin e komunitetit shqiptaro-amerikanë.

 

Alfred Qafa & Lek Gj. Prendi dy nipat e Mons. Dr. Zef Oroshit

Autori i librit Tome Mrijaj nipat e Mons. Oroshit Lek Gj. Prendi & Alfred Qafa

Delegacioni nga Shqiperia shoqerohen ne New York nga publicistet Tome Mrijaj & Klajd Kapinova

Delegacioni shqiptar duke vizituar Qendren Nene Tereza

Mons. Dr. Zef Oroshi   Zoja e Shkodres lutu per mue

Mons. Dr. Zef Oroshi

Publicisti Tome Mrijaj para vorrit te Mons. Zef oroshit ne New York

Dom Pjeter Popaj mes miqte nga Shqiperia duke bere nje panorame te Kishes

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen