Në themelet e një tregimi popullor

OP-ED | admin | 22.09.12 | 08:46

Shkruan: Ireshtansi
 
     
 

Se ka ndër ne arkitekt të së keqes që edhe dreqi do t’ua kishte lakmi, këtë e kam menduar por nuk më ishte ngulitur në kokë derisa e provova në lëkurën time. Unë isha ndarë me kushërinjtë e mi qysh moti, në fakt ishte ndarë babai me vëllanë e tij, të dy të vdekur tashmë. Kishin ndarë tokën e gjënë e gjallë, e pas kaq vitesh djemt e xhaxhait mëtonin se toka qenkësh ndarë keq. Se ata paskëshin punuar më shumë e rrjedhimisht duhej tu takonte më shumë. Ata ishin katër, unë qëllova i vetëm, edhe trashigova më shumë. Për faj e as meritë të askujt. Kështu ishte ndarë pasuria qysh se dijmë diçka për veten. E jo që edhe atyre nuk iu dilte por zilia s’i lente rehat.
Ata ia kishin vënë syrin livadhit të madh e që për njëfarë kohe edhe e morën. Por para kësaj e kishin parë të udhës të ndërmarrin një fushatë shpifjesh kundër meje që t’i përgadisin njerëzit për aktin tjetër.
– Ai prindve t’vet iu ka bërë njëqindë të zeza, kishte thënë Samiu dikund, ndërkohë që numëronte tespihet si njeri që ecën vetëm në rrugën e zotit. Se gruaja e tij, çka i ka bërë vjehrrës… kishte shtuar ai dhe kishte marrë pozën e të pafajshmit ekstrem të kopjuar mbase nga ndonjë pikturë fetare. – Ajo e shkreta të sharat edhe i duronte, por dikur ia shtuan edhe shuplakat, e hera herës edhe dajakun. Hej zot, kishte lëvizur nga vendi ai, këto mos i dëgjofsha as për hasmin e lëre më për timin, kishte përfunduar Samiu, më i madhi i vëllezërve dhe kushëri i imi.
Shpifje të këtij lloji kishin marrë dhenë. Ata iu kishin dhënë njerëzve reçetën për biseda të mira. E në një shoqëri ku e mira e njërit është e lidhur ngusht me të keqen e tjetrit këto gjëra janë si të reshurat e verës në arën që lëngon. Madje disa, edhe pse merren me bujqësi, do t’i jepnin dhjetë të reshura për një lajm të tillë.
Zatën, disa nga këto shpifje më kishin ardhur në vesh, por kisha vendosur të mos reagoj. Unë e dija si duhet biseduar me këta njerëz por llogaritë nuk më dilnin, prandaj i lashë njerëzit të flisnin.Vetëm kështu mund të shterrej ky muhabet, se ndryshe zgjatej, madje merrte hov.
Dhe pas disa muajsh kur ishin mbajtur disa seanca me shpifje, ata dolën në temë dhe qitën fjalën rreth livadhit të madh. Per këtë çështje paskëshin biseduar edhe babai im me të vëllanë dhe i paskëshin thënë Samiut, por Samiu kishte propozuar që njëherë për njëherë ta shfrytëzoj unë livadhin e madh, se atyre nuk iu duhej. Dy të vdekur dhe një i gjallë që përcjell fjalët e tyre të cilat ia paskëshin thënë vetëm atij. Livadhin e madh unë e paskam pasur vetëm në shfrytëzim e jo edhe në pronësi, Pronarët paskan qenë tjetërkush dhe ata po vinin. Dhe nga fjala në vepër, ata një ditë i kishin përzënë nga livadhi i madh dy djemt e mi që aty kullosnin bagëtinë.  I vogli erdhi duke qarë. Ia lëmova flokët dhe vetëm e shikova. Çka t’i thoja kur unë isha në një gjendje më të keqe se ai. Kësaj gjëje i isha friguar që në fillim, dhe jo për vete sa për fëmijët e mi të vegjël sepse çkado që të më ndodhte mua, ata do ta përjetonin më rëndë. Të dëmtuarit kryesor do të ishin ata.
Tani në mendje kisha dy rrugë, të dilja e të vrisja ndonjërin apo të lëshoja pe, por që të dyja kishin pasoja të mëdha, e si pasojë aspak nuk e llogarisja humbjen e këtij livadhi të mallkuar të cilin do doja të mos e kisha, e që më kishte rënë në hise vetëm për të më bërë fatkeq. Por sikur të mos ishte ky do dilte diçka tjetër, mendova, se nga njerëzit e ligj nuk priten gjëra të mira.E kjo tokë sikur është e bereqetshme për njerëz të tillë. Ata këtu i kanë të gjitha kushtet për tu zhvilluar e për ta ushtruar zanatin e tyre. Sepse neve qysh moti e keqja nuk na lë asnjë përshtypje. Prandaj edhe jemi të robëruar mendova, se si mund të jetë rob një popull që do të mirën e që e irriton e keqja ?. Nuk mundet. Se edhe në mos e ndëshkoftë fare të keqen, vetëm një irritim, një shtrembërim fytyre karshi saj do të na mjaftonte të ishim të lirë. Por ne as këtë nuk e bëjmë. Ne të keqes i qeshim. Derisa ajo vjen edhe tek ne.
E krahasova gjendjen e popullit tim me gjendjen time dhe çuditërisht vërejta se kishim shumë gjëra të ngjajshme. Unë isha si një popull në miniaturë që po vuante padrejtësitë, por si çdo njeri mendova që asnjë padrejtësi nuk është më e madhe se e imja, sepse këtë po e vuaja vet.
E mata shumë herë këtë problem, por sa më shumë që e matja aq më shumë i largohesha zgjidhjes. Këtu duheshin veprime të pamatura të cilat më kishin ikur qyshse kisha filluar ta masë problemin.
Vendosa të ankohem tek miqtë. U ankova gjithandej, siq nuk e kisha bërë kurrë, e siq nuk do ta bëja kurrë, por halli që kisha më bëri ta tejkaloj vetveten. Miqtë e mi që të shumtët ishin edhe miqtë e kushërinjve të mi, u folën atyre. Por ata kurrsesi të zbrapseshin, prandaj disa miq propozuan që këtë punë t’ia lëmë pleqve ta zgjidhin. Unë u pajtova. Edhe kushërinjtë e mi ishin pajtuar.
Propozuam bashkarisht katër pleq dhe një ditë u mblodhëm në odën e kushërinjëve të mi. Samiu e hapi çështjen. Ai tha që paskësh folur edhe me prindërit tanë, ndjesë paçin, dhe se livadhi i madh i takonte atij me vëllezër. Pastaj tha që ata pasi ishin më shumë edhe kishin punuar më shumë kur ishim bashkë. Këto gjëra ai i kishte rrahur edhe me prindërit tanë, ndjesë paçin dhe ata ishin pajtuar.
Pastaj fola edhe unë. Iu thashë që ne e kishim ndarë tokën, dhe toka njëherë ndahet, dhe nuk ndahet me kush ka punuar më shumë e më pak, ndahet njësoj. Fola shumë por asnjëherë kërcënueshëm. Doja që ky problem të zgjidhej paç edhe të shkonim secili në shtëpitë tona. Unë isha i bindur që kisha të drejt dhe kur kjo çështje kishte dalë në pleq e dija që do të zgjidhej në dobinë time.
Pastaj foli xha Murati. Ai tha që në ndarjen e tokës mund të kishte rëndësi edhe ajo që kush ka punuar më shumë e kush më pak. Ai përmendi një rast kur njërit vëlla i kishin lënë vreshtin sepse kishte qenë gjithmonë më i zellshëm në punë. Pastaj Samiu paska folur edhe me prinërit tuaj dhe edhe ata qenkan pajtuar, përfundoi ai duke shikuar nga pleqtë tjerë, për t’jua lënë radhën edhe atyre.
Unë e pashë që këtu çështja po merrte teposhtzen, megjithatë heshta.
-Shikoni, foli xha Dauti, toka është ndarë gjithëmonë njësoj, është pjestuar për vëllezër, dhe këtu nuk ka lidhje kush sa ka punuar. Njëherë…, nisi të tregoj ai një ndodhi për të përforcuar fjalët e veta, ishin tre vëllezër. Njëri nga ata ishte i verbër dhe kurrë s’kishte punuar. Kur erdhi koha për tu ndarë dy vëllezërit deshën t’i lënë atij më pak, sepse ai s’kishte kontribuar asgjë, e këta madje kishin shtuar pasuri. Puna doli në pleq. E pyetën pleqt këtë të verbërin se çka ka bërë ai gjatë jetës së vetë. Asgjë, tha ai, vetëm kam ndenjur në odë dhe kur dëgjoja hapa ose ndonjë lëvizje kollitesha njëherë fort. E pra i thanë pleqt, ajo e kollitur ty s’të lë pa hise, sepse shtëpia nuk ka qenë pa njerëz. Dhe i dhanë atij njësoj sikur edhe të tjerëve. Sepse këto gjëra as që duhet të bëhen bisedë. Toka ndahet për vëllezër. Dhe ndahet njësoj tha xha Dauti.
Xha Murati e mori prapë fjalën, ai mbrojti qëndrimin e vet. Folën edhe të tjerët. Dikush andej, dikush këndej. Edhe Samiu foli prapë, në të vetën. Donte të tregonte që nuk lëshonte pe. Dhe pas dy-tri orësh me këto biseda pleqt thanë që do të marrin vendimin. Ne të gjithë dolëm në oborr, ndërsa pleqt i lamë brenda. Unë kisha me vete djalin e madh, atëherë dhjetë vjeqar dhe përball nesh pak më tutje rrinin të katër vëllezërit. Ata flisnin në mes vete dhe hera herës na shikonin kërcënueshëm. Ne rrimim në heshtje. Nuk e folëm asnjë fjalë derisa na thirrën brenda.
U ulëm që të dëgjonim vendimin.
– Ne, foli xha Dauti në emër të të gjithëve, ju dëgjuam të dyja palët dhe morëm parasysh fjalët tuaja. E shoshitëm këtë çështje me ju e edhe vetëm në mes nesh dhe ne të katër erdhëm në përfundim që livadhi i madh t’i takoj Samiut me vëllezër.
Unë kur dëgjova këtë pata një trullosje të momentit, pastaj një vlim gjaku dhe menjëherë brofa në këmbë.
-Qohu, i bërtita djalit, lëshoji bagëtinë dhe dërgoji tek livadhi i madh. Djali u qua menjëherë dhe doli. Pas tij dola edhe unë rrëmbimthi dhe kërcënueshëm. Shkova drejt e në shtëpi dhe mora pushkën me mendjen që të shkojë tek livadhi i madh e aty t’i ndreqim llogarirtë. Por kur po dilja nga oborri duke vrapuar erdhi një fëmijë i kushërinjëve të mi. E kishin dërguar të më thërrisnin. Shikova nga shtëpia e kushërinjëve dhe atje pashë xha Muratin i cili ma bënte me dorë e më thërriste. Lashë armën dhe shkova përsëri në odë.
U ngute pak, më tha xha Murati kur u ulëm në odë, se ne livadhin e madh ta kishim lënë ty por ti nuk prite ta përfundojmë. Apo nuk është kështu?. Pleqtë e tjerë pohuan me kokë. Edhe Samiu, në emër të vëllezërve tha që e pranojnë vendimin e pleqve.
 Unë e rimora livadhin e madh, jo pse ma dha dikush, por sepse në momentin e fundit qesh i gatshëm të vdes aty, ndërsa kushërinjtë e mi të cilët nuk e kishin llogaritur këtë reagim timin, u zbrapsën.
Më vonë kur e takova xha Dautin, ai e pranoi që livadhin e madh kishin dashur t’ia lënë Samiut edhe për të më kursyer mua sepse kishin dyshuar që unë mund ta zotëroja pa pëlqimin e kusherinjëve të mi, të cilët kishin qenë këmbngulës në këtë çështje.
E unë tek livadhi i madh sot kam ndërtuar shtëpi. Aty do të ndërtojnë edhe djemt e mi, e dhëntë zoti edhe djemt e tyre. Ia pashë hajrin atij vlimit të gjakut në çastet e fundit, se unë do të jetoja mirë edhe pa këtë livadh, por çka t’i bëja nëpërkëmbjes që synohej të më bëhej. Me të si do të jetoja?!

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen