Përdhosja e figurave, një modë e rrezikshme

Analiza & Komente | Rrezore | 09.07.14 | 21:30

Ben Andoni

Dëmtimi sistematik i ikonografisë, poshtërimi e fyerja e heronjve tanë kombëtarë po merr përmasa shqetësuese. Të frymëzuar nga ekstremizmi me bazë fetare, individë e shoqata po predikojnë urrejtjen dhe përçmimin e Skënderbeut, Nënë Terezës e të tjerëve. Rasti i fundit në Kaçanik ndaj bustit të heroit tonë kombëtar dhe reagimi i komunitetit të të rinjve myslimanë tregoi sesa të cenueshme janë sot simbolet tona kombëtare…

Arrestimi ditët e fundit i dy shtetasve kosovarë, që kishin postuar një video në youtube, teksa godisnin dhe përdhosnin bustin e Skënderbeut në Kaçanik, u përcoll si tepria e radhës ndër myslimanët shqiptarë. Pasi fryma për të përdhosur simbolet kryesore kombëtare ka kohë që ka gjetur shtrat mes besimtarëve fetarë myslimanë. Jo shumë kohë më parë, në Mitrovicë, i përdhosën monumentin Nënë Terezës, ndërsa në Shqipëri, besimtarët myslimanë në Shkodër protestuan për vendosjen e monumentit të saj në qytet. Në Kosovë e quajtën “putë”, ashtu si nuk i kursyen fyerjet “qafir” ndaj Skënderbeut e disa të tjerëve. Për të dy u përdor përcaktimi se ishin katolikë dhe nuk i kishin shërbyer kurrë Shqipërisë! E ndërsa në të gjitha rastet, përdhosësit krenoheshin dhe mbroheshin me “teori” qesharake, që e tejkalonte aftësinë e tyre të të menduarit, disa studiues, historianë dhe pushtetarë po mendojnë seriozisht se diçka nuk shkon me shoqërinë shqiptare. Si evidencë vinë me radhë shkatërrimet sistematike në kishat shqiptare dhe shkarravitjet me shenjat e Islamit; ofendimet gjithnjë e më të shpeshta ndaj Nënë Terezës; dhe sidomos Skënderbeut; por edhe etiketimet e vazhdueshme ndaj myslimanëve si turq ose arabë. “Unë mendoj se përdhosësit përbëjnë një minorancë të papërfillshme, por jehona është e madhe, pikërisht sepse këta që dëmtojnë, shpesh edhe nuk e dinë domethënien e veprimeve të tyre. Është për t’u shqetësuar gjithsesi dhe shteti shqiptar duhet të jetë shumë më i vëmendshëm”, shprehet studiuesi i njohur Ferid Duka.
Rasti i Kaçanikut do të shkonte si zakonisht me një bujë lokale dhe me një fushatë mediatike kundra, por që do të fashitej shpejt nëse ditët e fundit nuk do përshfaqej frikshëm pretendimi i një grupi islamik, që me akronimet anglisht njihet si ISIS. Grupimi pretendon se ka themeluar një Kalifat të ri dhe ky shtet shtrihet nga Aleppo në veri të Sirisë deri në provincën Diyala në lindje të Irakut. Prej kohësh xhihadistët e kanë pasur qëllim ta ngrenë një shtet islamik dhe me sa duket tani po e kthejnë në institucion. Ndër ta, është referuar se ka shqiptarë, madje disa syresh kanë bërë thirrje të hapur në internet për t’u bashkuar me luftëtarët e kalifatit. Vetëm se rasti i Kaçanikut dhe Nënë Terezës do të kalonte si pa u ndier, nëse komuniteti lokal mysliman nuk do të dilte në mbrojtje të tyre. Anipse, autoritetet myslimane në Shqipëri dhe Kosovë i kanë kthyer përgjigjen e merituar këtyre pretendimeve.
“Ka një frymëzim që nuk është aq i dukshëm hë për hë. Por duket një tendencë në vendet islamike që po bashkohet me një frymë risku i cili përbën një sentiment negativ, ku po shkohet shumë larg. Sa i përket Shqipërisë ka disa herë tendenca të prishet ajo që na lanë Rilindasit dhe që ka përbërë interesin kombëtar. Na mbetet tashmë që shoqëria dhe institucionet dhe qeveritë e vendit ta mundin. Për mendimin tim, shprehet Beqir Meta- kjo po frymëzohet nga faktorët e jashtëm, ashtu si duket edhe me qëndrimin e kishës me Nolin, që duket se ka një frymëzim jo vendas.
Sa i përket ngjarjeve të fundit me përdhosësit, ka një tendencë që nuk është vërejtur, por mendoj se shoqëria shqiptare do përplaset më fort në të ardhmen dhe ne duhet të luftojmë ndaj këtij fenomeni. Duhet bërë dallim nga Maqedonia dhe Kosova, ku risku i radikalizmit mysliman është më i madh, pasi është frymëzuar nga faktori shtetëror, kurse institucionet tona duhet ta shikojnë me kujdes dhe faktori qeveritar duhet të ketë më shumë vëmendje…”, përfundon historiani.
E ndërsa në Shqipëri kjo përdhosje e simbolikës kombëtare nuk po merret aq parasysh, ajo që ndodh me bashkatdhetarët tanë, e ka një rrënjë. Radikalizmi është përdorur ndaj elementit sllav, që ka qenë për hir të së vërtetës, tejet agresiv ndaj shqiptarëve.
Nga ana tjetër, përfshirja e shqiptarëve në Luftën në Siri dhe elementë që flitet se janë dhe në ushtrinë e ISIS-it, na bën të mendojmë se jemi afër një shqetësimi gjithnjë e më të madh. Përshirjes së elementëve të ndryshëm në pjesën më radikale të Islamit. Kurse indiferenca dhe lejimi i fyerjes sistematike të Skënderbeut dhe Nënë Terezës nga presidentët, kryeministra dhe akademikët, në trojet shqiptare po i paraprin edhe më hapur akteve të papërgjegjshme. Të mos harrojmë sesi e zhvendosën Skënderbeun vite më parë, nga kryeministria, thjesht që pala turke të mos shqetësohej! Apo interpretimet dashakeqe të disa studiuesve për Skëndërbeun në kohët e fundit. “Gjithkush është i justifikuar dhe në të drejtën e plotë të shpreh shqetësimin më të madh për dukuritë negative që janë shfaqur kohët e fundit në disa xhepa periferikë të islamit shqiptar. Sepse, këto dukuri janë më së pari shqetësuese pasi përfaqësojnë një devijim të panatyrshëm nga tradita e sipërpërmendur liberale dhe kombëtare e islamit shqiptar. Në këtë kuptim, nuk mund të ngjallin veçse neveri paraqitja, sjelljet, veprimet e disa individëve, të cilët mburren se “para se të jenë shqiptarë, janë myslimanë”. Këta individë, që sot u digjet zëmra të vriten në shkretëtirat e Arabisë për “xhihadin”, janë të njëjtët që në vendin e tyre, këtu në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni janë turrur kundër historisë, kundër simboleve e kundër vlerave të popullit të tyre: kundër historisë e kundër kulturës pagane dhe asaj kristiane, kundër Teutës apo kundër Skënderbeut, kundër Ismail Qemalit e kundër Nënë Terezës”, shprehet personaliteti Pëllumb Xhufi. Në një farë mënyre kambanat po ushtojnë për një rrezik, që nuk duket më aq larg.

Poshtërimi i figurave kombëtare, nga Skënderbeu me bisht tek „Tereza putanë“
Forumi i Rinisë Myslimane, rrënimin më të fundit të „putës së Terezës në Mitrovicë“, e shikon si një bekim hyjnor që ka ardhur nga qielli si shpërblim për popullin e vuajtur shqiptar!
Imami i xhamisë së Prishtinës fyen në xhemat Nënë Terezën!
Përfaqësues të “Shoqatës bamirëse islame” në Shkodër, të “Intelektualëve islamë” dhe të degës së Forumit Musliman Shqiptar, publikuan një deklaratë ku kundërshtonin vendosjen e përmendores së Nënë Terezës në një shesh në hyrje të qytetit!
Në qytetin e Kaçanikut, disa të rinj, godasin me shuplaka dhe e ofendojnë me fjalë të rënda Skënderbeun. Për ta, heroi kombëtar, Skënderbeu, është “qafir” dhe asgjë më shumë. Policia e Kosovës në rajonin e Kaçanikut, të martën e kësaj jave ka arrestuar J. V. 40 vjeç dhe A. B. 37 vjeç, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale nga neni 147 i Kodit Penal të Kosovës “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor apo fetar”.
Një bust 3 metra i lartë i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është gjetur në zonën Qafë-Kashar. Statuja, është konstatuar nga Artan Shkreli, i cili është shprehur për median se shtatorja “ishte gjysmë cjap , gjysmë njeri, madje kishte dhe bisht.”

Forumi i të Rinjve Myslimanë kërkon heqjen e “heronjve të Krishtërimit” nga sheshet: Skënderbeu që është hero i një vendi tjetër, Vatikanit, dhe nuk është hero i Kosovës, edhe pse Kushtetuta e Kosovës apo ligjet e saj nuk e njohin Skënderbeun si hero të Kosovës dhe shqiptarëve, policia dhe prokuroria e Kosovës duket se është bërë palë me anti-shqiptarët.

Beqir Meta: Një fenomen që duhet patur frikë“
“Ka një tendencë që nuk është vërejtur, por mendoj se shoqëria shqiptare do përplaset më fort në të ardhmen me radikalizmin dhe ne duhet të luftojmë ndaj këtij fenomeni. Duhet bërë dallim nga Maqedonia dhe Kosova, ku risku i radikalizmit mysliman është më i madh, pasi është frymëzuar nga faktori shtetëror, kurse institucionet tona duhet ta shikojnë me kujdes dhe faktori qeveritar duhet të ketë më shumë vëmendje…”.

Ferid Duka: Vandalët janë në minorancë

“Unë mendoj se është një minorancë e papërfillshme e përdhosve të simboleve, por jehona e bëmave të tyre është e madhe, pikërisht sepse këta që dëmtojnë, shpesh edhe nuk e dinë domethënien e veprimeve të tyre. Është për t’u shqetësuar gjithsesi dhe shteti shqiptar duhet të jetë shumë i vëmendshëm”.

Pëllumb Xhufi: Shteti nuk e ka luajtur garantin“
Si i shikoni shfaqjet e fundit të disa individëve myslimanë ndaj figurave simbolike? A mendoni se përbëjnë një lloj shqetësimi, në këtë kohë, kur po flitet për një lloj radikalizmi ndërkombëtar të tyre…
“Mendoj se kur flasim për disa dukuri shqetësuese në islamin shqiptar të ditëve të sotme, duhet më së pari të sqarojmë se këto janë shfaqur jashtë komunitetit mysliman shqiptar, jashtë institucioneve të këtij komuniteti, të cilat drejtohen nga njerëz të shquar për diturinë, përgjegjshmërinë, tolerancën dhe patriotizmin e tyre. Fjala është për grupe të vogla, që kanë ngritur kokë në marzhet e këtij komuniteti dhe që i referohen një modeli të islamit radikal arab. Janë produkt i punës…
…që po bëjnë prej vitesh e në mënyrë të pakontrolluar misionarë e pagatorë të dyshimtë nga vendet arabe, që kanë arritur të rekrutojnë grupe të rinjsh, të cilët jo rastësisht vijnë nga shtresat ekonomikisht më të varfra dhe kulturalisht më të prapambetura të shoqërisë shqiptare.
Së dyti, para se të flitet për disa të vërteta shqetësuese për islamin shqiptar sot, gjykoj se këtij i duhen njohur disa merita të mëdha historike, gjë që shpesh harrohet të bëhet, duke shkaktuar jo pak frustrime tek myslimanët tanë, qofshin praktikantë, jo-praktikantë apo laikë. Bashkëjetesa fetare, me të cilën mburremi dhe që shumë herë politikanët snob e hipokritë e përdorin thjesht dhe vetëm për euro-marketing pa kuptuar asgjë prej thelbit të saj, i detyrohet para së gjithash shpirtit liberal e ndjenjave kombëtare të myslimanëve shqiptarë, të cilët përfaqësojnë edhe sot shumicën e popullit shqiptar dhe për shumë kohë, nën “regjimin e vjetër” osman, kanë qenë edhe shtresa sunduese. Nëse tek myslimanët shqiptarë do të kishte mbisunduar fanatizmi fetar, në Shqipëri nuk do të kishte mbetur kishë në këmbë dhe ky vend do të kishte qenë vendi i netëve të Shën Bartolomeut, gjë që sigurisht nuk ka ndodhur. Përkundrazi, në shekujt XVI-XX kanë qenë myslimanët shqiptarë ata që kanë organizuar kryengritjet më masive, që tronditën bazat e sundimit osman dhe të vetë Perandorisë së Gjysmë-Hënës. Vetë Rilindja Kombëtare dhe modeli i një shteti shqiptar demokratik e me orientim qartësisht evropian, i detyrohet së tepërmi figurave si Sami Frashëri, Faik Konica, Dervish Hima apo Ismail Qemali, të cilët, veç të tjerash, sollën edhe një kulturë të re në marrëdhëniet ndërfetare, duke mos e ndarë asnjëherë veten nga vëllezërit e tyre të besimeve të tjera. Akoma më tej, askush tjetër më shumë se Sami Frashëri dhe se miku i tij, katoliku Pashko Vasa, nuk e kuptoi rëndësinë e krijimit të një shteti shqiptar modern, të një shteti laik të qytetarëve të lire e të barabartë, pa dallime race, feje e krahine, si garanci për progresin shoqëror, për harmoninë e brendshme dhe për unitetin kombëtar të shqiptarëve. Më në fund, Naim Frashëri, Faik Konica e të tjerë, ishin ndër të parët që sublimuan figurën e Skënderbeut, si një reference qendrore e historisë dhe e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve”.

Gjithsesi, mund të quhet shqetësim, në këtë kohë mbushur me lajme për shtrirjen e radikalizmit…
“Thënë kjo, gjithkush është i justifikuar dhe në të drejtën e plotë të shpreh shqetësimin më të madh për dukuritë negative që janë shfaqur kohët e fundit në disa xhepa periferikë të islamit shqiptar. Sepse, këto dukuri janë më së pari shqetësuese pasi përfaqësojnë një devijim të panatyrshëm nga tradita e sipërpërmendur liberale dhe kombëtare e islamit shqiptar. Në këtë kuptim, nuk mund të ngjallin veçse neveri paraqitja, sjelljet, veprimet e disa individëve, të cilët mburren se “para se të jenë shqiptarë, janë myslimanë”. Këta individë, që sot u digjet zëmra të vriten në shkretëtirat e Arabisë për “xhihadin”, janë të njëjtët që në vendin e tyre, këtu në Shqipëri, në Kosovë e Maqedoni janë turrur kundër historisë, kundër simboleve e kundër vlerave të popullit të tyre: kundër historisë e kundër kulturës pagane dhe asaj kristiane, kundër Teutës apo kundër Skënderbeut, kundër Ismail Qemalit e kundër Nënë Terezës. Rekrutët e këtij lloj islami të importuar, intolerant e agresiv, u bënë të gjallë qysh në fillim të viteve ’90, kur gërryen me gozhdët e urrejtjes afresket e kishës shekullore të Shën Kollit në Voskopojë, kur u ngritën kundër restaurimit të kishës katedrale të Shën Stefanit në kështjellën e Rozafës, në Shkodër apo kur anatemuan Skënderbeun, Nënë Terezën dhe lavdi të tjera kombëtare.”.

Si e shikoni rolin e shtetit në të gjithë këtë hulli? A mendoni se duhej që të ishin më të kujdesshëm në të gjithë këtë hulli?
“Një përgjegjësi e madhe për dukuri të tilla i takon shtetit, i cili edhe në fushën e marrëdhënieve fetare dhe ndërfetare nuk e ka luajtur rolin e garantit dhe të moderatorit. Shkolla, libra, parà të pakontrolluara kanë hyrë në këta 23 vjet në Shqipëri, shpesh për të inkurajuar veprimtari antikushtetuese. Të jemi të qartë, kjo nuk vlen vetëm për besimin mysliman, por edhe për besimet e tjera. Për fat të keq, feja dhe institucionet fetare në Shqipëri sot drejtohen në një masë të madhe nga individë, nga mendje dhe nga vullnete të huaja, gjë që bie ndesh me historinë, me traditën dhe me vetë statutet e komuniteteve fetare. Mos harrojmë, se ndër klerikët e huaj që veprojnë sot në trevat shqiptare, qofshin këta myslimanë, ortodoksë, katolikë apo protestantë, ka të tillë që nuk e trajtojnë Shqipërinë si vendin e paqes, të tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, por e shohin atë si vendin ku mund të ushtrojnë aftësitë e tyre proselitike, duke u përpjekur “të rekrutojnë” secili në aradhat e besimtarëve të vet, individë apo grupe individësh që i përkasin besimeve të tjera. Për fat të keq, nën presionin e klerikëve të huaj dhe të qarqeve politike që i mbështesin ata, ideja e “proselitizmit” apo e kthimit të fesë është përfshirë edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit, në mënyrë shumë korrekte, sanksionon të drejtën e gjithësecilit për të besuar në fenë që dëshiron ai vetë. Por në mënyrë aspak korrekte, po kjo Kushtetutë, si asnjë Kushtetutë tjetër në botë, e quan me vend të shkojë më tej duke sanksionuar edhe të drejtën e gjithë secilit “për të ndërruar fenë”. Shumëkush, midis tyre edhe unë vetë, e konsiderojnë të tepërt një “specifikim” të tillë. Por ka të tjerë, fetarisht më të ndjeshëm, që e konsiderojnë atë provokativ. Nuk po zgjatem ta shtjelloj më gjatë këtë pikë, por po mjaftohem të potencioj idenë se në sjelljet e shtetit dhe të shtetarëve vihen re herë-pas-here edhe devijime nga qasja rreptësisht laike, që përcaktohet nga Kushtetuta e vendit. Nuk është për t’u çuditur që politikanë të këtij kallëpi, me sjelljet e tyre shkelin me këmbë çdo ditë parimin e laicizmit të shtetit shqiptar, të ideuar nga Rilindasit tanë dhe të sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Në mënyrë të pashmangshme, me sjelljet, me veprimet dhe shpesh herë edhe me mosveprimet e tyre, ata ndikojnë edhe në prishjen e balancave delikate midis komuniteteve të ndryshme fetare, gjë që ka rolin e vet në lindjen e pakënaqësive, e ndjenjave të frustrimit dhe, më në fund, në radikalizimin e grupeve fetare, siç është rasti i grupeve islamike të shfaqura kohët e fundit”.

Dhe roli i publikut në këtë rast, përballë këtij realiteti…

“Qytetarët shqiptarë, besimtarë apo jo-besimtarë, i kanë shprehur hapur pakënaqësitë e tyre ndaj sjelljeve të politikës në raport me të drejtat dhe detyrimet e komuniteteve fetare. Ata kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të ndalur ata klerikë myslimanë që besojnë se tërheqin besimtarë dhe se i japin “vulën fetare” qytetit të tyre, duke u prishur gjumin çdo mëngjes e pa dallim, si myslimanëve, ashtu edhe të krishterëve dhe ateistëve; qytetarët e ndërgjegjshëm shqiptarë nuk ka si të mos gjykojnë negativisht sjelljen e organeve shtetërore, kur ato i mohojnë për vite të tëra komunitetit mysliman të drejtën për të patur tempullin e vet në Tiranë, ndërkohë që ia kanë njohur prej vitesh këtë të drejtë komuniteteve të tjera; qytetarët shqiptarë e kanë mirëpritur reagimin e vendosur të shtetit ndaj grupeve ekstremiste islamike dhe veprimtarive të tyre antikushtetuese. Por ata nuk mund të kuptojnë e të miratojnë mosveprimin e shtetit ndaj shfaqjeve të tilla radikale e antikushtetuese, kur në to përfshihen qarqe fanatike të krishtera. Këtu nuk është çështja se cili “radikalizëm” është më i rrezikshëm. Problemi qëndron në faktin, se shkeljet dhe ekseset në njërin krah, pasqyrohen menjëherë në shkelje dhe eksese në krahun tjetër. Prandaj shteti duhet të jetë sa i ftohtë, aq edhe i balancuar në marrëdhëniet me komunitetet fetare. Në radhë të parë, duhet t’i rregullojë me ligj ato marrëdhënie, ku të përcaktohen të drejtat, por edhe detyrimet e komuniteteve në fjalë. Shenjtorët janë vetëm në qiell. Në tokë, të gjithë njerëzit, përfshi edhe njerëzit e fesë, mund të jenë sa të virtytshëm, aq edhe mëkatarë. Si të tillë, mund të ndikojnë për mirë në mirëqenien shpirtërore, në harmoninë dhe dashurinë mes njerëzve, por mund të ndikojnë edhe për keq. Edhe kjo ka ndodhur. Edhe kjo po ndodh”.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen