Fjala e redaktorit, Daniel Gazulli (tash ma i ndjerë), për librin e poezive të autorit Xhenc Bezhi, „Krushku Mërgimtar“.

Analiza & Komente | Rrezore | 24.08.14 | 20:51

Daniel Gazulli – Brengë e mallë

Të gjithë e dijnë, edhe fëmijtë e shkollës, çfarë asht qendra e gravitetit në
gjithësi. Por ja që për mërgimtarin ligjet e fizikës humbin çdo vlerë: Për ta qendra e
gravitetit asht Atdheu, Dardania e lashtë, Arbnia, ndër ma të lashtat në këtë kontinentin që quhet Europë, dhe e fundit e çlirueme prej robnisë barbare. Ajo përthithë gjithçka: mendimet, brengat, andërrat, shpresat, mallkimet, dallgët e shpirtit, kangën e kangëve. Mëgimtari, ndoshta deri në caqet e së pabesueshmes, edhe kur gjendet në Australi, Amerikë, Greqi, Norvegji apo Austri, si Autori ynë, ndjehet edhe fizikisht atje, në Vendlindje, ku ligjërohet në gjuhën amtare, ku vajtohet me ligje të tjera, shpesh të lashta sa vetë ky popull. Atij do t’i dukej se do t’i mungonte edhe ajri të mos e ndjente veten Atje.

E kam pyetë veten: Përse tek poezia e Bezhit mungon lirika e mirëfilltë, tue e dijtë se ai vjen prej një treve ku lirika në shekuj i ka pasë të rralla shoqet? A nuk ka vend për pak lirizëm edhe kur je në dhé të huej? Natyrisht që ka.
Por jo, Xhenc Bezhi, që e ka lanë “Jakovën e tij” prej 18 vjetësh, nuk çlirohet dot as sot nga brenga e as nga malli; nga brenga, pse edhe e çlirueme, në Kosovën e tij jo gjithçka shkon si patën andërrue Atdhetarët; nga malli, pse vitet jo vetëm nuk ta fashisin atë, por ta shtojnë përditë e ma shumë. Ja, ky asht lajtmotivi i poezisë së tij: brengë e mallë për Kosovën.

Në skenën dardane,
në djepin e shqiptarisë,
vallëzojnë,
këndojnë
e flasin shqip.
Andrrat e mija –
s’njohin kufi.

Ai asht atje, “në skenën dardane”, edhe kur merr metronë, edhe kur kthehet i lodhun nga puna, edhe kur shëtit me të birin, moshatar me mërgimin e tij, nga i cili pret një fjalë po prej aq vitesh, pse Zoti nuk desht t’i jepte gojë, po ia kompensoi me një dashuni përtej kufijëve të fjalës, aq sa:

në belbëzimet tueja –
përpjekjen
të më thuesh një fjalë:

e që janë belbëzime, bebzë e një shpirti të madh, që kompenson ate që i la mangut
natyra.
Autori, natyrisht, nuk asht ma ai 30-vjeçari që një ditë të vrantë plumb la “Jakovën e tij”. Kontakti me botën ka ndryshue shumëçka tek ai. Ato rrobat e pakta të mërgimit të parë ka vite që kanë dalë nga valixha e vetme e bagazhit, janë tretë, janë harrue, por aty ka ngelë, e do të ngelë përgjithmonë, e patretëshme, shpresa e kthimit një ditë.

Prandaj:
Nga rrajët e shpirtit
shpërthen
llav’ e mallit
në vargje shndrrue.

Malli bahet edhe ma i vrazhdtë prej shqetësimit. Ai asht i vetëdijshëm se atje, në
“Jakovën e tij”, në Kosovën e mallit e të brengave të tij, në Dardaninë e lashtë,
ndeshen frikshëm mendësi e botë të kundërta

Me Lindjen
përdredh perçën,
me Përendimin kryet si nusja
në vitin e parë te martesës.

Në katër vargje gjen ngjyrat e ylberit të Kosovës, që asnjë piktor nuk i hedh dot në
telajë. E ai, si bir i dhimbshëm (cili poet nuk asht i dhimbëshëm?), i lutet:

Mos e ushqe
mjekrrën
me pluhun Sahare,
se harron gjuhën,
emnin
dhe gjakun,
Jakova ime.

E ka të drejtë, sakohëqë, atje

… larg në Evropë
ninulla shqipe u këndohen
prap nipave të tu.

kurse ty po ta përmiellë mjekrrën pluhun i vnertë i Saharasë.
Poeti nuk ka mëdyshje, nuk gjen qoftë edhe një varg të tij të mlleftë ndaj vendit që i
asht ba strehë; kohët kanë ndryshue, asht shekulli i një forme të re bashkëjetese
multietnike e multiraciale, megjithate ai ndjehet

i vetmuem –
me kaq shumë shokë pranë
të shekullit të ri
udhëtarë.

Atje, në dhé të huej, shqetësimi i tij arrin herë-herë gati në krizë kur mëson se si
shkojnë punët në Atdhe, prandaj i drejtohet vetë Zotit:

Ati ynë, që je në qiell,
zbrit një herë edhe ne tokë
.
(Se jemi na që të kishim harrue, Ati ynë. Se jemi tjetërsue asisoji, sa kemi nevojë me të pa e me të prekë. Secili prej nesh ka në vetvete diçka prej Shën Tomës, duem të besojmë, por na brejnë liksht njëmijë dyshime).
…………………………..
Zbrit në tokë e folna shqip,
na jep paqë edhe bekim ….

Edhe zemrimin Poeti ynë e ka fisnik: Ai nuk bahet gjykatës i askujt, thjeshtë kërkon
“paqë dhe bekim”.

Ndeshja me Poetin Xhenc Bezhi, me poezinë e tij, ka qenë për mue një befasì e
kandëshme. “Sa mirë! Sa mirë!” – thash me vete – “Thuret ende poezi e sinqertë,
njerëzore, pa zhurmë, pa gjoksrrahje, pa urrejtje e smirë, pa babëzitje, pa atë vesin
shkatrrues të poezisë që po ndeshim gati përditë tek një lloj poezie e ashtuquejtun
“moderne”; në vargjet e tij ka bardhësi, freski e pastërti, si në ujvarat që zbresin prej Sharrit.

Xhenci do të vazhdojë të jetojë në Austri, larg “Jakovës së tij”, po poezia e tij po
kthehet si një mesazh i bukur në Dardani, atje prej nga e ka marë frymëzimin – mirënjohje e blatim Vendlindjes

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen