Nëna jonë Terezë, ndërmjet dy ditëlindjeve: për tokë e për qiell.

Histori & Fakte | Zef Prenka | 02.09.14 | 22:54

Kathryn Spink, fragment nga “Mision dashurie”

Sot, një fragment nga “Mision dashurie”1, vepër e Kathryn Spink, botuar më 1997 e ribotuar tri herë. Është një nga jetëshkrimet më të lexuara të Nënë Terezës, miratuar nga vetë e Lumja. Zgjodhëm, për sot, fragmentin e titulluar “Boshllëku shpirtëror në Perëndim”.

image“Kur e takova për herë të parë Nënë Terezën, nuk arrita ta kuptoj pse kishte frikë që vëmendja e mjeteve të komunikimit mund të fokalizohej tepër mbi varfërinë e Indisë, duke harruar gjëra shumë më të rëndësishme. Kishte nisur të shtegtonte nëpër botën perëndimore. Kishte vizituar Londrën, e shoqëruar nga Simon Community (organizatë që ndihmon të pastrehët). Kishte parë lokalet me drita të kuqe, qendra të prostitucionit, në Soho e njerëzit që flinin nën strehët e skelave të Kishës San Martin’s in the Fields, kishë në qendër të Trafalgar Square. Ndërsa ecte ndërmjet të alkoolizuarve e shitësve të drogës, një i ri i veshur me sqimë, kishte marrë një dozë vdekjeprurëse në sytë e saj, duke e sqaruar se dëshironte të vdiste, sepse e ëma nuk e donte. Pa me sytë e saj varfërinë e tmerrshme të perëndimit, zbraztësinë shpirtërore, vetminë, krizën e familjes që, për të ishte problem shumë më i vështirë, se mjerimi fizik i së ashtuquajturës botë e tretë. Duke pasur parasysh pamjet e mjerimit material të Indisë a të Afrikës, që më kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt, nuk doja që libri im të ndalohej shumë mbi aspektet e mjerimit perëndimor. Më dukej më e arsyeshme ta merrja për dore lexuesin e ta ndihmoja të njihte të varfrin e vendit të vet, atë që e ka në prag të shtëpisë së vet, në gji të familjes së vet. Pa kërkuar shumë rrugëve e rrugicave, viseve e kontinenteve…
Por me që varfëria ka njëmijë fytyra, m’u desh të gërmoj edhe në jetën e të pasurve, të njerëzve të pushetshëm, për të parë me sytë e mi, ndonëse jo për herë të parë, mjerimin e saj. Ndërmjet mundësive, që m’u krijuan pas botimit të librit kushtuar misionit ndërkombëtar të Nënë Terezës, mora ftesën të shkruaj skenarin për një film mbi jetën e saj. U mundova që skenari t’i qëndronte sa më besnik fakteve. Po kur prodhuesit më të mëdhenj të filmave e lexuan, më kërkuan të bëj ndryshime themelore. Shpjegimi i Nënë Terezës se gjithçka që bënte, e bënte nga dashuria për Jezusin, nuk u shkonte për shtat këtyre njerëzve. Donin ta shndërronin në një personazh, që nuk kishte të bënte fare me Nënë Terezën. Financuesit e filmit nuk e kuptonin, ashtu si nuk arrijnë ta kuptojnë as sot e kësaj dite shumë njerëz të tjerë që merren me jetën e Nënës, se ajo nuk kishte kurrfarë “plani të fshehtë’. Aq më pak e kuptonin, e e kuptojnë, si ish e mundur që Nënë Tereza ta shikonte pasurinë e pushtetin e tyre, si forma më e rëndë e varfërisë. Shumë më e shëmtuar se ajo e trupave skeletike që, nga ekranet, i drejtonin njerëzimit një mesazh rrënqethës.
Atëherë e kuptova pse Nënë Terezën e shqetësonte ajo, që donin të realizonin prodhuesit me jetën e saj. Për fat më pas erdhi Dominik Lapierre e arriti të realizojë filmin prekës “Qyteti i gëzimit”. Filmi i tij ia hapi sytë botës, jo vetëm për të parë kushtet e tmerrshme të jetesës në lagjet e varfra të Kalkutës, por edhe frymën e humanitetit të njerëzve, që i popullojnë, njerëz që dinë të ndajnë bashkë atë pak që kanë, duke dëshmuar epërsinë e pasurisë shpirtërore, mbi atë materiale të njerëzve, që e kanë humbur shpirtin. Solli një mesazh jete, përballë mesazhit të vdekjes, mesazh shprese e gëzimi, përballë mesazhit të zbraztësisë shpirtërore, që sundon mbi botën e pasur.
Arriti, kështu, çasti, kur Nënë Tereza më ngarkoi detyrën të shkruaj një libër për lidhjet e saj me bashkëpunëtorët e sëmurë e të vuajtur.
Pas vdekjes së saj dhe botimit të biografisë sime të autorizuar, nisën të më pyesnin shpesh ç’gjë më kishte lënë më shumë mbresë nga takimet me Nënë Terezën: më ka lënë më shumë mbresë shkrirja e saj në Korpin e Krishtit, që erdhi t’i çlirojë gjithë njerëzit, jo vetëm ata që jetojnë sipas shembullit të Tij, por pikërisht të gjithë, njerëzit e çdo race, të çdo klase shoqërore e të çdo kombi. Çdo shpjegim tjetër për veprimtarinë e Nënë Terezës, i bie ndesh figurës e veprimtarisë së saj.
1 Rusconi, Milano, 1985

Radio Vatikani

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen