Fillet e arsimit shqip, kontributi i klerit katolik dhe i SH.B.A-së

Histori & Fakte | admin | 04.11.12 | 09:57

Sami Frashri në librin “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, kur flet për modelin qeverisës bazuar në kuvendin e burrave të Veriut dhe të Kosovë, hedh idenë e nevojës së universitetit për shkenca të ndryshme dhe të universitetit të marinës në Vlorë, duke i quajtur gjithëmësonjëtore kjo ishte endërra e rilindësve dhe e brezave të tjerë që deshën të shikonin Shqipërinë të kulturuar dhe të emancipuar.

Pak histori. 

Cili ka qenë kontributi i Klerit Katolik Shqiptar në ngritjen e arsimit, të kulturës në Shqipëri si dhe lidhjet e Vatikanit me Shqipërinë?

Historia e kombit tonë është histori 2000-vjeçare Krishterimi. Ilirët përqafuan të parët Krishterimin, që në shekullin e parë pas Krishtit. Kombi shqiptar ruajti me besnikëri e krenari për 2000 vjet fenë e krishterë, gjenezën etnike: zhvillimin e gjuhës, shkrimit dhe letërsisë shqipe, zhvillimet e artit dhe kulturës muzikore: zhvillimet studimore-shkencore, politike si kombi më i vuajtur dhe më i shtypur në Ballkan.

Alfabeti, gjuha dhe arsimi 

Në fushën e arsimit u dallua qyteti i Drishtit (afër qytetit të Shkodrës,) që në shekujt IV-XV, ku organizoheshin shumë kurse tradicionale të vendeve evropiane perëndimore. Mësuesit ishin klerikë. Një pjesë e tyre emigronin në qytetet dalmate, ku shërbenin si priftërinj dhe si mësues. Si vepra e parë e shkruar shqip është “Formula e Pagëzimit” e peshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit (1462). Në alfabetet e shumta të gjuhës së shkruar shqiptarët zgjodhën alfabetin latin ndër alternativat e alfabeteve fenikas, grek, jonian, arab, ciriliket, hieroglifë dhe të tjera, ku sot nga 2976 gjuhë, që ka dhe flet globi tokësor, tre të katërtat përdorin këtë alfabet (pra atë latin).

Kryepeshkopi i Tivarit Guliem Adami, në vitin 1332 do të shprehej se shqiptarët ndonëse kanë gjuhë më vete dhe ndryshe nga gjuhët latine, megjithatë në marrëdhëniet e përditshme, në të gjithë librat e tyre, përdorin shkronjat latine. Si libër i parë deri tani në gjuhën shqipe njihet “Meshari” (1555), i Gjon Buzukut. Vlerësohet edhe poezia dhe përkthimet e Lekë Matrëngës. Poeti i parë konsiderohet Pjetër Budi (1665) me 30 mijë vargje origjinale të shpërndara në veprat e tij të përkthyera. Pjetër Bogdani (1685) la disa fragmente të mrekullueshme poetike. Frang Bardhi (1635) u bë i njohur në letërsinë e kohës. Pjetër Zarishti (1806) ishte i njohur si leksikograf. Në vitet “30 të shekullit të kaluar u bënë të njohur dhe rrëfyes të art të shqipes, si Mjeda, Fishta, Migjeni e deri në kohët tona të vona, Martin Camaj.

Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), dhe politika e tij Pro-perëndimore në shekullin e XV-të. 

Një kontribut të jashtëzakonshëm, ka dhënë në mbrojtjen e krishterimit dhe vlerave të qytetërimeve evropiane në shekullin e XV-të, heroi ynë kombëtar Skënderbeu. Gjergj Kastrioti lidhi marrëdhënie të mira me papatin. Në vitet 1444-50 Evropa e shihte si aleat të natyrshëm. Ishte i vetmi diplomat, i cili e ndërroi tre herë fenë. U propagandua në Evropë si “Mbrojtës i Krishterimit”, “Kapiten i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”. Lidhje të ngushta mbajti me Papa Kalistin II dhe Piu II. Marrëdhënie miqësore lidhi me mbretërinë e Napolit, po ashtu pati shumë marrëdhënie miqësore më Huniadin e Hungarisë. Pas 1463 përmirësoi marrëdhëniet me Venedikun. Lidhje tradicionale kishte me Milanon e qytete të tjera në Burgerdinen, me sundimtarin e Karamanlisë, deri në Azi. Vlerësime i dërgoi në një letër Papa Kalisti III-të: “Ne bir i dashur,-do shprehej ai,- kemi pasur gjithmonë mendime shumë të mira për fisnikërinë tënde dhe e kemi ditur se me duresë dhe trimëri u ke qëndruar në ato anë i vetëm turqve të egër, që në shumicë të madhe shpërthejnë në tokat tuaja për të shkatërruar besnikët e Krishtit. Emri yt i lumtur është i përhapur në të gjithë popujt katolik, për të gjithë këtë punë të mira që ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera. “Ndërsa Senati i Venedikut më 4 shkurt 1468 me një vendim të posaçëm me rastin e vdekjes së Skënderbeut shprehej: “Vdiq i Madhërishmi, i ndjeri Skënderbe. Me vdekjen e tij i gjithë ai vend ka rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe”.

Edhe pas vdekjes së At’hletit të Krishtit (siç e quanin Skënderbeun aso kohe), marrëdhëniet mes Klerit Katolik shqiptar dhe Vatikanit vazhduan pa ndërprerje. Me ndihmën e Vatikanit për herë të parë në Shqipëri, më 1638 u çel shkolla e parë fillore e Planës në Lezhë me drejtor P. Jacinti e Sospitello. Sipas dokumenteve të Venedikut, këtu mësuan mësimin e letërsisë edhe 5 nxënës të jashtëm, pra logjikisht kuptohet se mund të ketë pasur dhe konvikt. Në 1639 u çel shkolla e Blinishtit po në Lezhë me drejtor P.Karl Mirandlanus O.F.M me 50 nxënës. (Burimi: Orbis beraphicus T.II.C.N.50 Vatikan). Në 1698 Filipi nga Shkodra hapi një shkollë private për fëmijët e tregtarëve dhe pasanikëve. At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës, më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm na” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e Shkodrës”. Për të parën, thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edëin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632, një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe”(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”. Shkollat ishin fetare, katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet, ai u organizua me nismën, e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin shqip Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”. Kjo shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë. Sipas këtij autori, “një risi shkencore në Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në Ballkan”. Ky observator, thekson Zhak, “i vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist”. Shkolla e parë e lartë shqipe daton të paktën vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji i Shën Françesk Savierit, që pajiste me njohuri tregtare e teknike 400 studentë. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë.

At Donat Kurti ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbas të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet, shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563. Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit sipas gazetës “Pasqyra”, datë 24 dhjetor 2003, dhe revistës “Diplomacia”, mars 2003.

Rritja e interesit për gjuhën shqipe dëshmohet nga botimi i gramatikës më të hershme shqipe, të shkruar në latinisht nga Andrea Bogdani (1600-1683), ungji i Pjetër Bogdanit. Shkollat e hershme katolike. Shkolla e parë e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velje të Mirditës më 1632. Një tjetër shkollë mjaft e hershmë ishte hapur në Kurbin më 1632. Franceskanët thuhet se kishin ngritur shtypshkronjën e parë në Shkodër që në vitin 1593. Këto shkolla katolike në Shqipërinë veriore mbaheshin kryesisht me fondet austriake. Për 350 vjet qyteti u bë i famshëm për shtypshkronjën, të themeluar më 1720, e para në Ballkan pas asaj të Kostandinopojës. “Akademia e Re” u formua në vitin 1744 në Voskopojë. Akademia e re pati ndikim të fuqishëm në zhvillimin e gjuhës letrare shqipe dhe të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Thesaret letrare të zbuluara në Berat. Libri i parë, i famshmi “Kodex Purpureus Beratinus”, përmban ungjijtë e Mateut dhe Markut, që pretendohet të jenë shkruar nga vetë Gjon Krisostomi (347-407) në kishën bizantine. Më 1866 në Kostandinopojë u botuan veprat e Apostujve në dialektin gegë të shkruajtura me shkronja latine. Qiriazi, në bashkëpunim me motrën e tij Sevastinë, hapi shkollën e parë shqipe për vajza në Korçë më 15 tetor 1891. Gjithashtu, shkollës “Qiriazi” iu dha emri i ri Shkolla Amerikane. Të gjithë shqiptarët e veriut dhe të jugut, qoftë katolikë romanë, ortodoksë grekë, myslimanë apo protestantë, ishin të vendosur të bashkoheshin në një komb të vetëm, duke përhapur gjuhën amtare të përbashkët: shqipen. Mbi bazën e Sami Frashërit “një tingull për një shkronjë dhe një shkronjë për një tingull”, ata hartuan një alfabet fonetik prej 36 shkronjash. Temat kryesore të poezive të tij ishin patriotizmi, natyra, ndershmëria, besa, ngjarjet historike, mashtrimi dhe Perëndia. Shkolla e parë u hap më 7 mars 1887. Aty ishin rreth 200 nxënës, ata mësonin turqishten e shqipen dhe në 1888 u fut edhe greqishtja. Pandeli Sotiri gjeti vdekjen më 1892, gjoja “I hedhur nga dritarja e katit të tretë nga një fanatik ortodoks grek”. Kur Petro Nini Luarasi u bë drejtor i shkollës e paralajmëruan se do ta vrisnin dhe ai u përgjigj: “Vramëni, por gjakun ma mblidhni, sepse do t’u duhet fëmijëve tuaj që të shkruajnë gjuhën e mëmës”. U mbyllën gjitha shkollat shqipe në vend, me përjashtim vetëm të Shkollës Shqipe të Vajzave, e cila falë lidhjeve të saj me protestantët amerikanë, gëzonte njëfarë imuniteti. Kleri ortodoks grek dhe nënpunësit turq kishin rënë në ujdi për ndalimin e literaturës shqipe. Një vajzë thotë: “S’jemi grekër as bullgarë, as gjë tjetër nuk jemi, jemi vetëm shqiptarë, ne këtë emër nder e kemi.  Në vitin 1900 ata e bindën qeverinë italiane që të hapte një katedër të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Universitetin e Napolit. Kurse në qershor 1903 italo-shqiptarët mbajtën në Napoli kongresin e tyre vjetor të katërt, në të cilin u diskutua formimi i një federate, që do të bashkonte të gjitha shoqëritë, dhe inkujarimi i mëtejshëm i botimeve si mjet për të bërë të njohur identitetin e Shqipërisë.

Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare nga Dukagjini, ngriti në Romë në sheshin Shën Pjetër një katedër për gjuhën shqipe, ku përgatiteshin mësues për Shqipërinë (me mësues shqiptar dhe Italian), më 20 prill 1711. Kjo periudhë përkon me shfaqjen e shqipes më 1777 në gjimnazet e Rusisë, në Sankt Petërburg dhe Novorrisisku. Pra, shqipja mësohej, shkruhej, këndohej 100 e ca vjet më parë shkollës së Korçës, në kohën e Careshës së Rusisë, e Katerinës së Madhe. Në 1716 shkruhet gramatika e parë shqipe nga P.Françesk M.D. Botime të tjera kemi në vitet 1732, 1752, 1842, 1858, 1862, të cilat ruhen sot e kësaj dite në arkivat e Vatikanit. Në vitin 1829 u hap shkolla fillore në Tiranë dhe tre vjet më vonë gjimnaz. Sipas burimeve amerikane, në vitin 1861 hapet në Shkodër shkolla e parë, e njohur për përdorimin e gjuhës shqipe në kohët moderne. Në 1879 krijohet shoqëria për botimin e shkrimeve shqip, e përbërë nga shqiptarë katolik, myslimanë dhe ortodoks në Kostandinopojë (Stamboll). Në vitin 1892 kemi shkollën e Shkupit në gjuhën shqipe për djem dhe shkollën e Shirokës, ndërsa shkollën e Selcës në vitin 1893 me 50 nxënës. Po këtë vit u hap edhe shkolla e Hotit. Shkolla e Troshanit u çel nga Pjetër Xhadri në vitin 1897 e përsëri në Pllanë më 1868 nga Ndoc Mjeda dhe në 1904 nga Tom Bicaj. Në vitin 1907 Shtjefën Gjeçovi hap shkollën në Gomsiqe. Në vitin 1900 kemi dhjetëra shkolla si në Bizë, Iballë, Rrëshen, Orosh, Milot, Dajç, Kallmet, Spaç, Kashnjet, Nedhat, Shirokë etj. Në këto shkolla mësonin priftërinj, fretër dhe civilë në gjuhën shqipe. Në këtë kohë françeskanët kanë pasë 17 shkolla katundi. Në vitin 1879 motrat stigmatine çelën shkollën e parë fillore për femra. Në kujtesën arsimore kanë mbetur emrat e mësuesve Kush Micja, Tone Radoja, Terezë Bërdicjadhe Tina e Nikës. Në vitin 1885 në Prizren dhe Shkup u çel shkolla e parë e femrave. Vetëm deri në vitin 1911 katolikët kanë pasë në kohë të ndryshme 47 shkolla shqipe. Në veprën monumentale kulturore të Klerit Katolik zënë vend edhe shtypshkronjat. Më e vjetra shtypshkronjë është ajo e Obotit në vitin 1493 dhe ajo e Shkodrës e vitit 1563. (Burimi Narodinia Enciklopedia S.Z.Zagreb 1929). Në vitin 1871 jezuitët sollën në Shkodër shtypshkronjën e parë, me të cilën shtypën mbi 30 vepra deri në 1892. Në vitin 1908 intelektualët shqiptarë takohen në Bitola, zgjedhin dhe vendosin përfundimisht alfabetin latin dhe jo atë arab, as cirilik. Në vitin 1909 Dom Ndoc Nikaj sjell me shpenzimet e veta shtypshkronjën “Nikaj” që botoi 5 vepra në gjuhën shqipe, deri në vitin 1922. Në vitin 1913 Terenc Toçi me shtypshkronjën “Taraboshi” në Shkodër boton 112 vepra në gjuhën shqipe. Pra, pjesa e veprës kulturore e Klerit Katolik shqiptar, që zë fill që nga “Meshari” i Gjon Buzukut, shtypshkronjë Obotit dhe natyrisht shkolla e parë shqipe, ajo e Pllanës e vitit 1638 kanë vlera të pazëvendësueshme në historinë e popullit shqiptar. Në shekullin e XX-të kombi shqiptari i dha krishterimit dhe civilizimit perëndimorë shenjtoren nobeliste (1979), Nënë Terezën (Anjeza Gonxhe Bojaxhiu). Pas vizitës së Papë Gjon Palit II-të në Shqipëri në vitin 1993 Vatikani u interesua për hapjen e një Universiteti Katolik në Shqipëri.

Një vështrim historik mbi kontributin e Sh.B.A-së në arsimin shqiptar

Në fillim të shekullit XX, President i SHBA-ve Uillson shpalli parimin e mbrojtjes së popujve të vegjël dhe të solidaritetit me këto popuj për nxjerrjen e tyre nga apatia shekullore. Qëllimi i tij fisnik drejt paqes universale, e bëri atë të mbrojë kombin shqiptar në Konferencën e Paqes më 1919. Uillson ishte shprehur në Amerikë se një “zë” do të kem në Kongresin e Paqes dhe atë do ta përdor në të mirën e Shqipërisë. Uillsoni duke mbrojtur liritë kombëtare të popujve të Ballkanit në këtë Konferencë do të shprehej për Shqipërinë: “Qeveria amerikane është aq shumë kundër çdo vendimi që dëmton shqiptarët, për të kënaqur jugosllavët si do të kundërshtonte edhe çdo orvatje për të dëmtuar jugosllavët, në favor të Italisë”. Krahas kësaj ndihmese me rëndësi historike për fatet e Shqipërisë, Amerika kishte filluar ta ndihmonte Shqipërinë me ndihma dhe në arsim dhe kulturë që në fillim të shekullit të XX-të.

Në tetor të vitit 1891 Sevastia dhe Gjerasini Qiriazi të specializuara në shkollat amerikane hapën në Korçë shkollën e parë për vajza, ku mësoheshin këngë, vjersha, lojna përmendësh dhe ca nga këto luheshin në skenë.

Në shkurt të vitit 1919 arriti në Shqipëri njësia e parë e Kryqit të Kuq Amerikan (AKK), Misionar dhe kapiten ishte Caris Telford Erikson. Erikson erdhi në Shqipëri në vitin 1908-13 për herë të parë, si misionar dhe luajti një rol të rëndësishëm në jetën publike në Shqipëri. Ai ishte përfaqësuesi nderi në Konferencën e Paqes në Paris. Është i pari që hodhi idenë e themelimit të një Universiteti të madh për Ballkanin, të organizuar në Amerikë. Ky universitet do të kishte të gjitha degët e nevojshme për arsimimin e të rinjve ballkanas. Ky plan në thelb utopik, duke pasë parasysh kushtet politike në Ballkan, u bë realitet më vonë, në një formë shumë më të thjeshtë, nëpërmjet veprimtarisë arsimore të amerikanëve në Shqipëri.

Deri në fund të vitit 1920, KKA në Shqipëri organizoi tri shkolla në Tiranë, Elbasan dhe në Shkodër. 

Në vitin 1921 ORKKA (Organizata e Rinisë së Kryqit të Kuq Amerikan) u angazhua për shkollën fillore dhe teknike të mesme në Tiranë. Ideja i përket Xhon I. Skalës anëtar i ORKKA, kurse J.E.Kroli, drejtor i ORKKA bëri përzgjedhjen e nxënësve. Nga 62 nxënës, 11 ishin nga Shkodra, 6 nga Korça, 3 nga Elbasani, 10 nga Durrësi, 4 nga Berati, 8 nga Vlora, 9 nga Kosova, 11 nga Gjirokastra, zyrtarisht 43 myslimanë, 13 orthodhoks, 6 katolik. Shkolla Teknike u hap me 20. 07. 1921. Mësuesi i parë dhe drejtor ishte C.A.Holinshet, pastaj Xh.Majuer, inxhinier amerikan. Mësues shqiptar ishin Hysen Hivziu, inxhinier Li Cungu, i cli kishte mbaruar Robert Kolegjin në Stamboll. Nxënësit jetonin në konvikt dhe shpenzimet përballoheshin nga ORKKA, më vonë pas 1923 ndihmoi qeveria shqiptare. Gjatë viteve 1925-1926 rreth 150 nxënës vazhduan këtë shkollë. Në fillim të vitit 1924 u propozua për themelimin e një kolegji shqiptaro-amerikan për bujqësinë, në përputhje me metodat shkencore të kohës. Degët kryesore do të ishin ekonomia dhe industria. Do të kishte dy ndërtesa, njëra për vajza dhe tjetra për djem. Pas shumë diskutimesh më 1924 u themelua në Kavajë shkolla bujqësore amerikane, shkolla për vajza u hap një vit më vonë po në Kavajë, me kërkesë të Presidentit Ahmet Zogu.

Në këtë kohë, suksesi i shkollës teknike i drejtuar nga Hari Fullsi u ngrit në majat më të larta. Sukses i shënuar ishte ngritja e ndërtesës së ambasadës amerikane në Tiranë, punimet e të cilës i drejtuan nxënës të kësaj shkolle. Në vitin 1928 në Shkollën Teknike të Tiranës u regjistruan 95 nxënës nga të cilët 5 erdhën nga Kosova, 2 nga Greqia, dhe 2 nga SHBA-të. Numri i nxënësve këtë vit arriti në 264. Kuadri mësim-dhënës përbëhej prej 19 vetësh, nga të cilët 14 ishin shqiptarë, 2 amerikan, 1 gjerman dhe 2 çekë. Në Korçë shkolla e vajzave drejtohej nga çifti i misionarëve Kenedi. Shkolla Teknike në Tiranë, gjatë punës së saj 12 vjeçare nxori 176 nxënës nga të cilët 18 ishin nga Kosova, 22 nga Shkodra, 17 nga Tirana, 17 nga Vlora, 14 nga Berati, 34 nga Gjirokastra, 11 nga Durrësi dhe 5 nga Dibra. Profesorët e tyre ishin mësues, oficerë, nëpunës shtetërorë, funksionarë lokalë, agronom, mekanikë dhe të profesioneve të ndryshme. Në fillim të shekullit të XX-të emigrantë shqiptarë në SHBA filluan të veprojnë si pionierë të rilindjes kulturore shqiptare: Petro Nini Luarasi mësues, si dhe intelektualët Sotir Peçi, Fan Noli, Faik Konica apo Kristo Dako. Në vitin 1906 Sotir Peci botoi gazetën e parë në gjuhën shqipe “Kombi”, në të cilën dhanë kontributin e tyre intelektual Eftim Naçi, Vani Karameto, Vani Vangjeli. Më 15.02.1909 botohet gazeta “Dielli” nga shoqëria “Besa-Besë” në Boston, drejtuar nga Noli, i cili jetonte në Nju Jork që më 1906. Për veprimtare intelektuale dhe atdhetare në këtë kohë u shqua Federata Pan-Shqiptare “Vatra” me Sekretar të Përgjithshëm Faik Konicën. Vetëm për 12 vjet në Amerikë u botuan 14 tituj gazetash të përditshme, javore dhe mujore, ku ndër më kryesoret ishte “Dielli” Nga viti 1880-1908 në botë u botuan 31 tituj gazetash shqiptare, nga të cilat në Belgjikë u botuan 3, në Bullgari 7, në Rumani 4, në Itali 7, në Angli 4 dhe në Austri, Jugosllavi, Greqi dhe Amerikë nga 1. Amerika kontribuoi dhe ndihmoi arsimin, kulturën shqiptare dhe atë ballkanike në përgjithësi. Kryesisht në disa shkolla:  Instituti Qiriazi për vajzat në Tiranë, shkolla Teknike në Tiranë, shkolla Shqiptaro-Amerikane Bujqësore dhe për Punë Shtëpiake në Kavajë. Në Maqedoni disa shkolla dhe ndër më të njohurat si ajo e Manastirit, kurse në Samakovë më 1861 u themelua një Institut amerikan. Aktiviteti i KKA, veçanërisht i ORKKA nëpërmjet shkollës Teknike në Tiranë, mbikëqyrës i së cilës që nominalisht deri në vitin 1933, duhet veçuar nga puna e njësive operative. Ndikimi i kësaj shkolle, metodat e mësimit dhe rezultatet që arriti bëjnë pjesë në tërësinë e aktiviteteve, të institucioneve fetare dhe arsimore amerikane në Ballkan, të cilat u përfaqësuan nga Robert Kolegji në Stamboll. Ky institucion arsimor ishte i rëndësishëm për Ballkanin, në atë kohë. Edhe gjatë këtyre viteve të tranzicionit, Amerika ka ndihmuar në trajnimin dhe profesionalizmin e të rinjve dhe intelektualëve shqiptarë.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen