Bazamenti etik dhe “tregu i personalitetit”…

OP-ED | Zef Prenka | 05.11.12 | 21:10

Problemet e pozicionit etik të njeriut në raport me ndërgjegjen vetjake dhe pozitën sociale të personalitetit në shoqërinë shqiptare, janë bërë probleme etike me peshë sociale, shumë të vështira për t’u kuptuar dhe akoma më të vështira për të gjetur bazamente adekuate të interpretimit të sjelljeve dhe mënyrave të ndërtimit të ontologjisë së personalitetit personal. Natyrisht kjo situatë është e lidhur me faktin se për shoqërinë tonë të kohës së sotme, duke e krahasuar atë më të kaluarën dhe raportet e njeriut me të, jo vetëm kanë ndryshuar thelbësisht por pa frikë duhet të themi se janë “përmbysur” radikalisht.
Por megjithë evolucionin që ka pësuar koha moderne dhe përjetimet e thella që kanë sjellë ndryshimet politike, ekonomike, sociale dhe morale të cilat në thelb janë bërë më të lira dhe favorizuese për “bazamentin etik”, mënyrat e sjelljes dhe modulet e ndërtimit dhe shfaqjes së personalitetit të njeriut, përsëri duhet pranuar se situatat sociale dhe ato të personalizuara janë bërë të tilla që ndikojnë në të gjithë format që përjetojmë në shoqërinë tonë janë të tilla, që me kompleksitetin e tyre strukturor, anominë e formimit dhe shfaqjes së tyre, na kanë sjellë shumë shqetësime sociale dhe paqartësi individuale. Në se do bëjmë vlerësim sociologjik më të përgjithësuar të situatës aktuale për këto dy çështje (bazamentin etik dhe mënyrën e formimit të personalitetit të njeriut) duhet të pranojmë se ndikimi i ndryshimeve të thella materiale, morale dhe konceptuale, ka bërë që ato të shfaqen të ndryshuara në thelb dhe në formë, në strukturimin social dhe shfaqjen individuale.
Në fakt ne duhet të vlerësojmë të vërtetat ashtu si janë dhe jo ashtu si i duam ne. Sepse shoqëria e sotme shqiptare si tipologji sociale dhe realitet jetik imediat, bashkë me njerëzit dhe problemet që ata përjetojnë në thelbin e tyre të personalitetit , tregojnë se transformimet e natyrës së njeriut dhe raporti me ndryshimeve thelbësore që ka pësuar shoqëria kërkojnë që të ecim përpara individualisht duke u vendosur në raport më të drejtë, të arsyeshëm dhe pragmatik me kërkesat e kohës. Këto janë çështje serioze, diskutimi i të cilave duhet parë duke vlerësuar në të njëjtën kohë, me të njëjtën “gjatësi vale” kontekstet e reja sociale edhe realitetet e imponuara të ndryshimeve individuale të tipologjisë dhe fenomenologjisë së personalitetit të njeriut aktual.
Kuptimi i këtyre ndryshimeve sociale dhe individuale ka rëndësi të posaçme. Nuk mund të thuhet se personaliteti i njeriut është një strukturë fikse e pandryshuar. Apo akoma më keq të mendosh se në situatën e formatimit të jetës sociale me natyrë liberale, me parime dhe vlera morale të relativizuara, të individualizuara përbërësit e saj mund të jenë të ngurtë sin ë të kaluarën, refraktarë dhe të pandikuar përballë ndryshimeve që ka sjellë koha moderne në shoqërinë shqiptare dhe në natyrën e personalitetit të njeriut tonë. Kjo do të thotë që kur bëjmë analiza të këtyre ndryshimeve, të tipologjisë së formave dhe të përmbajtjes së shfaqjes së personalitetit të njerëzve tanë, së pari duhet të kuptojmë se natyra e këtyre problemeve është komplekse. Ajo duhet trajtuar në mënyrë të dyanshme, e lidhur me specifikat e shoqërisë tonë dhe gjërat që kanë të bëjnë me individin, me ndryshimet, përmirësimet, përkeqësimet dhe shformimet e strukturës sociale dhe shfaqjes së deformimeve të personalitetit. Të cilat duhen parë dhe vlerësuar njëkohësisht në kompleksin e vecantë socio-individual, duke i trajtuar problemet me thelbin e tyre të integruar.
Ne nuk jetojmë në shoqërinë e ngurtë dogmatike e cila përpiqej të përkufizonte dhe normativizonte gjithçka. Qoftë në shoqëri apo në natyrën dhe thelbin e personalitetit të njeriut, e cila ka qenë përfytyruar më shumë si “njësi sociale” e ngurtë, statike, e qëndrueshme, e pandryshuar dhe jo reflektuese në raport me imperativat e kohës dhe ndryshimet e saj. Vlerësimi i anëve të veçanta dhe veçorive subjektive të personalitetit të njeriut në kohën e socializmit, as nuk kishte vlerë individuale as vlerësohej individualisht nga ana sociale.
Ndërkaq, jemi përballë ndryshimeve sociale kaotike dhe sjelljeve anomike të njerëzve që tregojnë se nuk është e lehtë në kohën tonë të kuptohen në thelbin e tyre gjerat që po ndodhin me shoqërinë dhe njeriun, me problemet e relativizimit të bazës etike sociale dhe natyrën e shfaqjes së personalitetit të njeriut. Kjo është arsyeja pse është bërë e vështirë të përcaktosh se në cilin drejtim po lëviz shoqëria moderne shqiptare, cilët janë raportet e ndërlikuara të njeriut individualist me këtë shoqëri, me “bazën etike” dhe nevojën e rindërtimit ndryshe të personalitetit vetjak.
Këtë shqetësim universal e kemi të gjithë, e kanë politikanët e fuqishëm të planetit, filozofët, psikologët socialë dhe sociologët. Ky është një problem që tashmë ka peshë sociale të veçantë, nga që jemi bërë shoqëri e lirë me njerëz të padeterminuar. Kjo është arsyeja kryesore që duket se nuk është më aq e lehtë të përcaktosh kurbën e lëvizjes së “bazës etike” të shoqërisë tone, apo drejtimet e paqarta të orientimeve sociale dhe personale të ndërtimit të personalitetit të njeriut. Një gjë duket qartë. Shoqëria jonë që po lëviz me shpejtësi të madhe. Herë duket se është në rrugën normale dhe herë të tjera, lëviz në mënyrë kaotike. Kjo është arsyeja pse duket që shoqëria shqiptare jo gjithnjë është aty ku duhet.
Edhe njerëzit tanë në përpjekjet e sforcuara apo normale të përshtatjes sociale të personalitetit të tyre, duket se nuk e kanë të lehtë të gjejnë rrugën e duhur. Nganjëherë njerëzit bëhen pesimistë nga që ju duket se ajo nuk është e lehtë për t’u gjetur rruga e duhur. Shumë shqetësuese është e vërteta, se kemi shumë raste kur njerëzit tanë deprimohen, bëhen pesimistë dhe neurotikë, nga që të ndodhur në një shoqëri pa “bazament etik” të qëndrueshëm, janë në pozitën e njeriut që kërkon gjënë e duhur në vendin dhe kohën e “gabuar”.
Padyshim ajo që mbetet e pandryshuar është e vërteta, se gjithçka në jetë ka të bëjë me personalitetin e njeriut, i cili në kohën e sotme nuk është më as produkt mekanik i bazës etike të shoqërisë, aq më pak produkt i vetes deri në fund. Nga që ai tashmë për shkak të zhvillimeve sociale dhe tendencës së jetës individuale të shfaqjes së sjelljes etike sa më të personalizuar, është nën ndikimin e fortë të faktorëve të jashtëm. Pavarësisht tipologjisë së veçantë të individualitetit të njeriut dhe mënyrës individualiste të ndërtimit të tij, mbetet e pandryshuar e vërteta sipas të cilës, janë faktorët e jashtëm ekonomikë, politikë, socialë dhe kulturorë që e projektojnë në një masë të konsiderueshme formën dhe përmbajtjen e personalitetit të njeriut. I cili nganjëherë të duket se për shkak të instrumenteve të përshtatjes së domosdoshme dhe të vazhduar me kohën dhe orientimet e përbashkëta sociale të jetës, detyrohet të bëhet tejet fleksibël, të qëndrojë fare pranë situatave dhe transformimeve etike permanente të kohës.
Kjo është arsyeja pse fleksibiliteti moral është bërë “busull e kohës”, mënyrë adekuate e njeriut për të bërë kompromise të vazhduara, për të siguruar ekzistencën, mbijetesën, suksesin, ambiciet e natyrshme të personalitetit të tij. Nga një anë ky transformim jo vetëm nuk ka gjë të keqe, por është një hap i madh përpara në rrugën e zgjerimit të bazamentit etik, si hapësirë e lejuar që njeriu me ambicie të luftojë për të realizuar dhe shfaqur të pakufizuar tipologjinë e personalitetit të vet.
Por nga ana tjetër kjo e mirë e modernitetit dhe antidogmatizmit etik të shoqërisë shqiptare, ka dhënë dhe kundërefekte etike, sociale dhe deformime të shfaqjes së personalitetit të njeriut.
Një gjë është e sigurt në shoqërinë tonë. Koha moderne për fat të keq është komercializuar nga “dhuna e tregut” dhe në një farë mënyre i ka dhënë “karakter tregtar” çdo gjëje. Sepse praktikisht jo vetëm tregu është bërë omnipotent, por ai ka mundur që gjithçka është futur në sistemin e mbyllur të vlerësimit përmes tregut. Kjo është arsyeja që sinjalet e natyrës së personalitetit dhe të karakterit tregtar të tij, janë bërë tipare esenciale, thelbësore të vlerës, suksesit apo disfatës së njeriut në shoqëri. Në një farë mënyre edhe personaliteti i njeriut është futur brenda kufijve të ngushtë të shfaqjes së “tregut të personalitetit”. Nuk ka dyshim që çfarëdo alambikime të përdorim dhe me çfarëdo ambalazhesh humane ta “veshim realitetin” tonë, duket qartë që njerëzit kanë bërë pjesë thelbësore të natyrës dhe personalitetit të tyre një lloj “karakteri tregtar” që është bërë pjesë e jetës, instrument i rëndësishëm për sigurimin e suksesit, parasë, fitimit, famës.
Duam apo nuk duam, na vjen mirë apo keq ta pranojmë, njeriu në shoqërinë e sotme shqiptare është i detyruar të jetë aktiv në “tregun e personalitetit” dhe me të gjitha mënyrat duhet t’i bindet rregullave të tregut, si mënyrë dominante për të qenë koherent jo aq më “bazamentin etik” të tronditur apo të munguar, por me ndërtimin e natyrës së personalitetit sipas determinantëve të cilët kanë krijuar iluzionin e gjërë social në shoqërinë e sotme shqiptare dhe janë bërë “kusht universal” për mënyrën e ndërtimit dhe shfaqjes së personalitetit të njeriut për të qenë kompatibël me kohën, i suksesshëm në raport me veten. Kjo ka bërë që në dispozicion të këtij “tregu” njeriu të vërë fuqitë mendore dhe energjitë fizike, aftësitë, dijet, madje edhe trupin. Këtë dukuri sociologët e kanë studjuar dhe e kanë konsideruar si dukuri të “kapitalizmit të pjekur”, plotësisht të zhvilluar. Nuk e di sa të drejtë kanë ata, por afërsisht më duket konstatim i drejtë, se koha e ka vënë njeriun në një “trekëndësh të tregjeve” të “mallit”, “punës” dhe “personalitetit”. Në këtë trekëndësh është leverdia, fitimi, suksesi, disfata apo dështimi personal, “vlera” individuale dhe personaliteti i tij.
Në këtë situatë është duke u ravijëzuar tendenca sociale dhe prirja e thellë individuale e njeriut “Për t’i dhënë vetes një vlerë të caktuar dhe për të kërkuar pranim të kësaj vlere, është pikërisht ajo që me gjuhën e sotme do ta quanim “vetëvlerësim””. (Francis Fukuyama, “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”, f 13)
Natyrisht ky vetvlerësim i njeriut është i lidhur me aftësitë përshtatëse dhe ndryshuese të personalitetit, si kusht që në shoqërinë e sotme që më shumë është e “lakuar” dhe jo “drejtvizore” njeriu të përpiqet të “zërë vendin e tij”. Duke qenë bashkë me të tjerët, duke ndërtuar lidhjet dhe marrëdhëniet mbi bazën e sistemit të ri të vlerave të pranuara nga shoqëria, që janë bazë për formimin e personalitetit të vet. Në të vërtetë personaliteti i ndryshuar apo aftësia përshtatëse e tij me kohën dhe jetën, nuk mund të realizohen në se shoqëria shqiptare do të ecë në rrugën e fshirjes së traditave, mohimit të sistemit të vlerave të përbashkëta dhe nënvleftësimit të nevojës së njeriut për një nivel të caktuar të lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale me njerëzit e tjerë dhe shoqërinë në tërësi.
Në se do ecim kështu personaliteti i njerëzve tanë do të vijë duke u cënuar rëndë në qëndrueshmërinë dhe integritetin e vet. Por akoma më keq, njeriu për të siguruar ekzistencën e vetmuar dhe mbijetesën anomike në shoqëri, do mësohet që personalitetin ta vërë në treg dhe ta përshtatë me kërkesat e saj të paqëndrueshme. Rezultati është devijimi i qëndrueshmërisë së personalitetit dhe vendosja e tij në platformën e paqëndrueshme të merkantilizmit jo human. Njeriu pa personalitet të qëndrueshëm është njeriu i zhveshur dhe i reduktuar në konturet e “njeriut masë”, që ka dëshirë të jetojë i izoluar, pa lidhje me të tjerët, që nuk ka bindje që t’i ndajë më ata por i ndërton lidhjet vetëm me sloganet e komunikimit që i shërbejnë dhe i sjellin përfitime material personale.
Në se shndërrimi personalitetit të njeriut në “çështje tregu”, bëhet ideologji e modernitetit është e sigurt që shoqëria jonë nuk do mund të jetë humane. Në se njeriu nënvlerëson vlerën e veçantë të personalitetit në lidhjet dhe marrëdhëniet njerëzore, atëherë shoqëria do të ecë në rrugën e zvogëlimit të dimensionit njerëzor. Rregullimi i njeriut dhe rindërtimi i personalitetit të tij, dimensionet e të cilit nuk mund të janë totalisht brenda tregut, të absorbuara prej tij janë kushti që duhet vlerësuar. Rregullimi i personalitetit është çështje sociale dhe individuale. Sepse duhet të rregullohen marrëdhëniet e njeriut me shoqërinë, që interesat e tij në një nivel të caktuar të përputhen me ato të shoqërisë, si mënyrë e sigurimit të lidhjeve sociale me njerëzit e tjerë.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen