Qeveria e Kosovës,pse mungojnë katolikët…?

Analiza & Komente | Rrezore | 06.01.15 | 23:19

  Qeveria zakonisht konsiderohet si grupi drejtues përfaqësues i një shoqërie.  Përfaqësimi përfshin ndjeshmëritë politike, krahinore, sociale, gjinore, etnike dhe religjioze. Themelore në një demokraci janë kushtetuta, ligjet dhe natyra laike e shtetit. Por parimet e përgjithshme nuk janë prej hekuri, nuk janë shpikur nga alienë, por nocione juridike produkt eksperiencash, traditash e dijesh njerëzore në shërbim të komunitetit, ndaj ato nuk funksionojnë mbi përjashtimin, por gjithëpërfshirjen.

Agron Xhekmarkaj

Agron Xhekmarkaj

Duket se ato janë të ftohta ndaj humoreve njerëzore, por në thelb janë derivat i tyre. Kosova, e cila pas një rropatje disamujore më në fund ia doli të krijojë një qeveri hibride LDK + PDK + etj, parmendën e së cilës e tërheqin Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, i ka respektuar formalisht këto parime. Shteti laik nuk forcohet në qoftë se në mënyrë sistematike një grup i caktuar mbetet jashtë përfaqësimit, përkundrazi merr nuanca të tjera. Në kabinetin e ri kosovar ka disa ministra serbë dhe një zëvendëskryeministër, po ashtu edhe një përfaqësues të bashkësisë së vogël turke, por asnjë shqiptar katolik. Prania e minoriteteve në qeverisje është shenjë emancipimi dhe domosdoshmëri për një shoqëri multietnike, ashtu siç do të ishte domethënëse prania e elementit katolik në këtë skuadër si shenjë e respektit të vërtetë të shumicës ndaj pakicës, çështje solemne kjo e kombit shqiptar. Simbolet dhe gjestet janë shenja semantike që transmetojnë gjendje të caktuara. Kjo mungesë nuk është risi e kësaj aleance, ajo ka shoqëruar gjatë vendimmarrjen e Kosovës qysh prej erës Thaçi. Ky fakt për mua përbën një paradoks. Me aq sa e njoh e konsideroj shoqërinë kosovare një shoqëri që jeton në harmoni, ku ndihen baras shqiptarë e baras autoktonë në vendin e tyre pavarësisht besimeve fetare po aq kontribuues në kulturë, gjuhë e, mbi të gjitha, në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Së bashku tragjikisht kanë vuajtur të njëjtin gjenocid dhe kanë shfaqur të njëjtin frymëzim për Kosovën e lirë, demokratike dhe europiane. Prishtina është në çdo pikëpamje një qytet i hapur dhe kozmopolit, me një ambient akademik e universitar për shumë aspekte më avanguardist se ambienti i Tiranës, i cili jeton me dinamikën e gjërave globale dhe jo të paragjykimeve fetare. Ndërsa politika e këtij qyteti me sa duket është një hap pas, e cila qysh me vdekjen e Ibrahim Rugovës është bërë tejet ballkanike me karakteristikë cicmicin dhe jo vizionet. Nuk dua të besoj se përjashtimi i katolikëve nga qeverisja e vendit është shkelje syri për skalionin e imamëve ekstremistë, ndikimi i të cilëve po rritet në mënyrë preokupuese se kjo do të ishte tejet dëshpëruese e hyn në të tjera hulli. Më shumë se pragmatizëm a kalkulim kësodore më duket një “budallaki” shqiptare, siç thonë në Kosovë. Kujtimi i Anton Çetës, që pajtonte gjaqet duke bashkuar një popull të tërë në pritje të sfidave historike që e prisnin, shihej si engjëll mbrojtës në gjithë Kosovën, më ndalon ta zhvilloj më tej këtë hipotezë që konstaton pezullim të kësaj fryme. Sido që të jetë, rastësi, harresë, pamundësi, marri, përfituesit e drejtpërdrejtë të kësaj mungese në përfaqësim është Serbia dhe grupe të caktuara që punojnë për një shoqëri të ekstremeve. Të humbur dalin kosovarët. Tashmë është fabul e njohur propaganda e Beogradit, e cila e lyen Kosovën me ngjyrën jeshile të ekstremizmit fetar, duke kujtuar orë e çast kishat e djegura në marsin e vitit 2004, që shkaktuan preukupim e tronditje kudo në sallonet dhe mediumet europiane. Po kaq po e përdorin mospërfshirjen e katolikëve shqiptarë në qeveri duke nënkuptuar matricën fetare të kësaj sjelljeje. Synimi i tyre është të krijojnë një kundërvënie fetare e në mos pakënaqësi të këtij lloji si dhe diskreditim të qeverisë së Kosovës në korridoret e Brukselit. Përtej faktit se çfarë dëshirojnë dhe synojnë serbët në politikën e tyre, qeveritarët e Kosovës duhet t’i shqetësojë edhe gjendja emocionale e shpirtërore e nënshtetasve të tyre katolikë, efektet zinxhir të përjashtimit, performaca e vendit në raport me integrimin europian. Varfëria po godet kudo në Kosovë dhe ka një tendencë të madhe për emigrim, por ajo çka bie në sy është boshatisja e Kosovës nga katolikët shqiptarë, e cila në vetvete është dy herë më e dhimbshme. Pak, aq sa janë, pesëdhjetë apo gjashtëdhjetë mijë veta, historia fatmirësisht i ka ruajtur si të tillë për të hedhur poshtë çdo tezë se shqiptarët në ato troje janë ardhacakë. Prezenca e tyre shekullore në Gjakovë, Pejë, Klinë, Prizren, kumti i veprës dhe bëmave të Pjetër Bogdanit, Nikollë Kazazit etj., është argumenti më bindës që të gjithë shqiptaret e Kosovës janë thjesht banorë të trojeve të tyre. Ata nuk janë paja e otomanëve për Ballkanin. Qeveria e Kosovës duhej të ishte e para e interesuar që ky komunitet të mos zvogëlohet dhe mbi të gjitha të përfaqësohet në vendimmarrje për të demonstruar realisht thelbin harmonik të shoqërisë kosovare, të cilin nuk e përcakton kuota Ahtisari, por marrëdhënia e brendshme e shqiptarëve, vetëdija e tyre. Isa Mustafa me Hashim Thaçin, me aq përvojë dhe kulturë sa kanë, duhet ta dinë se prezenca e elementit katolik në formacionin e tyre udhëheqës e bën më anemike propagandën serbe dhe më kuptimplotë modelin e harmonisë fetare shqiptare duke i projektuar edhe ata vetë si politikanë europianë pa komplekse. E kotë të fshihemi pas fjalëve mungesa e tyre bie në sy. Një gabim trishtues që duhet korrigjuar shpejt

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen