Shqiptarët – Në pritje të Godosë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 08.01.15 | 19:21

Shumë shkolla, institucione dhe rrugë qytetesh të viseve shqiptare në Maqedoni, të emërtuara qysh në vitin 1944, sot e kësaj dite mbajnë emra të personaliteteve të historisë apo të kulturës sllave. Faktori politik shqiptar nuk ka treguar pothuajse kurrfarë interesimi për t’i ndërruar emrat e tyre.
Qytetet shqiptare në veriperëndim të Maqedonisë janë të banuara kryesisht me popullsi shqiptare. Përkundër kësaj, shkollat fillore, ato të mesmet, institucionet shoqërore dhe rrugët vazhdojnë të mbajnë emra personalitetesh nga e kaluara sllavo-maqedonase, serbe apo jugosllave të periudhës moniste.
Tetova është qytet me shumicë dërmuese shqiptare. Në të ka pesë shkolla të mesme. Mbi 80% e nxënësve të tyre janë shqiptarë. Megjithëkëtë, që të pestat, qysh në kohën e ish-Jugosllavisë, janë emërtuar me emra figurash apo personalitetesh të historisë apo të kulturës sllave. Pesë shkollat e mesme të Tetovës i mbajnë këta emra: gjimnazi mban emrin “Kiril Pejçinoviq”, shkolla e mesme bujqësore mban emrin “Mosha Pijade”, shkolla e mesme e mjekësisë quhet “Nikolla Shtejn”, shkolla e mesme tekstile mban emrin “Gjoce Stojçeski”, shkolla e mesme ekonomike quhet “8 Septemvri” (“8 Shtatori”). Tetë shtatori është datë e pavarësisë së Maqedonisë, d.m.th. e shkëputjes së saj nga amalgama jugosllave. Ndërkaq Mosha Pijade (Beograd 1890 – Paris 1957, është varrosur në Beograd) ka qenë funksionar i lartë shtetëror dhe partiak i RPF të Jugosllavisë dhe i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Ka qenë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Titos.
Sikundër shihet, prej pesë shkollave të mesme të Tetovës, asnjëra sosh nuk është e emërtuar me emrin e ndonjë personaliteti të historisë apo të kulturës shqiptare. Kush e pengon riemërtimin e këtyre institucioneve arsimore në një kohë kur:

– drejtorët e shkollave janë shqiptarë;
– shumica e anëtarëve të këshillave të shkollave janë shqiptarë;
– shumica e anëtarëve të këshillave të prindërve janë shqiptarë;
– mbi 80% e nxënësve nëpër këto shkolla janë shqiptarë;
– shumica e këshilltarëve të Këshillit komunal përbëhet prej shqiptarëve;
– komuna, që nga viti 1991 deri më sot, është drejtuar nga kryetarë shqiptarë;
– Ministria e Arsimit drejtohet nga një ministër shqiptar.

Para ca vitesh Kadareja ishte në Tetovë. Gjatë qëndrimit të tij në këtë qytet, ai i bëri një vizitë të shkurtër edhe gjimnazit. Duke e ditur se shumica e nxënësve të tij janë të përkatësisë shqiptare, emërtimi sllav i shkollës nuk kishte sesi të mos i binte në sy, gjë që e interpretoi në mënyrë kadareane.
Pluralizmi politik dhe ideologjik në Maqedoni filloi në vitin 1991. Me fjalë të tjera, shqiptarët qe 24 vjet janë duke pritur ndërrimin e emrave të shkollave, të institucioneve shoqërore si dhe të rrugëve. Edhe sa duhet të presin shqiptarët që të përmirësohet kjo padrejtësi e paparë dhe ky diskriminim i egër, në Evropën e shekullit XXI. Vallë, kështu casino Maqedonia do të hyjë në Evropë?!
Shqiptarët nuk kërkojnë ndërrim emrash të shkollave, të institucioneve shoqërore apo të rrugëve në pjesën lindore të Maqedonisë, por në atë veriperëndimore, ku përbëjnë shumicë absolute. Përderisa shqiptarët nuk mund t’i ndërrojnë emrat e shkollave të mesme në qytetin e Tetovës ku përbëjnë shumicë absolute, si do t’ia dilnin sikur të kërkonin që një shkollë e ndonjë qyteti në pjesën lindore të Maqedonisë të emërtohet me emrin e ndonjë figure apo personaliteti të historisë dhe të kulturës kombëtare shqiptare?!
Kërkesa për t’i ndërruar emrat e shkollave nuk është një kërkesë politike, por kulturore. Nga kjo del se faktori politik shqiptar dhe mbarë shoqëria shqiptare nuk është në gjendje të realizojë edhe një kërkesë me dimension kulturor, e lëre më ndonjë kërkesë politike.
Të gjithë e dimë rastin e katër shkollave të Komunë së Çairit. Kjo tregon se faktori politik shqiptar dhe inteligjencia shqiptare në Maqedoni nuk janë në krye të detyrës.
Kur është folur për ndërrimin e emrit të ndonjë shkolle, këta të politikës kanë reaguar duke thënë: “Nuk merremi me ndërrimin e emrave të shkollave, ngase kemi punë më të mëdha”.
Cilat janë ato punë të mëdha që i realizoi faktor politik shqiptar që nga viti 1991 e deri më sot?!
– mos e krijoi entitetin shqiptar në Maqedoni;
– mos e bëri konfederalizimin e Maqedonisë;
– mos e bëri federalizmin e Maqedonisë;
– mos krijoi Maqedoni dykombëshe;
– mos ua siguroi shqiptarëve statusin e popullit shtetformues;
– mos krijoi një parlament dydhomësh, në njërën prej të cilave, çështjet me karakter ndëretnik do të zgjidheshin me konsensus;
– mos i ndërroi simbolet e shtetit, siç janë flamuri dhe stema;
– mos e ndërroi himnin e shtetit;
– mos ndërtoi zona të lira ekonomike në pjesën veriperëndimore;
– mos e ndali tendencën e të rinjve për të emigruar drejt botës perëndimore për të siguruar punë dhe ekzistencë;
– mos e përfshiu në historinë zyrtare të shtetit luftën e 2001-shit;
– mos e zgjidhi statusin e dëshmorëve të luftës së 2001-shit;
– mos e zgjidhi statusin e invalidëve të luftës së 2001-shit;
– mos e parandaloi ndërtimin e objekteve dhe të simboleve bizantine në viset shqiptare, me qëllim të sllavizmit të këtyre viseve;
– mos ndërtoi autostrada në viset shqiptare, siç ndërton VMRO-ja në pjesën lindore të Maqedonisë;
– mos e lidhi Maqedoninë me Shqipërinë dhe Kosovën me hekurudha moderne, siç e lidhi VMRO-ja me Bullgarinë;

Me sintagmën “kemi punë më të mëdha”, faktori politik shqiptar nënkupton bizneset e mëdha për interesa të vogla personale dhe koniunkturale.
* * *
Që nga viti 1944 e këndej, shumë shqiptarë në Maqedoni u flijuan për arsimimin,  emancipimin, rilindjen dhe ringritjen e këtij populli. U sakrifikuan për të drejta, barazi,  liri dhe demokraci. Shumë mësues, arsimtarë, profesorë, mjekë, juristë, ekonomistë, zejtarë, punëtorë, fshatarë dhe qytetarë të rëndomtë u ballafaquan me xhandarë dhe milici serbo-sllave, me syrvejues dhe hetues policorë, me gjyqtarë dhe prokurorë, me dënime drakonike dhe kazamate sllave, me gardianë dhe tortura çnjerëzore. Asnjë institucion publik apo rrugë nuk u emërtua deri më sot me emrat e këtyre martirëve që përjetuan ferrin, terrin dhe tmerrin për këtë popull, për t’i dhënë atij histori. Përse dhe deri kur kështu?!

Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen