Korniza me Gjergjin

Këndi poetik | Engjëll I. Berisha | 25.01.15 | 20:11

Shkruan: Engjëll I. Berisha

KORNIZA ME GJERGJIN

Shpata

Në muzeun e kontinentit
eksponati pa gjuhë
ia pret kokën armikut

natën bëhet lyrë
e shtrydh krejt gjakun
dhe shkruan poezi historinë

vogëlsia gjeografike
ia mbulon me madhësi
sipërfaqen e dheut e atdheut
një dorë që është atërore
të tërin mund ta marrë

rrezja e parë majë mali
ia mprehte tehun
në kullë ujë i bëhej vesa
pika e lotit të vashës
shiu i vjeshtës me shtambë

e morën tre turistë
dhe i përmbysi pesha
e hekurit të historisë

ciceroni duke u ankuar
doli si fantazma në murin e zi
ju kujtoni se vetëm helmi
dhe shkathtësia e mashtrimit
mund ta mposhtë armikun
ai fiket vetëm me zjarr

Përkrenarja

Shkaba me brirë egërsira
e tokës shpirtbutë
hijeshia
e flamurit mbi kokë
binomi i ekzistencës shqip

simboli i tamblit shërues
racionit të ushtarit
që eshtrat ia shpon stuhia
mllefi i acarit me luftë
krenarja me origjinë gjenet
pa shqiponjën në flamur
dita e zisë dhe gjakut
që e derdhi biri i atdheut
kryeneçësia e shqiptarit
koka e fortë
që prehet
një mijë e pesëqind vjet me shpatë
ashti i saj që mbetet
është

Diadema

Çdo gjë kushton para
ia blenë historisë matrapazët
guri i zi që fluturon
harroi gjuhën shqipe
dhe zbriti nga koka e heroit
kush e di pa gjuhë pa emër vlera
n’vitrinë profane urbane
zbriti çmimin e saj

çka s’blihet me paratë e krejt botës
vidhet
ose merret me forcë
pas vdekjes së heronjve
të gjallët janë veç robër

dora e përgjakur hamzaziu
e lëshoi dore krejt botën
kur u kthye më s’kishte Shqipëri
por nuk vdiq Shqipja e Maleve

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen