Dimri i protestave dhe i pakënaqësive të thella

OP-ED | Zef Prenka | 31.01.15 | 16:31

Nga Xhelal Zejneli

Ditën e Buzmit, ministri i Punës i qeverisë serbe – Aleksandër Vulin, erdhi në Kosovë për të vizituar manastirin e fshatit Zoçisht. Në këtë rrugëtim, ai u prit dhe u shoqërua nga  ministri për Komunitete dhe Kthim i Qeverisë së Kosovës – Aleksandër Jabllanoviq. Vizita e Vulinit u prit me protesta nga shqiptarët. Sipas shpifjeve të gazetës Blic të Beogradit, autobusin e vizitorëve serbë, protestuesit shqiptarë e paskan qëlluar me gurë. Pas kësaj, pason deklarata ofenduese e Jabllanoviqit, i cili thotë se këta që veprojnë kësisoj janë  egërsira (divljaci). Me një fjalë, protestuesit e Gjakovës, të Krushës së Vogël, nënat e të vrarëve dhe e të zhdukurve, ai i quajti egërsira. Më 10  dhe 17 janar 2015,  kundër kësaj deklarate të Jabllanoviqit, u organizuan në Gjakovë, protesta masive. Më 24 dhe 27 janar 2015 protesta u organizuan edhe në Prishtinë. Nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosja, protestat u mbështetën dhe në to morën pjesë edhe shoqata “Thirrjet e nënave”, AAK-ja, Nisma për Kosovën si dhe një numër i caktuar i qytetarëve. Protestat u organizuan për dy arsye:
– për të kërkuar shkarkimin e ministrit serb të Qeverisë së Kosovës – Jabllanoviqit;
– për të kundërshtuar privatizimin e Trepçës.
Protestat në Prishtinë filluan në mënyrë të qetë, por më pas u shkallëzuan dhe u shndërruar në përleshje midis forcave të rendit dhe protestuesve. Në të dyja palët pati të lënduar dhe të plagosur. Në komisariate u shoqëruan 170 protestues. Midis tyre edhe kryetari i Komunës së Prishtinës – Shpend Ameti si dhe kreu i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes – Visar Ymeri. Numri më i madh i të arrestuarve u liruan, ndërsa ndaj disa të tjerëve paralajmërohet procedurë gjyqësore. Ra në sy se policia e Kosovës përdori mjetet e forcës, përtej masës së parashikuar me ligj. Lideri i Vetëvendosjes – Albin Kurti thotë se protestat do të vazhdojnë. Të njëjtën e thotë edhe lideri i AAK-së – Ramush Haradinaj. Organizatorët e protestave, Hashim Thaçi i quajti marksistë. Sipas tij dhe kryeministrit Isa Mustafa, protestuesit kanë për qëllim të rrëmbejnë pushtetin në rrugën jodemokratike. 
Kreu i Qeverisë së Kosovës duhet të dijë se ministri Jabllanoviq, pas deklaratës së tij se protestuesit shqiptarë janë egërsira:
– nuk e ka vendin në kabinetin e Qeverisë së Kosovës;
– ai, ose duhet të japë dorëheqje, ose duhet të shkarkohet nga kryeministri Isa Mustafa.
Ngecja ekonomike e Kosovës dhe shkalla e lartë e papunësisë, ndikojnë që problemet në Kosovë të marrin një dimension të theksuar social. Pushtetarët e Kosovës  duhet të dinë se që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e këndej:
– Kosova nuk ka shënuar ndonjë zhvillim ekonomik të mirëfilltë;
– në Kosovë nuk janë bërë investime të duhura në lëmin e ekonomisë;
– nuk janë krijuar vende të reja pune dhe nuk është zbutur papunësia;
– papunësia në Kosovë arrin përmasa dramatike;
– nuk është ndalur tendenca e të rinjve për t’u larguar nga Kosova për të siguruar ekzistencë në ndonjë vend perëndimor;
– me dekada, pacientë nga Kosova harxhojnë shuma të mëdha mjetesh devizore për t’u mjekuar nëpër spitalet e Shkupit. 
Përkundër problemeve ekonomike dhe sociale të mëdha, që nga pavarësia e këndej, një shtresë e shoqërisë kosovare u pasurua përnjëherë. Çdo pasurim brenda natës bëhet në kurriz të shoqërisë. Kosova nuk u çlirua prej pushtuesve serbë, që një shtresë e vogël e shoqërisë, në saje të pushtetit apo të lidhjeve me të, të pasurohet dhe të jetojë në luks, ndërsa shumë të rinj të zhgënjyer, të enden rrugëve – pa punë dhe pa shpresë.
Qeveritarët e sotëm duhet të dinë se, që nga pavarësia e këndej, pushtetarët e Kosovës nuk e luftuan sa duhet korrupsionin dhe format e tjera të shpërdorimeve. Shpërdorimi i pushtetit dhe çdo formë e korrupsionit shkon në dëm të mbarë shoqërisë, e sidomos të shtresave më të varfra të saj.
Lidhur me protestat në Prishtinë, Tirana zyrtare – si rëndom – bëri apel për vetëpërmbajtje, duke sugjeruar dhe ruajtjen e stabilitetit demokratik. Shprehjet si: ruajtja e paqes dhe e stabilitetit të vendit; ruajtja e paqes dhe e stabilitetit në rajon; destabilizimi i vendit mund të shkaktojë destabilizimin e rajonit; politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese etj., janë shndërruar në klishe, ndaj ka kohë që nuk çojnë shumë peshë. Paqja dhe alternativa e saj, në çdo pikë të rruzullit tokësor, dihet në duart e kujt janë.
Në vend të klisheve të sipërthëna, Tirana zyrtare rregullisht duhet t’u sugjerojë autoriteteve të Kosovës që: të veprojnë në mënyrë permanente për të ndërtuar shtetin ligjor dhe shoqërinë civile; të përqendrohen me vendosmëri në zhvillimin ekonomik të vendit; të angazhohen pareshtur për të sjellë investime të huaja; të zotohen pandërprerë për të investuar në industri; të punojnë vazhdimisht për ta ulur shkallën e lartë të papunësisë, për t’i zbutur problemet sociale, për ta parandaluar largimin e të rinjve nga Kosova, për ta luftuar korrupsionin dhe format e tjera të shpërdorimit të pushtetit, për t’i parandaluar abuzimet që u mundësojnë pushtetarëve dhe individëve të ndërlidhur me ta, pasurim të jashtëligjshëm.
Po qe se nuk ndërpritet shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova, atëherë shprehja: “Kosova e lirë, e pavarur dhe demokratike” do të shndërrohet në një sintagmë groteske.
Sugjerimet për politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese, klasa politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë duhet t’i zëvendësojë me qëndrime kritike konstruktive. Vice versa, klisheja e sipërthënë bëhet banale dhe i ngjan demagogjisë politike, që është në funksion të pushtetarëve shqiptarë  për t’i ruajtur pozitat dhe  privilegjet, në një kohë kur segmente të caktuara të shoqërisë shqiptare ballafaqohen me probleme ekzistenciale. Para ca ditësh, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë – Ilir Meta vjen në Shkup dhe flet për nevojën e jetësimit të Marrëveshjes së Ohrit, të asaj marrëveshjeje që ka dhënë shpirt qysh në vitin e largët 2005!! Ai, që kur mbahet në mend, ndodhet në pushtet. Ku ishte ky njeri gjatë këtyre dhjetë viteve për të folur për marrëveshjen e sipërthënë, që tanimë ka mbetur  legjendë.
Qëndrime kritike konstruktive ndaj autoriteteve politike të Shqipërisë, për të qenë më vigjilentë në ndërtimin e shtetit ligjor, duhet të tregojë edhe udhëheqja politike e Kosovës. Oportunizmi, konformizmi dhe demagogjia e klasës politike kombëtare nuk i shërben interesit shqiptar në Ballkan. Qëndrim oportunist dhe konformist ndaj ngecjes ekonomike të Kosovës, manifeston edhe inteligjencia kosovare.
Faktori ndërkombëtar influent – Uashingotni dhe Brukseli, në bashkëpunim me qeveritarët e Kosovës, duhet të angazhohet shumë më tepër dhe në mënyrë më konkrete për zhvillimin ekonomik më dinamik të Kosovës dhe për sjelljen e investimeve të jashtme. Shtete të fuqishme perëndimore investojnë në shumë vende të rajonit, Kosovën ndërkaq e anashkalojnë. Përse?! Kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjet udhëheqja politike e Kosovës. Duhet t’u bëhet me dije miqve perëndimorë se ngecja ekonomike e Kosovës nuk është në interes të BE-së. Pushtetarët shqiptarë dhe aleatët ndërkombëtarë duhet të marrin masa urgjente dhe konkrete që Kosova të pushojë të jetë treg kolonial për mallrat e Serbisë dhe të Maqedonisë.
Protestat në Prishtinë kishin të bënin edhe me Trepçën. Gjithë bota e di se Trepça është e Kosovës. Serbia e cila një shekull e ka rrjepur dhe e ka zhvatur atë, s’ka punë me të.  Qysh në vitin e largët 1968 shqiptarët në protesta dhe në demonstrata gjithëpopullore e kanë alarmuar udhëheqjen politike të kohës se Trepça punon, Beogradi ndërton. Serbia ka punë me Trepçën, për aq, për sa duhet t’ia kthejë Kosovës të gjitha borxhet që lindën nga politika kolonialiste e saj.
Protestat në Kosovë duhet të jenë të qeta dhe joviolente. Me një fjalë, protestuesit nuk duhet t’i qëllojnë forcat e rendit, institucionet publike, ndërtesat e pushtetit qendror apo pronat private të qytetarëve. Organet e rendit ndërkaq, nuk duhet të japin shkas që protestuesit të ndërmarrin veprime violente. Të mirat materiale të Kosovës u takojnë qytetarëve të saj, ndaj është detyrim i çdo individi që t’i ruajë dhe t’i mbrojë ato nga çfarëdo dëmtimi apo shkatërrimi.
Si do të reagonin serbët në Serbi, sikur një shqiptar i luginës së Preshevës, nën premisën të kishte qenë ministër i qeverisë serbe, t’i quante egërsira nënat serbe?! Do të ngrihej në këmbë e gjithë Serbia; shqiptarët e luginës do të satanizoheshin; do të fyhej i tërë kombi shqiptar; do të kërkohej dorëheqja e menjëhershme e ministrit; aty për aty do t’i imponohej dorëheqja; do të kërkohej që ndaj tij të ngrihet edhe procedurë penale. Duhet shtuar se shqiptarët e Kosovës lindore, nuk kanë, jo ministër, por asnjë funksionar në pushtetin qendror të Serbisë. Përveç kësaj, kurrë shqiptari, në cilësinë e personit publik, nuk do të përdorte një shprehje fyese ndaj serbëve, e aq më pak ndaj nënave serbe, siç bëri Jabllanoviqi. Ndaj një deklarate fyese si ajo e Jabllanoviqit, do të reagohej në çdo vend demokratik të botës. Për protesta nuk do të kishte kohë, ngase ai do të shkarkohej menjëherë ose kryeministri do t’ia impononte dorëheqjen e menjëhershme. Moslargimi apo mosshkarkimi i Jabllanoviqit nga kabineti qeveritar, e diskrediton dhe e cenon autoritetin e pushtetit ekzekutiv të Republikës së Kosovës.
Në prag të jogurt-revolucionit serb (1989), serbët sajuan një shpifje ndaj Fadil Hoxhës, duke ia veshur se i ka fyer femrat serbe. Kundër tij u ngritën si përbindësh të gjitha strukturat e Serbisë. Ai në atë kohë ishte një pensionist i moshuar, por shtypi i Beogradit u mor me këtë çështje muaj të tërë.
Serbia, me politikën e saj destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse bën çmos dhe i përdor të gjitha mjetet për ta destabilizuar Kosovën dhe rajonin, sidomos Bosnjën dhe Hercegovinën. Me të gjitha format, ajo mbështet edhe politikën antishqiptare të VMRO-së dhe të Gruevskit.
 
Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen