Dr. Fahri Drevinja Mr.Sci. neuropsikiatër

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:37

Shumë i nderuar dhe i respektuar, dr.Drevinja. Fillimisht ju uroj shëndet dhe çdo të mirë në jetë! Radhazi dua që, të harxhoni pak kohë me hallet e mia të shumta shëndetësore. Duke respektuar kohen tuaj, po përpiqem që të jam i shkurtër në tregime. Z. Drevinja, para 6 viteve pata një aksident në pune, këtu në Gjermani, ku rashë nga skelet, lartësi prej 14 metrave. Dhe, pothuajse unë kisha përjetuar vdekje klinike. Në gjendje komatoze isha 8 javë. Mirëpo, ndodhi mrekullia dhe unë mbijetova më të keqen. Nga ai aksident më janë thyer shumë kocka të trupit, por më e keqja, kam pasur lëndim të rëndë në kokë deri në sulm. Dg. Politrauma me episode të fuqishme, depresioni dhe pengesa psikike, etj. Rreth 3 vjet kam qenë nëpër spitale të ndryshme në Gjermani. Sipas mjekëve, ata kanë bërë të gjitha të mundshmet, por unë nuk pajtohem, sepse ende ndjehem tepër keq, sidomos psikikisht. Ndjehem tepër i thyer, i rraskapitur, me ndonjë përjashtim, pa asnjë qëllim apo orientim, pa koncentrik,etj…

Tre vjet pas aksidentit, vendosa të fluturoj për vendlindje dhe gjatë fluturimit gati vdiça ngase ngela pa frymë. Ekuipazhi i aeroplanit më furnizoi me oksigjen dhe mezi shpëtova. Nga ajo gjendje në aeroplan e tutje më janë bërë si shprehi dhembjet në gjoks dhe ndjenja e të mbeturit pa frymë, sidomos kur ka ndryshime te motit-kohës. Mjekët këtu nuk kanë shpjegim konkret, përpos asaj përgjithësisht…e cila mua nuk po më ndihmon me përgjigjet: Mendo si ke qenë, gëzohu kësaj sot, etj. Mua më nevojiten shpjegime konkrete për ta ditur nga çka duhet të kujdesem apo si duhem unë të mbrohem në të ardhmen. Prandaj Z. doktor, të lutem që të më kuptoni dhe të më sqaroni aq sa keni mundësi. Shumë, shumë faleminderit. Paraprakisht dhe gjitha t’mirat! Sinqerisht, Butrinti.

PËRGJIGJE:
Nderuar Butrint, ti ke shumë të drejt me kërkesat për kualitetin e jetës. E lexova me kujdes letrën tënde, vërtet keni kaluar dhimbje fizike dhe shpirtërore, por tashti gjithçka është në rregull. Unë kësaj i them një gjendje pak sa e brishtë pas të gjitha atyre peripecive. Sigurisht që gjendja përditë e më shumë po vjen duke u përmirsuar. Do të mundon edhe pak kohë ankthi, pasiguria, depresioni, por gjithnjë je duke ecur përpara. Bëni përpjekje edhe më shumë për të fituar besim në vetvete, duke kuptuar mbështetjen familjare dhe shoqërore e cila është shumë dashamirëse për ty, besoj se më shpejt problemet e tua do të treten. Ka edhe pakëz rrugëtim, mirëpo gjërat të kanë shkuar mirë edhe pakëz optimizëm, dhe do t’ia dalësh. Udhëtimi i kthimit, mendoj sërish me aeroplan do të jetë shumë më i lehtë, tani më ke përvojë se nuk vdiset nga ankthi, frika. Megjithatë, një konsultim me psikiatrin tënd këtu nuk do të ishte i tepërt.

I nderuari doktor, jam i martuar dhe kam një fëmijë. Para disa viteve, tek unë filloi një shqetësim dhe një frikë e madhe, si pasojë e së cilës më ngrihej tensioni. Atëkohë, si 19-20 vjeçar, kisha tension prej 100-150 dhe kjo më shqetësonte, konsultohesha me mjekun dhe i bëja gjitha analizat. Fillova të përdor qetësues, si vitaminë B6 apo Peren, të cilat edhe sot vazhdoj t’i pi në ndonjë moment kur shqetësohem më shkakton edhe takikardi. Nuk e di, pse, por kur isha 20 vjet nuk mundja të bëja gjumë të qetë, çdoherë mendoja gjëra të këqija, shumë frikohesh se po vdes, çdoherë kultivoja ide negative. Nuk mund të përballoj asnjë situatë të rrezikshme apo ndonjë rast vdekjeje. Kur dikujt i ndodhë diçka e keqe, frikohem se edhe mua po do më ndodhë e njëjta. Ta them të vërtetën, nga momenti kur më lindi vajza para 8 muajve, sikur jam qetësuar dhe po bëj gjumë më të qetë, por megjithatë ende vazhdoj të jem pesimist dhe një dukuri që më shqetëson është edhe fakti që gati 5 vite për çdo natë nga 4-5 herë e shikoj sa e kam shtypjen e gjakut nga frika se mos është e lartë, edhe pse nuk ndjej asnjë dhimbje në organizëm. Doktor, si mund ta largoj këtë brengë, që ta harroj aparatin e tensionit dhe të mos mendoj në të. Kërkoj falje për tekstin e gjatë dhe për kohën që ua mora..
Me respekt.

PËRGJIGJE:
I nderuar, një kohë të gjatë iu ka përcjell një lloj frike, fobie nga sëmundja. Nga letra po paragjykoj se jeni një tip më empatik, më senzitiv, ‘shpirt i huaj’, siç thonë. Mos kultivo “kanabis”, e kam për idetë negative tuajat, por ato zëvendësoji me preokupime tuaja që tash i ke me bollëk. Lindja e fëmijës të ka forcuar, është shumë e natyrshme. Mundësisht, tash mos përdor më persen as vit.B6, mundohu vet, sepse unë nuk po mundem me konstatue se frika nga sëmundja ose nga ajo që të ngjan diç e keqe është aq intenzive që të pengon shumë. Kështu, po konstatoj se ti ke forcë t’ia dalësh vet.

Përshëndetje miq të dashur! Përshëndetje shumë i dashuri dr Drevinja! Jam Berati, student si dhe punoj njëkohësisht. Si person kam qenë tip i durueshëm, i përmbajtur si dhe shumë i kujdesshëm në çdo gjë, mirëpo tash, kohët e fundit kam një problem: qe tre vite jam në lidhje me një vajzë me të cilën duhemi shumë, kalojmë shumë mirë, mirëpo me të kuptuar familja e saj që ne jemi në lidhje, vazhdojnë të na vijnë shumë telashe dhe probleme nga ana e familjes së saj. Ka dy vite që përballemi me këto probleme.. Ajo çka mua po më brengose dhe më bën t’ju drejtohem juve dr. Drevinja është se duke u nisur nga angazhimet e mia si student, punoj njëkohësisht dhe kam obligime të tjera familjare, etj, është se kohët e fundit këto probleme me nuse s’po mundim me i kuptu si duhet. Na ka hy si mollë sherri në mes vete, mua më së shumti po më brengose që tanimë sillem keq me të. E dashura ime është 18 vjeçe, mirëpo vazhdoj të bie në konflikte me të dhe të shkoj aq larg saqë fyerjet dhe sharjet s’po më mungojnë, pastaj i bie pishman dhe i kërkoj falje. Problemet me të i kam kryekëput familjare, ajo s’është fajtore. Unë kisha pas dëshirë të di nga ju, pse ky ndryshim në personalitetin tim, sepse edukata nuk më mungon, arsimimi po ashtu. Kohët e fundit kam fillu dhe me shëndet të mos ndihem mirë, kam vështirësi me frymëmarrje, kam ndjenjën se nuk ngopem me oksigjen, gjumi më është çrregulluar, shohë ëndrra të këqija! Shpresoj në përgjigjen tuaj adekuate dhe ju lus për durimin,sepse e zgjata paksa tepër! Duke ju dëshiruar së pari shëndet dr. Drevinja, e mirëpres përgjigjen tuaj! Me respekt, Berati.

PËRGJIGJE:
Berat ke bërë mirë që je paraqitur dhe bënë mirë që i thua gjërat aq hapur. Të lutem mos e humb durimin, nuk bën në asnjë mënyrë të sillesh keq me nusen për shkak të disa personave që nuk ua donë të mirën. Më i menquri lëshon pe, bëhu të lutem ti, shpëtoje këtë lidhje. Gjendja jote tash është e ndjerë, ti ke nevojë të bisedosh me psikologun ose psikiatrin, së bashku me nusen. Durim dhe gjithçka do të ndreqet. Ata kur ta shohin suksesin tuaj, së bashku do të turpërohen.

Përshëndetje i nderuari, dr. Drevinja. Së pari dua t’ju përshëndes dhe falënderoj për kontributin dhe perkrahjen e vazhdueshme që po e jepni përmes kësaj faqeje të internetit. Jam një vajzë 22 vjeçare, studente në vitin e katërt. Këto vitet e fundit më është shfaqur një dukuri e pazakontë për mua dhe e panjohur deri më tani. Tash e një vit, unë kam filluar të kem problem me vetveten dhe të kem fobi nga objektet dhe orenditë në shtëpi! Para një viti përderisa hyja në konvikt, për herë të parë, m’u shfaq fobia nga objektet. Përderisa kthehesha nga biblioteka, sapo hyra në dhomën time, m’u shfaq një stuhi mendimesh që më bënte të mendoj gjithçka të keqe dhe të prisja nga orenditë që të lëvizin, të flasin, madje dhe të më shfaqet diçka përpara e gjallë.
Kaloi një kohë bukur e gjatë kur unë luftoja kështu me vetveten dhe mundohesha ta tejkaloj këtë problem, por si duket frika veç sa vinte e shtohej. Unë fillova të mos jem e sigurt të rrija vetëm, të shëtisja natën apo të ecja vetëm. Ps gati një muaji, unë pata një ngarkesë psikike dhe isha jashtëzakonisht nervoze dhe e zhgënjyer. Kur hyra në banesë, isha e vetmuar, më erdhi një zë sikur qante një fëmijë para derës së banesës, e që në fakt, pas disa minutash kur erdhi shoqja ime në banesë, u vërtetua që nuk ishte askush, ndërsa unë isha në gjendje të hidhesha nga dritarja nga zëri i bebes që më vinte në vesh. Në atë kohë unë dyshoja që më kanë bërë magji, pasi që i gjeta disa gjëra të dëmtuara. Tash ka kaluar një kohë bukur e gjatë, mirëpo unë prapë nuk jam e aftë të qëndroj vetëm dhe të jetoj e pavarur. Dr. i nderuar, po mbes me shpresë që letra ime do të lexohet dhe konfirmohet përgjigjja.
Respekt për ju!

PËRGJIGJE:
E nderuar, fobi e përzier me ankth me frikë, me elemente të derealizimit, frikë natën, frikë të qëndroni vetëm, tashmë edhe kemi folur në disa letra. Një zë i vetëm/thirrja e fëmijë, nuk mund të quhet sindrom halucinator, ke mundur me pas vërtet ndjenja tmerri nga çrregullimi i gjeneralizuar me panik natën ose situata kur ke qenë vetëm. Ajo që ende nuk je në gjendje ta kuptosh se objektet lëvizin, por nuk lëvizin, i lëviz frika, sikurse fshesat në kopshtin e huaj që duken si njeri! Edhe nëse e kupton prapë, nuk ke forcë ta mbizotërosh fobinë duke e analizuar, atëherë duhet ta vizitosh psikiatrin ose psikologun tënd.

I nderuar dr. Drevinja. Së pari ju përgëzoj juve dhe të gjithë kolegët tuaj të shëndetit mendor për këtë punë aq humane që po e bëni me këto këshilla. ‘Ti ndihmosh një njeriu i cili ndihet i pashpresë, për mua është vepër sublime.
Jam 27 vjeç, jetoj në Kosovë, me shkollim superior, me suksese goxha të mira. Jetoj me familjen time dhe nuk kam ndonjë problem serioz në mesin ku jetoj, po si duket problemi është tek unë, mirëpo unë vetvetiu nuk po mundem ta zgjidh assesi.
Edhe pse e kam një mjek që e respektoj shumë, po më duhet edhe mendimi i juaj shumë i vlefshëm për mua
Në nëntor të vitit 2007 kam qenë shumë keq dhe kam pas sulme të ankthit, po edhe depresion. Kam kërkuar ndihmë prej mjekut familjar, e me rekomandimin e tij edhe mjekut psikiatër, i cili më ka diagnostikuar me çrregullim anskiozo-depresiv. Ai më ka ordinuar një terapi me oxetin 20 mg dhe xanax 0.5mg (vetëm për dy javë). Kam vazhduar me këtë në periudhat si vijon: nëntor 2007-mars 2008, korrik 2008-mars 2009, korrik 2009-nëntor 2009.
Efekti i barnave herën e fundit (korrik 2009-nëntor 2009) ka qenë më i vonshëm, mirëpo prapë diku kah 10 gushti, kam filluar me ndie veten më mirë. Tani ka filluar prapë të më shfaqen disa nga simptomat e me hershme, siç janë: pagjumësia ose gjumi jo i rregullt (më del gjumi gjatë natës), më janë rikthyer shumë mendimet negative, më mungon iniciativa, indisponim në periudha gjatë ditës, vetëm ankthin nuk e kam.
Brenda ditës kam ndryshime të disponimit dhe kam një evazion të mendimeve negative që vazhdimisht po mundohem me i larguar, mirëpo prapë po me kthehen edhe po me shpenzojnë tërë energjinë.
Nuk e di pse nuk po mund t’i largoj ato mendime dhe ide negative që më janë bërë si obsesion dhe më kanë bërë të mos kem aspak vetëbesim.
Ju lutem, më jepni ndonjë këshillë. A ka rrugëdalje afatgjate nga kjo situatë? A keni raste të tilla që kanë pasur sukses?
Këshilla juaj do të ishte shumë e mirëseardhur.
Sinqerisht, Toni.

PËRGJIGJE:
Toni, e lexova letrën tënde me kujdes, mendoj që diagnoza është po ajo, ka edhe disa elemente obsesive në sjelljet tuaja, megjithatë nuk e ke humbur luftën. Problemet tuaja ngjajnë në depresion sezonal, por trajtimi është i njëjtë. Ka mundësi që herën e dytë të ndërrohet antidepresivi, mendoj në velafaxin, por sipas teje tash nuk ke ankth dhe vazhdimi i trajtimit të filluar nuk është i gabuar.
Shfrytëzoje komponentin e mirëqenies sociale dhe ngritjes intelektuale profesionale, njihe problemin dhe gjej burimet për më shumë shpresë dhe vlerë të jetës.
Toni, mendoj që duhet të trajtohesh, t’i kuptosh mendimet negative, ti ke forcë, mund ta intelektualizosh problemin dhe ta zvogëlosh atë. Nëse vërtet paraqitja është sezonale, duhet të bësh parapërgatitje dhe forcë psikologjike që episodet e ardhshme, secila të jetë më e butë – simbolike.

Përshëndetje doktor. Edhe më herët ju kam shkruar dhe t’ju them të drejtën më kanë pëlqyer shumë këshillat e tua dhe vendosa që prapë t’ju shkruaj. Unë më herët kam vuajtur nga çrregullimi i ankthit. Tash përdori Citalopram, por nuk preferoj t’i them vetes se vuaj nga çrregullimi i ankthit, meqë ndihem shumë, shumë mirë. Dmth mendime negative, plogështi, ataqe paniku s`kam më. Të vetmin problem e kam këtë: kur largohem nga shtëpia e ndjej një lloj pasigurie, një plogështi, mendoj që do më ndodhë diçka tragjike dhe nuk do mund të kthehem në shtëpi, do te mbes në rrugë.
Pres ndonjë këshillë nga ju.
Të faleminderit shumë. Me respekt, Arbëri.

PËRGJIGJE:
Arbër, vërtet tashmë e ke kaluar ankthin, ke edhe pak sekuenca, siç i përshkruan me largimin nga shtëpia, por tashmë ato kanë filluar të munden. Edhe pakëz durim, fitoje hapësirën nga një hap, duke kthyer mendimet negative në ato pozitive…se puna po shkon mirë gjithnjë, po kthehem pa problem…dmth ankth nuk kam më, etj.
Provo me veten tënde, mos u ndal po qe se don s’ke me pas asnjë problem, këto janë metrat e fundit të ankthit dhe fobisë sociale.

Përshëndetje. I nderuari mjek, jam nga Shkupi, 37 vjeçe. Kisha pas dëshirë të na sqaroni diçka rreth fobisë. E di që secili person vuan nga ndonjë fobi në jetë, unë si fëmijë pas shikimit të një filmi me disa insekte, kam pasur frikë shumë dhe këtë fobi e kam edhe sot, sidomos nga insektet me ngjyrë të zezë. Ato shpesh më shfaqen gjatë natës në ëndrra.
Ju lutem, nëse keni mundësi me jepni ndonjë sqarim që të mund të lirohem nga ky problem.
Ju flm për kohën dhe ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
E nderuar, pajtohem me juve që ka numër shumë të madh të dobive, që dmth frikë specifike nga objektet e ndryshme, infeksioni, gjarpri, lartësia, terri, uji, aeroplani, insektet, etj.
Mundohu të lirohesh nga ai film tmerri i Hiçkokut, kanë përfunduar ato fantazi më. Bëj përpjekje ta bindësh trurin tënd që të lirohet nga ajo torturë e fantazisë fëminore. Duke i dashur insektet si bletët, termitet fillon të humbet frika nga “insektet e tmerrshme të filmit”. Largoje frikën nga ato, në mënyrë që ai moment stresues të largohet përgjithmonë.

Përshëndetje. Jam një vajzë 18 vjeçe, për moshën që e kam, kam shumë probleme, kam shumë frik, stres, jam shumë nervoze, impulsive.
Asgjë nuk më duket interesante, çdo gjë është e kotë, shumë shpejt nervozohem, s’kam vullnet për jetë, thjeshtë jam ftohur nga jeta edhepse se kam jetuar mjaft.
Problemet në familje ndërmjet prindërve ndikojnë shumë keq në mua. Kam zbuluar se babi im është në lidhje me një grua tjetër, kjo gjë më ka prekur thellë në shpirt dhe ndikon rregullisht në mua, sepse askush tjetër në familje nuk është në dijeni për këtë gjë. Nuk kam treguar, nuk di a do të tregoj, sepse është turp.
Qe 4 vite, prej se e kam zbuluar këtë lidhje, unë gjithmonë kam probleme shëndetësore, gjithmonë më dhemb diku. Kur shkoj të konsultohem me mjekun, thotë se nuk kam asgjë. Gjithmonë frikohem kur më dhemb diku, mendoj se kam sëmundje të keqe, nuk mundem të jem e qetë. Kam mbetur mbrapa me mësime dhe kjo më brengos shumë, gjithmonë kam qenë numër një për mësim, tash s’kam vullnet as për të mësuar.
Asnjëherë prindërit nuk merren me mua për të më këshilluar ose të më pyesin pse kam ndryshuar, ata kanë problemet e tyre dhe për mua as që interesohen fare. Nuk më lejojnë që të dal me shoqëri shumë dhe gjithmonë nguroj t’ju tregoj se më kanë ftuar shoqet që të dalim.
Kam shumë probleme të ndryshme, sidoqoftë ju tregova disa prej tyre, të cilat janë duke ma shkurtuar jetën, së paku kështu mendoj unë.
Ju faleminderit. Shpresoj të kem një përgjigje nga ju.

PËRGJIGJE:
E nderuar, po e kuptoj brengën tënde, është sa një mal. Por, a ia vlen të sakrifikohesh? Jo, nuk ia vlen, sepse gjërat nuk kthehen mbrapa. Me qenë më e vogël të falet, por tani je e rritur dhe duhet me kuptuar jetën. Janë shumë natyrore sjelljet tuaja, ti mundohesh ta mbash harmoninë, por me rënien tënde, nuk bënë! Rruga jote është mësimi, karriera, le ti mbetet në ndërgjegje babait të tillë që nuk të përkrah.
Të lutem., bëni kthesë duke mos shikuar mbrapa, mëso nga gabimet e tjerëve. Fatkeqësisht ka shumë histori të tilla në shoqërinë tonë. Të këshilloj ta marrësh veten, me ndaljen tënde përfundon çdo gjë, prandaj mos ndalo, t’i merre timonin dhe lundro nëpër ujëra të pastra.
Vepra e babait tënd tash të është bërë ankth, frikë nga sëmundjet, vërtet është brenga dhe ndjenja jote e fajësisë që nuk ke mundur të bësh më shumë. Nëna duhet të jetë në anën tënde, bisedoni bashkë, ajo ta lehtëson dhimbjen.
Fol me psikologun, me psikiatrin, kjo gjendje duhet sa më shpejt të tejkalohet.

Përshëndetje i nderur! I fejuari im me të cilin jemi qe prej 9 vitesh, i ka të gjitha kushtet, si materiale, sociale, familjare, ka shoqëri të gjerë, e respekton i gjithë vendi. Nuk ka pasur asnjë vështirësi në jetë, është shumë i pashëm dhe ka pasur lidhje me shumë femra të ndryshme. Është 30 vjeç.
Kohët e fundit se zë vendi vend, ka shtrëngime në zemër, turbullime në lukth, ka filluar të mendojë se i ka kaluar të gjitha kënaqësitë e jetës. Kurrgjë s’është më interesante për të, është jashtëzakonisht nervoz, në disa raste përdor edhe dhunë fizike. E humb totalisht kontrollin, është bërë i dhunshëm edhe me familjarët e vet, thyen gjëra nganjëherë, e lëndon edhe veten, shfaq xhelozi të pakuptimtë, ndonjëherë shpif dhe imagjinon gjëra në lidhje me mua dhe i duhet kohë për t’u bindur që s’janë të vërteta… Të nesërmen bëhet pishman, e urren vetveten, nganjëherë më thotë se nuk është për mua, se unë meritoj më shumë. Mbyllet në vetvete, konsumon alkool, vazhdimisht më thotë se s’është mirë psikikisht, bile edhe nuk më qëndron besnik.
Ju lutem, tregomëni, a është lloj depresioni apo është fazë kalimtare që i ndodh gjithsecilit dhe, a duhet të kemi mirëkuptim, qoftë edhe për dhunën fizike?

PËRGJIGJE:
E nderuar, mendoj që ndryshimet në sjellje te burri tuaj janë të natyrës serioze, mund të jetë se e ka ndryshuar alkooli, këtë ju më së miri e dini, nëse është duke konsumuar gjatë dhe në sasi të pakontrolluara, ose luan bixhoz, ka pas humbje, vërehen edhe shenja të xhelozisë alkoolike patologjike. Sipas asaj që po mundem me konstatua nga letra, ka gjithashtu simptoma të depresionit, por edhe të ndryshimit të personalitetit.
Të këshilloj ta vizitoni psikiatrin sa më parë.

I nderuari, Dr Drevinja. Jam 35 vjeçare, e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Kam një jetë relativisht të mirë, mirëpo për nga natyra jam e ndjeshme dhe tepër e kujdesshme ose më mirë të them tepër brengosem. Brengosem për çdo gjë. Kohët e fundit (pas humbjes së babait) shoh shumë ëndrra të cilat më shqetësojnë jashtë mase dhe pastaj më humbet disponimi gjatë gjithë ditës, sepse dhe nuk pushoj së menduari për to. Më shqetëson çdo gjë, edhe një problem krejtësisht i vogël më krijon një lloj ankthi. Sidoqoftë, kjo gjendje nuk është e përhershme. Ju lutem, a mund të më sqaroni se çfarë është problemi im, a ka të bëj me depresion apo jo?
Jam konsultuar me një neuropsikiatër i cili më ka rekomanduar ca barna antidpresive (Calixta, Amyzol dhe B-complex, mirëpo pasi i lexova efektet anësore të këtyre barnave si: ankthi, agresiviteti, mendime negative etj, dhe se pacienti gjatë marrjes së tyre duhej të monitorohej nga doktori, unë nuk fillova t’i marr këto barna fare. A mundem ta kaloj këtë gjendje pa barna, apo duhet që kjo gjendje të mjekohet patjetër me këto barna.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Zonjë, keni karakteristika të personit të ndjeshëm, pastaj keni përjetuar edhe humbjen e babait që ka lënë gjurmë, poashtu ëndrrat e këqija ju ngarkojnë. Mund të jeni edhe me qëndrime më të rrepta ”rigide” të cilat kërkojnë mjaft energji që të mbahen, kështu ngarkoheni-tensionoheni më shumë. Mendoj për fund, që keni ankth të përzier me depresion, pastaj ngarkesë nga humbja e prindit. Pastaj pasiguria ndaj terapisë së preferuar nga kolegu ynë. Këtë gjendje mund ta kaloni edhe vet, por ndoshta më mirë, më shpejt e kaloni s’bashku me psikiatrin ose psikologun tuaj. Barnat e preferuara nga psikiatri juaj janë të mira, është dashur t’i përdorni. Rezultati i barnave vjen për dy javë.

Jam 34 vjeçar dhe i martuar tash një vit. Problemi që barti me vete është se po bëhet një vit që po vuaj nga depresioni, me thënë të vërtetën vet ia kam qelë rrugën. Them kështu, sepse para një viti isha në kurbet dhe atje kam qëndrua për punë dhe s’më ka interesuar shoqërimi me njerëz që si njohja. Unë bëja jetë të izoluar dhe, dhe nga natyra jam tip i mbyllur, por jo ekstrem.
Pas një viti që u ktheva në shtëpi, filluan të më zgjerohen simptomat, por tash në një ambient tjetër, në ambientin familjar. Pas pak kohe u martova, por barti me vete depresionin e mallkuar. Pas ardhjes sime, diku pas dy muajsh vendosa ta vizitoj psikiatrin. Ai konstatoi depresion të çrregulluar. Këtë histori ia kam treguar edhe kolegut tuaj që dikur ka punuar në Klinikë. Ai më dha një terapi, për fillim fluoxetin 10mg dhe demetrin 2 herë në ditë nga o.5 mg. dhe më udhëzoi për një vizitë pas 2 muajsh që mua më dukej shumë larg. Pas 2 muajsh në vizitë ai konstatoi se kam përmirësim fillestar, ma zvogëloi terapinë e demetrinit. Mirëpo, unë këtë nuk e përfilla, sepse kisha frikë prej këtyre barnave dhe mendoja se problemi do të zhduket vetvetiu. Kisha fituar përshtypjen se fluoxetini po ma dëmtonte memorien.
Tashti, jam në depresion, s’kam shpresa, jam i zbrazët brenda, izolim social, kam koncentrim të dobët, memorie të ngadalësuar, humbje interesash për punë, hobi. Sporti, muzika nuk më doken interesant më, nganjëherë kam mendime suicide, dhimbe në gjoks, s’kam ide, kreativitet, nuk kam humor. Më pengojnë bisedat, dëshiroj të qëndroj i vetëm. Së shpejti do të bëhem prind dhe një sfidë e madhe për mua në kohën kur kam probleme me marrë vendime, se di nga t’ia mbaj.
Të lutem doktor, kërkoj mendimin tuaj, si të veproj, si të sillem në raport me gruan dhe familjaret tjerë se po më duket se depresioni individual ka kalua në atë familjar. A duhet pranuar unë publikisht problemin a jo. Duke marrë parasysh kohën që kam kaluar në depresion, a mund të dilet nga ky rreth. Sa i përket gjendje mendore qëndroj mirë, se përndryshe nuk kisha qenë në gjendje me i shkruar këta rreshta. Kam problem edhe me emocione, s’më qahet, as nuk qeshem, nuk ndiej dashuri në të afërm. Mjaft e zgjata, doktor në fund, mbeteni të përshëndetur…
rheinbach74

PËRGJIGJE:
Është e qartë historia jote, psikiatri juaj iu ka këshilluar mirë, keni pasur edhe shenjat e para pozitive. Besoj që nuk keni humbur asgjë, ju duhet t’i ktheheni prapë terapisë, përkrahjes në vazhdim nga terapeuti juaj dhe përkrahjes nga familja juaj. Mos iu frikësoni fluoksetinit, përkundrazi ai ka edhe veti që ndikon pozitivisht, në memorie. Unë e shoh që keni mjaft potencial intelektual që ta intelektualizoni depresionin, ta pranoni dhe s’bashku me terapeutin, bashkëshorten tuaj, familjen, ta mposhtni sa më shpejt. Depresioni mund edhe të kthehet, por nëse trajtohet mirë, rikthimi është më i rrallë dhe më i butë. Mjeku juaj nëse e sheh të domosdoshme, mund t’ua ndërroj fluksetinin, por nuk shoh ndonjë arsye. Sukses.

I nderuar Doktor Fahri. I dashuri im gjatë luftës ka kaluar një periudhë mjaft të rëndë dhe që nga ajo kohë deri më tani nuk ka pranuar të flas me askënd, përveç meje. I është ngulitur në kokë se vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë. Nëse i dhemb barku, fiksohet se ka diçka të rëndë dhe se do vdes, nëse ka dhimbje koke apo gjetiu , prapë ka frikë se aty ka ndonjë kancer apo diçka. Ka bërë shumë herë analiza dhe i kanë dalur shumë mirë, madje ka bërë edhe CT-në, edhe ajo i ka dalur shumë mirë. Ndonjëherë kam bindje se ai lufton për të nxjerr një sëmundje tek vetja, kam shfletuar shumë nëpër internet, nëpër libra dhe kam hasur në një term Hipocondria. Mund të më flasësh pak më gjatë për këtë, apo edhe a ka ndonjë mënyrë të largohet kjo gjendje? Ju lutem doktor, kërkoj të më përgjigjeni se unë nuk mund t’i dalë në ndihmë. Unë e kam bindur të bëjë një vizitë te neuropsikiatri, por këtë e ka bërë vetëm një herë. Pres me padurim përgjigjen tuaj.
PËRGJIGJE:
I dashuri juaj ka kaluar nëpër katrahura të tmerrshme, këto janë tash reagime të stresit posttraumatik, ndoshta evaluime anksiozo-depresive. Është mjaft pozitive nëse ai fillon të flas, duhet domosdo të lirohet nga ato përjetime tmerruese. Është pak vështirë, sepse i ringjallen kujtimet, prapë përjeton ndjenja të pakëndshme negative, por është e rëndësishme për ne se mund të shërbej si ventil çlirimi nga tensionimi të cilin e bart. Ka shumë elemente që janë karakteristike të manifestimeve të frikës/fobisë/ nga sëmundjet e ndryshme. Keni pasur të drejt të lexoni hipokondrinë, ndoshta ka elemente, ta shohim në vazhdim.
Hipokondria është bindja, preokupimi, frika se vuan nga ndonjë sëmundje serioze. Nuk bindet nga rapotet e mjekut për pasqyrim të gjendjes së mirë shëndetësore. Pacientët kanë të dobësuar “autoskopinë” shikimin kah vetvetja-trupi i tyre. Prek moshat 20-30 vjet, sjellë mjaft kokëçarje në funkcionimin e tyre. Simptomat që paraqiten nuk janë karakteristike për ndonjë sëmundje.
Trajtimi ose përmirësimi rritet duke vazhduar të bindet për mosekzistimin e sëmundjes me rezultate të mosgjetjes së sëmundjes nga ana e mjekut. Është e dobishme terapia njohëse e sjelljes /kognitive-bihejviorale/ në grup. Duhet të trajtohen çrregullimet eventuale bashkë ekzistuese ankthi, depresioni, çrregullimi opsesiv kompulsiv, konverzioni etj.

Jam Nora dhe kam një problem. Kur qëndroj jam e qetë, por kur hapet dera, frikësohem, por edhe kur dëgjoj zhurma, zemra më kërcen. Nuk e di pse gjithmonë kam frikë…

PËRGJIGJE:
Nora, ka mundësi që në të kaluarën (në fëmijëri) keni përjetuar frikë të madhe, kur është hapur dera. Përpiquni ta rikujtoni dhe të zbrazeni nga ajo frikë e deponuar diku në pjesën e paravetëdijshme.

Përshëndetje doktor. E kam një problem, qe dy vite rri shumë e stresuar, nervoze, shumë shpejt bëhem nervoz për gjëra pa lidhje, të vogla. Fillon koka të më dhemb, zhurmën se përballoj, tashti kam problem edhe me frymëmarrje.
Kam qenë në lidhje me një djalë dy vjet, para një viti jam ndarë. Sa kam qenë me të kam ndryshme. Një kohë është sjellë shume keq me mua, më ka rrah, më ka maltretuar, s’kam mundur të regjistrohem në fakultet. Dy herë kam dështuar, s’mund të koncentrohem për kurrgjë, gjithnjë mendoj mendoj keq për veten. Jam 19 vjeçare, po ka dëshirë të jem me një djalë, por po frikohem shumë. Po rri vetëm në shtëpi , rrallë dalë, rri vetëm në vende të mbyllura, mendoj keq për veten. Kjo po më shqetëson. Të lutem, pres ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
E kuptoj në tërësi zhgënjimin tënd, mosbesimin në vetvete, ama nuk keni humbur çdo gjë. Keni vetëm 19 vjet, keni inteligjencë normale. Për regjistrim në fakultet keni kohë të provoni, të përgatiteni më fort. Pakëz e keni nënçmuar veten, keni lejuar që djaloshi t’u fyej, nuk është dashur të shkoj deri aty puna! Tash mundohuni ta mbani të dashurin tjetër, por duke vepruar më me mençuri. Suksesi dhe mossuksesi gjenden në kokën tuaj. Suksese në studime, më pastaj vijnë rezultatet, diploma dhe djem plot. Merrni diazepam 2mg kur të jeni e shqetësuar, por jo gjatë. Bisedo me psikologun.

 

 

 

I nderuar Dr.Fahri. Kohët e fundit më merren mend, isha te mjeku, bëra një echo që rezultoi mirë. Pas një kohe filloj diçka në vesh të më shtrëngon, por mjeku i ORL-së më tha se s’ka diçka për shqetësim. Sërish filloi diçka në fyt që më ndërpriste frymëmarrjen, me mendime të këqija. Sërish vizitova mjekun, i cili më tha se e kam në bazë nervore. Neuropsikiatri te i cili u vizitova, më tha se ky shqetësim do të më kalojë. Mandej shkova të jë psikiatër që më dha hapa për qetësim, mirëpo që në ditën e parë kam vjellë 3 herë brenda 5 minutave. Tashti, kohët e fundit, kam ndjenjën se po më shtrëngon zemra, se rrah shpejt dhe më kaplon paniku. Por edhe fyti po më ngulfat. Familjarët më thonë se jam bërë vesveseli. Një mjeke pas incizimit të shpinës më ka thënë se kam spondilozë. Doktor, unë po ndihem keq dhe kur bie në shtrat, kam ndjenjës se do të vdes. Ju lutem, pres këshillën tuaj. Gjithë të mirat. Zoti ju ruajt.

PËRGJIGJE:
I nderuar, e lexova letrën tënde me shumë kujdes, askund nuk gjeta diçka që ti duhet të brengosesh. Gjithçka që ti e përshkruan është ankth, është frikë nga sëmundja. Pas analizave dhe gjetjeve të mjekëve përkatës, sigurohu që vërtet nuk ke diçka organike dhe gëzohu, më pastaj kuptoje ankthin. Në shumë përgjigje ke diçka të ngjashme. Psikiatri të ka shkruar terapi, nëse më mirë të bënë biseda edhe më mirë, shfrytëzoje atë. Megjithatë, nëse nuk shkon, nëse prap vazhdon të kesh ankth, kriza paniku, frikë nga sëmundja, një trajtimi nga psikiatri mos iu frikëso, do të të kalojë shpejt.

I nderuar doktor, jam 47 vjeç. Viteve të fundit acarohem shumë shpejt për çdo gjë, bëhem temperament, të shumtën ndodh që të emocionohem, më pas filloj të qajë nga emocionet te cilat më vijnë. Para 10 viteve, kam përdorë kundër prozak 20 mg, për 3 vite me radhë, kjo ka ndodh në Amerikë. Kam një fëmijë tre vjeçar. Ju lutem, më jepni ndonjë propozim ose ndonjë medikament i cili më ndihmon që të mos e shfaqi acarimin, temperamentin, emocionin, por, gëzimin, buzëqeshjen, kënaqësinë.
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
I nderuar, duke lexuar letrën tënde, mu kujtua fjala turke …45 vjet. Vërtet, njeriu pas kësa moshe mund të vërejë një tatëpjete apo jo? Ne psikiatrit, psikologët themi në asnjë mënyrë! Kurrsesi, gjithnjë mosha që jemi tashti, është idealja. Por, megjithatë shprehitë tona, reagimet tona, frenimet mund të ndryshojnë, mund të bëhemi më rigid, më dështak, më të ngadalshëm, dmth mund t’i humbim disa virtyte. Këtë, e para, na e thotë gruaja (‘ti njeri kështu nuk ke qenë.. kontrollo veten..’). Mundohu sa herë që të vjen agresiviteti të paraqitesh me të kundërtën, quhet formacion retikular, por është mjaft vështirë. Djali i vogël e kupton tashmë që babushi ka “rrëshqitur” thonë kroatët, por megjithatë, mos u dorëzo. Sa i përket barnave, nëse vërtet nuk mundesh vet, atëherë prozaiku, prapë të ndihmon. Ndonjë bisedë me psikiatrin nuk do të jetë e tepërt, mund ta planifikosh.

Përshëndetje doktor Fahri! Po ju lajmërohem, sepse kam nevojë për këshillën tuaj. Burri im është 51 vjeç, punon, ka ngarkesa në punë, mirëpo shumë shpejt nervozohet dhe krejt trupi i shqetësohet. Jam munduar ta bind për të shkuar te mjeku, mirëpo vazhdimisht arsyetohet se e ka nga lodhja, nga ngarkesa në punë, mirëpo kjo po i vazhdon që disa vite. Përndryshe, është intelektual dhe super inteligjent. Ju kisha lutur, a ka ndonjë terapi që mundet ta përdor për qetësim. Ju falënderoj shumë nëse gjeni kohë t’i përgjigjeni lutjes sime.

PËRGJIGJE:
Zonjë e nderuar. Nëse nuk e pengon shumë kjo ngarkesë, shqetsimet, lëvizjet e shtuara ose ndryshimi në humor, nuk do të thot që duhet shëruar. Por, nëse kjo iu shqetëson, së pari atë, juve dhe vërtet është diçka që nuk e ka pas më parë, atëherë duhet të bisedoni se çka mund të bëhet paraprakisht. Mendoj, së pari në mes vete ta diskutoni problemin hapur, në detaje, t’i mund ta ndihmosh dhe, më pastaj, nëse nuk mund ta zgjidhni, atëherë përdorimi i ndonjë anksiolitiku ose antidepresivi në doza të vogla mund t’i ndihmoj. Nëse megjithatë nuk mund të thyhet barriera, ndonjë takim me psikiatrin do të ishte mjaft konfident.

Me gjithë respektin dhe fjalët më të mira të drejtohem ty i nderuar doktor Kam 2 vite që vuaj nga depresioni, kam qenë te shumë mjekë, duke filluar nga psikiatri, psikologu, tyrbja, hoxhallarët… Kam përdorë lexilium 0,5 mg, që nuk më ka ndihmuar , pastaj citalopram, lorazepam, asentra rivotril, aloprolol, etj. Ndërkohë fillova të pi alkool se nuk munde te gjeja veten, nuk dija as te kontrolloja veten për shkak se kam shumë angazhime. Isha në Gjermani dhe bëra disa analiza, kolesteroli doli 10,5, dhe mëlçia e dëmtuar në masën 50%. Alkoolin e kam ndërprerë qe 3 muaj, edhe medikamentet, por sërish jam në depresion .
Pres ndihmën tënde doktor.

PËRGJIGJE:
I nderuar, keni bërë shumë mirë që e keni braktisur alkoolin. Ka shumë mundësi nëse e keni dëmtuar mëlçinë, tash përdorimi i barnave duhet të jetë i kufizuar. U mbetet më e forta, mbështetja familjare dhe shoqërore e cila iu forcon dhe iu mban. Mendoj se fjala është për një gjendje depresive të përzier, ankth, pasiguri, ngarkesë psikike, etj. Këshilla ime: sa më larg barnave, alkoolit, tash duhet të ruhesh nga kolesteroli, sigurisht që të ka thënë mjeku se çfarë të konsumosh. Sa më shumë besim në vete, depresioni nuk të kthehet më.

Përshëndetje. Doktor, unë nuk di nga te ja filloj, prej 23 marsit 2008, më kam ndodhur një rast që nuk e kam pritur prej një personit…dhe, prej atëherë pata çrregullime të mëdha të zemrës, ngufatje të fytit, djersitje, humbje të kontrollit, marramendje, të vjella të mëdha. Diagnoza ime është: çrregullim i ankthit dhe çrregullime obsesive. Unë nuk mundja t’i përshtatem shoqërisë, sepse ata më nënvlerësonin. Unë u largova nga shoqëria dhe fillova të punoj vetëm për interesat e mia. Fillova praktikën në Bankë, pastaj fillova të merrem me disa trajnime në grupe. Tashti, doktor Fahri nuk përdori terapi më. Tashti kam filluar të bëhen shumë i fortë emocionalisht, nuk turpërohem, s’kam komplekse (vesvese), po ende nuk mundem të përballem me femra. Vazhdoj të mësoj anglisht, merrem me studime…megjithatë dua një këshillë nga ju.

PËRGJIGJE:
Ende ke turp nga femrat?! Ti i ke thyer barrierat më të vështira, e ke mundur kompleksin, e ke fituar vetëbesimin, të ka mbetur vetëm edhe kjo, do ta kalosh se nuk bënë; së pari biseda, biseda, me vajza dhe suksesi vjen vetvetiu Më vjen shumë mirë që ke ec përpara. Letra jote me siguri do t’ju shërbej të tjerëve se vetëbesimi është bazë e ngritjes dhe ecja nëpër pengesa, nëpër histori, të bënë më të fortë. Vazhdo edhe më shumë të mësosh, e ardhmja jote është e sigurt.

I nderuari doktor fari. Jam nga Sllovenia, gruaja ime qe dy vite vuan nga depresioni. Pikërisht, para dy viteve ndodhi nje aksident fatal me humbje jete të një plaku. Gruaja prej asaj kohe nuk është mirë. Neurologu i ka dhënë cymbalta 60mg si dhe zaldiar për dhimbje koke sipas nevojës. Një kohë pastaj ka qenë mirë dhe nuk i ka marrë ilaçet me rregull. Mirëpo, pas disa muajsh, mjeku ia ka rritur dozën cymbalta, për 60mg., por që zaldiarin të mos e përdorë, por ndonjë lekadol për dhembje. Para disa ditësh, gruaja i ka parë disa policë duke e ndjekur një shofer, e tani ajo po frikohet shumë, po rri mbyllur në dhomë. Psikologu ia ka përshkruar disa qetësues. Gruaja po frikësohet se mos ka ndonjë sëmundje të rëndë në kokë apo diku tjetër.
Të lutem, më kthe përgjigje.

PËRGJIGJE:
Gjithçka ka ndodhur pas atij stresi kur e ka parë rastin e aksidentuar, i themi çrregullim nga stresi post traumatik i cili tashi mund të ketë evoluar në depresion të vërtetë. Sido që të jetë, mendoj që gruaja juaj, pas tretmanit të filluar psikiatrik do të shërohet. Mos ke frikë që ata nuk e kanë përjashtuar ndonjë sëmundje organike. Edhe pagjakësia mund t’i sjell mjaft kokëçarje si marramendje, frikë, ankth, depresion. Unë i besoj mjekësisë sllovene. Përcillni rekomandimet e psikiatrit të saj. Do të ketë shumë sukses.

Përshëndetje dr.Fahri. Jam studente e fakultetit të mjekësisë. Para dy viteve më kanë filluar disa simptoma hipokondrike, kisha frikë nga sëmundja aq sa u binda se kam kancer. Nuk kam lënë mjek pa kontaktuar sa që kam bërë dhe CT të abdomenit të sipërm dhe e pashë se nuk është diç somatike. U konsultova me neuropsikiatrin, ai më tha se kam ankth të përgjithësuar. Kur e kam kuptuar që është problem neuropsikiatrik, më ka ra besimi në 0, ndoshta për pak kohë kam rënë në depression, sa që tash mendoj, se po të mos kisha kontaktuar me neuropsikiatrin, ndoshta e kisha kaluar pa e vërejtur që kam qenë në depresion.. Kam marrë terapi demetrin dhe oksetin gati një vit. Sërish kam kontaktuar me neuropsikiatrin, më ka rekomanduar gati një muaj rivotril dhe fluoksetin. Kam shkuar në seanca gati çdo 3 muaj, thuajse po bëhen 2 vite me këtë problem. Nuk e di arsyen pse po më përsëritet. Tash një javë jam me fluoksetinin, e marr çdo 3 ditë demetrinin Kur po më përsëriten shenjat, po më humb besimi. Nëse mbetem shtatzënë dhe më paraqitet depresioni, si do të trajtohem? Kam shumë dilema…

PËRGJIGJE:
Studente e nderuar, sa më shpejt që është e mundur merre veten, tashmë ti ke njohuri për problemin që e ke, çrregullim i ankthit të përgjithshëm me hipokondriazë. Ti e di që kur nuk ka substrat, s’ka sëmundje, po e kupton që kjo vjen pikërisht nga mendimet tuaja pa asnjë shkak të jashtëm ose traumë. Sigurisht mjeku ti ka shpjeguar detajet meqenëse ke ndjek psikoterapi. Sa i përket shtatzënisë, pikërisht kjo ka me ta stabilizuar gjendjen, vëmendja do të kthehet nga bebja dhe ti çdo ditë do të lirohesh nga kthetrat e ankthit dhe hipokondrisë. Mund të kesh disponim të keq, por kjo nuk do të thotë që kjo gjendje medoemos evoluon në depresion, ti mirë e di edhe nga provimi i psikiatrisë. Me siguri ke dëgjuar një të vërtet; shumë nga studentët e mjekësisë duke dëgjuar ligjëratat, ushtrimet gjysmën e sëmundjeve i gjejnë tek ata vet që janë hipokondër, apo jo.

I nderuar doktor, paraqitem nga Italia, jam 24vjeç, vuaj nga depresioni qe 7 muj. Marr demetrin10mg, fuoxetina10mg, por nuk më ndihmojnë. Kam frikë se më ikin mendtë, qaj, s’kam vullnet për asgjë.
Doktor, pres ndihmën tënde.

PËRGJIGJE:
I nderuar, terapia që ke përdorur është me vend, ti përpos depresionit ke edhe probleme adaptimi në rrethin e huaj, aty ku mundohesh të integrohesh. Sigurisht që në fillim ke pas mjaft peripeci dhe tashti ato të hakmerren me lodhje, ngopje me problematiken aktuale, si frikë, pasiguri, depresion, etj. Por ti mos u dorëzo, unë mendoj që shpejt do të dalësh nga kjo amulli. Të propozoj ta rritësh dozën e fluoxetinit, nga 20 mg paradite dhe kështu pas gjashtë jave, nëse nuk na jep rezultate, atëherë duhet ndërruar antidepresivin. Demetrinin zvogëloje përgjysmë.

I nderuari doktor Fahri. Jam 42 vjeç dhe kohët e fundit jam mjaft aktiv në jetën publike, mirëpo e keqja është se unë, kohët e fundit, po harroj shumë (harroj fjalët që bëj me shokët, nuk më kujtohen as bisedat me humor). Lexoj mjaft, por nganjëherë edhe ato i harroj, më kujtohen pas një kohe, ndoshta kur nuk me duhen. Kjo më ndodh sidomos kur kam prezantime publike, mundohem të përgatitem mirë, por mund të dalë i zbehtë prezantimi ngase harroj ndonjë detaj të rëndësishëm pa përmend. Kohët e fundit kam bërë analiza dhe të gjitha janë në mesatare. Pres të më këshilloni se si të veproj.
Me respekt, Gazi.

PËRGJIGJE:
Gaz, meqenëse analizat kryesore i ke mirë, të kisha referue me shtue aktivitetin fizik-sportin. Po hetoj simptome të fobisë sociale, por ato duhet t’i intelektualizosh me përvojën që ke. Të këshilloj ta bëjmë një provë duke i ikur preokupimit me harresën, duke u munduar të jesh spontan sikur dikur, nuk mendoj që ke rënie në harresë, mendoj që e ke nga ngarkesa, nga preokupimi dhe ndoshta nga mendime negative “se mos vërtet diçka po ndodh me mua-trurin…”. Tani për tani shmangeni preokupimin rreth harresës, dhe me vetëbesim të plotë, mendoj që gjithçka do të bëhet si më së miri. Në rast se nuk shkon, përsëriti analizat kryesore dhe një konsultë me mjekun tënd nuk do të ishte e tepërt.

Përshëndetje i nderuari Dr.Fahri. Jam 22 vjeçar, kam një problem që po më shqetëson shumë. Qysh kur kam filluar studimet në vitin 2007 në Prishtinë, më ndodh që kur takohem me shokë për kafe, duke biseduar, përnjëherë më kap stresi, skuqem fytyrës shumë, marrohem, më humb koncetrimi, djesitem, më vërejnë shoqëria që jam skuqur shumë. E njëjta gjë më ndodh kur të shkoj ndokund mysafir ose kur takohem me ndonjë shoqe. Shpesh jam i detyruar t’i anuloj takimet me shoqe për shkak të këtij shqetësimi. Kam qenë një djalë shumë i shoqërueshëm, komunikativ, shumë i gjallë. Tashti, e kam kohën që ta njoftoj ndonjë vajzë për martesë, por e kam problem si t’ia bëj nga ky shqetsim apo stres, s’di si ta quaj.
Të përshëndes doktor dhe me padurim pres përgjigjen tuaj.
Jetmiri.

PËRGJIGJE:
Jetmir studenti, sa më shpejt të diplomosh dhe më shumë balafaqou me shoqëri, fol, diskuto, pi kafe, mos e prit panikun se nëse e mendon prapë të zë, rrite vetëbesimin, trema e tepruar të pengon. Unë mendoj që je një tip më i ndieshëm dhe ke bindje të gabuar për vetën tënde, ti mundesh më shumë, ti di më shumë, nuk guxon të izolohesh, të shmangesh, përkundrazi duhet me qenë shumë më i zëshëm, dmth fort i pranishëm kudo që je. Për momentin nuk po shoh arsye më të referue barna. Fol sa më shumë me vajza, ne në interakcion ngritemi, shqetsimet vetëm i mban kot, atëherë braktisi.

Përshëndetje! Po ju shkruaj për tim shoq, jam shumë e shqetësuar për atë pasi ka një kohë të gjatë që merr antidepresivë. Ka filluar me imipramine dhe haldol dhe tani rispodal dhe seroxat. Mjeku neuropsikiatër e ka përcaktuar si çrregullim obsesiv. Ajo që më shqetëson më shumë është efektet anësore të antidepresivëve. Para disa muajsh pati një hipertension, deri sa i kaloi edhe gjuha brenda. Ky fakt dhe shumë gjëra të tjera të cilat unë i vë re si humbje të kujtesës, mospërqëndrim, mpirje të trurit, çrregullime vizionare (për një moment i duket sikur është në një vend tjetër me njerëz të tjerë dhe në një situatë tjetër). Do t’ju pyesja nëse është e shërueshme kjo sëmundje Si mund të heqë dorë nga antidepresivët? Efektet anësore të antidepresivëve janë të rikuperueshme në të ardhmen?
Ju falënderoj!

PËRGJIGJE:
E nderuar, nga përshkrimi juaj po kuptoj efektet anësore të risperidonit më shumë se sa seroxatit. Po mendoj që fjala është për depresion më të komplikuar, ndoshta me elemente të dëmtimit të realitet te shoku juaj. Psikiatrit të tij duhet t’ia tregoni këto efekte, më pastaj ai mendon për ndërrimin e risperidonit, po nëse është nevoja edhe të seroxatit. Duhet menduar për trajtim të drejtë dhe adekuat konform diagnozës dhe më pastaj për eliminimin e efekteve anësore të barnave. Prapë ju them që gjendjen e shokut tuaj mos e neglizhoni, por ta riaktualizoni nëse ai i ka rralluar takimet me psikiatrin e tij.

Përshëndetje, i nderuari doktor. Kam disa probleme, prandaj e kërkoj së pari mendimin tuaj lidhur me gjendjen time.
Jam 18 vjeçar, me mbyti vetmia. Nuk kam asnjë shokë. Dhe asnjë njeri që më do. Po e ndjej një largesë, një indiferencë nga të gjithë njerëzit…Kam edhe një problem tjetër: tash katër vjet skuqem, pa asnjë arsye. Kjo më ka bërë që të izolohem edhe më shumë. Skuqja ka fillua kur një arsimtare më bërtiste shumë… në fillim m’u mbushnin sytë lot pastaj e ndieja se krejt gjaku po më ngritët ne fytyrë. Më shumë skuqem gjatë verës, si duket edhe për shkak të nxehtësisë.
Jetoj në Mitrovicë. Jam shtatshkurtër; peshoj vetëm 50 kg,; flas me një zë pasiv sa që askush nuk më dëgjon….Shokët në shkollë fillore më quanin me emra të ndryshëm përbuzës për t’u tallë me mua, sa që e kisha mall ta dëgjoja dikë të më quante me emrin tim të vërtetë…
Kam qenë i dashuruar dy herë, por asnjëra prej tyre nuk e ka pranuar dashurinë time… vetëm janë tallë me mua….Nuk po kam sukses në asnjë fushë të jetës,as në mësim, as me shoqëri, as me femra, askund… Madje. nuk kam as vullnet për të jetuar…sepse nuk po më vlerëson askush, nuk po me trajton askush si njeri…
Besoj se nga këto që i thashë, e kuptoni gjendjen time, dhe nevojën për mjekimin e domosdoshëm….Se pari, ju lutem të më këshilloni për ndonjë ilaç kundër skuqjes së fytyrës. A mund ta përdor citalopram 10 mg. apo ndonjë medikament tjetër. Ju lutëm, më ndihmoni: ma tregoni adresën dhe orarin e punës, që të mund të vij për vizitë mjekësore në ordinancën tuaj…
Zoti ju shpërbleftë shumë për shpirtmadhësinë që keni dhe për punën e madhe që bëni për pacientët e juaj!

PËRGJIGJE
Djalosh i nderuar, para se të këshilloj m’u kujtua Volteri, gjeni i njohur, aq ka qenë i shëmtuar sa që reagimi i fytyrës së pacientit me dhimbje të forta e merrte formën e fytyrës së tij dhe kjo ka mbetur një simptomë e rëndësishme në kirurgji. Ashtu i shëmtuar, nuk i ka prishur punë, ai ka shkuar me gratë më të bukura të kohës, prandaj kujdes çka të pret. Kështu, desha të them në fillim, mos u brengos, ndoshta je i vogël, por e ke trurin (mençurinë) e madhe që të hap rrugë, të bënë të madh. Vazhdo, me nota të mira, të thonë çka të duan të tjerët, vështirë se do i kënaqësh të gjithë, prandaj vijo punën tënde. Po të kuptoj për fobi sociale, por ajo theksohet edhe më shumë nga ikja e kontakteve. Prapë, të kuptoj që për bisedat-kontaktet janë fajtor të tjerët, por duhet përpjekje për një imazh më të fort për veten, mos e quaj veten të shkurt, pak kush krijon karrierë me bukuri a gjatësi. Kreativiteti, puna të bëjnë më gjatë, të lumtur, e më të qëndrueshëm, sesa bukuria e dikujt që e ka rastësi.
Bukuria nuk rri mirë pa dituri. Të lutem, sa më shpejt ta ndërrosh bindjen për vetën tënde. Mund të përdorësh Citalopram tab.10 mg në orët e paradites në mënyrë që pas dy-katër jave, nëse nuk duket suksesi të lajmërohesh në vizitë. Gjithçka do të mrekullohet vetëm mos ndal së mësuari.

I nderuari doktor Fahri. Jam një vajzë 23 vjeçe nga Gjilani dhe studioj ekonomikun në Prishtinë. Jam në vitin e dytë, mësoj dhe lexoj shumë, por kam një problem të madh kur vendosi të flas para të tjerëve, e kam fjalën në ligjërata. Bëhem shumë nervoz me veten time, sepse i di thuajse të gjitha ato që diskutohen, sepse lexoj literaturë paraprake (para se të shpjegon profesori, e di të gjithën), dhe, mbi të gjitha, e di që më mirë është m’u shpreh se me heshtë edhe nëse e ke gabim.
Në momentin që më drejtohen profesorët dhe kërkojnë mendimin te unë, unë humbëm krejtësisht, më „merret goja“ zëri më del i çuditshëm, djersitem, më humb mendimi e fjalia, shtrëngohem, zbehem e herë-herë kuqem, bie në pozite të keqe, e kur të kthehem në shtëpi, e urrej veten, behëm nervoze.
Unë lexoj edhe për metodat si me tejkalua, por nuk mundem. Doktor, a ka mundësi të përdori ndonjë qetësues para se të „ballafaqohem“ me atë situatë, diçka që nuk do të më lejonte të humbi ashtu, të bëhem nervoze, pastaj t’i ndërpres studimet, sepse nuk është studim ai nëse shkon e rri si hut, nëse i di gjërat e nuk shprehesh, kjo më ndodh vetëm në publik, e assesi me rreth të ngushtë njerëzish.
Ju lutem, doktor, ktheje një përgjigje.
Faleminderit Telegrafi.

PËRGJIGJE:
Loreta, te ti nuk ka ndonjë diagnozë

 

Dr. Fahri Drevinja Mr.Sci.

Neuropsikiatër
Tel: 044 502 508

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen