Për çfarë ta inkurajojmë Policinë

OP-ED | Zef Prenka | 06.03.15 | 20:29

Frano Kulli

E dëgjojmë me të gjitha shqisat, të cilat tani, në kohën e sotme janë shtuar shumë, këtë thirrje. Vjen e përsëritur shpesh nga burime të ndryshme, kryesisht rreth e qark pushtetit, drejtuar ne të gjithëve. Si thirrje publike besoj se i drejtohet edhe atij djaloshit të Korçës, që u rrah keqas nga policët në mes të qytetit, por edhe brenda qelive të komisariatit pse aksidentalisht kishte ndeshur makinën e nëndrejtorit rajonal të Policisë edhe asaj zonjës në Tiranë, ndaj së cilës policët ushtruan dhunë në mes të ditës e në mes të Tiranës, edhe atij tjetrit në Kavajë, apo atij në Gur të Zi të Shkodrës, të cilin e prisnin pas ferrës për ta burgosur, sapo të ndizte dritat për të mjekuar të birin astmatik, të cilat ia kishin shkëputur për shkak të mospagesës… U drejtohet të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.
Na bëhet thirrje të gjithëve ta inkurajojmë Policinë në luftën kundër… Kundër kujt? Kë po lufton me zulmë Policia këtyre kohëve, kriminelët, banditët, trafikantët e drogës e bartësit e figurave të tjera të rënda të krimit? E vërteta e qytetarëve nuk pohon këtë, kjo është e dallueshme, mjafton të ndjekësh pak “shqisën” e medies sociale. E vërteta e qeverisë dhe makinës së saj të fuqishme propagandistike, po. Krimi po i bën shpesh karshillëk Policisë dhe për këtë vendi ynë është i shënuar në lista që s’na bëjnë krenarë.
Politikat policore në Shqipëri kanë zgjedhë si përparësi të angazhojë policinë për të… mbledhur taksat, për të vjelë tarifat e energjisë elektrike e të ujit të pijshëm, për të vjelë gjobat e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor, për të shembur (të seleksionuara është opinion në shumicë) ndërtimet pa leje të qeverisë, e cila ndërkohë nuk jep më leje për të ndërtuar(!) Kjo është e vërteta e qytetarëve, shumë më e besueshme se e vërteta e spërdredhur e rrathëve të pushtetit. E pangjashme tjetër kund në vende e shtete të njëmendta demokratike. Pra, policia po shërben qeverisjen në policimin e kundërvajtësve (e ka nënvizuar më herët P.Zogaj)…Fjala kundërvajtës, në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (Tiranë 1980) vjen nga emri kundërvajtje-shkelje e një ligji a rregulloreje, që paraqet rrezikshmëri më të vogël se një krim dhe dënohet nga gjyqi… Po policia nuk është gjyqi (gjykata) dhe çdo sjellje e saj mbi këtë tagër është tejkalim i misionit të saj, është dhunë. Policia është trupa që shërben rendin publik dhe rregullin kundrejt ligjit dhe në plotësim të ligjit. Në çastin që ajo apo pjesëtarë të saj marrin përsipër tagrin e dhënies së drejtësisë, qoftë edhe ndaj kundërvajtësve të ligjit, ajo ka rënë vetë në një kundërvajtje, më së paku. Dhe kur kjo sjellje e saj tumiret (miratohet) nga pushteti, atëherë kemi tejkaluar vijën e kuqe të rendit demokratik dhe të shtetit ligjor, principi bazë mbi të cilin ndërtohet ky rend. Unë mendoj ne jemi në një pikë të tillë kritike. Nga qeverisja, asaj trupe po i ndërrohet destinacioni. Dhe për t’i ardhur mbarë kësaj zgjidhjeje, nga shumica kuvendore është ndryshuar edhe ligji në favor të burgimeve dhe burgjeve, për cilëndo kundërvajtje. Kjo është vlerësuar si sipërmarrja parësore “për të bërë shtetin” nga qeverisja, duke mënjanuar detyrimet e tjera të saj, për shtetasit në administrim. Për të vënë rendin në rrugë, duhen bërë më parë rrugët me standarde dhe rrugët i bën qeveria, (sigurisht me parat tona). Duhen paguar medoemos dritat dhe ai që i vjedh, duhet ndëshkuar gjithashtu, po qeverisjes i duhet më parë të sigurojë drita, në kualitetin e duhur e kompania shtetërore e furnizimit me energji elektrike të dëmshpërblejë qytetarët kur u djeg atyre pajisjet e shtëpisë; të dëmshpërblejë dhe dëmet e panumërta e shumë të kushtueshme që i shkakton biznesit. Përpara se t’u ndërpresë dritën familjarëve me standard jetese që nuk është as në minimumin jetik, e ka për detyrë t’i nxjerrë ata më parë nga kjo gjendje e mjeruar… Natyrisht kjo sjellje ka krijuar një keqkuptim të madh, kjo po e deformon natyrën e marrëdhënies së Policisë me publikun, e cila padrejtësisht është vënë në këtë pozitë nga përparësia politike dhe kredoja qeverisëse “për të bërë shtet”. Raporti ndërmjet Policisë dhe publikut po agravon jo drejt bashkëpunimit, por drejt armiqësimit. Dhe kjo ndjesi trishtuese nga pak e përditë po bëhet familjare, mendoj. Aq sa nuk mund ta mbulojë më propaganda zyrtare, sado e rafinuar ajo të bëhet. Shoqëria jonë është akoma e trandur pas kalimit të gjatë nëpër rrathët e “ferrit policesk” të diktaturës. Policia shqiptare nuk ka arritur për asnjë çast të jetë e ngjashme me asnjërën prej policive të vendeve demokratike, ku aspirojmë të shkojmë, sikundërse shteti shqiptar njëqind e pakvjeçar nuk ka mundur të jetë akoma i ngjashëm me shtetet që administrojnë shtetasit e vendeve të zhvilluara demokratike. As edhe tani, madje dukuri si këto, të aksionit policor në luftë kundër kundërvajtësve, pa mundur të bëjë mirë në radhë të parë luftën kundër krimit, të krijojnë imazhin se rrezikojmë të largohemi e jo të afrohemi drejt atyre, të cilëve aspirojmë t’u afrohemi e t’u ngjajmë. Thirrja për të inkurajuar Policinë shkon dhe ka sens, kur policët ndalojnë e gjobisin sipas ligjit atë shoferin e padukshëm pas xhamave të zinj të makinës luksoze, që i fishkëllen gomat policit para syve dhe jo kur, pasi ai ka kaluar me shpejtësi, ata i marrin patentën për 6 muaj dhe i vënë një gjobë më të madhe se mëditja e tij një punëmiri, që nget gjithë ditën për të fituar jetesën me mundin e djersën e vet, dallueshëm të pastërt. Unë mund të jap disa shembuj të tillë, të tjerë si unë mund të japin shumë më tepër shembuj se unë dhe kështu reshti i shembujve shumëzohet me progresion gjeometrik, besoj. Pa përsëritur shembujt e bujshëm, me tritol e bomba, elemente këto që nuk di të kenë emër tjetër, përveçse akte terroriste, për të cilat është folur shumë e me shqetësim të madh këto ditë. Për të luftuar këto akte, duhet me të vërtetë ta inkurajojmë fort dhe të gjithë Policinë. Kurse thirrjet e bëra këto ditë nga zyrtarë të vjetër a të rinj, por edhe të tjera personazhe publike e mediatike, të çfarëdo formati, mendoj se ngjajnë zëra të paadresë për thirrjen e tyre. Ata mund t’i dëgjojë vetëm zoti ministër i Brendshëm, si motivim për të bërë “vokalica” në perfeksionimin e batutës “bravo çuna!

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen