Dr.Lirim Ukimeraj, otorinolaringolog

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:42

Poashtu, otorinolaringologu merret edhe me kirurgjinë estetike të hundës dhe veshëve. Doktor i nderuar, jam i shqetësuar për një problem në lidhje me hundën. Kohët e fundit, po më mblidhen shumë mbeturina (besoj që e kuptoni, sepse nuk po gjej shprehje më adekuate), në vrimat e hundës, madje nganjëherë edhe po më shkaktojnë çarje dhe hundët po më rrjedhin gjak.

PËRGJIGJE:
Sekrecionet e thara të hundës jenë pasojë e ndezjes akute apo kronike të mukozës së hundës, çka edhe kërkon trajtim, por paraprakisht duhet hteulumtuar shkakun. Trajtimi fillimisht është lokal me pika antibiotikësh në hundë si dhe lyerje e vrimave të hundës me yndyra vitaminoze.

I nderuar , jam 46 vjeqare, po kam problem me fytin. Po më djeg në disa raste kur po pastroj me detergjente për banjo, pllaka etj. Vetëm shpëlarja e fytit me ujë dhe krip po ma qetëson fytin nga njëherë po pështyj edhe gjak! Kjo gjendje po më përsëritet çdo tre muaj, më së shpeshti shtator dhe mars. E kam bërë fotografimin e mushkërive para dy jave dhe s’kam ndryshime negative.
Hajrija , Prishtinë.

PËRGJIGJE:
Problemet më të shpeshta që paraqiten në grykë (fyt) janë pasojë ose e frymëmarrjes me gojë për shkak të frymëmarrjes së vështirësuar me hundë ose e problemeve me lukth, kështuqë duhet të konsultoni edhe gastroenterologun.

I nderuar doktor. Kam probleme me hundë, në anën e majtë kam të zhvilluar sinusin, gjithashtu kam devijim të perdes së hundës. Pjesa e sipërme e hundës (ashti i hundës) është më i ngritur. Kam probleme shëndetësore dhe estetike. Jam 17 vjeç dhe pyes se kur mund të bëj ndërhyrje kirurgjikale në hundë, dhe se a mundem njëkohësisht ta rregulloj ashtin e hundës si dhe ta largoj sinusin.

PËRGJIGJE:
Në shumicën e rasteve devijimi i perdes së hundës përcillet edhe me probleme me sinusin në anën në të cilën është devijimi, prandaj edhe preferohet operimi i perdes së hundës. Është me shumë rëndësi lloji dhe shkalla e pezmatimit të sinusit që të vendosim edhe për operimin estetik në të njëjtën kohë.

Përshëndetje doktor. Jam Linda nga Prishtina, kam një vajzë dy vjeqe e cila i ka bajamet. Tash e një vit ka filluar të bëhet shumë e ndjeshme dhe shumë shpesh po fillon të kollitet dhe pediatrit e përgjithshëm më kanë thënë se i ka bajamet, strishoja ka dalë mirë, nuk ka ndonjë baktere në fyt apo hundë. Në gjumë ka një ngërhamë dhe hunda shumë shpesh po i zihet. Të gjitha analizat kanë rezultuar mirë. A mendoni se duhet patjetër të ketë intervenim kirurgjik apo ka mundësi në këtë moshë që përmes terapisë ta tejkaloj këtë fazë. Ju lutem, nëse ka mundësi të më përgjigjeni në këtë pyetje, sepse jam shumë e brengosur.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Në bazë të përshkrimit të problemeve që ka vajza juaj edhe unë mund të konkludoj që vajza juaj ka probleme me bajame e posaçërisht me bajamen e tretë. Vendimi për operim apo jo, merret kryesisht nga shpeshtësia e paraqitjes së problemeve dhe përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve. Në këto rrethana ju preferoj të bëni edhe ekzaminimin e veshëve të vajzës suaj.

Jam 44 vjeçe dhe prej shumë vitesh vuaj nga problemet me hundën dhe zgavrën e saj. Sidomos në mëngjes kur zgjohem nga gjumi pothuajse e gjithë zgavra përbrenda gojës mbushet me sekret që zakonisht ka ngjyrën e bardhë, pra hunda ime nuk pastrohet dot përmes fryrjes së hundëve, por duhet pastruar përmes zgavrës së gojës, pra ky lëng i trashë nuk del rëndom nga hunda, por nga vrimat e saja brenda gojës. Është shumë e lodhshme kjo mënyrë e pastrimit, sepse jo rrallë më neverit dhe vjelli, pothuajse çdo ditë. Kam qenë te shumë mjek të këtij profili, por deri tani pa sukses. Me shpresë se do të marr përgjigje, ju përshëndes.
Lule Berisha, Prishtinë.

PËRGJIGJE:
Sekrecionet e shtuara që vinë nga hunda dhe na obligojnë t’i hedhim nëpërmjet gojës na bëjnë të dyshojmë në pezmatim kronik të hapësirës së hundës që në shumicën e rasteve trajtohet me barna me veprim lokal dhe në afat kohorë të gjatë. Fatkeqësisht pa një ekzaminim të detajuar, nuk mund t’ju ndihmoj më shumë.

Jam 21 vjeçe, vitin e kaluar jam operuar nga hunda, otoplastica, por mjeku ma ka shtuar devijimin, edhe pse nuk e kam pasur. Tani kam probleme me hundë shumë. Shpesh mbrëmjeve kam probleme me frymëmarrje. Unë dua që sërish të operohem, por kam frikë mos po mbes me ndonjë pasojë tjetër. Me respekt, Ana.

PËRGJIGJE:
Çdo rioperim i ka vështirësitë e veta, mirëpo, gjithsesi ka mundësi të mëdha për korrigjimin e problemeve, kështu që ia vlen të bëni një konsultë që gjërat të jenë më konkrete.

Jam 22 vjeçare, para disa jave më filluan disa simptome, siç janë, marramendja, ngritja e tensionit, takikardi, duart dhe këmbët e ftohta dhe të djersitura, frymëmarrje e vështirë (para disa ditësh). Jam vizituar te një internist dhe më udhëzoj t’i bëj analizat e gjakut si dhe të gushës, të gjitha më dolën mirë, e kam bërë edhe strishon e fytit dhe doli streptococcus pygenes.
Desha të di, a është kjo shkaktare e të gjitha këtyre çrregullimeve dhe çfarë të përdor për ta mjekuar? Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:
Simptomat që ju përshkruani janë një reaksion kompleks i organizmit në një gjendje të caktuar dhe nuk mund t’i japim vetes një komoditet të tillë që ta fajësojmë vetëm një baktere pa pasur edhe informacione të tjera. Unë besoj që kolegu i cili ka kërkuar analizat ju ka dhënë informatat dhe terapinë e duhur.

I nderuar Dr. Unë kam Probleme me hundë, kam sinuset dhe devijim të perdes së hundës. Kam vizituar shumë mjekë dhe kam përdorur terapi, medikamente të ndryshme, mirëpo pas ndaljes së tyre vazhdon e njëjta gjë. Pra, sekreti i tepërt në hundë, dhimbje koke, plogështi dhe marrja e frymës me gojë. Unë jam 14 vjeçe dhe dua ta di përgjigjen tuaj dhe mënyrën më të mirë të shërimit. Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Frymëmarrja me gojë gjithsesi që lidhet me devijimin e perdes së hundës, por në moshën tuaj duhet pasur kujdes që të ekzaminohet edhe bajamja e tretë, ndërsa kokëdhimbja mund të jetë, po e përsëris, pasojë e devijimit. Në të dy këto raste preferohet operimi i devijimit. Ndërsa, sekreti i tepërt është shenjë e pezmatimit kronik që duhet mjekuar me barna.

Përshëndetje dr. Unë më herët, por edhe tash e kam një vrimë, cipë, që ende nuk ka arrit të ngjitet. Ndihem mirë për momentin, pak dëgjimin e kam më të dobët. Doktor, desha t’ju pyes se kur të ngjitet cipa, a do të dëgjoj unë normal.
Flm, kaloni mirë. Fjolla.

PËRGJIGJE:
Infeksionet kronike të veshit zakonisht për pasojë kanë shpërthimin e cipës/membranës, por në të njëjtën kohë përcillen edhe me rënie të dëgjimit që është pasojë e infeksioneve të shpeshta, kështu që në këto raste nuk duhet fajësuar vetëm membranën. Ndërsa, mbyllja e membranës nuk ndodh vetvetiu. Se sa do të përfitoni nga mbyllja e membranës varet shumë nga shkalla dhe niveli anatomik/fiziologjik i dëmtimit të dëgjimit.

Përshëndetje. Një kohë të gjatë kam probleme me veshë. Krejt ka filluar në një mëngjes (nuk kisha fjetur mirë), më tingëllonte diçka në veshin e majtë (si klikim), sa herë unë flisja, apo lexoja me zë. Mendoja se është kaluese ngase atë ditë isha në stres, por klikimet vazhdonin të ishin konstante: sa herë lëshoja zë dhe shqiptoja rrokjet deri ne fund si dhe kur përtypesha. Në fillim vetëm në veshin e majtë, kurse ditët e fundit zhurma kalon sa në njërin vesh në tjetrin, rrallëherë në të dy veshët. Duhet të cek se kur flas nuk marr frymë mirë me hundë. Kam pas 4 vizita te mjeku i cili konstatoi se është inflamacion i veshit të mesëm, madje në vizitën e dytë ma pastroi veshin (mora barnat dhe sprej për hundë), por asgjë nuk ndryshoi. Klikimet vazhdojnë). Këto ditë bëra një audiogram (dëgjimi rezultoi shumë mirë).
Ç’duhet të bëj, çfarë më rekomandoni ju?

PËRGJIGJE:
Inflamacionet e veshit përcillen me probleme që ju po i cekni, këtë e vështirëson edhe më shumë frymëmarrja e vështirësuar me hundë, një gjendje e tillë nganjëherë kërkon kohë prej 3-4 javësh për kthim në normalitet. Në rast të kundërt duhen ekzaminime shtesë.

I nderuar Dr. Lirim. Vajza ime është 6 vjeçare, ka problem me hundë, rezultati i strishos është stapylococcus aureus.
Mjeku thotë se nuk ka nevojë të merr ndonjë antibiotik, mirëpo mua më brengos se vajza shumë i ngacmon hundët edhe ka raste kur edhe i rrjedh pak gjak. Gjumin e natës e bën mirë, vetëm se në orët e hershme të mëngjesit hundët i ushtojnë edhe shpesh i dëgjohet frymëmarrja. Një tjetër më thotë që e ka vajza paksa hundën e vogël, kështu që kur t’i rritet, i eliminohet ky problem. Përndryshe fytin e ka mirë, shumë rrallë sëmuret prej fyti ose ndonjë ftohje tjetër.
Faleminderit për mirëkuptim dhe presim përgjigjen e juaj.
Leonora.

PËRGJIGJE:
Në rastin konkret këshilla e mjekut ka qenë e drejtë, ndërsa sa i përket gjakderdhjes nga hunda te fëmijët është kryesisht pasojë e inflamacioneve apo ngacmimeve me gishtërinj. Në këto raste preferoj t’i lyeni vrimat e hundës me yndyrë vitaminoze psh. Panthenol, disa ditë.

I nderuar doktor, ju kisha lutur të më tregoni më tepër në lidhje me diagnozën: Rhinitis vasomotoria. Përndryshe, kam dalë edhe pozitiv në testin e alergjisë në Nikel. Përdori sprej Flixonase dhe Fervex çaj.
Mua po më shqetëson fakti që po më duhet pothuaj se çdo ditë të përdor çajin Fervex, kam hipersekret nga hundët.
A ka ndonjë perspektivë për këtë lloj sëmundje, apo më duhet të ballafaqohem tërë kohën me këto simptoma që po më molisin dhe rraskapitin. Unë jamm 42 vjeçare, simptomat e para kanë filluar para afro 6 viteve, por me një intensitet më të vogël në fillim, por me kalimin e kohës edhe simptomat janë bërë më të padurueshme.
Ju lutem, më tregoni diçka më tepër?
Flm. Merita.

PËRGJIGJE:
Rhinitis vasomotoria është gjendje e disbalancit në mes të dy sistemeve tona autonome, atij simpatik dhe parasimpatik që lidhet me funksionimin e mukozës së hundës, por në rastin tuaj ka disa të dhëna edhe për alergji, kështu që gjërat duhet shikuar në disa drejtime për trajtim adekuat. Duke pasur parasysh se Fervex është medikament e jo çaj, nuk duhet përdorur në vend të çajit.

Përshëndetje i nderuari Doktor. E kam një djalë, i cili para një viti është operuar prej bajames së parë dhe të tretë. Me rekomandim të mjekut i janë vënë edhe dy gypa në të dy veshët, pasiqë sa herë kishte pezmatim të bajameve i humbte edhe dëgjimi në një masë të konsiderueshme.
Para dy muajve, pas një kontrolli në ORL, mjeku ia ka larguar njërin gyp nga veshi, ndërsa gypin tjetër ia ka hequr diku para dy javësh.
Pyetja ime është kjo: përderisa i ka mbajtur gypat në vesh, tërë kohën ia kemi ruajtur veshët nga uji. Edhe sa kohë nevojitet që ta ruajmë dhe, sa kohe nevojitet që të mbyllet vendi ku kanë qenë gypat e vendosur.
Ju falënderoj shumë.

PËRGJIGJE:
Mbyllja e membranës së timpanit pas heqjes së gypave ndodh shpejt, brenda disa ditësh, por gjithsesi duhet bërë ekzaminim dhe në momentin kur mbyllen membranat nuk keni nevojë ta ruani fëmijën nga uji.

Përshëndetje! Jam Dita, e kam pasur cipën e shpërthurë. Nuk e di a ka arritur të ngjitet, kam vazhdimisht zhurmë dhe kam frikë se do më përsëritet ajo që kam përjetuar. Muaj më parë e kam pas veshin e mbyllur totalisht. Pres këshillën tuaj, poashtu më tregoni çfarë domethënie ka nëse ke kruarje në vesh?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Që ta dini se është ngjitur cipa duhet të bëni një vizitë te specialisti i ORL, sepse nëse nuk është ngjitur, duhet të operoheni e deri atëherë duhet ta ruani veshin nga uji.

Doktor i nderuar. Vajza ime është 9 vjeçe, e ka bajamen e tretë të zhvilluar. Ndonjëherë i vjen ngapak edhe një aromë paksa e keqe, por me pastrimin që ia bëj, ajo eliminohet. Ka marrë terapi Lendacin, gjilpëra. Në Pejë, njëri mjek me thotë se duhet të operohet, tjetri thotë i largohet pas moshës 14 vjeçe. Jam në dilemë si të veproj. Dhembje fyti nuk ka, rrallë sëmuret.
Doktor, a duhet të operohet a jo dhe, a eliminohet vetëm bajamja e tretë apo krejt bajamet?
Pres ndihmën tuaj. Ju faleminderit dhe suksese.

PËRGJIGJE:
Se a duhet te operohet apo jo bajamja e tretë varet prej vështirësive që jep ajo, në radhë të parë pengesa në frymëmarrje me hundë, sekrecione (qyrra të shpeshta), goja e hapur në gjumë etj. Përndryshe ajo gjatë pubertetit zakonisht zvogëlohet (atrofohet), por nëse pengesat janë prezente, nuk ka arsye te pritet.

Jam një paciente nga Gjilani desha ta përshëndes doktorin edhe t’i them se unë i kam bajamet e 3-ta, kështu që po kam pengesa në frymëmarrje, gjatë natës nuk po mund të fle me gojë mbyllur, gripi më përcjell çdo herë. S’po di çka të bëj? A duhet të hiqen bajamet
sepse po kam probleme dhe non-stop me barna, dhimbje, temperaturë. Mjekët ku unë jam vizituar ndajnë mendime të ndryshme.
Poashtu, juve doktor ju falënderoj që më keni operuar nga sinusi para disa vjetësh.
Flm.

PËRGJIGJE:
Në rastin tuaj do ju preferoja të bëni një ekzaminim me endoskopi të hapësirës së hundës dhe pjesës ku ndodhet bajamja e tretë që të shihet qartë prezenca apo mosprezenca e saj, dhe pastaj të vendoset se çka më tutje.

Jam një vajzë 24 vjeçe. Kur kam qenë 9 vjeçe, jam operuar nga bajamet dhe kam hequr mish të huaj në hundë. Kam dhimbje veshi dhe ndjej që ato më kullojnë. Gjithashtu, ndjej që sekrecionet më kalojnë nga fyti, më shkakton dhimbje dhe nuk përcillem dot. Vetëm kur përdor sprej për hundët, sekrecionet më dalin nga hunda dhe fyti më lirohet. Jam vizituar dhe më kanë thënë që kam një infeksion të lehtë në vesh dhe kam përdorur disa ilaçe me pika. Megjithatë, kjo po më përsëritet. Kam bërë dhe një konsultë me një mjek tjetër e me ka thënë që kjo gjë të shkaktohet nga ambienti i mbyllur, duhet të dal shpesh në ajër të pastër e nqs kam dhimbje duhet të pi advil ose ibuprofen. Çfarë më këshilloni?
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Është shumë e vështirë të jepet ndonjë mendim i drejte pa ekzaminim, mund vetëm të supozojmë. Vetë fakti që është hequr mish i huaj nga hunda na detyron të mendojmë në përsëritjen e të njëjtit problem, ndërsa përdorimi i gjatë i pikave të hundës është i dëmshëm. Në anën tjetër rrjedhja nga veshët mund të jetë dyll, por mund të jetë edhe qelb apo myk, prandaj vizitoni specialistin e ORL që t’i hiqni dilemat.

Përshëndetje! Jam Alba, kam një problem. Në anën e majtë të veshit kam një zhurmë sikur që thonë më erdhi një haber i mirë edhe nuk po më ndalet. A është diçka serioze, çka duhet të përdori? Me këtë vesh kam pas probleme edhe më herët, e kam pas të lënduar.
Faleminderit, kalofshi mirë.

PËRGJIGJE:
Gjynah qenka me ta hequr zhurmën kur po të sjell habere të mira, haha, pak shaka. Vetë lëndimi mund të jetë një nga shkaktarët që shkaktojnë zhurma në vesh e që zakonisht janë të qëndrueshme. Por, për të gjetur arsyen e vërtetë që nuk është gjithmonë lehtë, duhet bërë një varg analizash dhe matjesh audiologjike. Prandaj, konsultojeni audiologun.

I nderuar. Unë kam problem me veshin e djathtë. Shpesh herë më kullon, nga veshi im del një farë lëngu i trash me një aromë të neveritshme. Kjo ndodh çdo ditë, po thuaj qe 9 muaj.
A mund të di se çfarë „sëmundje“ është dhe si mund të shërohet?
Ju faleminderit. Blendi nga Korisha.

PËRGJIGJE:
Ky sekret i trashë dhe me erë të neveritshme është zakonisht qelb, kështu që sipas të gjitha gjasave bëhet fjalë për një infeksion kronik të veshit të mesëm që përcillet me defekt në membranën e timpanit. Në këto raste sa herë që kemi rrjedhje nga veshi duhet trajtim me medikamente, ndërsa trajtimi definitiv është operimi. Deri në një trajtim definitiv veshi i sëmurë duhet të ruhet shumë nga kontakti me ujë.

Jam 22 vjeçar. Kur isha 8 vjeç, nga temperatura e lartë humba dëgjimin e veshit të djathtë. Kam vizituar disa mjekë, por askush s’kishte zgjidhje për problemin tim.
Ju lutem, më ndihmoni, çfarë të bëj. Pres përgjigjen tuaj.
Me respekt Edonisi.

PËRGJIGJE:
Me gjithë dëshirën për t’u ndihmuar me informacionet që ofroni do të ishte joprofesionale të jepja ndonjë mendim.

Kam të dëmtuar të dëgjuarit në njërin vesh më shumë. Mirëpo, ajo që po më brengos është se kam ushtimë në vesh që më shkakton depresion. Ju lutem më tregoni se a ka farë terapie për këtë dhe nëse po, cila është ajo? Ju faleminderit për mirëkuptim.
Zamiri, Prishtinë.

PËRGJIGJE:
Në mjaft raste dobësimi i të dëgjuarit përcillet edhe me ushtimë në veshë, që gjenerohet nga vet organi i dëgjimit. Në mungesë të të dhënave të nevojshme si audiogramit dhe timpanogramit, të vetmen këshillë që mund të japë e që është e lehtë të thuhet, por e vështirë të zbatohet është që ju duhet në maksimum t’i shmangeni dëgjimit të zhurmës suaj në vesh, që kryesisht ndodhë kur jeni vetëm në ambient të qetë, në këto rrethana duhet të dëgjoni radio apo TV me aq zë sa mbulohet zhurma.

Përshëndetje! Jam Arta, 23 vjeçe. Kam probleme me vesh, e kam cipën e shpërthyer. Jam vizituar te shumë mjekë, disa me kanë preferuar operimin, ndërsa të tjerë më kanë thënë që cipa ka krijuar një shtresë dhe vetëm duhet të ruhem nga uji.
Doktor, kërkoj mendimin tuaj në këto pyetje:
1. A ka mundësi me u ngjit cipa? Nëse ngjitet a duhet të ruhem nga uji?
2. Cilat janë simptomat e cipën së shpërthyer?
3. A ka ndonjë rrezik sepse po më ‘kërcet’ veshi kur po komunikoj, ama jo rregullisht?

PËRGJIGJE:
Cipa ka mundësi të ngjitet, në këto raste nuk keni nevojë të ruheni nga uji. Simptomë e cipës së shpërthyer është shkalla e lehtë e dobësimit të dëgjimit. Rrezik ka nëse infeksionet e veshit janë të shpeshta. Në rastet kur membrana nuk mbyllet vet, zgjidhje është trajtimi kirurgjik.

Jam Afrimi nga Ferizaj, mirëpo për momentin gjendem në Lindjen e Mesme. Ka kohë që vuaj nga sinuset. Deri në prill nuk mundem të kthehem në Kosovë. A mund të më tregoni se qysh me i zbut dhimbjet e kokës?
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Afrim, deri në prill ‘banja qaren vetit qysh ja ke ba deri tash’..,hahaha, kjo ishte për pak shaka. Te problemet me sinuse janë shumë me rëndësi edhe rrethanat në të cilat ju jetoni-klima, si dhe sjellja e juaj komform këtyre kushteve. Ndërsa sa i përket dhimbjeve duhet të merrni medikamente kundër tyre.

Doktor. Unë hundën e kam pasur normal, ama me kalimin e kohës ka formuar tul në maje edhe tash po duket shumë e fryrë. Unë dua ta heq, por desha t’ju pyes se a mund të rregullohet kjo me ‘injeksion’.
Meqë unë jetoj jashtë Kosove, ju lutem më tregoni se kur mund të vie për ndërhyrje?
Faleminderit shumë.

PËRGJIGJE:
Do të ishte mirë sikur të më dërgoje ndonjë foto për t’u dhënë një sqarim sa më adekuat, ndërsa për termin mund të më kontaktoni në tel.

I nderuari dr. Lirim. Vajza ime është 1 vjeçe dhe po më duket se po i dhëmbin ngapak veshët, herë pas here po e fut gishtin në vesh dhe po e kruan. Nganjëherë edhe po i bie kokës me dorë. Para pak ditësh ia kam bërë një strisho të hundës dhe i kanë dalë disa baktere që janë trajtuar me antibiotikë. Të lutem, pres përgjigjen tuaj. Ju faleminderit paraprakisht! Lulja!

PËRGJIGJE:
Vet prekja e veshit apo edhe goditja e kokës me dorë nuk nënkupton dhimbjen e veshit, prandaj edhe mund të gabojmë në një konkludim të tillë. Prandaj, që ta hiqni merakun, duhet t’ia bëni një vizitë tek ORL.

Jam 22 vjeçe, kam problem me vesh. Mjeku i ORL-së më ka thënë që e ke cipën e shpërthye të veshit dhe assesi nuk guxon të hyjë uji, sepse mund të kem probleme me dëgjim pastaj. Të tjerë më kanë thënë se duhet operuar. E kem bërë edhe CT-në, ku nuk shihet diçka serioze, sipas mjekut.
Doktor, pres mendimin tënd. Flm.

PËRGJIGJE:
I bashkëngjitëm opinionit të kolegëve që të kanë preferuar operimin, sepse çdo defekt në cipën e veshit që nuk mbyllet vetvetiu duhet të operohet. Gjithashtu duhet të keni kujdes që të pengoni hyrjen e ujit në vesh, deri sa ta operoni. Pas operimit të suksesshëm nuk keni nevojë të ruheni prej ujit.

Jam 23 vjeç dhe kam probleme me bajame, vetëm në anën e majtë më është bërë sikur një rruazë. Kur është ftohtë, kam pak dhimbje edhe kur ha ushqim, më rritet pak. Kam qenë te mjeku, më ka dhënë vetëm barna, Desha ta di, a ka këtu rrezik?

PËRGJIGJE:
Një ndër elementet më të rëndësishme te diagnostikimit të një problemi shëndetësor është edhe dukja, gjetja fizike, dmth., ekzaminimi fizik, që në përgjigjet e mia më bie shpesh ta përsëris. Për problemin tuaj nuk mund të them se është apo nuk është me rrezik.

Jam 21 vjeçar, kam probleme me hundë dhe veshë, kam pas dhimbje të mëdha dy ditë në veshin e djathtë. Jam mjekuar 4 ditë radhazi, mjeku më ka thënë se ke infeksion të veshit të brendshëm, pastaj kam përdorur deksametazon neomycin edhe pika për hundë, 5 ditë. Kam pasur sukses, mirëpo mbas, përafërsisht 6 muajsh, kanë filluar të njëjtat simptoma, hundët çdoherë i kam të mbyllura. Edhe nëse përdori pika, pas një kohe të shkurtër, prapë më mbyllen. Në vesh kam krurje shpesh. Edhe diçka. Nganjëherë, kur mundohem të marrë frymë me hundë, veshët më mbyllen.Ju faleminderit për përgjigjen.

PËRGJIGJE:
Nga të dhënat që jepni në letër, shihet që keni probleme me hundën, e kjo gjendje shpesh sjell probleme me veshë. Në këto raste duhet të bëjmë edhe ekzaminime në drejtim të alergjisë, e pastaj t’i qasemi trajtimit adekuat. Pikat që përdorni për të lehtësuar frymëmarrjen me hundë, në asnjë mënyrë të mos merren në vazhdimësi.

Jam 19 vjeçare, kam sinuset dhe ashtin e hundës më të trashë. Kam probleme shumë të mëdha me frymëmarrje dhe dhimbje shumë të mëdha në pjesën ballore të kokës. Para 3 vitesh doktori më ka propozuar që të bëhem operacion, nuk kam guxuar të operohem. Këto ditë dhimbja më është rritur dhe po bëhem nervoze. Dëshiroj të më këshilloni se çfarë të bëj, a ka ndonjë mënyrë tjetër përveç operimit që kjo dhimbje së paku të më lehtësohet?
Me respekt Lira…Pres përgjigjen tuaj…

PËRGJIGJE:

Mendoj që çdo kolegë, ORL-og, ka një arsye kur propozon operim, por një gjë e tillë duhet të sqarohet më detajisht për benifitet që ka operimi, ndërsa ju jeni ata që vendosni për rrugën që do të ndiqni për mjekim. Në rastet kur dhimbjet shtohen për disa ditë, atëherë duhet të dyshohet edhe për ndonjë sinusit të mundshëm, për çka edhe nuk mund t’u ndihmoj me terapi nëpërmjet internetit, pos t’ju këshilloj që të vizitoheni.

Doktor i nderuar, kam problem me telat e zërit për shkak se kam qenë tifoz ku edhe kam pasur disa probleme të mëvonshme me zërin. Andaj pyetja ime është se, cila është metoda më e mirë që të mbrojë fytin dhe të mos më shteret zëri?
Ju faleminderit doktor dhe suksese në jetë.

PËRGJIGJE:

Një prej problemeve me telat e zërit është edhe ngjirja e zërit që vjen si pasojë e keqpërdorimit të telave te zërit siç është edhe rasti me ju si tifoz. Mirëpo, megjithatë që t’i shmangemi ndonjë problemi tjetër të mundshëm, është që të bëni një vizitë tek ORL-gu. Deri atëherë, bëni tifozllëk të qetë.

Unë e kam vëllanë të sëmurë nga kanceri (përafërsisht qe një muaj). Ai ndodhet në Gjermani dhe është bërë operacion 2 herë në fyt, herën e parë është bërë afër veshit, ndërsa herën e dytë në fyt. Mjekët i kanë thënë që duhet të bëj edhe rrezatim pas 4 ose 6 javësh. Mua më intereson se a është i domosdoshëm rrezatimi dhe çfarë prognoze ka kjo sëmundje? Cila është terapia adekuate?
Flm për angazhimin tuaj.

PËRGJIGJE:

Fatmirësisht keni vëllanë në trajtim atje ku qasja profesionale si dhe ajo teknike ndaj kësaj sëmundje nuk mungon, prandaj përmbajuni këshillave të dhëna.

I nderuari dr.Lirim, Vajza ime është 1 vjeçe dhe po më duket se po i dhembin ngapak veshët, sepse herë pas here po e fut gishtin në vesh dhe po e kruan. Nganjëherë edhe po i bie kokës me dorë. Para do ditësh ia kemi bërë një strisho të hundës dhe i kanë dalë disa baktere që i kemi trajtuar me antibiotikë. Të lutem, më trego, se si ta ndihmojmë vajzën time?
Ju faleminderit paraprakisht! Lulja!

PËRGJIGJE:

Vetëm vendosja e dorës në vesh apo edhe kruarja e veshit nuk do të thotë që fëmija ka dhimbje veshi, prandaj për të qenë ju më të qetë, bëjani një vizitë tek ORL dhe do të merrni, besoj, një informacion për gjendjen e veshëve të fëmijës suaj. Sinqerisht është e vështirë të ju jap ndonjë këshillë konkrete në distancë, duke pasë parasysh që këto probleme jenë shumë objektive dhe konkrete dhe pa i parë gjërat mund edhe të gabojmë.

Doktor, jam 49 vjeçe. Kam gjakderdhje nga hunda dhe dhimbje në anën e majtë të kokës (pasi më qesin hundët gjak). Kjo më ndodh 4-5 herë në muaj. Pres këshillën tuaj? Faleminderit.

PËRGJIGJE:

Gjakderdhjet nga hunda nuk janë të rralla, prandaj nuk ka vend për panik, por njëherit duhet ekzaminuar që të shihet problemi konkret për çka ka edhe trajtim adekuat që është mjaft i suksesshëm.

Jam 21 vjeçar, i kam veshët pak të kthyer (vetëm në pjesën e sipërme të laprës së veshit). Nuk kam problem shëndetësor, por m’u kanë bërë shumë kompleks. Desha të di a është problem mosha ime për ta bërë një intervenim të tillë dhe sa përqind mund të jetë i suksesshme ky operim, se kam frikë nëse do të mund ta bëj formën ashtu si duhet. Unë e kam edhe kohën pak a shumë të kufizuar, për sa kohë mund t’i heq fashat?
Ju faleminderit.

PËRGJIGJE:

Mosha juaj nuk është problem për operim, ndërsa sa i përket rezultatit të koreksionit mendoj se nuk mund të matet me përqindje, sepse është çështje e vlerësimit subjektiv. Ndërsa sa i përket mundësive të rimodelimit të laprës së veshit, është çështje për të cilën nuk mund të bisedohet pa qenë prezent.

Jam 20 vjeç, por kam problem me hundë, e kam të shtrembër, por më pengon në frymëmarrje. Desha ta dijë a operohen vetëm vrimat e hundës apo aty ku është e shtrembër? Sa ditë zgjatë mjekimi?
Ju faleminderit. Pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:

Pengesat në frymëmarrje me hundë shpesh janë si pasojë e shtrembërimit të perdes së hundës (septumit), e në këtë raste trajtimi është operativ. Ky lloj i intervenimit quhet septoplastica (lat.) dhe kryhet nëpërmjet të vrimave të hundës pa lënë shenjë nga jashtë dhe pa e prekur formën e jashtme të hundës.
Mjekimi zgjat 5 ditë.

Së pari ju falënderoj për temat që i trajtoni me shumë detaje të cilat na ndihmojnë të gjithëve. Mua më intereson a mund të bëhen dy operacione përnjëherë (ai i hundës dhe i veshëve, veshët i kam pak llaposh edhe hundën e kam pakëz të thyer). Këtë pyetje po ua parashtroj për shkak se nuk mund të marr më shumë se 2 javë pushim nga puna.

PËRGJIGJE:

Jo, nuk bëhen që të dyja në të njëjtën kohë, ose të paktën unë nuk i bëj në të njëjtën kohë. Por, po ju propozoj që fillimisht ta bëni njërin operim dhe nëse jeni të kënaqur me suksesin, atëherë bëjeni edhe operimin tjetër (kjo ishte pak për shaka).

Përshëndetje doktor. Unë jam 19 vjeçar, jam ne gjendje të mirë fizike, por kam disa shqetësime në lidhje me bajamet. Qysh para 3 vjetësh, disa herë kam pasur rritje të bajameve dhe qelbosjen të tyre. Mjeku më ka dhënë longacef dhe ilaçe përcjellëse. Analizat kanë treguar se kam streptokokus h beta, ndërsa tash për momentin kam bërë aso testin dhe më ka dalë 400. Kur koha është e ftohtë, kam humbje force, dhembje në pjesën e shpinës. Unë jam alergjik në penicilinë, nuk mund ta merr injeksionin e quajtur ekstracilin. Çfarë më propozoni të bëj pasiqë jam në dilemë t’i heq bajamet apo të rri kështu sa të mundem. Respekt për ju, faleminderit!

PËRGJIGJE:

Kur kemi probleme të kësaj natyre me bajame, sidomos kur janë të shpeshta dhe që përcillen edhe me rritjen e ASO-s, atëherë propozojmë heqjen e bajameve.

Përshëndetje i nderuari doktor.
Kam një hall, problem me dëgjim, ngase e kam humbur dëgjimin thuaja në tërësi, por nga pak dëgjoj vetëm zërin – zhurmën e paartikuluar. Ju njoftoj se i jam eksponuar zhurmës së madhe në kohën kur tani kam humbur dëgjimin dhe jam në moshë 60 vjeç. Me gjendjen që tani jam, më pengon që të jem në hap me jetën-rrethin shoqëror, obligimet.., si shkak i pamundësisë së përcjelljes së komunikimit, përmes zërit-fjalës…Tani mundësia e vetme për komunikim është gjestikulacioni dhe mimika, të cilat në këtë moshë mjaft ma vështirësojnë kontaktin dhe mundësinë për të punuar..! Me optimizëm se ndihma juaj do të ma kthej dëgjimin, kërkoj përgjigjen – sugjerimin tuaj profesionalë në këto pyetje:
1. Cili është efekti negativ i zhurmës te shqisat e dëgjimit, si manifestohet ajo, si dëmtim patologjik, dhimbjet…?
2. Cili është sugjerimi juaj për hapat e mëtejmë në drejtim të rehabilitimit- kthimit të dëgjimit në nivel të funksionit (rrjedhave) për punë normale? Ju falënderoj shumë për mirëkuptimin, me respekt Qerimi!

PËRGJIGJE:

I nderuari z.Qerim, një prej faktorëve të jashtëm që ndikon negativisht në shqisën e të dëgjuarit është edhe zhurma, kjo është edhe më e theksuar në rastet e ekspozimit afatgjatë ndaj zhurmës. Kjo me kohën përcillet me humbje të dëgjimit në shkallë të ndryshme dhe është mjaft individuale.
Ju fillimisht duhet të bëni testet e dëgjimit-audiometrinë që të përcaktohet saktë lloji dhe shkalla e dëmtimit të dëgjimit. Në bazë të të dhënave që fitojmë, vendosim edhe për formën e trajtimit.

I nderuar. Pasi jam lexuese e rregullt e telegrafit dëshiroj të bëj një pyetje. Ka shumë vite më parë që më kanë thënë se kam një devijim të hundës. Problemi im është sidomos gjatë gjumit, kam problem me frymëmarrje, ndoshta pse më bllokohen vrimat e hundës. Gjumin e bëjë në dy jastëkë. Kam frikë nga operacioni. Shpesh edhe gjatë pastrimit të dhëmbëve nëse pasta shkumon, më vjen të kthejë, sepse shumë gërditëm. Nuk kam përdorë dhe as nuk përdori asnjë terapi. Kërkoj ndihmën dhe këshillat tuaja. Ju faleminderit dhe gjithë të mirat. Xheri

PËRGJIGJE:

E nderuara Xhevrije. Devijimi i perdes së hundës gjithsesi që të shkakton probleme në frymëmarrje me hundë dhe, në të njëjtën kohë, obligon frymëmarrje me gojë që nuk është normale. Ne shpesh e themi edhe si me shaka se të marrësh frymë me gojë është si të hash bukë me hundë. Në këtë rast preferohet operimi i perdes së hundës, që si procedurë operative zgjat përafërsisht gjysmë ore dhe bëhet me anestezi të kombinuar lokale dhe intravenoze me ç’rast nuk ndien dhimbje fare. Prandaj mos u frikësoni.

I nderuar dr. Kam vajzën 6 vjeçe. Që nga mosha 2 vjeç e gjysmë kishte shumë kollitje, ka bërë disa herë inhalim pas moshës 3 vjeçare. Testi i alergjisë ka dalë pozitiv në polen dhe pluhur të shtëpisë. Pas përdorimit të flonidanit, 6 muaj ka qenë shumë mirë, pas një viti problemet filluan prapë dhe frymëmarrja i shpejtohet edhe pse jam munduar që t’ia plotësoj të gjitha kushtet në shtëpi. Më ndihmoni. Flm për mirëkuptim

PËRGJIGJE:

Nga të dhënat që ofroni mund të konkludoj se keni konsultuar alergo-imunologun përsa i përket problemeve të alergjisë. Mirëpo, në anën tjetër kam pak informacione për ndonjë problem tjetër të mundshëm që mund të lidhet me frymëmarrjen e rregullt me hundë e jo me gojë, që mund të jenë të lidhura me problemin e vetë hundës apo adenoidit (bajames së tretë). Kjo e dhënë është e rëndësishme sepse frymëmarrja me gojë te personat alergjik e vështirëson edhe më shumë situatën. Prandaj sinqerisht nuk mund të jap ndonjë mendim-propozim konkret për trajtim pa e njohur statusin lokal të fëmijës suaj.

Si duhet dalluar tek fëmijët një sinuzit nga rino-farangiti klasik?
Me respekt, Valmira.

PËRGJIGJE:

Sikur ta dija se jeni apo jo punëtore shëndetësore do ta kisha të lehtë t’ua sqaroja dallimin, sepse do të përdorja terma mjekësor (anatomik), por në këtë rast do t’u jap një sqarim si për një laik në mjekësi. Zhvillimi i hapësirave paranasale (sinuseve) është dinamik dhe se forma definitive e tyre haset pas fazës së rritjes. Prandaj tek fëmijët sidomos të moshave të vogla, është e vështirë të flitet për sinusit të kufizuar, pos kryesisht te rastet e komplikimeve, prandaj në shumicën e rasteve e përdorim termin rhinosinusit apo rhinopharyngit. Këtë më mirë le ta bëjë mjeku.

Jam diagnostikuar me kancer të avancuar të laringut në shërbimin e ORL të spitalit “Nënë Tereza”, Tiranë. Për të shpëtuar jetën më është thënë se është e domosdoshme heqja e plotë e laringut e për rrjedhojë do të humbi zërin përgjithmonë. Prandaj, preferoj më mirë të mos operohen fare sesa të mbes pa zë. Përballë kësaj situate nëse përmes protezës më kthehet zëri, sa mund të jetoj me këtë gjendje?

PËRGJIGJE:

Duke respektuar mendimin e kolegëve të nderuar, pajtohem plotësisht me atë se duhet operuar. Fatmirësisht sot, duke pasur mundësinë e kombinimit të formave të ndryshme të trajtimit të kësaj sëmundje, siç është operimi, radioterapia dhe kimioterapia, nuk duhet të heqim dorë nga mjekimi, sepse rezultatet nuk mungojnë. Sa i përket zërit edhe në këtë fushë ka mjaft përparime, në radhë të parë është mundësia e ushtrimit të të folurit me teknikën e përbirjes së ajrit dhe artikulimit me gojë, i ashtuquajturi ”të folurit ezofageal” dhe në rastin tjetër vendosja e protezës së të folurit.

 Dr,Lirim Ukimeraj

Dr.Lirim Ukimeraj
otorinolaringolog
tel. 044 116 361

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen