Shqipërinë duhet t’a duam..!

Analiza & Komente | Zef Prenka | 24.03.15 | 16:58

Gjergj Lleshaj

Ta duam Shqipërinë të paktën… sa ky i huaj

1.Pakkush e ka dëgjuar. Me e njohë, jo se jo.

Pakkush, sepse ka qenë prift katolik.

Pakkush, sepse ka qenë tepër i përvutë (modest). Aq i përvutë, sa edhe veprën e kishte botuar pa emër. Siç marrim vesh prej parathënies, autorësia u mësua vetëm falë zbulimit të albanalogut Markus W.E. Peters në arkivat e Shoqnisë së Jezusit në Itali. Këtë zotni, edhe ai prift katolik, që ka mbrojtur doktoraturën në gjuhën shqipe, e kam takuar në Zvicër.

“Shqypnia, njoftime gjeografike, statistike – administratore”. Ky është titulli i veprës. I thatë?

Eshtë i njomë përbrenda. Libri s’është roman. Është pak a shumë tekst gjeografie i vendit tonë.

Botuar në kohë të Mbretnisë? Në vitet e Luftës së Dytë?

Jo.

Libri ka dalë në dritë për herë të parë më 1923. Kur Shqipëria shtet ishte fëmijë dhjetë vjeç. Pra praktikisht ende nuk ishte shtet. Shtetformimin e kishin penguar edhe dy lufta të egra, që e copëtuan, e poqën dhe e dogjën. Luftat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Përveç halleve të tjera. Në këto rrrethana gjindet dikush me shkrue nji tekst të plotë gjeografie për vendin. Në gjuhën shqipe. Për nxënësit e shkollave shqipe.

Doracak, broshurë e thjeshtuar?

Jo. Është hulumtim e punë e njëmendtë shkencore. Kryer në kushte kur rrallëkush do të kishte gjetur vullnetin dhe energjinë me e vazhdue.

I vënë në kohën e tij, ky libër të habit.

2.Në ribotimin e fundit, i pesti (“Gjergj Fishta”, Tiranë, 2014), ka 230 faqe. Me shkronja të vogla, nënmesatare.

Kreu i parë, “Shqypnia fizike”, përfshin kufijtë “dheshkronjor”, “politikë” dhe “etnikë”. Vijon me malet, “lumnat” (lumenjtë), liqenjtë e moçalet (kënetat), ujdhesat, portet. Gjithçka me hollësi të papërfytyrueshme në atë kohë dhe jo vetëm në atë kohë: lartësinë e çdo mali (me qindra male), gjatësinë e çdo lumi, sipërfaqet e përmasat e liqenjve, emrat e moçëm të tyre, degët, brigjet, urat… Dhe natyrisht harta. Dhe fotografi të kohës.

Kreu i dytë, “administratë e shtetistikë”. Prefektura, nënprefektura, komuna, “krahina e krahinarina”, fiset dhe bajraqet. Edhe një nënkrye me titull “Shqypnia ethnike ase vendet shqyptare jashta kufinit 1913”. Me të dhëna të imta për vendndodhjen, banorët, numrin e saktë, historinë. Kjo temë më pas do të bëhej tabu. Asnjë fjalë për to. Siç thonë autorët e parathënies Vili (Willy) Kamsi e Mario Imperatori S.J., vepra e mbrame që u botua me këtë tematikë është Të drejtat e Shqypnisë Etnike, vëll. I (Shkodër 1943-44). Vëllimi i dytë nuk mbërrini me pa dritën e botimit “për shkak të pushtimit sllavo-komunist”. Në vijim, një nënkrye tjetër për kolonitë shqiptare nëpër botë. Si mund të shpërfillen ato?

Kreu i tretë: “Formimi i shtetit, popullsia dhe besimi”.

Kreu i katërt, “Gjendja ekonomike”.

Sikur nuk mjaftojnë tërë këto, në fund është edhe një shtojcë historiko-kronologjike qysh prej vitit 635 para Krishtit deri në vitin 1921 të qindvjetëshit të njëzetë. Përmbledhje e ngjeshur e teatrit të historisë, të luajtur përgjakshëm në trojet tona.

3. Kthehemi te kreu i dytë. Janë diku midis 2500-3000 fshatrave me të dhëna të sakta për emrat, numrin e banorëve dhe besimin: sa janë myslimanë, sa të krishterë katolikë e sa të krishterë ortodoksë. Frymë për frymë. Dhe çdo fshat zbërthehet në “nënfshatra”, domethënë në fshatra të vegjël ose lagje. Numri i këtyre e kalon disa herë numrin katundeve.

Regjistrimi i këtyre emërvendeve ka vlerë të pazëvendësueshme. Aty koha është ngrirë. Me lëvizjet e shoqërisë së sotme, me urbanizimin e vendit dhe lëshimin e katundeve, sidomos të viseve të thella, shumë emërvende, më fort prej atyre që njihen si mikrotoponime, harrohen e shuhen. Por nuk zhduken: shumë prej tyre janë të dokumentuara në këtë libër.

Një burrë i vetëm tërë këtë punë? Në atë kohë të jashtëkohshme?

Për të kuptuar diçka nga burimet dhe vështirësitë, ndihmon një shenim i autorit, kur pasqyron prefekturën e Vlorës. Meqenëse tri prefekturat – Vlora, Gjirokastra dhe Korça – gjatë Luftës së Parë nuk ishin nën kontrollin e Austro-Hungarisë, njehsimi i tyre qe i pamundur, thotë në shenim. Ndaj të dhënat u nxorën nga libri frengjisht i Justin Godartit “Shqipëria më 1921” dhe nga një broshurë, edhe ajo frengjisht, e vitit 1919, ku kundërshtoheshin “argumentet” e Venizellosit për “të drejtat e grekëve në Epirin e Veriut”.

Ky shenim, i vënë prej autorit thjesht për korrektesë, dëshmon sa shumë iu ka dashtë me hulumtue e me mbledhë atë numër pa fund të dhënash (duke kopjuar me dorë, teknikat e sotme ishin ende në tejbotë). Dhe pastaj me i renditë, me i sistemue, me saktësue dyshimet, me hartue, me redaktue.

Ky burrë jepte edhe mësim, u bë rektor i Kolegjit Saverian në Shkodër, drejtor i gjimnazit Jezuit në Tiranë…

Nje përqasje: vetëm pas tetëdhjetë vjetësh, Akademia e Shkencave mundi të botojë një fjalor emrash gjeografikë të Republikës së Shqipërisë (Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i letërsisë, “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë”, Shtëpia botuese “Shkenca”, Tiranë 2002). Thjesht emrat. Të zhveshur, pa asnjë të dhënë shtesë përveç emrit. Pa asnjë studim toponomastik. Dhe herë-herë me mangësi ose pasaktësi që mund të ishin shmangur.

Ndërsa ai? Një burrë i vetëm. Që nuk ishte studiues profesionist. Që bënte edhe punën e priftit e punë të tjera.

4.Kush është pra ky burrë?

Quhet Lorenco Viecoli (Lorenzo Viezzoli S.J.).

Nga parathënia marrim vesh se At Viecoli s’ka qenë shqiptar. Ka qenë prift italian, që shërbeu në Shqipëri dhe mësoi shqip. “Mbrenda pak kohe e kishte ba të vetin me siguri e saktësi mekanizmin e gjuhës shqipe”, thotë për të At Zef Valentini.

S’ka qenë shqiptar. Por ka qenë më shqiptar se disa shqiptarë!

Në një punim tjetër të tij gjashtë vjet më vonë (1929), edhe ky tekst gjeografie i Shqipërisë, jo pahiri ka vënë titullin “Atdheu i jonë”!

Përkushtimi shkencor ndaj së vërtetës, vullneti dhe këmbëngulja në hulumtim janë dy piskamë që trazojnë vetëdijen tonë. Vetëdijen kombëtare, qytetare dhe hulumtuese. Vetëdijen e zyrtarëve, të instituteve, të universiteteve. Të çdo intelektuali, të çdo kërkuesi.

I kemi borxh vetes, me mësue prej gjedheve (modeleve) të tilla.

Ndonjë titull, dekoratë?

Do të na nderonte ne. Ai nuk mendoi për tituj as për dafina. As emrin si autor s’e shkroi në vepër.

Le ta duam Shqipërinë… të paktën sa ky i huaj!

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen