Kronika e munguar e lirisë

Analiza & Komente | admin | 01.12.12 | 23:09

Po të shkruaj sepse dua të të tregoj gjithçka ka ndodhur që kur u ndave nga jeta, gjatë asaj darke, ku disa thonë se të helmuan, e disa që ishte vdekje e natyrshme. E di ti të vërtetën? Nejse, unë doja të të ktheja borxhin që ndjej ndaj teje.

Thonë se ti më ke dhuruar diçka, vlerën e secilës nuk e dija deri sa pashë lotët në sytë e një miku gjakovar ditën që Kosova shpalli pavarësinë. E di që do të mërzis, por ndoshta dhe ti do duash shumë të dish, që Shqipëria ka ende kufijtë që u vendosën në konferencën e Londrës. E imagjinon dot? Edhe pas 100 vjetësh Kosova, Çamëria, trevat tona në Maqedoni e në Mal të Zi janë të ndara me kufij nga në. Ky fakt i ve pak hije pavarësisë që Kosova shpalli në 2007-ën, por besoj të paktën të gëzohesh, që tani Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. Të lutem mos u trishto që s’kemi të njëjtin flamur. Ku i dihet historisë…

U deshën vërtet 95 vjet pasi ti e shpalle Shqipërinë të pavarur, që edhe Kosova të jetë e tillë. Lotët e mikut tim atë 17 Shkurt të 2007-ës ishin lot të një njeriu që deri atë ditë nuk dinte ç’do të thotë të kesh shtet. Falë teje dhe shokëve të tu, unë këto lot s’i kam derdhur kurrë. Megjithëse Shqipëria më ka bërë disa herë të qaj. Sidomos kur, fëmijë, u largova prej saj, ashtu si shumë të tjerë. Ishte viti 1991. Do të t’i them më vonë arsyet. Nëse ke qenë altruist, do duash të më kujtosh që nuk e solle i vetëm pavarësinë, dhe në fakt historia i përmend të gjithë shokët e tu. A thua ka harruar ndonjërin syresh? Fate të ndryshme keni pasur të gjithë. E di ti për shembull ç’i ndodhi Luigjit? E vrau një agjent i Ahmed Zogut, atij që firmosi shpalljen e pavarësisë si përfaqësues i Matit. Më tej Ahmedi shkoi në Vjenën që ti e njihje kaq mirë, por ti këtë e di. Ajo qe nuk di, është që ai u kthye në Shqipëri në 1919ën, vitin që ti u ndave nga jeta. Ndërkombëtarët atë nuk e njohin si Ahmet Zogu, por si Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve.

Po, po. Shqipëria u bë mbretëri… por s’e pati të gjatë si e tillë. Edhe paqja pas Luftës së Madhe, nuk zgjati shumë, prandaj dhe ajo më vonë u quajt ‘Lufta e parë botërore’. Lufta e dytë botërore ishte edhe më e përgjakshme. Ishte shpikur bomba atomike… S’e di të të shkruaj në kohën e shkuar apo të ardhme, por gjithsesi, bomba atomike është një armë e tmerrshme. Një e vetme mund të shfarosë popuj të tërë. Prandaj them…Meqë siç thotë populli, ‘nuk ka dy pa tre’ kemi thuajse 70 vjet që presim luftën e tretë botërore. Për pak sa nuk plasi në vitet ’70, mes dy botëve të reja që u krijuan: asaj komuniste dhe asaj kapitaliste. Shqipëria bënte pjesë te e para. Çfarë do të thoshe ti për këtë? Të frikësonte komunizmi? Revolucioni i Tetorit që ndodhi 2 vjet para se të ndaheshe nga jeta, pati impakt të gjatë.

Shumë lidera, më tej diktatorë u krijuan prej tij – e patëm edhe ne një të tillë. Enver Hoxha e quanin. Gjatë sundimit të tij, shumë njerëz u burgosën e u internuan. Më thuaj nëse kjo letër mbërrin tek ti, se nëse funksionon, do doja t’i shkruaja dhe Leninit një. Sa për Enverin, nuk do harxhoja asnjë grimcë kohe për t’i treguar ç’ndodhi pas vdekjes së tij, megjithëse do doja shumë ta dinte…Në fakt, kur komunizmi mori fund në Shqipëri – viti 1991 siç të shkruaj më lart – shumë anije, varka, kamerdare bënë rrugën e kundërt që bëre ti për të na sjellë pavarësinë, duke iu drejtuar bregut përballë.

Disa prej atyre njerëzve, pleq, fëmijë, burra dhe gra, ndodhen në thellësitë e këtij deti, e do jenë atje përgjithmonë. Letra ime nuk do u shkonte kurrë. Tani thuhet se jemi në demokraci. E di? Ai sistemi i themeluar në Greqinë e lashtë nga Klistheni, ku është populli që qeveris me dëshirën e tij të lirë, përmes përfaqësuesve që zgjedh po ai. Se ç’ka një gjë që më duket e pasaktë ose në këtë përshkrim, ose në sistemin në të cilin jetojmë dhe që e quajnë demokraci, por përderisa e thonë, ashtu duhet të jetë. Si thua ti? Nuk po të shkruaj për televizorin, internetin, për naftën, apo armët bërthamore, që ti sado largpamës, nuk besoj se ke imagjinuar ç’janë. Në pritje të pavarësisë së madhe po festojmë këtë të voglën, që kur e prure ti (kështu thuhet e shkruhet), askush nuk mundi ta përhapë në Shqipërinë e vërtetë. Po e mbyll me kaq duke mos pritur përgjigje në të vërtetë. Por nëse merr mundin të më shkruash, të lutem më thuaj: Nëse do vije sot në vendin tonë dhe tëndin, a do e gjeje mes nesh lirinë?

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen