Propaganda pjellore dhe…kujtesa jonë shterpë

Analiza & Komente | Zef Prenka | 08.04.15 | 10:17

Frano KULLI

Dorëheqja e kryepolicit të Shqipërisë, për njerëz të painformuar, sigurisht nuk ka qenë e pritëshme, pikërisht tani në momentin që ndodhi edhe pse këtu skandalet shtetërore janë në radhë të gjatë dhe pakkush nga personat me përgjegjësi është dorëhequr nga posti.Por tani kur dorëheqja u publikua, reagimi më i pritshëm për të gjithë, besoj ka qenë ai reagim që bëri Zoti Ministër i Brendëshëm.”Dorëheqja është modeli që duam të ndërtojmë ne”…Se këtë frazë jemi mësuar të dëgjojmë.Është fraza që Zotëria e tij e ka përdorur, në të gjitha rastet, kur dorëheqje sado të rëndomta kanë ndodhur, por kjo frazë ka qenë dhe është ritual edhe i të tjerëve udhëheqës, deri tek kryeudhëheqësi, për çdo veprim mbarë a mbrapsht, i cili prej tyre është afishuar si reformë…Një frazë, që për hir të së vërtetës , për nga konotacioni që merr në këtë vendin tonë të shqipeve, ku dorëheqjet kanë qenë akti më i radhë i ndodhur, sigurisht që ngjit tek njerëzit mbarë.Dhe këtu fraza- propagandë është plot efekt.Dhe nuk mund të gjendet mbulesë më e mirë për të mos arritur të shkohet tek thelbi i gjësë, tek shkaku i dorëheqjes.

Në ligjërimin dhe diskursin publik që e ka shoqëruar zotërinë kryepolic dhe gjithë enturazhin qeverisës të atij sektori, për gjatë rreth dy viteve që ka udhëhequr aty, ka dominuar vetëm fjala reformim për atë trupë, sigurisht duke premtuar vënien e saj në shërbim më të drejtë , më të qytetëruar e më të kulturuar të qytetarëve që e shërbejnë atë me taksat e tyre.Është pohuar me gjithfarë ngjyrimesh vezulluese, se me të, pra me policinë e Zotit Didi, do të bëhet shteti i munguar dhe rendi për qytetarët.Kjo ka qenë retorika politike, një propagandë kaq pjellore turullosëse, që duke mbuluar realitetin të ngjan se je qytetar që jeton në Amerikë, në Danimarkë, në…dhe jo në Shqipëri. Se në Shqipërinë reale të policimit të Zotit Didi, të tjera rekorde janë shënuar në kujtesën tonë, e cila për fat keq, e pushtuar nga propaganda kaq pjellore mundet shpejt nga harresa…Janë burgosur me dhjetra mospagues të energjisë elektrike e kundravajtës të tjerë, madje ndonjë fatkeq ka gjetur edhe vdekjen atje, duke vuajtur dënimin për mospagimin e tridhjetë e ca mijë lekëve të vjetra, një tjetër po kështu është burgosur se lidhi arbitrarisht dritat për të kuruar fëmijën astmatik…një tjetër.E sa e sa të tjerë për kundravajtje rrugore, ani pse ajo silueta e rrugorit me bllok në dorë ,të ngjall krupën me shëmtinë e vet estetike, të kudondodhur, në rrugë pas ferrave, në bulevard a në rrugicat e lagjes…Ndërsa shpërthimet me tritol prej muajsh qenë bërë si “loja luftash” e fëmijëve.Kurse për punishten e drogës në Elbasan qenë gjermanët që e policuan, ose avionin me drogë të Divjakës qenë kalimtarët dhe ca mushkonja që e dalluan…

Mjeti parësor dhe më i rëndësishmi me të cilin vepron dhe funksionon politika shtetërore tek ne , nuk është administrimi mbi principet e shtetit ligjor dhe të demokracisë, por është propaganda.Politika tek ne është më shumë “gjasme” se e “vërtetë”.Dhe kjo është e gjithëpranuar, në atë masë sa fillon tek njerëzit më indiferentë me të dhe deri tek ndjekësi më i pasionuar i politikës. Falë inovacionit të madh edhe në fushën e informimit ,sot është bërë lehtësisht e dallueshme neveria e rritur në zenit për klasën politike, në radhë të parë shumicën e zgjedhur për të administruar shtetin…Propaganda pjellore e ka uzurpuar të përditshmen, ndoshta edhe si reminishencë e sitemit totalitar që lamë,duke cënuar seriozisht edhe kujtesën tonë që gati po shterpësohet.Propaganda i mbyt skandalet që ngjasin, ajo e bën “çudinë më të madhe të zgjasë tri ditë” sepse, menjëherë pjell ngjarjen tjetër të radhës…

Në “ndeshjen” Ilir Meta-Tomë Doshi është shpërfaqur në debat edhe teza se paria e shtetit po i sulmon Tomën e të tjerë edhe se janë katolikë. Unë nuk e di sa besimtar praktikant katolik është Tom Doshi dhe as nuk kam pse ta di as unë e askush tjetër, përderisa besimi është një çeshtje e individit, aq më tepër nuk e di e nuk ka pse ta di për Z.Ilir Meta.Ndërsa sa i takon vlerave e kontributeve politike të Z. Tomë Doshi, ato ia dinë më mirë Z. Kryeministër dhe Z. Kryetar i Parlamentit.Por që Prek Cali, ka bërë një pjesë të historisë atdhetare të Shqipërisë, si personazhi par exsellence i mbrojtjes së kufijve shqiptarë, kur prej tyre kërcënohej të shkyhej edhe ndonjë copë tjetër si Vermoshi, në vitin 1913, kjo është e njohur gati aksiomë historike.Edhe që françeskani Zef Pllumi është i pohuar si shtyllë e fortë e traditës kulturore shqiptare, gjithashtu…Dhe të dy këta , në sinore (kufij) të ndryshëm të jetës shqiptare, janë “rrënjë” të së njëjtës pemë gjenealogjike me Tomën…Po le ta lëmë Tomën, le ta shtrydhim kujtesën tonë shterpë, jo më larg se viti kur Ilir Meta (nuk e di a i ka pasë mbushur të tridhjetat apo jo asokohe) u shugurua kryeministër i Shqipërisë.Në ekipin e tij qeveritar ka pasë asohere edhe dy ministra katolikë, Z.Preç Zogaj dhe Z. Zef Preçi.Por që të dy, kryeministri i atëhershëm, Zoti Ilir Meta, i pati shkarkuar pa u bë tri ose katër javë…dhe as atëherë e as sot nuk ka patur ndonjë arsyetim publik për aktin. Mua më ngjan se kjo ka ndodhur jo për ndonjë tjetër motiv të ndryshëm nga ai për të cilin nuk i deshi ata (katolikët) edhe sundimtari i rregjimit të shkuar; ai nuk i deshi thjesht se ishin më të zgjuar, më të ditur e më të kulturuar, më atdhetarë me një barrë e peshë të madhe kontributi atëherë kur Shqipëria kish “filluar të bëhej”…Nuk i deshi se “nuk don pasha kallabllék”, siç thoshin dikur (lexo: udhëheqësi nuk do pranë vehtes më të aftë se vehten).Po kur akti përsëritet, atëherë të krijohet arsyeshëm mendimi i mëpërtejmë se kemi të bëjmë …në mos tjetër, me papëlqyeshmëri për katolikët…Ka njëmijë e një arsye që ne duhet ta shërbejmë më shumë kujtesën tonë të përbashkët, qoftë edhe si një mjet për të frenuar propagandën e pafre.

 

 

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen