Ass. dr. Myrvete Kabashi, mr. sci., neuropsikiatre

Rrezore | admin | 18.10.10 | 19:47

E nderuara dr Myrvete, unë jam diagnostikuar me F.20 para 10 viteve në Gjermani dhe gjendjen akute e kam tejkaluar në spitalin ku kam qëndruar për një muaj. Terapinë e kam të përcaktuar me taxilan 100mg., dhe atë e marr vetëm njëherë në mbrëmje. Pas gjashtë muajsh jam kthyer nga Gjermania në shtëpi dhe kam filluar biznesin tim që e kam ushtruar edhe përpara, praktikisht jam marrë me prodhimin e dyerve, dritareve dhe shkallëve. Por, njëkohësisht kam filluar të kërkoj literaturë psikologjike dhe kam studiuar pak a shumë sëmundjen time dhe prejardhjen e saj. Duke i marrë për bazë të gjithë faktorët si trashëgimia, mjedisi, faktorët biologjikë dhe të tjerat, kam ardhur në përfundim se te rasti im faktori kryesor ka qenë keqtrajtimi nga prindërit e mi, sidomos deri në moshën 5 vjeçe, sepse është ushtruar dhunë e egër, sidomos nga nëna. Nga mosha 7 vjeçe unë kam krijuar mbretërinë time dhe kështjellën e ngurtë ku s’kam lejuar që të tjerët të ndikojnë në mendjen time. Kam qenë i heshtur, me vinte turp shumë (tip emocional, jo aq i shoqërueshëm, agresiv, temperament, jo tolerant, etj). Kurse, sot, jam mësuar ta mbaj nën kontroll edhepse e di se disa funksione të trurit tim nuk funksionojnë. Por, e kam parë një shpresë në literaturë se këtë pjesë të shkatërruar të trurit mund ta marrë një pjesë tjetër e shëndoshë e trurit. Doktoreshë, desha vetëm ta vërtetoj se, a është kjo një e vërtetë apo jo. Qe 10 vite nuk kam pasur recidiv dhe jam një biznesmen i shkëlqyer.

Të përshëndes dhe pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:

I nderuar. Skizofrenia është sëmundje e cila karakterizohet me çrregullime tç disa funksioneve psikike: të menduarit, percepcionit, emocioneve, vullnetit, me kohë edhe të tjerave. Diagnostikimi me kohë dhe trajtimi adekuat nga neuropsikiatri, familja, shoqëria, duhet të ndihmojë në emisione (përmirësime) të cilat zgjasin për kohë të gjatë. Një studim klinik duke përdorur kritere të rrepta shërimi, gjeti një përmirësim të sëmurëve me skizofreni deri në 14% në pesë vitet e para. John Nash, një matematikan nga SHBA kishte shenja të skizofrenisë paranoide gjatë studimeve të tia në kolegj. Ai duke përdorur medikamente vazhdoi studimet e tia dhe u nderua me çmimin Nobel më 1994. Jeta e tij është përshkruar më 2001 në filmin ‘A beatiful mind’. Ju edhe pse nuk keni patur përkeqësime, merrni terapinë me rregull, mirë është të lajmëroheni te psikiatri vendor.

Djali im 2 vjeç e 10 muaj ka një vit që përdor pika apilespiN (kur në moshën 1 vjet e gjysmë iu paraqit konvulsioni i parë për shkak të temperaturës). Konvulsioni i dytë prapë për shkak të temperaturës iu paraqit mbas 2 muajve prej të parit. Mjekët vendosën me marrë apilepsin. Deri kur duhet të merr pikat megjithëse tash edhe kur ka temperaturë, nuk ka më konvulsione. Mos me ndërprerjen e pikave, do t’i paraqitet konvulsioni? EEG dhe rezonanca magnetike i ka dalë pa veçori patologjike.

Me shpresë që do të keni kohë për brengën tonë si prind, ju falënderojmë.

 

PËRGJIGJE:

Të nderuar prindër. Nëse djali juaj ka zhvillim normal për moshën e tij, nuk ka arsye të brengoseni. Deri kur duhet të përdorë pikat Apilepsin, si do të ndërpritet, duhet të vendosë mjeku i cili e ka ordinuar medikamentin. EEG mundë të jetë pa ndryshime, por për përdorimin e medikamentit vendoset në bazë të konvulzioneve të cilat ju mundë t’i observoni (komentoni mjekut tuaj). Duhet gjithsesi të vizitohet nga Neurologu.

Përshëndetje doktoreshë e nderuar. E kam bërë CT e kokës dhe vlerat janë në kufij të normales. Mirëpo, e kam të paqartë se çka do të thotë „atrofi e lehtë e masës kortikale subfrontale që nuk i përgjigjet moshës së pacientit”. Unë jam 16 vjeçar. Ju faleminderit për mirëkuptim.

 

PËRGJIGJE:

I nderuar. Duhet ditur pse ju kanë udhëzuar për incizim të thellë të kokës. Humbje e masës trurore që nuk i përgjigjet moshës, mundë të ndodhë nga shumë faktorë të cilët kanë dëmtuar indin truror. Është e rëndësishme diagnoza klinike, jo vetëm rezultati i incizimit, prandaj duhet bërë vizitë nga neurologu/psikiatri.

Përshëndetje doktoreshë. E kam djalin 3 vjeç e gjysmë, para 5 jave ka pas një ngërç dhe ka shkumua prej goje. Ngërçi ka zgjatë rreth 5 min.

Në pritje përgjigjes, ju përshëndes.

 

PËRGJIGJE:

I/e nderuar. Nga këto pak të dhëna, te djali juaj po ndodhë një zbrazje patologjike e aktivitetit truror. Cili është faktori, a do të ketë përsëri, duhet të përcillet, të kontrollohet nga neurologu për të vendosë për hulumtimet adekuate.

Jam një vajzë 15 vjeçe. Vuaj nga epilipsia. Barnat i marr me rregull. Çfarë këshille mund të më japësh? Faleminderit.

 

PËRGJIGJE:

E nderuar. Nuk mundë jap këshilla tjera nga ato të përgjithshmet të cilat i ke nga mjeku yt, nëse janë vetëm këto pak të dhëna. Nëse ke nevojë mund të lajmërohesh në klinikën e Neurologjisë në QKUK, në Prishtinë.

Jam 59 vjeçar, që dy vite vuaj nga tensioni i lartë i gjakut. Sulmin e parë e kam përjetuar në ora 24.00 me këto simptome: marramendje e madhe (ndjenjë se po vdes), djersitje dhe shkuarje në tualet për jashtëqitje.

Derisa kam arritur në spital tensioni i gjakut kishte arritur shkallën 215/125. Kjo gjendje e sulmeve të kohëpaskohshme më është përsëritur disa herë në masë gati të njëjtë si herën e parë dhe me të njëjtat simptome. Problemin kryesor e kam me marramendjen, por edhe me një dukuri përcjellëse; gati tërë kohën ndjej sikur një rrymë elektrike që ecën nën lëkurë, si një rrëqethje e ftohët që lëvizë nën lëkur, herë në kokë, herë në duar, herë në këmbë, pastaj pandërprerë ndjej shtypje në kokë e cila herë paraqitet në anën e përparme, herë mbi, herë në anën e majtë e herë në të djathtën që bën shtypje dhe që më prishë gati tërë ekuilibrin në të ecur, madje herë-herë ndjehem i pasigurt, labil dhe ç’është më e rënda ngritje të tensionit prej ore në orë. Herë shkon lartë deri në 170/90/100 me 105, herë rënie në 140 me 90.

I kam bërë tëra analizat e zemrës, funksionimin e veshkave, incizimin e trurit, qarkullimin e venave të gjakut në fyt, etj, që ka rezultuar se çdo gjë ishte në rregull. Diagnoza nga mjekët: gjendje labile e tensionit të gjakut. Pra, pa e gjetur shkaktarin e mirëfilltë. M’i kanë shkruar këto medikamente; Concor 5mg, Torasemid- radiopharm 5mg, Opipramol-neuraxpharm 50mg, Carmen Filmtabletten 10mg, Ramipril-ratiopharm 5mg, të cilat i kam përdorur rregullisht, por megjithatë, gjendja e tensionit nuk është përmirësuar aq sa ta ndjej vetën të shëruar.

Në vazhdimësi po vuaj nga marramendja dhe ngritje-rëniet e tensionit. Organikisht nuk kam probleme fare. Kam apetit të plotë në ushqim, etj. Asnjë mjek nuk më ka dhënë shpjegime më të zgjeruar, por as nuk më kanë sugjeruar të shkoj tek neuropsikiatri apo tek ndonjë tjetër specialist.

Ju lutem, a mund të më shpjegoni për çfarë sëmundje bëhet fjalë, si ta shëroj atë në mënyrë që të dalë nga kjo gjendje e vështirë shëndetësore, që më ka lodhur shpirtin.

Me nderime, Shpëtimi.

 

PËRGJIGJE:

I nderuar Z.Shpëtim. Tensioni i lartë i gjakut është njëri nga faktorët e rrezikut për sëmundjet cerebrovaskulare (infarktin, gjakderdhjen në tru). Ankesat që ju i përmendni janë pasojë e mosushqyeshmërisë së mjaftueshme të trurit me gjak. Ju duhet të kontrolloni shtypjen e gjakut, nivelin e yndyrave, të bëni dopler color sonografi transktaniale (ultrazërin e enëve të gjakut që ushqejnë trurin) dhe kontroll nga neurologu për të marrë trajtim adekuat.

Përshëndetje e nderuar. Djali im 3,5 vjet, ka 22 kg, ende nuk po ec. Prej 16 muajsh e kam nëpër ekzaminime shëndetësore. Mjekët e Shkupit kanë konstatuar dg: paralizis cereralis hemipareza.

Djali ka problem me anën e djathtë. Mjeku pediatër neurolog më ka rekomanduar që ta çoj djalin në Ohër, në spital për ushtrime fizikale. Atje është kontrolluar nga ortopedi dhe fiziatri dhe pas ushtrimeve fizikale njëmujore i është vendosur fleming gips në këmbë që t’i mbaj tri javë. Mjekët kanë thënë se me këtë gips do të zvogëlohej spazma që ka në këmbën e majtë.

Nga medikamentet, djali përdor tabl. Gamibetal dhe Bedoksin. Deri para një viti nuk ka folë, por këta tre muajt e fundit, ai flet rrjedhshëm. Inteligjenca, më duket se i përshtatet moshës së tij. Probleme me epilepsi nuk ka pasur, vazhdoj ende ta çoj në Ohër.

Jam nga Maqedonia, ju kisha lut që të më këshilloni.

Ju falënderoj nga zemra, pres një përgjigje nga ju. Zijadini.

 

PËRGJIGJE:

I nderuar Z. Zijadin. Paraliza cerebrale e fëmijëve është çrregullim ose humbje e funksionit motorik, i cili është i lindur ose lajmërohet në vitet e para të jetës. Kemi dëmtim të sistemit motorik të trurit, i cili është në zhvillim, i papjekur. Këto dëmtime janë të përhershme dhe stacionare, nuk tregojnë progresion, me kohë mund të ndodhin përmirësime të dukshme. Nuk është gjithmonë në pyetje paraliza, por edhe dëmtimi i funksionit motorik për shkak të lëvizjeve të pavullnetshme dhe jo të kordinuara.

Duhet terapi fizikale, terapi tjetër sipas nevojës. Të vazhdon me Gamibetal, Bedoksin.

Përshëndetje Dr.Myrvete. Jam një grua 28 vjeçare. Para një viti kam pas një aksident dhe kam pas dy herë gjakderdhje në tru. Tash jam shumë mirë përveç erës që nuk e ndjej më dhe kam një shije shumë të keqe që s’më lë rehat. E kam bërë EEG tri herë, kam përdor terapi, por asgjë. Tu kisha lutë që të më përgjigjesh në këtë pyetje. A është e mundur të ndjej aromat ndonjëherë.

Të faleminderit shumë.

Hyra.

 

PËRGJIGJE:

E nderuara Zonja Hyra. Humbja e njohjes së erërave/aromës ndodhë edhe te gjakderdhja në tru në qendrën ku bëhet analiza e njohjes së erërave. Duhen edhe disa informata: vendi i gjakderdhjes, dëmtime tjera…çka keni përdorë nga terapia medikamentoze. Ju duhet të bëni kontroll neurologjik-nga neurologu vendor ose në QKUK në Prishtinë, Klinika e Neurologjisë.

Përshëndetje, unë jetoj në Suedi qe 19 vjet, kam 4 fëmijë, e kam epilepsinë, kam dhimbje të fortë në kokë, kam një dridhje që më qet në të fikët. Kam kërkuar ndihmë te mjekët, por ata m’i kanë humbur shpresat. Më japin ilaçe, por pa ndonjë sukses. Të lutem, më ndihmo doktoreshë.

Nexhmia.

 

PËRGJIGJE:

E nderuara Zonja Nexhmije. Nuk tregoni sa vite mjekoheni nga epilepsia, pse mjekët ju kanë humbur shpresat, cilat barna i merrni. Nëse sulmet (dridhjet, shtangimet) janë të shpeshta edhe pse ju merrni terapi, duhet të bëni kontroll të rregullt te neurologu. Mjekut tuaj duhet t’i tregoni për të gjitha, edhe nëse nuk merrni terapinë me rregull, edhe për kokëdhimbjet dhe ai duhet t’ju ndihmoj, derisa ekziston bari, nuk duhet të humbni shpresat.

E nderuara dr. Myrvete. Doktoreshë, a ka efekte anësore përdorimi i tabletave Tegretol për qumështin e nënës dhe a mund të ketë pasoja apo efekte anësore tek bebja e cila ushqehet me qumështin e nënës?

Po ashtu, a mund te keqësohet gjendja shëndetësore e nënës e cila ka epilepsi nëse gjatë periudhës së gjidhënies (psh. muaji i gjashtë) nuk përdor tableta?

Ju faleminderit. Naimi.

 

PËRGJIGJE:

I nderuar Zotëri Naim. Tegretol tabletat kanë efekte anësore, mundim, vjellje, kokëdhimbje, përgjumësi, turbullim i të pamurit etj., të cilat në shumicën e rasteve lajmërohen kur doza e barit është në koncentrim të lartë në gjak.

Sa i përket gjidhënjes, nuk ka koncentrim të lartë në qumështin e nënës, andaj nuk është i rrezikshëm për përdorim. Gjendja e nënës e cila ndërprenë terapinë për 6 muaj mund të keqësohet nëse shpeshtohen sulmet epileptike. Për të gjitha është neurologu i cili vendos për mjekimin. Ndërprerja e terapisë pa lejen e neurologut është gabim i cili ka pasoja mjaftë negative.

Nëna ime 65 vjeçe ka pasur infarkt cerebral, iu ka paralizuar dora, këmba e majtë dhe i është paraqitur epilepsia qe tri vite. Në EEG-në e fundit nuk shihen shenjat epileptike sipas doktorit, ndërsa nënës i dridhet këmba e shëndosh (ana e djathtë). Nëna merr terapi kundër epilepsisë. Pyetja ime konkrete është: pse dridhet këmba e shëndosh 7-8 herë brenda ditës, që përcillet me dhembje. Nganjëherë i dridhet edhe dora. Ju lutem të na jepni një përgjigje që t’më udhëzoni se çka të bëj më tutje? Zoti ju shpërbleftë. Arbëresha.

 

PËRGJIGJE:

E nderuara Arbëresha. Edhe pse në EEG nuk shihen ndryshimet që flasin për epilepsi, nuk do të thotë të ndërpritet terapinë e dhënë nga doktori. Duhen edhe disa të dhëna tjera për sëmundjen, gjithsesi kontrolli neurologjik, sipas nevojës edhe analiza të gjakut.

E nderuara doktoreshë. Kam pas një aksident komunikacioni dhe kam pas tronditje në tru. Diagnoza: st.post conusie haemorragica cerberi. Tashti jam në trajtim duke u përmirësuar.

Mua më intereson se a është e mundur që si rezultat i kësaj të kem çrregullime psikike, nervozë, moskontrollim të vetëdijes në momente të caktuara, gjumë jo të rehatshëm.

Ju përshëndes.

Albani.

 

PËRGJIGJE:

I nderuar Zotëri Alban. Gjakderdhja në tru si pasojë e lëndimit (traumës së kokës) që keni patur ka për pasojë edhe ndryshime në sferën psikike. Ju mund të lajmëroheni në Kl.e Neurologjisë në QKUK në Prishtinë me dokumentacionin mjekësor që posedoni për të vlerësuar pasojat neurologjike dhe psikike.

Përshendetje doktoreshë. Është hera e parë që njihem me këtë akt shumë human. Po ju drejtohem Ju për një shqetësim shumë të madh në lidhje me mbesën time e cila është 20 vjeçe. Ajo ka një shqetësim pasi i ndodh një gjë e tillë. E humb toruan për pak sekonda, ka pasur raste dhe për një minutë. Flet si për çart dhe nuk mban mend asgjë. Kjo i fillon duke u përtypur, sikur i është tharë goja. Është vizituar dhe është mjekuar për epilepsi. Ka marrë tergetol. Tani bëri një analizë dhe ia hoqën këtë mjekim të gabuar them, pasi motra ime ia kishte dhënë vet dhe pa efekt. Tani mjeku i ka dhënë Topomax. Vazhdon ti ndodhë përsëri kjo. Shikojmë që po dobësohet përditë e më shumë, është shumë e pafuqishme, e dobët fizikisht. Analizat ia kemi bërë komplet dhe i kanë dalë të gjitha shumë mirë.  Ju lutem, e parë nga këndvështrimi juaj, si mendoni a është epilepsi dhe a është ky mjekimi i duhur. Është sëmundje që zhduket apo do ta shoqërojë gjithë jetën. Do ju isha shume mirënjohëse nëse më jepni këshillën tuaj. Pres përgjigje. Me shumë respekt, Silva.

 

PËRGJIGJE:

E nderuara Zonja Silva. Nga të dhënat që jepni është një lloj i epilepsisë. Ajo duhet patjetër të kontrollohet nga neurologu, duhet ditur çka është kryer nga analizat, pse bari i përdorur më parë nuk ishte efektiv, si ka filluar me Topomax, me cilën dozë dhe për sa kohë është rritur doza, si kanë qenë krizat dhe si janë tani. Kontrollin mundë të bën te neurologu vendor ose në Klinikën e Neurologjisë në QKUK në Prishtinë.

E nderuara dr. Myrvete. Nipi im si 18 vjeçar ka filluar ta humb vetëdijen, tani ka 25 vjet. Kemi qenë te disa mjekë, por thonë se përmes aparateve nuk po shohim se diçka nuk është në rregull. Ai para se ta humb vetëdijen thotë se e di dhe vetëm i shtrëngon duart, nuk lëshon zë a as nuk shkumon për gojë. Thotë se gjatë asaj periudhe sa i zgjat kjo gjendje (30-50 sekonda), ju dëgjoj krejt çka flisni, por nuk mundem t’ju përgjigjem. Kisha dashur të di se ku mund të drejtohem për të gjetur shërim nip im. Në familjen tonë, askush s’ka pasur simptoma të tilla. Nipi im është i martuar. Me nderime nga Agimi.

PËRGJIGJE:

I nderuar Zotëri Agim. Nga këto pak të dhëna për humbjen e vetëdijes së nipit tuaj, nuk mundë të diagnostikohet sëmundja. Ai duhet të lajmërohet në Klinikën e Neurologjisë në QKUK në Prishtinë për të kryer disa ekzaminime dhe për të vendosë për trajtimin e tij adekuat.

Dr. Myrvete Kabashi

Ass. dr. Myrvete Kabashi, mr. sci. bneuropsikiatre

Poliklinika “Medikus-Naz”

Tel. 044 147 427; 044 752 380

E-mail: kabashi.m@hotmail.com

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen