„Vota e bardhë“ për ditë…të zezë

Analiza & Komente, OP-ED | Zef Prenka | 21.04.15 | 23:33

Frano Kulli

Në atmosferën e ndezur të pragzgjedhjeve administrative të radhës është hedhur e po përsëritet , për herë të parë me kaq zë, edhe një kujtesë për votimin abstenues, jo vetëm duke e theksuar edhe atë si njërën prej tri mundësive të sistemit votues, por duke kërkuar që nga tri mënyrat e votimit ajo të përparësohet sipas rasteve dhe jo të jetë në pozitën apendixe, siç ka qenë për shumë herë me radhë, deri më sot. Madje ka patur edhe një theksim të veçantë nëpërmjet një deklarate publike nga njëri prej komuniteteve fetare për ta aplikuar edhe “votën e bardhë”, adresuar jo vetëm besimtarëve, por gjithë njerëzve vullnetmirë, në rastet kur kandidatët e servirur për t’u zgjedhur në krye të njësive vendore kanë patur ose kanë rekorde kriminale në të shkuarën a në të tashmen e tyre.

Kërkohet pikërisht tani , në kontekstin e asaj që prej disa muajsh është shfaqur si një kërkesë për dekriminalizimin e politikës.Siç është e njohur, është shtruar me forcë kjo kërkesë, nga vetë shqiptarët që ndjehen në udhëkryq, gati të pashpresë për ndryshim dhe këtë e pohon, si një thirrje ulëritëse dhe pezm të madh , vërshimi i pandalshëm ikanak prej këtij vendi, sidomos i të rinjëve, por edhe prej partnerëve tanë ndërkombëtarë.Si një dukuri, e cila në stadin e shfaqur këto kohë është kthyer në një shqetësim serioz për të sotmen dhe të ardhmen e funksionimit të sistemit tonë politik dhe prosperimin demokratik të shoqërisë shqiptare.

Sipas meje, është një shkak jo vetëm i mjaftë, por tronditës për të kërkuar me të gjitha forcat një parandalim të këtij fenomeni. Dhe një moment i artë i parandalimit të kësaj sëmundje është pikërisht momenti i zgjedhjeve. Por ,siç është nënvizuar shpesh, zgjedhja e të inkrimuarve deri në Kuvendin e Shqipërisë është pjesa që duket, është produkti i gjithë asaj çfarë ka ndodhur me degradimin sistematik të sistemit zgjedhor në Shqipëri.Kandidatët e më pas të zgjedhurit janë kryesisht kandidatë të partive politike (Z. Lubonja i quan banda kriminale), por në finish ata janë edhe të zgjedhurit e partive.Ndërsa kandidatë të pavarur prej partive, edhe në rastet kur janë shfaqur, rezultati ka qenë i papërfillshëm.

Është e gjithëpranuar prej kohësh se partitë ushtrojnë tri mënyra për t’i fituar zgjedhjet,(lexo për t’i bërë kryetarë a deputetë kandidatët e tyre); duke ftuar “fortët” në establishmentet e fushatave, shumica me plasaritje në radiografitë e bëra, në raport me ligjin, të cilët duke ushtruar presion dhe frikë ndër zgjedhësit ,ndërkohë bëjnë një krim, duke caktuar të “fortët”, tëp o këtij tipi në komisionet zgjedhore partiake(!), të cilët devijojnë votat, duke bërë po kështu kështu një krim të rëndë dhe e treta duke i blerë votat (edhe me dhjetë mijë leksha ase me “klering” një votë-një thes miell) duke ushtruar kështu një krim të shumëfishtë bazuar mbi varfërinë e zgjedhësve, shkaktarë për të cilën janë po këta “të zgjedhur” në kuvend, në qeveri dhe në bashki.

Shkurt, qytetarët- zgjedhës janë në mëshirën e vetme të atij produkti “pozitiv” që mund të prodhojë ndeshja e partive me njëra tjetrën.Ajo ndeshje , e cila dihet se si bëhet, pa principe e jo më platforma politike… Kurse qytetarët dhe vullneti i tyre, i cili në sistemet e mirëfillta demokratike është i pari, këtu është jashtë loje.Duket sikur zgjedhësit kanë shumë pak gjë në dorë për të realizuar në dobi të zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre.Të atyre që administrojnë më pas pushtetin e zgjedhësve, paratë e taksave të paguara prej tyre dhe gjithë politikat zhvillimore për prosperitetin e shoqërisë.Jemi pra në një rreth të ngatërruar keq dhe ajo çfarë i brendashkruhet këtij rrethi është kërcënuesi më serioz për konsolidimin e sistemit demokratik dhe integrimit tonë në shoqëritë e përparuara europiane.Një process që po zgjat pambarimisht.

“Votimi i bardhë”, si një stopim i rrokullisjes dhe si një refuzim i së keqes,tani kur edhe listat e kanditatëve janë bërë publike , unë besoj do të jetë i preferueshëm, kësaj radhe.Neveria e rritur popullore për klasën shterpë politike është lehtësisht e dukëshme.E pa dallueshme është vetëm për ata që, me vetëdije e shpërfillin.Ajo të bën të shpresosh. Por që të ndodhë kjo, duhet medeomos të tejkalojmë vetvehten e derisotme. Edhe tani kur jemi larguar gati njëçerek shekulli prej kohës së rregjimit, kur vota dhe votimet ishin një formalitet, reminishencat e atij mentaliteti janë prezente edhe sot,veçse janë formësuar në format e shëmtuara të sipërpërmendura.

Ndoshta ka ardhur momenti që duhen neveritur edhe ata kasnecë, mercenarë që trokasin në porta si votëmbledhës. Me “votën e bardhë”. Se ata e marrin shpërblimin e tyre, në formën e të ardhurave në para a në formën e copërave të pushtetit.T’u japësh edhe votën, a nuk është ca si shumë…

Nuk është retorikë të thuash se dinjiteti i njeriut është shumë, shumë më i çmuar se një thes miell.Po edhe në rafshin më semplist,duke marrë atë thes miell, ti zgjedhës nuk ke hequr urinë tënde dhe të familjes tënde, por ke shumëfishuar varfërinë tënde për nesër e mëpërtej.Edhe skllavërinë tënde, gjithashtu.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen