Maqedonia në krizë të thellë politike

Analiza & Komente | Zef Prenka | 26.04.15 | 09:36

Përgjimet e bisedimeve telefonike të pushtetarëve sllavo-maqedonas, dëshmojnë se Maqedonia është qeverisur dhe është sunduar prej tre personave: kryeministrit Nikolla Gruevski, shefit të DSK-së – Sasho Mijallkov dhe ministres së Punëve të Brendshme – Gordana Jankullovska.
Me fjalë të tjera, që nga viti 2006 deri më sot, në Maqedoni nuk ka funksionuar, as organi ligjvënës shtetit – kuvendi dhe as organi ekzekutiv i tij – qeveria. Përgjimet tregojnë se triumvirati Gruevski-Jankullovska-Mihajllovi e kanë pezulluar kushtetutën e vendit dhe e kanë vënë nën kontroll sistemin juridik, d.m.th. organet e gjyqësisë, Gjykatën Kushtetuese dhe Prokurorinë Publike.
Përgjimet tregojnë se Maqedonia ka qenë, jo vetëm shtet partiak i VMRO-së, por edhe pronë private e triumviratit Gruevski-Jankullovska-Mijallkov. Një rast të ngjashëm nuk mund të hasësh në asnjë vend të rruzullit tokësor, madje as në Afrikë. Në shërbim të verbët të tyre kanë qenë ministrat e dikastereve të rëndësishme për ta, si: Mile Janakievski etj. Instrument i verbët i tyre paska qenë edhe kryetari i Komisionit të Lustrimit – Tome Axhiev. Nga përgjimet konstatohet se edhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, në shumë raste, ka qenë instrument i verbët i triumviratit të sipërthënë. Nga përgjimet rezulton:
– se shkalla e demokracisë në VMRO paska qenë në pikën zero;
– se partneri shqiptar i bashkëqeverisjes, BDI-ja, paska qenë kryekëput i shpërfillur, i margjinalizuar, i lënë pas dore dhe i anashkaluar.

Nga përgjimet mund të konstatohet se për ç’arsye opozita politike shqiptare, paska qenë dhe vazhdon të mbetet jashtë çdo procesi politik.
Me një fjalë, derisa partneri shqiptar i bashkëqeverisjes, BDI-ja, ka qenë jashtë çdo procesi të qeverisjes, opozita politike shqiptare ka qenë në anën e kundërt të procesit politik. Si rrjedhojë, çështja shqiptare në Maqedoni, në periudhën e viteve 2006-2015, ka shënuar regres, d.m.th. është kthyer pas – në monizëm. Në periudhën e sipërthënë, faktori politik shqiptar nuk ia doli të arrijë, as të drejta politike, as të drejta ekonomike dhe as të drejta kulturore. Përkundrazi, shqiptarët në Maqedoni pësuan një rënie ekonomike dramatike. Qytetet shqiptare në veriperëndim, të privuara nga çfarëdo investimi ekonomik, mbetën qyteza, kasaba, pallanka dhe varosh. Kalldërma e periudhës osmane u zëvendësua me bekaton dhe kjo është e tëra. Zëri i analistëve të ndryshëm të periudhës 2006-2015, i shpërfillur me arrogancë nga faktori politik shqiptar, mbeti vox clamantis in deserto.
Maqedonia është në krizë të thellë politike. Fajtore për këtë krizë, në radhë të parë janë partnerët e bashkëqeverisjes – VMRO-ja dhe BDI-ja. Në mos fajtore dhe përgjegjëse e drejtpërdrejtë, si partnere e bashkëqeverisjes, BDI-ja s’ka se si të mos jetë fajtore dhe përgjegjëse e tërthortë e kësaj krize.
Për ta tejkaluar krizën, duhet të zgjidhet problemi. Si mund të zgjidhet problemi dhe kush mund ta zgjidhë atë? Në parim, shkaktarët e krizës, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së problemit. Një gjë duhet ditur:
– shkaktarët e krizës dhe përgjegjësit për të – VMRO-ja dhe BDI-ja, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes dhe e kapërcimit të saj;
– si partnere e bashkëqeverisjes, BDI-ja s’ka se si të mos jetë pjesë e krizës;
– krizën e thellë politike në Maqedoni, në asnjë mënyrë nuk kanë për ta zgjidhur qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, siç dëshiron BDI-ja dhe jo vetëm ajo,
– kriza e thellë politike në Maqedoni duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet nga vetë faktorët politikë të vendit;
– kriza politike në Maqedoni duhet të zgjidhet nga vetë qytetarët e Maqedonisë;
– në rast nevoje, qytetarët e Maqedonisë mund të kontribuojnë në zgjidhjen e krizës me mosbindje civile, me protesta dhe gjatë zgjedhjeve vendore apo parlamentare.

Rruga që çon drejt zgjidhjes së problemit dhe kapërcimit të krizës së thellë politike është:

– treshi Gruevski-Jankullovska-Mijallkovi duhet të japin dorëheqje të parevokueshme;
– në krye të VMRO-së duhet të vijnë forca demokratike, reformiste;
– prokurori publik i shtetit duhet të japë dorëheqje të parevokueshme;
– kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë duhet të japë dorëheqje të parevokueshme;
– triumvirati Gruevsi-Jankullovska-Mijallkovi duhet të përballen me organet e drejtësisë, përkatësisht të gjyqësisë dhe ndaj tyre duhet të ngrihet procedurë penale, për pezullim të shtetit ligjor dhe të institucioneve të tij;
– qeveria e përtashme, duke qenë thellësisht jolegjitime, duhet të japë dorëheqje;
– të krijohet një qeveri teknike me mandate njëvjeçar, e përbërë nga përfaqësuesit e faktorit politik shqiptar, të VMRO-së së reformuar dhe të LSDM-së opozitare.

Pjesë e zgjidhjes së krizës do të ishte edhe miratimi – nga qeveria kalimtare – i një platforme:

– për zgjidhjen e kërkesave politike të shqiptarëve;
– për zgjidhjen e çështjes së emrit me Athinën, në bazë të një kompromisi të ndërsjellë;
– për përshpejtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në organizmat euro-atlantikë;
– për rikthimin e proceseve demokratike në shoqëri dhe në institucionet e shtetit;
– për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Triumvirati Gruevsi-Jankullovska-Mijallkovi duhet të dinë se zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni nuk do të organizohen nën mbikëqyrjen e tyre. Përndryshe, çfarëdo zgjedhjesh të organizohen dhe çfarëdo fitoreje të arrijë VMRO-ja e pareformuar dhe populiste, për Uashingtonin dhe Brukselin do të jenë jolegjitime dhe të papranueshme. Si rrjedhojë, Maqedonia do të vazhdojë të zhytet në vetizolim, kontesti rreth emrit me Athinën do të vendnumërojë, Maqedonia do të mbetet larg botës perëndimore dhe jashtë proceseve integruese, vendi do t’i afrohet Lindjes dhe do të bëhet pre e aspiratave të Moskës për të depërtuar në Ballkan nëpërmjet Serbisë, kriza ndëretnike do të thellohet, investimet e huaja ekonomike do të reduktohen, ekonomia do të shënojë rënie, papunësia do të rritet dhe bashkë me të, edhe tendencat e të rinjve për të emigruar drejt Perëndimit.

Faktori politik shqiptar duhet të dijë se nuk mund të jetë fituese në çdo rrethanë:
– fituese në kohën e krijimit dhe të ekzistimit të krizës;
– fituese në kohën e zgjidhjes së krizës;
– fituese pas kapërcimit të krizës.

Në rrethana të tilla, fituese mund të dalë vetëm një koniunkturë dhe nomenklaturë e ngushtë partiake, por jo edhe mbarë shoqëria shqiptare. Faktori politik shqiptar duhet të prodhojë politikë efektive dhe jo atë ta zëvendësojë me propagandë politike dhe me ekzibicionizëm politik.
Për proceset e montuara politike kundër shqiptarëve, gjatë periudhës së viteve 1991-2015, Maqedonia duhet të përgjigjet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Xhelal Zejneli

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen