Dëgjojeni pak Blushin!

Analiza & Komente, OP-ED | Zef Prenka | 28.04.15 | 17:44

Nga: DRITAN HILA*

Ben Blushi hyn në personazhet komplekse të së majtës. I lexuar, me karrierë të spikatur si gazetar, me të shkuar kontroverse si politikan,debatues i klasit të parë, është ndër asetet që ka ky krah politik. I rritur në humus shkrimtarësh, edhe vetë është i tillë. Politikani dhe shkrimtari i dyzojnë personalitetin. Dualitet që shfaqet në prezencën publike, e cila, në thatësirën ideore që ka mbuluar jetën shqiptare, më mirë që është.

E dyzuar ishte edhe dalja e fundit, ku flet shkrimtari dhe politikani. Ku politikanit dhe shkrimtarit i çmohet kurajoja publike. Dhe si e tillë kërkon vëmendje, dhe jo anashkalim. Pasi kohët e fundit, është shmangur në mënyrë të frikshme debati politik dhe mendimmarrja nga inteligjenca. Dhe këtu fillon problemi. Jeta shqiptare është shterpëzuar në mënyrë të frikshme. Ka çerek shekulli që pjellim krahë pune për Perëndimin, por nuk ka më intelektualë. Shkrimtarët, poetët, filozofët, artistët, janë ata që u ngjizën në kohën e komunizmit. Më i madhi, Ismail Kadareja, jeton falë famës së tij botërore, me të cilën i imponohet edhe politikës, e cila rri nën pemën e tij me shpresë t’i mbledhi kokrrat. Sa e ligë është sjellja e shtetit dhe politikës ndaj produktit të mendjes, duket në të tjerët që nuk kanë mundësitë e Kadaresë. Xhevahir Spahiun e kanë harruar. Fatos Arapit nuk i japin as tokat e trashëguara në Zvërnec. Ilirian Zhupën e kanë plasur në një cep të MPJ si specialist fillestar. Moikom Zeqon e kanë nxjerrë rrugëve. Pëllumb Xhufin, si për një hakmarrje e cila shpjegohet vetëm me anën e errët të karakterit të sunduesve, është ende nën urdhrat e Beqir Metës dhe Ardian Marashit. Atyre që kanë pasur një emër, shteti i kujton vetëm në kurorat që iu nis në raste vdekjesh, që ngjan më shumë nga gëzimi që ikën sesa hidhërimi. Ndërkohë, ministra/e, drejtues mediokër, gjithfarë nulitetesh që për shkak të njohjeve që iu ka sjellë fati apo gatishmëria të përdoren, iu nxijnë jetën atyre që kanë ende shpirt. Dhe kjo arrogancë vjen jo vetëm nga siguria që ka injoranca, por edhe nga mungesa e frikës së ndëshkimit.

Blushi nuk mund të trajtohet me shpërfillje dritëshkurtër. Të lëshosh të pakënduarit ndaj të diturve, është shenjë obskurantizmi dhe jo taktikë politike. Nuk mundesh që për t’iu përgjigjur të lëshosh një hekurkthyes, as figura që përdoren zakonisht për t’i ngacmuar nervat Berishës. Formula e “spiunëve të Berishës” është e tejkaluar. Në fundvitin e dytë të qeverisjes, kjo mazhorancë, përveç rënies së shkëlqimit, ka probleme të mëdha me principet e saj. Ka probleme dhe hera-herës regres në fushën e punësimit, ekonomisë, diplomacisë dhe administratës. Dhe, të evidentosh këto probleme është kambanë alarmi për mosrikthimin e Berishës në pushtet për herë të tretë, e cila rrezikon të ndodhë, nëse zhvlerësimi vazhdon me këto ritme. Debatimi serioz i tyre, mund të parandalojë një rekord që as vetë Berisha nuk e ka imagjinuar, dhe dështim spektakolar të së majtës.

Duhet kuptuar një mësim i thjeshtë i historisë se, kombet e vogla nuk bëhen nga paratë e armët, por nga idetë. Kush ka timonin, duhet të kujtojë një të vërtetë tepër të thjeshtë, që sundimin ta jep edhe shuma e votave, por shkëlqimin e sundimit e jep oborri dhe cilësia e bashkëpunëtorëve.

Sa i takon historisë, nëse mendojnë të lënë një emër pas, legjitimitetin e japin filozofët, artistët dhe shkrimtarët, dhe jo vitet e mandatit. Për kë mendon se shtetin dhe kombet i bën forca, do të rekomandohej të vizitonin gërmadhat e Spartës, që qeverisej nga forca, dhe shkëlqimin e Athinës, që qeverisej nga mendja.

E majta shqiptare, ashtu si ajo europiane, është shquar për sensibilitetin e saj ndaj shqetësimeve të inteligjencës. Ajo e sotmja, nëse do të ruajë qoftë edhe aparencën e emrit që trashëgon, bën mirë të vazhdojë traditën. Kaq gjë e rekomandon edhe Makiaveli.

(/BalkanWeb)

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Zef Prenka

Zef Prenka

Autor i shkrimit

Tema të ndryshme

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen