Tradita shqiptare nuk lejon të cënohet toleranca ndërfetare

OP-ED | Dedë Preqi | 08.07.15 | 09:45

Dedë Preqi

Ne shqiptarët është e drejtë që besimtarët katolik dhe musliman të quhemi mes veti „vëllezër“, kështu dhe është dhe duhej të ishte, sepse jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe dhe diç më tepër… Nuk mjafton të mbajmë ligjerata e teori të neveritshme për gjenezën tonë, traditat dhe kulturën,  nëse të gjitha këto bëhën pa dashuri, apo në të kundërtën e saj që quhet „urrejtje“ ndërvëllezërore.

Mjeti përmes të cilit shërbehët armiku i jonë, është „invidia clerikalis“ (shqip, smira klerikale), mandej sulmi i armikut gjenë edhe rrugë tjera, por këtu e gjenë dhe e shfrytëzon qëllimin dhe indin kryesor, me qëllim që ta nxisë urrejtjen në mes shqiptarëve. Gabimet e vogla të ndonjërit qëllimisht, apo verbërisht, zmadhohen dhe shdërrohen në probleme të pazgjidhura, të cilat nuk janë të shëndetshme për shoqërinë tonë dhe as për vendin.

Është e pa kuptimtë, nëse shoqëria e sotme shqiptare në Kosovë, merrët me qështjet fetare, kur ato janë të zgjedhura me qindra vite më herët, kur kjo shoqëri ka punë të tjera, ndoshta më të rëndësishme. Dhe është turp, nëse e pyesim sot vëllaun tonë, çfarë konfesioni ke, duke ditur se jemi të një kombi dhe flasim të njëjtën gjuhë. Asgjë nuk e justifikon  sjelljen e një shqiptari pa dallim, që për shkaqe fetare, krijon ndarje dhe përqarje, një gjë e cila qon edhe në vëllavrasje.

Është për keqardhje fakti se këto ditë në Kosovë krijohen mosmarrëveshje në mes dy religjioneve , asaj katolike dhe muslimane, për ndërtimin e një kishe katolike, apo kjo tregon pa pjekurinë , mossinqeritetin për ta kuptuar peshën ndërvëllezërore dhe peshën e situatës në të cilën gjindemi. Në vend që të mbretërojë harmonia, dashuria vëllezërore ndër shqiptarë, qëllimi i pa dhunshëm dhe toleranca ndërfetare, pa e cënuar të drejtën e njëri-tjetrit.

Prandaj, sot është koha, që vëllezërve të tillë tu thëmi: mjaft, pa marrë parasysh se cilës anë i takon,  sepse nuk do të jetë e mjaftueshme vetëm gjykimi i njerëzve për dukuritë negative, për tu mos u krijuar rrëmuja e revolta ndër shqiptarë, mandej edhe keqinterpretimet e ndryshme, që qojnë vetëm në grindje fetare këtë popull. Situatat e tilla nuk kanë kurim tjetër, përveq se kthjelltësia dhe përforcimi i harmonisë ndërshqiptarë, duke mos lejuar armikun tonë të ndërhyjë në këtë mënyrë…

Të theksojmë edhe një moment të ri: deri sa Zvicrra dhe bashkësia e saj në qytetin Wintertur, ka lejuar të ndërtohet xhamija shqiptare për besimtarët shqiptarë dhe të tjerë në këtë vend, atëherë pse pengohet vullneti i qytetarëve të Llapushnikut në Kosovës, që të ndërtojnë kishën besimtarët katolik shqiptarë, të cilët  janë banorë dhe shtetas të vendit vet, apo me një fjalë tjetër „vëllezër të një gjaku“ dhe një gjuhe.

Në fshatin tim të lindjes, atje në Balldrin (Doblibare) të Gjakovës, i tërë fshati përbëhët nga besimtarët katolik shqiptarë, të cilët  e kanë kishën e tyre, por në këtë fshat jeton edhe një shtëpi e besimit musliman, e cila e ka Teqenë dhe Tyrbën e vet, në të cilin vend jetojnë më vite të tëra, që nuk mbahet mend se ka pasë as një më të voglin problem në mes vete, por harmonia e këtyre banorëve karakterizohet me traditat dhe virtytet fisnike të shqiptarëve, kur festat dhe dasmat i bëjnë dhe i përjetojnë në harmoni së bashku.

Edhe nëse i referohemi parimeve të drejta që burojnë nga kisha dhe xhamia, njëra dhe tjetra nuk ia mohojnë askujt përkatësinë dhe të drejtën fetare. Apo, kur i thëmi vetës patriot, nuk duhet ta mendojmë patriotizmin profan, por ta mendojmë patriotizmin e mirëfilltë dhe atë fisnik, i cili ka si qëllim të mirën shpirtërore dhe materiale të popullit pa dallim dhe pa zhvleftësimin e përdhosjen e bashkësive tjera etnike, kombëtare.

Duke pasur parasysh faktin se Kosova si rajon në të cilin janë ndeshur luftëra të ndryshme dhe fenomenët kulturore e fetare kanë lënë gjurma dhe dëshmi në këto troje, që sot ruhen këto veqori të kulturës  fetare ndër popuj, por sipas traditës së popullit shqiptarë, nuk është cilësuar ndonjëherë ndonjë problem, që ka ndikuar në acarimin e marrëdhënieve brenda shqiptare, poashtu edhe ndëretnike, duke përjashtuar Kishën Ortodokse, e cila në thëmelet e Kishave katolike shqiptare, ka vendosur kultet e veta fetare. Prandaj, edhe atëherë kur një religjion  autoktan, sikur që është religjioni katolik në Kosovë, orvatët të ruan identitetin e vet dhe vitalitetin shpirtëror, duhet të mirren parasysh parimet dhe vullneti qytetarë, si dhe liria e tyre fetare, të përcaktuara edhe sipas Kushtetutës së Kosovës.

Krishtenizmi në trevën e Dardanisë, jo vetëm që është që nga koha e apostujve, por  ai i mbijetojë të gjitha kataklizmave që i pësoi civilizimi antik në këto treva, qoftë nga përndjekjet e perandorëve bizantin, qoftë edhe nga invadimet shkatërrimtare të popujve barbarë, duke mbetur besnik,  jo vetëm ndaj religjionit dhe kishës, por edhe ndaj kulturës, gjuhës amtare dhe paqës ndërnjerëzore.

Në Kosovë, shumica e popullit shqiptarë përbëhët nga besimtarët musliman, nga të cilët, apo nga shumica kërkohet diçka më tepër dhe shumë më tepër të respektohen të tjerët me besimet e tyre  fetare, si njëra nga cilësitë më eminente të njeriut, por edhe të besimit fetarë, sepse ky është virtyti kryesor njerëzor dhe fetar (sipas Bibles dhe Kur-anit). Acarimet ndërfetare dhe ato ndëretnike, janë plagët më të rënda që përjeton një shoqëri njerëzore, andaj Kosova, ka akoma shumë plagë të tjera në trupin e saj, të cilat kërkojnë shërim përmanent.

Shumë e rëndësishme do të ishte, parasegjithash zhvillimi i shtetit ekonomik në Kosovë, por edhe përkushtimi ndaj arsimimit dhe edukimit të rinisë në frymën e një edukate të shëndoshë dhe përkushtimin ndaj gjuhës së pastër amëtare, si dhe plotësimin e kushteve të tjera, në riparimin dhe ndërtimin e ndërtesave shkollore dhe ky avancim kulturor më pastaj ishte ajo që e bënë jo të rrezikshme as kishën dhe as xhaminë në shtetin e Kosovës.

 

Dedë Preqi

Poet, shkrimtar, publicist etj. Dedë Preqi ka të botuara një bagazh me vëllime poetike për fëmijë dhe të rritur... Autor i shumë temave në Rrezore.Opinionet, analizat dhe publicistika e tij, janë gjithmonë në koherencê me aktualitetin dhe gjendjen faktike!

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Rreth autorit

Dedë Preqi

Dedë Preqi

Poet, shkrimtar, publicist etj. Dedë Preqi ka të botuara një bagazh me vëllime poetike për fëmijë dhe të rritur... Autor i shumë temave në R

Rrezorja

Portali rrezore.com është e destinuar për një publik të gjërë,të të gjitha shtresave dhe moshave,të gjitha kategorive shoqërore,politike e fetare,të gjitha strukturave profesionale,për një edukim dhe zhvillim të mirëfillt në frymën kombëtare dhe integruese.

Zur Werkzeugleiste springen