A do të rehabilitohet…Lezha?

OP-ED | Zef Prenka | 08.07.15 | 21:30

Frano Kulli

Qendrat e tri qyteteve, ajo e Kavajës, e Lezhës dhe e Lushnjës, janë marrë në dorë prej qeverisë si projekte pilot të saj, si shëmbëlltyra e parë e transformimit urban në qytetet shqiptare. Është në përfundim ose ka përfunduar në ndonjërin prej këtyre qyteteve projekti i rikualifikimit e rehabilitimi i tyre. Duke shpresuar gjithmonë se paratë për këto projekte janë. Aq më shumë kur projektet e rehabilitimit të qendrave të këtyre qyteteve janë “design” i vetë Kryeministrit, zotit Edi Rama. Ndoshta edhe në kuptimin e drejtpërdrejtë të cilësorit të përdorur nuk përjashtohet dora e tij. Ai i ka parashtruar këto si sfidat më kryesore të sipërmarrjes së tij kryeministrore, në fushën urbane, si njërën prej kolonave mbajtëse të ngrehinës RILINDJE. Në Kavajë nuk ka më asnjë pengesë për të mos e realizuar edhe me rifiniturat e fundit këtë projekt dhe është e sigurt se zoti kryeministër ndihet besimplotë. Për më tepër që kryetar të Bashkisë atje bëri atë që donte, z. Roshi (Elvis a Ervis), edhe pse ai u përfol shumë si person me rekorde të provuara kriminale, ndërsa përfshirja e “rekordmenëve” të tillë në procesin zgjedhor u qortua fort edhe nga partner të rëndësishëm, mjafton të kujtojmë deklaratat publike të ambasadorit të SHBA, Donald Lu.

Në Lushnjë gjithashtu nuk ka ndonjë pengesë të dukshme për të mos u përmbyllur projekti, mbasi edhe atje pushtetet, ai qendror dhe ai lokal, janë në sinkron pink (në kuptimin politik). Kurse në Lezhë…, këtu problemi vjen pak më i ndërlikuar, pas fitores së bindshme dhe me diferencë të madhe të kandidatit të djathtë, zotit Fran Frroku. Sfida elektorale atje, më shumë se sfidë ndaj ish-kryetarit Viktor Tushaj, i cili qe identifikuar me atë projekt, ishte sfidë ndaj veprimit politik sundimtar të “kompanisë politike” LSI dhe çiftit Meta që e mbretëron atë, së paku prej dy vjetësh, mendoj unë. Dora e rëndë e këtij “mbretërimi” qe e pamëshirshme posaçërisht në Lezhë, ndaj dhe reagimi qytetar ka qenë kaq i fortë ndaj këtij fenomeni të kapjes së pushtetit prej një si regjimi. Një reagim, që të bën të shpresosh se mund të fillojmë e të shërohemi prej sindromit të nënshtrimit politik, qoftë edhe kur ai merr formën e regjimit.

Të shërohemi prej dominimit të malavitës, prej shitblerjes së votës, domethënë të shpirtit dhe të krejt qenies sonë prej njeriu, duke lënë mënjanë e duke shpërfillur idetë, ndjenjat, besimin, moralin, me gjithë tërësinë e rregullave dhe cilësive që e përbëjnë atë dhe duke i zëvendësuar gjithë këto vlera thelbësore të njerëzimit me rregullin strikt jo të njerëzishëm, më jep, të jap, nëse s’më jepesh të blej, nëse nuk shitesh të detyroj…
Edhe në Lezhë projekti i qendrës është në përfundim e sipër, në përfundim është edhe ura e vetme hyrëse në qytet; skicë-ideja e re urbane tashti ka marrë jetë dhe pa dyshim ndryshimi thelbësor për mirë është i dallueshëm e i përgëzueshëm. Ende pa përfunduar projekti, qendra e qytetit, përfshirë edhe zonën memorialistike, ka nisur të shërbejë si pikë relaksuese e banorëve të vet, përtej kaosit pa destinacion e pa koncept e tejet të papërshtatshme për qytetarët, siç ishte më parë. I hapur mbetet diskursi estetik, pa dyshim, në sensin se ç’mund të ishte bërë më mirë, sikur në vend të një diajnuesi të vetëm (lexo Kryeministri), mund të kishte edhe një konsulencë më të gjerë e publike.

Njëherësh me projektin e qendrës, në Lezhë ka nisur para rreth dy muajsh edhe një projekt i madh i rehabilitimit të ujësjellësit të qytetit, me një vlerë prej diç më shumë se 15 milionë euro. Rezultati i deri tanishëm 2-3 mujor janë tabelat që anonçojnë projektin dhe… rrugët e shkallmuara të qytetit, ku asnjë centimetër i tyre nuk ka mbetur i paprekur. Deri tani ata vetëm sa kanë kryer misionin elektoral, ndonëse përfundimi shkoi në kahjen e kundërt të destinacionit nisës.
Po, a do ta vijojë qeveria realizimin e këtyre projekteve në rrethanat e reja të mëdyshjes (qeveria e majtë-bashkia e djathtë) së pushtetit? Po ritmet e punimeve dhe afatet, a do të respektohen? Se në gjendjen ekzistuese urbane Lezha është vërtet e pajetueshme…

Ligjërimi publik i Kryeministrit se “po nuk votuat kandidatët tanë, nuk do të ketë mbështetje me projekte financimi” është akoma i freskët, me gjithë goditjen shokuese e brutale, të padëgjuar më parë; reminishencat ende kumbuese ngjallin frikë e mosbesim. Shpresojmë shumë që të jetë i tejkaluar, edhe pse Z. kryeministër ka treguar se është inatçor. Zoti ia shndrittë kujtesën sa për ta bërë me dije se paratë janë tonat, të ne qytetarëve taksapagues e ai është veçse administruesi i tyre, që me ligj detyrohet ta bëjë drejt e mirë.

Zef Prenka

Autor i shkrimit

More Posts - Website

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen