Srebrenica, politika pastaj

OP-ED | Engjëll I. Berisha | 11.07.15 | 11:30

Shkruan: Engjëll I. Berisha

Si ti quajmë masakrat në Kosovë? A do ti pranojë politika për gjenocid!? Jo për tu hakmarrë, por, për ta mësuar në shkollë, se, si bëhet gjenocidi. Natyrisht, për të mos e bërë kurrë. Si të edukohet njerëzimi, të mos bëjë gjenocid, ngase, lë shumë plagë, shkatërron vetëdijen e njeriut, dhe ushqen më shumë me urrejtje, se sa me përfitime në luftë.

Krejt kush e vret tjetrin është vrasës. Kush e vret tjetrin me qëllime ideologjike, racore, me motive pushtuese, quhet vrasje me qëllim, dhe duhet të ndjeke nga drejtësia e tërë botës. Ndërsa, kur vrasjet bëhen në masë, po ashtu me tendencë, duhet të jetë e dënueshme tërë jetën.

U deshën 20 vite, shumë debate, fakte, vaje, gjëmë, ankth, kërkim të eshtrave, varrosje, rivarrosje, e çka mos tjetër, të pranohet, se, në Srebrenicë është bërë gjenocidi. Lojë e radhës. Se nuk është ditur se ishte gjenocid? Nuk është ditur se janë vrarë mbi 8 mijë veta, dhunë në femra, edhe në të mitura, dëbim dhe ç’farosje njerëzore.

U maten, e u ç’maten. Më në fund, politika po thotë se në Srebrenicë është bërë spastrim deri në ç’farosje të njerëzve, e që quhet gjenocid, demek, vrasje në masë. Kur u takuam me familjarët, nënat, e Bosnjës, ne këtu pas luftës së fundit, na e morën lakmi numrin e vogël të vrasjeve dhe ndërtimin e shtëpive që e kishim bërë shpejtë, natyrisht me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Ç’lakmi ishte kjo, derisa edhe ne kërkonim eshtra, kërkonim familjarët tanë, e që quheshin të zhdukur, ngase, disa nga të njëjtit vrasës, në Srebrenicë, ishin dhe këtu. Disa nga të njëjtit komandues, me ndryshime të vogla. Bile them, gati të njëjtat pushkë, dhe fishekët e pa zbrazur atje, u zbrazen këtu, mbi trupin e njomë të shqiptarëve.

Ne e mbyllnim gojën para nënave të Srebrenicës, ngase, dallonim në shifra, e jo në mënyrën e krimit, gjenocidit, dhe kriminelëve. Dallimi ishte se masa te ne gjatë luftës, nuk koncentrohej në numër të madh, përderisa forcat e NATO-s, dobësonin fuqinë kriminale, forcën ushtarake dhe policore.

Nëse u vranë, mbi 8 mijë njerëz, vetëm në Srebrenicë, e që quheshin boshnjakë, mosha më shumë të reja, dhunë seksuale, djegëje e dëbim popullate, nuk e di si mund të quhet ndryshe, pos Gjenocid. Dhe, cila masë matëse e kësaj përmase u desh të pres kaq shumë vjetë?!

Tani, hallin po e shfaqi tek masakrat në Kosovë. U bënë 16 vjet nga shumë sosh, me përmasë, me krime, dëbime, dhunime e çka mos tjetër. Krejt kush është vrarë gjatë luftës, është vrarë nga plumbi i dorës së organizuar nga strukturat e shtetit të Serbisë, atëherë. Ose në masë, ose në grupe më të vogla, ose i vetëm. Janë vrarë civilë, të pa mbrojtur, në shtëpinë e në tokën e vetë. Janë vrarë se ishin shqiptarë. Janë vrarë, se, e shfaqen mendimin, orientimin për Liri. Janë vrarë vetëm se kanë menduar për Lirinë, e lëre më ata që kanë luftuar për lirinë.

Në Meje të Gjakovës, u vranë 376 shqiptarë. Pa dashur të aneksojë shumë nga masakrat tjera në Kosovë, kjo u quajt edhe Srebrenica e dytë. Kishte diçka më selektive, më ndryshe, nga ajo në Bosnje, por, u vranë shumë, kryesisht të rijë, e që u quajt hakmarrje, ashtu sikur shfrynë në Srebrenicë.

Edhe ne jemi duke kërkuar eshtra të njerëzve. Jemi duke rivarrosur. Jemi duke kërkuar drejtësi. Por, nuk e di edhe sa vite do ta pranojnë se ka pasur gjenocid. Ndoshta për 376 veta të vrarë, në masë, për pakë orë, në organizim, pa juridiksion, me fiks ide, me paragjykime politike, për plaçkë, nuk ka nevojë për shumë mbledhje të diplomacisë. Se, për kaq njerëz, kush qan kokën?

Aiiii, sa masakra me kaq njerëz kanë bërë serbët, e po çohet diplomacia në këmbë të denoncojnë serbët!?
Ka një përgjigje rreth kësaj.

Drejtësia, po thotë, s’kemi fakte. Nuk ka dëshmitarë. Nuk dimë kush e ka bërë. Veç se, fatkeqësi e politikës së Serbisë ishte, se kufomat u gjetën në tokën e Batajnicës së Serbisë. Dhe, ato kufoma, atje i dërguan vetë serbët. Dhe, dikush i pa dhe foli. Dhe, dikush e pranoi se ka kufoma, i nxorën nga Batajnica famëkeqe dhe disa i kthyen. I kthyen në kufirin Mërdare, duke nënshkruar një protokoll ndërkombëtar. Me nga një certifikatë, ku shkruan “nuk dihet shkaktari i vdekjes. Aty këtu, shkruan “plumb në kokë, në trup” etj.

Shkaktari i vdekjes është plumbi, por, dorasi nuk dihet. Për ta ditur dorasin duhet të çohet një Evropë në këmbë, të mbajnë mbledhje, të ketë faktografi, e këto mbledhje duhet ti sponsorizojë dikush. Kufoma nuk është faktografi. Letra është çka është se! Kufoma e njeriut, në këso raste të luftës, pikërisht në luftërat e Serbisë, është material shpenzues i luftës, e cila nuk paraqet asgjë.

Ne nuk dhamë shumë letra sa Srebrenica, ndërsa varret po i mbajmë si relikte të një të kaluare të hidhur. Dhe, për ironi, nuk ka kush as të na ndërtojë një Memorial, sa për kujtesë historike.

Komente

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht. Erforderliche Felder sind mit * markiert

Zur Werkzeugleiste springen